Editorial
Ardian Ndreca: Laci i lagjes admiron përdhunuesin serial të demokracisë
E shtune, 10.08.2019, 09:00 PM
Laci i lagjes admiron përdhunuesin serial të demokracisë
Nga
Ardian Ndreca
Monumenti
i shehitëve të Erdoganit në Tiranë ka vetëm nji domethanie dhe s’ka të bajnë me
“krijimin e kujtesës” për të cilin flet Herodoti, por me zonën e përmjerrun që
felini i Azisë së Vogël ka shenjue në Ballkan. Ai memorial ka kuptimin politik
të të qenit zorrë qorre, miletbahçe private e nji diktatorit që tashma vetëm
Putini i hapë krahët.
Memoriali
asht nji monument dhe skaji rrjedh prej latinishtes “monere”, me kujtue! Çka
t’i përkujtojnë shqiptarët 15 korrikut turk! Asgja. Ndoshta i vetmi turk që meriton
me u kujtue asht Ati i Turqisë moderne, por ai siç dihet i ban hije Erdoganit
për shkak të shpirtit laik të politikës së tij.
Pse
duhet që ne të marrim pozicion ndërmjet luftës së mbrendshme mes ish shitësit
të limonatave të Bosforit dhe predikuesit Gülen! Se mos i zgjidhëm problemet
tona ne që të bahemi arbitra në punët e të tjerëve!
Në
Tiranën bihude kremtohet në mënyrë transversale pikërisht ajo demokracia e
rilindun e Erdoganit për të cilën Europa ia ka mbyllë definitivisht derën.
Emnat e atyne të ramëve për ne s’mund të kenë asnji kuptim politik dhe peshë
historike. Prania e tyne në Tiranë asht thjeshtë falë lidhjeve personale mes dy
kapove dhe jo fryt i miqsisë së ndërsjellë mes dy popujve. Fryt i
arbitraritetit maksimal dhe i arrogancës së padurueshme të nji deliranti. Po në
qoftë se nesër Rama do të miqsohej me diktatorin e Burundit Nkurunziza, çka do
të shpikte, do të vendoste në Tiranë nji memorial për milicët hutu që e
mbrojtën prej nji grushti shteti?!
Asht
jashtë çdo diskutimi se tek ne nji memorial i tillë asht i pavend siç do të
ishte ai i hutuve apo i kujtdo tjetër. Po të kishte këtë ndjeshmëni Rama do të
duhej të kishte përkujtue katër të vramët e 21 janarit, të cilët u sakrifikuen
për karrigen e tij dhe nuk gjetën drejtësi në zululandin ku mbretnon deliri i
nji njeriu që kujton se din gjithçka dhe mundet me ba gjithçka.
Shqipnia
nuk asht pronë e jueja që ta poshtnoni dhe ta dhunoni sistematikisht, ju jeni
të përkohshëm, madje shpresojmë shumë të përkohshëm dhe ne na vjen turp që
politika shqiptare përfaqsohet prej Ramës, Bashës, Kryemadhit, Berishës dhe
Metës me rropulli.
Ndër
gjithë këta Rama ka nji veçori, i pëlqen shoqnia e të fortëve, e kujton të
fortë Erdoganin. Por ish limonataxhia i Bosforit nuk asht siç i pëlqen me u
dukë, edhe pse ka krijue nji parajse për miqtë e tij që kanë probleme me pasuni
të pajustifikueshme para ligjit.
Ramës
i përshtaten disa rreshta me të cilët Teofrasti (nuk hyn ndër autorët e lexuem
as prej tij e as prej Erdoganit) portretizon karakterin e “philoponeros”: atij
që vdes për me qenë mik i zuzarëve, i të ashtuquejtunve të fortë në politikë e
në jetë, i atyne që shkelin ligjin, i hajdutëve dhe mashtruesve, pse kështu i
duket vetja i fortë tue mbajtë krahun e tyne. Të ngjashmit gjejnë njeni tjetrin
- thotë Teofrasti.
Laci
i lagjes admiron përdhunuesin serial të demokracisë, ky asht titulli i
memorialit turk. Zakonisht të sëmurëve u shtohet deliri kur u vjen fundi dhe ne
atë fund do ta presim pa keqardhje dhe me shumë neveri.