Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Saçi politik mbi popullin e vuajtur të Kosovës

| E enjte, 08.08.2019, 07:07 PM |


Saçi politik mbi popullin e vuajtur të Kosovës

Nga Ndue Ukaj

Shteti nuk është projekt dosido, por është projekt madhor që bëhet nga njerëz të ditur. Dhe jo një mësymje që i ngjan një gare pehlivanësh, ku provohet kush është më i fortë e më i zhdërvjelltë në rrëzimin e tjetrit. Shteti nuk është as koncept kuvendimesh nëpër oda, nën cikërrimën e gotave të çajit e tymit të duhanit e ku flitet me ton të lartë dhe ku vërshojnë intriga e thashetheme pafund. Shteti, parasëgjithash është koncept dituror, i njerëzve profesionistë, të urtë dhe fisnikë, që të vërtetat i formojnë duke u bazuar te empiria, modelet kulturore e politike dhe te shumësia e librave dhe dijeve humane.

Në mungese të një shkolle kombëtare për shtetin, shoqëria jonë rropatet andej e këndej, pa mundur të gjejë paqe e prehje për vete, dhe përditë e më shumë, në sytë e botës, ajo paraqitet si një fëmijë me probleme serioze, rrita dhe pjekja e të cilit vërtet është në pikëpyetje të madhe.

Kjo ndodh, sepse, projekti ynë shtetëror nuk i nënshtrohet një kritike diturore e as një gjykimi racional, por është punë e mendjelehtëve që kënaqen me pak, me një vizitë kurtuazie, nën hijen e një peme, në një restorant, me një qengj të pjekur, duke cakërruar ndonjë gotë raki apo duke ia krisë këngës dhe me disa fotografi që përfundojnë në rrjete sociale.

Duke mos përfillë asnjë model politik - e as demokracinë- te ne është shprishur deri në rrafsh banal tërë sistemi i vlerave dhe shoqëria është mbërthyer keq nga pehlivanë e mashtrues. Kjo mendësi, ka bërë që në shoqërinë tonë, pak kush të respektojë dijen dhe të vërtetën. Dhe, për pasojë, pak kush flet me respekt për këto vlera sublime, rreth të cilave bashkohet shoqëria njerëzore.

Në vend se t’i plotësojmë zbrazëtirat e mëdha të historisë dhe të dalim nga zinxhirët e robërisë, ne vazhdojmë të kultivojmë mendësi bashibozuke.

...

Ekskursioni i vonuar patriotik e ka stërkequr mendimin politik dhe i njëjti e ka tkurrë deri në masë shqetësuese idenë për shtetin dhe ekzistencën e tij. Derisa politikanët gëlojnë kryelartë në tabanin shterur patriotik, prej të cilit përfitojnë shumë- pushtet e famë- populli, në anën tjetër vuan dhe kërkon një shtegdalje nga kjo angështi. Të pafund janë ata që shtegdaljen e kërkojnë në ikje dhe të njëjtit e mallkojnë vendin e tyre.

Këto ditë, kam dëgjuar shumë njerëz të dëshpëruar që nuk presin asgjë nga vendi i tyre dhe e gjykojnë si mallkim të jetojnë dhe t’i lënë fëmijët e tyre aty, ku, sipas tyre, nuk ka ardhmëri.

Kjo më ka trishtuar!

Me siguri, arsyet e këtij dëshpërimi janë të shumta dhe për to kërkohet analiza të shumta e debate të mirëfillta. Unë besoj se kjo është edhe pasojë e historisë, mendësisë dhe trashëgimisë, por tani nuk është rendi të merremi me këto tema.

Arsyet kryesore pse shqiptarë - njëzet vite pas çlirimit- vuajnë, janë të brengosur, të hidhëruar dhe të mërzitur, lidhen kryekëput me sistemin e çoroditur që kemi ndërtuar, një sistem ku, drejtësia nuk është drejtësi dhe ku të mirat publike nuk janë të mira publike për të gjithë e ku sistemi i vlerave është përmbysur keq.

Tash e njëzet vite, flitet pafund për politikë dhe në këtë fushë gëlojnë figura mjerane që të vetmin adut e atribut për të qenë në jetën publike e kanë patriotizmin shterpë. E të njëjtit, duke bartur mendësi pehlivanësh, kanë ngulfatë mendimin publik dhe nuk kanë lejuar që të mbyllet epoka e dokrrave patriotike dhe të ringritet shteti në përkim me standardet moderne, pra, që, politika të përkthehet me terma zhvillimorë. Ky është patriotizmi i vërtetë, fisnik dhe shëndetdhënës.

...

Njëzet vite pas luftës, shoqëria jonë është mbërthyer nga një angështi e rrezikshme, që duket sikur ia ka ndalë frymën dhe orën. Dhe, ata të paktët që kanë një grimë shpresë për një të nesërme pozitive, presin një forcë të jashtme për t’i çliruar nga kjo angështi dhe pastaj të ngrohën edhe njëherë në rrezet e bukura të lirisë. Pra, ata presin një fuqi prometheane që t’iu sjell zjarrin.

Ç’është e vërteta, për njëzet vite, rrezet e vërteta të lirisë, që janë përparimi, mirëqenia, paqja, etj., njeriun e Kosovës nuk e kanë ngrohë dhe nuk ia kanë ushqyer shpresat dhe besimin se e nesërmja mund të jetë me progresive për ta dhe vendin e tyre, për të cilin kanë sakrifikuar shumë.

Duke vegjetuar dhe duke heshtur, e kemi ndihmuar këtë sistem të mjerë dhe u kemi dhënë krah budallenjve dhe tash jemi pushtuar nga pushteti i tyre injorant, e cili, ka mbërthyer çdo gjë, duke filluar nga ligjërimi publik deri te oazat ku ngjizet personaliteti i një kombi dhe fizionomia e një shteti, te shkollat.

...

Njëzet vite pas lufte është bërë klishe të dëgjohet tek thuhet se Kosova, në këto dy dekada, kurrë s’i ka patur punët më keq. Dhe ky ligjërim ka bërë që të formohet një botëkuptim çoroditës, të cilin e dëgjon përditë dhe kudo: “këta jemi ne dhe kaq vlejmë ne”. Kjo mendësi tanimë rri si saç përvëlues e thanë shpresa e nuk lë të kultivohen ideale dhe të kërkohet udha për ringritje.

Udha e ringritjes se një vendi nuk mund të gjendet pa u fisnikëruar mendimin dhe ligjërimin publik, forcë kjo që i formon të gjitha të vërtetat.

Kurse te ne, çuditërisht, sa më halldup, aq më shumë terren në fushën publike. E arsyet janë të qarta: shumëkujt i konvenon të stërvitet edhe një brezni në cektësi, sepse kështu e zgjasin pushtetin e tyre injorant.

...

Në një shoqëri ku nuk bëhet luftë për ide dhe parime, natyrisht, aty çon krye padija, e cila e vizaton kudo fytyrën e vet. Te ne, injoranca më nuk është vetëm fuqi, siç thoshte Orwelli, as epidemi stinore, por një gjendje metastaze. Dhe frytet e saj preken përditë dhe në çdo fushë, duke filluar nga idetë e tredhura patriotike, arroganca, kontrolli, ligjërimi i cektë, dëshpërimi, varfëria, ikjet, retardimet, "elitat" e çoroditura, arkitektura e shëmtuar...

Kjo gjendje, prodhon kufoma intelektuale dhe autoritete të rreme me tonelata, në politikë e media, të tillë që jetojnë të dehur nga lavdia dhe mania e famës. Të njëjtit, natyrisht, tmerrohen nga e vërteta dhe saktësia.

...

Janë të paktë ata shqiptarë që besojnë se ne, mund të bëjmë vepra të mira në vendin tonë dhe në tokat tona. Ndaj, shterpësia dhe cektësia vërehet kudo: në art, arkitekturë, shkencë e politikë. Kudo dukemi pak dhe pa shkëlqim. Ose, bëhemi krejt qesharak dhe tentojmë të kapemi nëpër disa merita që pak na përkasin ne.

Për arsye historike dhe të trashëgimisë dhe në mungesë të uniteti politik e kulturor, ne, nuk kemi arritë ta kuptojmë çka është shteti apo thënë ndryshe, koncepti ynë për shtetin vazhdon të jetë foshnjorë. Pa e tejkaluar këtë mendësi, shpirtngushtësinë, inatet dhe përsa kohë nuk ndërgjegjësohemi se shteti është projekt madhor, i njerëzve të ditur, ne do të vërtitemi në këtë vorbullën e errët.

Po e përsëris: Shteti është vepër madhore. Vepër e sofistikuar, që latohet nga mjeshtër të kulturuar, të urtë e mendjehapur, të përgatitur dhe me shije të mirë, dhe që punojnë me shumë dashuri për të, ashtu siç punon artisti i rryer në veprën e vet.

Dhe, sa herë që ka dyshimi, kërkon kritikun, modele paraprake, mendimin e tjetrit.

E kjo mendësi është larg nesh e disa e kanë abortuar.

Me udhëheqës dhe elita udhëheqëse që shtetin e konceptojnë si çiflig, ne edhe dy dekadat e ardhshme do të kukurisim e ulërijmë, ashtu siç kemi bërë tash e dy dekadat e shkuara.

Shoqëria jonë ka nevojë të injektohet nga etika e përgjegjësisë dhe dashuria vepruese për atdheun, dijen e kulturën. E atdheut, shërbimin ma të mirë ja bëjmë me shkollim të mirëfilltë, me libra dhe institucionalizim të dijes, dhe paralelisht me këtë, me deinstitucionalizim të kapadaillëkut dhe njerëzve të fortë, që e kanë varfërua jetën tonë në të gjitha pikëpamjet.

Për ta mposhtë të keqen, nuk mjafton kamçiku, por duhet një ide e mirë, kanë këshilluar të diturit. Pra, duhet investim sistematik në dije dhe kulturë. Sepse, shpata e sotme, është hollimi i mendjes, thoshte iluministi, atdhetari dhe dijetari i pashembullt, At Shtjefen Gjeçovi.

Pra, ne na duhen mendje të holla dhe të përkora dhe jo karagjozë e bashibozukë të fortë, megaloman, që sillen si dhija e zgjebosur me bishtin përpjektë.

Unë besoj se kultura dhe idetë kulturore janë udha e ringritjes së vendi tonë të dërmuar nga politikanë pehlivanë e mendjeshkurtër. Sepse, “politikë s'ka, vetëm kulturë", shkruante eruditi Branko Merxhani, më 1936, në një tekst të botuar te revista që ai e drejtonte atëherë, “Përpjekja Shqiptare.” Edhe Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian shkruante se “nuk ka politikë pa kulturë”. Pra, të diturit e kanë thënë qëmoti se asnjë shoqëri nuk mund të mbahet e bashkuar pa qenë e bashkuar në kulturë dhe kjo bëhet në shkolla dhe nga elita të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme që nuk përqurren përpara manisë së famës dhe nuk ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët.