Mendime
Kastriot Myftaraj: Në Shqipëri ngrihet monumenti i 15 korrikut turk
E diele, 04.08.2019, 08:59 PM
Në
Shqipëri ngrihet monumenti i 15 korrikut turk
Nga
Kastriot Myftaraj
Në
81 provincat në të cilat është e ndarë administrativisht Turqia, janë ngritur
monumente për përkujtimin e 15 korrikut të vitit 2016, i quajtur atje si
fitorja e demokracisë. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri të cilën Erdogan e shikon
si provincë turke. Me kërkesën e ambasadorit turk në Tiranë, Murat Ahmet
Youruk, Bashkia e Tiranës dhe Qeveria e Shqipërisë vendosën që një rrugë në
Tiranë, në Parkun e Madh, të marrë emrin Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut.
Gjithashtu, një pjesë e Parkut të Madh të Tiranës, i cili ende nuk ka emër, do
të quhet Parku i Demokracisë “15 korriku”.
Me
bashkëpunimin e Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, ambasada turke solli nga
Turqia 251 fidane rrapi që simbolizonin secilin nga 251 të ashtuquajturit
dëshmorë të 15 korrikut (mbështetësit e Erdoganit), të cilat u mbollën në këtë
pjesë të parkut. Atje u vendos dhe një bllok monumental me emrat e 251
dëshmorëve turq të 15 korrikut.
Në
Tiranë nuk kemi një monument me emrat e 270 policëve të vrarë (kemi murin e
kujtesës ku secili prej tyre është shënuar me një yll), por kemi një monument
me emrat e “dëshmorëve” turq.
Në
15 korrik 2019 në Tiranë u mbajt ceremonia e përurimit të këtyre simboleve
neo-otomane në Shqipëri. Përvec ambasadorit turk qenë të pranishëm edhe
përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, Qeveria dhe Opozita.
Ai
që në Turqi quhet zyrtarisht Grushti i dështuar i shtetit i organizuar nga Feto
(mbështetësit e Gulenit), në të vërtetë ishte një Revolucion Laik (shekullar) i
nisur nga ushtarakët, garantët historikë të laicizmit në Turqi. Qëllimi i
lëvizjes ishte që të pengohej instalimi përfundimtar i regjimit islamik në
Turqi. Ushtrakët laikë pas rënies së presidentit islamik egjiptian Morsi, e
kuptuan se ndeshja me Erdoganin ishte e pashmangshme. Mësimi që nxorri Erdogani
nga rrëzimi i Morsit ishte se duhet të spastronte Ushtrinë nga laikët aktivë
nëse nuk donte të kishte fatin e Morsit.
Revolucioni
Laik dështoi sepse me thirrjen e Erdoganit në Turqi nisi një kundër-revolucion
islamik, që mund të quhet si Kundër-revolucioni i Minareve. Imamët e 85 mijë
xhamive të Turqisë i bënë thirrje popullit që të ngrihet në mbrojtje të
Erdoganit. Turqit kanë një shprehje: “Nuk futet minarja në thes.” E pra,
minarja nuk futet dot as në kutinë e votimit.
Revolucioni
laik dështoi qëkurse konspiratorët nuk arritën që ta vrasin Erdoganin para se
ai t’ u bënte thirrje mbështetësve të tij. Shfaqja e Erdoganit u dha zemër
imamëve të xhamive të cilët ngritën turmat islamike në mbështetje të Erdoganit.
15 korriku ishte fitore e Islamit politik, jo e demokracisë. Pas dështimit të
Revolucionit Laik Erdogani spastroi jo vetëm Ushtrinë, por të gjitha strukturat
e shtetit.
Në
një vend laik si Shqipëria simbolika e Kundër-Revolucionit Islamik të 15-16
korrikut është antikushtetuese. Ndërtimi në Shqipëri i simbolikës turke të 15
korrikut është pjesë e zbatimit të agjendës neo-otomane në Shqipëri. Është
shumë shqetësuese që institucionet shtetëtore, ato qendrore dhe vendore
bashkëpunojnë me Turqinë për realizimin e kësaj agjende. Simbolet neo-otomane
të 15 korrikut në Shqipëri janë të paligjshme, antikushtetuese dhe duhen
shkatërruar.