E premte, 29.03.2024, 01:37 PM (GMT)

Editorial

Beteja e territoreve dhe miklimi nga pushteti i parasë

E shtune, 19.05.2007, 08:16 PM


Nga Albert Vataj

Albert Vataj
Do të mjaftonte qasja për rregullimet e marrëdhënieve ligjore të biznesit që klasa politike të gjente veten në një tjetër kacafytje idesh dhe kundërshtishë. Poseduesit e pushtetit gjithnjë kanë një mundësi për të vendosur pozita superiore, duke propozuar praktika ligjore dhe mjete të vërë nën fre logjikën e funksionimit të biznesit. Gjithashtu edhe opozita turravrap gjen me dhjetra arsye për ta rreshtuar gjithë potencialin e saj njerëzor në frontin e kundërmësymësit. Me apo pa të drejtë, motivuese ose jo, në emër të modernitetit dhe shmangies së abuzimeve, apo nën yryshin e një hakërrie politike, në tërësi të gjitha përbëjnë një paragjykim, njëanshmëri dhe tendencë për territore influence. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhën biznesmenët e tyre, secili në nga një sallë, në hotel "Tirana". Themi të tyret, sepse tashmë është bërë publike se cilat biznese mbështesin opozitën e cilat qeverinë. Natyrshëm që edhe tjetër kund botës moderne e demokratike, bizneset mbështesin njërin apo tjetrin krah të politikës, madje hapur fare ata sponsorizojnë aktivitete politike. Në SHBA, p.sh. gara për të mbledhur fonde nga njerëzit e pasur është një fushatë më vete. Parë në këtë këndvështrim, ndarja që i ka bërë politika biznesit nuk paraqet ndonjë gjetje, apo më tepër, ndonjë rrezik.
Por po të konvertohet fenomeni në realitetin shqiptar, ndarja që politika i ka bërë biznesit, në qeveritar dhe opozitar, është një dukuri me përmasa kriminale. Bizneset nuk u shkojnë pas liderëve politikë, sepse mbështesin linjat e tyre politike. Jo, gjysma i lëpihet qeverisë për të përfituar lehtësirat që të jep qyrku qeveritar, ndërsa gjysma tjetër kërkon strehim politik në zyrat e opozitës për t‘u mbrojtur nga sulmet e qeverisë. Në këtë këndvështrim, liderët e politikës, më shumë se të tillë na shfaqen si padronë të biznesit, të cilin e ledhatojnë dhe sulmojnë sipas takatit që u jep pushteti. Sjellja brutale e pushtetit me biznesin e ka ndarë atë në dy pjesë. Që të bësh biznes, duhet të jesh ose socialist dhe të përfitosh ofiqet kur socialistët janë në pushtet, ose demokrat dhe të bësh të njëjtën gjë kur ata sundojnë në këtë vend. Ka dhe një rrugë të mesme, të jesh bandit dhe këtu ka dilema në arsyetim, nëse janë ata që kanë më shumë nevojë për partitë, apo partitë për ta. Kur socialistët erdhën në pushtet në ‘97, sipërmarrjet me teserë të kuqe lulëzuan nxitimthi. Ata e vajisën dhe grasatuan qerren e pushtetit dhe e yshtën karvanin e tyre ku t‘u tekej, duke përfituar lehtësira doganore, tatimore e duke ndërtuar ku të mundnin. Madje, në Tiranë, njëri syresh ndërtoi mu në oborrin e një fakulteti një distributor gjigant karburanti dhe një motel prostitutash, saqë në orët e mësimit, në sallën e leksioneve dëgjoheshin rënkimet erotike të klientëve. Në të njëjtën kohë, shumë biznese me teserë blu u tkurrën në trysninë mekanizmave shtetërorë që bënin "drejtësi". Në vitin 2005, sapo Berisha mori pushtetin i ra bilbilit dhe shumë anije mbeten në det pa guxuar t‘u afrohen kalatave. Hapur fare, sipërmarrje private që nuk ishin "demokratë" u penalizuan për t‘u hapur tregun sipërmarrjeve që kishin lidhje me qeverinë e re. Të gjithë e mbajmë mend odisenë e OLIM-it, i cili u bllokua për disa muaj derisa kapën tregun kompani të tjera vaji, deri atëherë në minorancë. Në Vlorë vazhdon të jetë ende në det një anije me gaz. Ajo u la aty me një mijë pretendime doganore, pasi duhej të shkarkonte më parë e ta shiste gazin një shoqëri që i përket një personi të afërt me qeverinë. Shoqëritë e ndërtimit dihen publikisht se cilat janë me PD-në e cilat me PS-në dhe në këtë varësi ata shpërblehen ose penalizohen në marrjen e shesheve për ndërtim. Dhe janë pikërisht këto biznese që ushqejnë fushatat luksoze të partive që gëlojnë në vendin më të varfër të Evropës. Ndërsa secila palë merr flamurin e luftës kundër informalitetit kur është në pushtet, ato janë vetë sipërmarrjet më të mëdha informale në vend. Sa para shpenzoi PD për fushatën e shkurtit, po PS? Nuk e dimë! Nuk e dimë, sepse janë këto biznese gjysmë të zeza e gjysmë të bardha që ushqejnë makineritë e tyre politike dhe është kjo makineri që i ka ndarë ata në skuadra që duhet të ndeshen ekonomikisht mes tyre njësoj siç ndeshen partitë. Nga biznesi i madh, ndarja politike vazhdon edhe poshtë, te biznesi i mesëm e ai i vogël, ai që shet qofte e byrekë në një kioskë, ai që shet rroba në një rrugicë, apo kafenetë dhe mejhanet në fshat. Kryetari i komunës i bën gjëmën një dyqanxhiu sot, i cili gjatë fushatës elektorale guxoi të ngjiste në fasadën e dyqanit të tij posterin e kundërshtarit. Edhe ai e përdor taksidarin e fshatit për t‘i treguar tregtarit se herë tjetër duhet të jetë me të. Nën hijen e pashait të madh, beu i vogël është edhe më katil në raportet me biznesin. Ata që u morën me organizimin e fushatave elektorale në Tiranë e dinë se ç‘hoqën për të gjetur zyra me qira në zonat elektorale. Askush nuk pranonte ta jetë dyqanin edhe pse oferta ishte joshëse. Po sikur të fitojë ai tjetri, ku të shkoj? Politika ka mbjellë terror kudo në biznes, administratë e mbarë shoqërinë. Janë ndarë politikisht bizneset, kompanitë, dyqanet, mejhanet, mësuesit, elektricistët, gazetarët, nëpunësit, shoferët e furgonit dhe gjithçka tjetër. Në një vend ku bëhet ç‘do për ta mbajtur pushtetin e ç‘do për ta marrë atë, shoqëria nuk është gjë tjetër, veçse arena ky zhvillohet kjo ndeshje. Jeta jonë është bërë edhe më e vështirë, me e rëndë dhe më e lodhshme. Këtu politizimi ka shkuar deri në palcë. Këtu nuk flitet më as për libra, për filma, për teatër, apo diç tjetër, por vetëm për politikë. Çdo orë të ditës, çdo ditë të javës e çdo javë të muajit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora