E marte, 16.04.2024, 06:33 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Në Shqipëri ngrihet monumenti i 15 korrikut turk

E diele, 04.08.2019, 08:59 PM


Në Shqipëri ngrihet monumenti i 15 korrikut turk

Nga Kastriot Myftaraj

Në 81 provincat në të cilat është e ndarë administrativisht Turqia, janë ngritur monumente për përkujtimin e 15 korrikut të vitit 2016, i quajtur atje si fitorja e demokracisë. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri të cilën Erdogan e shikon si provincë turke. Me kërkesën e ambasadorit turk në Tiranë, Murat Ahmet Youruk, Bashkia e Tiranës dhe Qeveria e Shqipërisë vendosën që një rrugë në Tiranë, në Parkun e Madh, të marrë emrin Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut. Gjithashtu, një pjesë e Parkut të Madh të Tiranës, i cili ende nuk ka emër, do të quhet Parku i Demokracisë “15 korriku”.

Me bashkëpunimin e Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë, ambasada turke solli nga Turqia 251 fidane rrapi që simbolizonin secilin nga 251 të ashtuquajturit dëshmorë të 15 korrikut (mbështetësit e Erdoganit), të cilat u mbollën në këtë pjesë të parkut. Atje u vendos dhe një bllok monumental me emrat e 251 dëshmorëve turq të 15 korrikut.

Në Tiranë nuk kemi një monument me emrat e 270 policëve të vrarë (kemi murin e kujtesës ku secili prej tyre është shënuar me një yll), por kemi një monument me emrat e “dëshmorëve” turq.

Në 15 korrik 2019 në Tiranë u mbajt ceremonia e përurimit të këtyre simboleve neo-otomane në Shqipëri. Përvec ambasadorit turk qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Bashkia e Tiranës, Qeveria dhe Opozita.

Ai që në Turqi quhet zyrtarisht Grushti i dështuar i shtetit i organizuar nga Feto (mbështetësit e Gulenit), në të vërtetë ishte një Revolucion Laik (shekullar) i nisur nga ushtarakët, garantët historikë të laicizmit në Turqi. Qëllimi i lëvizjes ishte që të pengohej instalimi përfundimtar i regjimit islamik në Turqi. Ushtrakët laikë pas rënies së presidentit islamik egjiptian Morsi, e kuptuan se ndeshja me Erdoganin ishte e pashmangshme. Mësimi që nxorri Erdogani nga rrëzimi i Morsit ishte se duhet të spastronte Ushtrinë nga laikët aktivë nëse nuk donte të kishte fatin e Morsit.

Revolucioni Laik dështoi sepse me thirrjen e Erdoganit në Turqi nisi një kundër-revolucion islamik, që mund të quhet si Kundër-revolucioni i Minareve. Imamët e 85 mijë xhamive të Turqisë i bënë thirrje popullit që të ngrihet në mbrojtje të Erdoganit. Turqit kanë një shprehje: “Nuk futet minarja në thes.” E pra, minarja nuk futet dot as në kutinë e votimit.

Revolucioni laik dështoi qëkurse konspiratorët nuk arritën që ta vrasin Erdoganin para se ai t’ u bënte thirrje mbështetësve të tij. Shfaqja e Erdoganit u dha zemër imamëve të xhamive të cilët ngritën turmat islamike në mbështetje të Erdoganit. 15 korriku ishte fitore e Islamit politik, jo e demokracisë. Pas dështimit të Revolucionit Laik Erdogani spastroi jo vetëm Ushtrinë, por të gjitha strukturat e shtetit.

Në një vend laik si Shqipëria simbolika e Kundër-Revolucionit Islamik të 15-16 korrikut është antikushtetuese. Ndërtimi në Shqipëri i simbolikës turke të 15 korrikut është pjesë e zbatimit të agjendës neo-otomane në Shqipëri. Është shumë shqetësuese që institucionet shtetëtore, ato qendrore dhe vendore bashkëpunojnë me Turqinë për realizimin e kësaj agjende. Simbolet neo-otomane të 15 korrikut në Shqipëri janë të paligjshme, antikushtetuese dhe duhen shkatërruar.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora