Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Ilir Shaqiri, figurë emblematike e kombit

| E shtune, 10.08.2019, 07:42 PM |


Ilir Shaqiri, figurë emblematike e kombit

Nga Ibrahim Kabili

Motiv për të shkruar për këngëtarin, shkrimtarin dhe kompozitorin Ilir Shaqiri u bë krijimi i tij; Batalioni Atlantiku.Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë letrare dhe artistike të intelektualit, shkrimtarit, kompozitorit dhe këngëtarit emblematik Ilir Shaqiri është një privilegj. Kam rënë në kontakt me këngët e tij në  vitev '80 dhe vazhdoj ti ndjek me shumë kënaqësi. Krijimtaria e Ilirit është e gjerë dhe e larmishme. Ajoi ngjan një oqeani të gjerë e të thellë, që sado që të shfrytëzohet nuk shteron kurrë. Eshtë e pa mundur që në këtë shkrim të përshkruash gjithë këtë veprimtari të larmishme të shtrirë në kohë. Në skenë ka dalë për herë të parë në vitin 1978 dhe vazhdon të krijojë dhe interpretojë dhe tani. Krijimi i tij më i fundit në fillim të vitit 2019 Batalioni Atlantiku.

Në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut,  Shaqiri vjen me një krijim të ri të titulluar "Kalorësi i lirisë". Vargjet e këngës janë lapidare, teksti i saj i shkruar nga Iliri është shkruar me një mjeshtëri të lartë artistike. Eshtë i mbështetur tërësisht në historinë tonë kombëtare, duke evokuar veprën e   heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Stili i të shkruajturit, kombinimi i vargjeve dhe interpretimi nga vetë Iliri, Arif Vladi dhe Nikoll Nikprela, me orkestrim të Edmond Zhulalit, qe një produkt muzikor mjaft i mirë.

Lart në qiell rri lavdia

Krenaria jonë ti je

Kur më pyesin nëpër botë

Jam shqiptar-Skënderbe!...

Ilir Shaqiri nëpërmjet mjeshtërisë  së penës, bukurisë së artit dhe forcës magjike të këngës së tijë, është vënë totalisht në shërbim të popullit, në shërbim të kombit të vet. Për brezin e ri dhe lexuesin e gjerë po sjellim në vemendje një pjesë të shkurtër nga jeta dhe krijimtaria e shkrimtarit dhe artistit Shaqiri.

Ai u lind në Burojë të Drenicës më 6.12.1960.  Arsimin fillor e ka kryer në Turiqec, ndërsa shkollën e mesme për farmaci në Prizren. Arsimin e lartë në degën gjuhë dhe letërsi shqipe e ka filluar në Prizren dhe mbaruar në Prishtinë me rezultate shumë të mira. Në vitin 1983, në Drenicë në festivalin "Rapsodët këndojnë" merr çmimin e parë. Në vitin 1984 me Shoqërinë Kulturore të Mitrovicës vlerësohet si interpretues i shkëlqyeshëm. Bashkë me Hamëz Jasharin në vitin 1985 formuan ansamblin folklorik "Drenica" të cilin e drejtuan deri më 1990.

Ansambli, nën drejtimin e tyre, krijoi një repertor të pasur artistik dhe u bë i njohur në Kosovë e më gjerë. Në këtë kohë krijimtaria artistike e Ilirit dhe interpretimi si këngëtarë ishin në rritje. Ai tani ishte i afirmuar si një artist i kompletuar dhe ishte bërë shumë i dashur për publikun e gjërë. Këtë e vërteton më së miri krijimtaria e tijë, pritjet në skenë, mbështetja e publikut dhe çmimet që atij i akordoheshin vit pas viti.

Gjatë kësaj periudhe kohore është vlerësuar më 1992 në "Festarb" në Shkup me çmimin e parë të publikut. Më 1994 në festivalin ndërkombëtar "Folkmoot USA" në Karolinën e Veriut me çmim special. Më 1995 në festivalin "Kënga shqiptare" në Prishtinë merr çmimet e para, atë të jurisë dhe të publikut.

Kohët që po përjetonte Kosova në këtë periudhë po bëheshin gjithnjë e më të vështira, gjithnjë e më shumë dramatike. Me ardhjen në pushtet të Millosheviçit gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës arriti kulmin. Gjendja nuk durohej më. Në skenë doli UÇK-ja. Hamzë Jashari, bashkëpuntori i dikurshëm i Ilirit në skenë, tani radhitet në radhët e UÇK-së përkrah komandantit legjendar Adem Jashari. Pas një qëndrese të fortë bien heroikisht në mars 1998 në mbrojtje të familjes, Prekazit, në mbrojtje të Kosovës; Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari së bashku 53 pjestarë të tjerë të fisit të tijë. Këtë e përjeton rëndë Kosova, e përjeton rëndë Shqipëria, e përjeton rëndë e gjithë shqiptaria. Pa gjak nuk fitohet liria! Pikërisht te ky akt heroik dhe të tjera si to, e merr forcën Iliri, frymëzohet, krijon vargje dhe këndon këngë.

Në vitin 1998 botoi albumin "Këtu shkëlqen plisi" dhe së bashku me shumë këngëtar të tjerë mbajti 109 koncerte në përkrahje të UÇK-së si në Kosovë, Shqipëri, M.Zi, Maqedoni dhe shumë vende të botës. Këto koncerte i frymëzuan shqiptaret kudo që ndodheshin për të marrë pjesë në radhet e UÇK-së. Me të ardhurat e tyre ndihmohej e financohej lufta në Kosovë. Shumë shqiptarë në perëndim lanë familjet e tyre atje dhe morën pjesë masivisht në luftë. Një pjesë e tyre dhanë jetën për liri. Pikërisht me këto këngë të Ilirit dhe këngëtarëve të tjerë, në vitet e luftës  u ringjallej ndjenja kombëtare, u paralajmërua liria dhe pavarësia e Kosovës. Disa luftuan me armë, të tjerët me magjinë e fjalës!

Iliri pothuajse ka krijuar dhe kënduar këngë për pjesën më të madhe të dëshmorëvë të UÇK-së. Duke evokuar veprën e shokut të tijë, në vitin 2017 realizon këngën "Pyet Drenica":

...M'ka marrë malli Hamzë me të pa

Si përpiqen vllau me vlla

Ndash n'Prekaz e ndash n'Burojë

Veç dy fjalë ti flas me gojë...

Vargje tepër domethënëse, interpretim me nivel të lartë artistik, përjetësim i pa vdekshëm i veprës së heronjëvë. Dashuri dhe mall për vendlindjen. Mall për shokun e tijë,  Hamzën, tanimë dëshmor i kombit.Me shumë të drejtë thuhet se këngët për dëshmorët janë "monopol"i interpretimit të Ilirit. Nga viti në vit krijimtaria e tijë artistike ka ardhur në rritje si nga ana sasiore po ashtu dhe nga ajo cilësore. Iliri ka kënduar dhe këndon këngë historike, epike dhe lirike.

Gjatë karrierës së tijë të gjatë si artist ai u ka kënduar me pasion, dashuri, respekt dhe gjithë fuqinë e shpirtit të tijë figurave të shquara të kombit si: Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Azem e Shote Galicës, Hasan Prishtinës, Shaban, Adem e Hamzë Jasharit dhe dëshmorëve të tjerë të lirisë.

Iliri i ka qarë këngët epike, ai është ustai  i tyre. Në pamje të parë të jep përshtypjen e këngëtarit epik. Por "jo", në intervista të tijë ai shprehet: "Unë për këngën epike ndjej obligim, ndërsa këngën lirike e kam pasion, ashtu si dhe baladat i kam pasion". Sa më shumë kalojnë vitet aq më tepër rritet repertori i këngëve të Ilirit. Këto këngë janë të larmishme dhe rrokin të gjithë trevat shqiptare e mërgatën.

Ndër të tjera këngë,  të interpretuara nga Iliri janë dhe: "Djem petrita ka rrit Drenica", "Luma e Kuqe ka lidh besë", "Falë të qoftë gjaku Kosovë", "Fjalët e Qiririt", "Plisat udhëtojnë kah dielli", "Këngë e rrallë", "Këtu kam folenë", "Liri", "Zëri i Atdheut", "Udhët e mia", "Tingujt e zjarrtë", "Jam Evropë", " Çlirimtari", "Garda e Kosovës", "Këngët e përngritjes", "Bota e rinisë", "Pavarësia"etj.

Në vitin 1999 në koncertin ndërkombëtar të organizuar në Bruksel është vlerësuar si këngëtari Emblematik i Ballkanit. Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë se Shqipërisë boton albumin me 100 këngët më të zgjedhura. Vitet e fundit ka bërë këngë për Teki Voglin rënë me forcat paqeruajtëse në Kandahar.

Ka krijuar e kënduar këngë për Skerdilajt Llagamin, luftëtarin e UÇK-së, UÇPMB dhe UÇK ku ra dhe dëshmor. Pasi i kërkuam këngën për Shpendin, në bisedë e sipër në Prishtinë te RTK-ja me të, dhe babain e Shpendit, ai shprehet:"Faleminderit që më keni zgjedhur mua, me shumë kënaqësi do e bëj këngën, pa asnjë shpërblim, sa të jemë gjallë e të kemë jetë dhe zë do t'ju këndoj me gjithë fuqinë e shpirtit dhe pa para dëshmorëve të kombit". Ikëm me përshtypjet më të mira .Të nesërmen në mëngjes, pasi kishte punuar deri në agim, më dërgon tekstin e këngës për Skerdin. Ishte një baladë drithëruese. E kompozuar nga Zhulali u këndua në Tiranë më 5 maj 2018 me rastin e promovimit të poemës Adem Jashari. Teksti i këngës " Balada Shpendi" e realizuar mjeshtërisht nga Ilir Shaqiri përjetëson në altarin  e lirisë dhe në histori jetën dhe veprën e Skerdilajt Llagamit që mori pjesë në tre luftërat e fundit dhe ra, atje në Bogovi, pranë Sharrit, për mos me vdekur kurrë.

... Kush e pa e nuk e tha

Ballin me serma

Trimit me dy emra

Kosovë i th'rret zemra

Ngjallesh e ringjallesh

Shpendi me dy krerë

Flaka t'rri mbi vetull

Një cop diell nën sqetull...

Siç përmendëm dhe më sipër Iliri merret me ngjarje  dhe tema të mëdha të Kombit. Ai është i pandalshëm në përshkrimin dhe trajtimin e tyre. Në përvjetorin e 20 të luftës së UÇK-së dhe të krijimit të Batalionit Atlantiku në Nju Jork, Iliri krijon një këngë për Batalionin dhe ushtaret e tijë.Megjithëse një pjesë e tyre ishin të lindur e rritur në  Amerikë, ata rrokën armët erdhën në dheun e tyre.U bënë pjesë e UÇK-së dhe luftuan për liri. Nga ky batalion ranë dëshmorë tre vëllezërit Bytyçi.Janë këto motivet e mëdha që çuan në këtë bashkëpunim midis Arben Krasniqit dhe Ilirit për këtë realizim të madh, të këngës Batalioni Atlantiku.Gjatë intervistës në RTK ata suksesin e arritur në këtë krijim,  modestisht ja identikojnë njëri tjetrit.Vargjet, muzika, orkestrimi dhe interpretimi janë harmonike dhe përjetësojnë luftën heroike të djemve e vajzave mërgimtare në mbrojtje të tokës arbnore:

Larg, Atdheut një këngë shqiptare

Këngë lirie, n'djep e nisur

Zjarr Kosove në mes t'Nju Jorkut

Thrrasin trimat brohoritur

Dardani o tokë arbnore

Zemër zjarr, llav çeliku

Oqeani po vjen përmbi re

Batalioni Atlantiku

Kjo stuhi e dalë nga shpirti

Eshtë besëlidhja jonë e re

Nuk ka n'bot asgja ma t'bukur

Se kur rrahin, zemrat për Atdhe

Iliri ka dhe një veprimtari të çmuar edhe në fushën e letërsisë. Ai ndër të tjera ka botuar: Romanin  "Tan Temali"më 2014, romanin "Lemza e dheut" më 2016 dhe poemën"Adem Jashari" më 2018. Për këto vepra ka marrë vlerësimet më të mira nga specialistët e fushës përkatëse dhe kritika letrare. Falë punës dhe kontributit të dhënë për luftën, është nderuar me "Mirënjohje"nga UÇK-ja dhe shoqatat e dala nga lufta e saj. Në vitin 2011 është nderuar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me çmimin "Naim Frashëri i Artë". Natyrisht në punën e tij të vështirë ai ka bashkëpunuar me poetë, kompozitor, artistë, orkestrantë, të cilët e kanë ndihmuar në punën e tij.

Në këtë shkrim përshkruam një pjesë të vogël të arritjeve të këngëtarit e krijuesit Ilir Shaqiri. Krijimtaria e tij artistike, është një vlerë e pashterëshme kombëtare...

Tiranë më 04.08.2019