E diele, 22.09.2019, 03:53 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Ofelia nuk kthehet më...

E shtune, 10.08.2019, 07:17 PM


P o e z i

Sejdi BERISHA:

OFELIA* NUK KTHEHET MË...

(Poemë, baladë apo gjerdan ironie)

1.

Ofeli

Sa shenjtëri do të jetë

Kujtimet për t’i kthyer

Për të biseduar për tokën e djegur

Edhe për tragjedinë e Hamletit

Për ta përqafuar gjirin e nënës

Diellit për t’iu lutur

Për madhështinë e lumturisë

Nën dritën e hënës

Netët për t’i shprushur

Edhe atë djersën e babait

Mbi xhaketën kore për ta kujtuar

Si shtresën e vesës në vjeshtë

2.

Ofeli

Sa peshë ka për të biseduar

Për ato dënesjet e tokës për njeriun

Për shtëpinë që nuk është më

Sa mall është

Me lotët e rinisë për t’u larë

Për ta peshuar etjen

E cila shumëçka fsheh e nuk tregon

3.

Ofeli

Më ka marrë malli

Të rrokullisemi shpatijeve me lule

E në arat plot eshtra

Për ta marrë nga një shtalb misri

Edhe aty kemi kujtime

Të palosur gjer në ka të zi

E deri lartë në qiell

4.

Ofeli

Shkrumb kam për të kuvenduar

Për bankat e shkollave

Edhe për Migjenin me kollë

Edhe për Seremben

Hero dashurie

Ata e kanë shkruar historinë

E Lulit të Vocërr

Edhe të dashurisë gjer në Brazil

5.

Ofeli

Kam dëshirë të kthejmë

Tek ai Kroi i Mulla Dervishit

Edhe tek Shatërvani i qytetit

Ku kanë shuar etjen

Njerëzit me ëndrra shumë

Edhe ata me pak shpresa

Të shkojmë edhe tek Çarshia e Gjatë

Që gjithmonë ia fshehën historinë

Edhe në Tabje

Në atë kodrinë misteri

Mbi Pejën hidhërake

Gjithkush ka dëshirë

Të kthejë tek ajo histori e ndrydhur

Ku fshihen e kurrë s’pushojnë

Eshtrat e njerëzve të pafajshëm

Të atyre që e deshën qytetin

Që e ëndërruan lirinë

E ta shkruajmë një histori të re

Të ndërtuar me gurë dashurie

6.

Ofeli

Ujëvara te Gryka e Rugovës

Ka shumëçka për të thënë

Edhe për ëndrrat e dashnorëve

Edhe për besën

Edhe për tradhtinë

Që ndër shekuj

E ka mjegulluar historinë

7.

Ofeli

Edhe Lumëbardhi

Që përmjedis qytetit gjarpëron

Që edhe sot

As për kujtimet dhe as për dhembjet

Asgjë nuk tregon

Por vetëm ujin në këngë e shndërron

Kurse stinët aq shumë i madhështon

8.

Ofeli

Në Kapeshnicë

Që tërë bota e njeh

Atje dashuritë më së shumti

Në mes vete janë kallë e përcëlluar

Kurse qumështi i dhisë

Vashat i ka dalldisur

Bukës prej çerepi

Shije për t’i dhënë

9.

Ofeli

E di Ti sa madhështore është kjo

Kur në kajnaçe e kroje

Vashat e reja

Këmishët mbi gjinj i kanë flladitë

Me nallane i kanë dhënë hyhshret

Kalldrëmit të sokakut

I kanë çmendur edhe të rinjtë

10.

Ofeli

A të kujtohen

Të rinjtë me nga një vllakë me dru

Qonin pluhur rrugicave

Duke bërë leqe u iknin pylltarëve

Donin dimrin për ta siguruar

O sa kënaqësi

Ajo kënga e hershme e gjelit

Kujtimet i kthente në zemrat vullkan

Edhe shpresat për ditë të re

11.

Ofeli

I mbanë mend dyert e oborreve

Edhe rezat në to

Që tinëz hapeshin

Për t’i tretur diku ëndrrat

Kjo është e çmendur lumturi

Edhe dhembje e rëndë guri

Që përqafohen në mes vete

Sepse ashtu kanë peshë e urtësi

12.

Ofeli

Në Karagaç

Edhe atje ka kujtime të gurëzuara

Të fshehura në bar e në liqe

E drunjtë

Vetëm cicërimën e zogjve nuk e harronin

13.

Ofeli

Kur të takohemi

Edhe për lirinë do të themi diçka

Edhe për robërinë

Edhe për gjakun

Edhe për të pa gjurmët

Edhe për njerëzit e zhdukur

Eshtrat e tyre rrinë me syhapur

Kah vendlindja dhe atdheu

Kah nënat dhe baballarët

Kah fëmijët dhe gjyshërit

Kah motrat dhe vëllezërit

14.

Ofeli

Edhe ata kuvendojnë

Edhe për tradhtinë

Edhe për lakminë

Që tokën e qojnë peshë

Si në kohën e Ilirisë

Si në kohën e Skënderbeut

Si dje dhe sot

E si t’i quajmë atëherë këto

Tradhti apo marri

Dhembje apo tragjedi

15.

Ofeli

Për tërë këtë

Çfarë do të thoshte

Ismail Qemali e Hasan Prishtina

A do të flisnin Azem e Shote Galica

A do t’i lëvizte në brez koburja Isa Boletinit

Po çfarë do të mendonte

Ali Pashë Tepelena e Esat Pashë Toptani

Çfarë do thonë edhe shumë të tjerë

Çfarë do fliste Adem Jashari

Edhe dëshmorët e rënë

Çfarë do thotë rinia

Që po ia kthen shpinën atdheut

16.

Ofeli

Po shqiponjat çfarë do thonë

Për qiellin e tokën e tyre

Por kësaj radhe

Nuk do flasim asgjë për këtë

17.

Ofeli

Të kthejmë pak

Në Sarandë edhe në Himarë

Atje ullinjtë ligjërojnë shenjtërinë

E te Butrinti çfarë nuk jehon

Në Lezhë e në Krujë

Ka peshë guri i kalasë

18.

Ofeli

Në Shkodër e në Durrës

Do rrimë pak më shumë

Edhe në Elbasan

Atje ku është shkolla e parë normale

Edhe në Manastir do shkojmë

Se atje janë do data

E do shkronja alfabeti

19.

Ofeli

Në Vlorë e  Bajram Curr

Heshtja nuk ka vend

E në Plavë e Guci

Do ecim si malësorë

Te Krojet e Ali Pashës

Do pimë pak ujë për freski

20.

Ofeli

Do shkojmë në Prizren e në Berat

Edhe në Shkup e Mitrovicë

Pak do kthejmë

Edhe në Palermo e Kalabri

Do ta kuptojmë sa vlerë kanë

Gjaku e kënga kur këndohen shqip

21.

Ofeli

Atëherë do të bindemi

Sa larg është e vërteta

Sa rrenë ka jeta

22.

Ofeli

Po të pyes kështu

Se për këtë më së miri e di Ti

Se Shekspiri na nxori telashe

Me tragjedinë e dashurinë

Me vrasjet e me vuajtjet

E njeriut për e kundër njeriut

23.

Ofeli

Do të flasim

Edhe për dashurinë tuaj

Edhe për Hamletin

Edhe për ikjen tënde në lumë

Që ai moment

Ishte gjëmë e dhembje

Toke e qielli

A është kështu Ofeli

24.

Ofeli

A të kthejmë sonte në teatër

E ta shfaqim këtë dramë apo tragjedi

25.

Por

Ofelia nuk kthehet më

Edhe pse kam dëshirë

Të ishim bashkë sonte

Dhe nën dritën e hënës

Në acarin e mallit e të dhembjeve

Të rrëfejmë gjithçka për jetën

Por

Ofelia sonte nuk vjen

Ofelia nuk kthehet më...

*Ofelia, ishte e dashura e Hamletit nga Tragjedia “Hamleti” e Shekspirit,. Ajo, pasi, ia vrasin babanë, ishte shumë e tronditur dhe një ditë mbytet në lumë...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT