Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Nën hijen e mollave të egra

| E hene, 12.08.2019, 07:44 PM |


Nën hijen e mollave të egra

Nga Blerim Rrecaj

Nëpër kryeqytet kemi hasur në disa trupa mollash të egra. Do të ndalemi te dy nga keta trupa e kushedi, ndokush edhe mund ta dijë a përcaktojë moshën e tyre. Njëri nga ta, për të cilin po fillojmë të flasim së pari për të, ndodhet në qoshk të një udhëkryqi që është dhe stacion ku presin udhëtarët, pranë një kiosku të përqafuar me fletë e degë të ngarkuara me mollë të gjelbërta, të forta, mjaft të mëdha, disi gjysmë të egra. Këto molla qytetse vështrohen e vështrojnë kah rrugët, kalimtarët, makinat semaforët, ca me sy nga Grandi e ca të tjera nga ish pallati i medieve "Rilindja". Ca kanë rënë për të vazhduar qëndrimin në trotuar e ndonjëra mbase dhe në rrugë. Këto molla "rrugaçe" të këtij trungu degëshumë e kokërrumbullak seç duken se ndjenjë një lloj krenarie, sidomos tash kur po shkojnë drejt pjekurisë së tyre, duke kujtuar rrugëtimin plot ngjarje, çaste, kujtime. Ky trung ndjehet krenar, ndonëse i sulmuar nga pluhura e gazra makinash siç mund të shprehet ndonjë poet a shkrimtar, por me mjaft fat që në ndonjë degë horizontale e paksa krryle u kap, vë duart e luhatet ndonjë fëmijë kureshtar. Dalim tash te molla tjetër. Trupi i saj pothuajse i njejtë, por më degëgjerë, më degëpërhapur, ku notojnë plot trumcakë që enden gëmushave e drunjëve tjerë, pishave e bëhen bashkë me pëllumbat për thërrimet e hedhura në bar, e që tremben herë- herë nga dy-tre korba që enden këtejpari, edhe për t'u ndalur te fontana e edhe te çezmja pak më tej. Për t'u kthyer përsëri te kokrrat e kësaj molle që janë më të vogla, degëplota,kalavesh, të përkulura. Dikush pa farë qëllimi kap njërën degë e pas tërheqjes dy-tri kokërrmolla bijen nën hijen e trungmollës. Pra, pikin mollat nën molla, në këtë vapë dremitëse e kllapindjellëse. Një mollë ka filluar të skuqet dhe dielli e shëndrit të tërën, e nuancat e të kuqes, të gjelbërtës e të verdhës e bën të duket aq ëmblake, (ndonëse kafshimi i saj do të na sjellë një shije limoni) që të bind se as terri i natës në të s'mund e s'ka si të bie...