E diele, 22.09.2019, 03:06 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Serxho Hizma dhe vjen plot emocion me “Kthim i përmallshëm”

E enjte, 01.08.2019, 08:00 PM


Serxho Hizma dhe vjen plot emocion me “Kthim i përmallshëm”

Nga Albert Z. ZHOLI, shkrimtar-publicist

Kur mora në dorë librin me poezi  “Kthim i përmallshëm” të autorit Serxho Hizma, mendova se do ta lexoja si zakonisht kur bëj redaktime librash me atë korrektësinë dhe disiplinën që kërkon një detyrë e tillë. Pra, të lexoja dhe pastaj të veproja sipas një orari të vendosur brenda vetvetes. Por sapo lexova poezinë e parë dhe të dytë, nuk ndalova. Ose më mirë të themi u harrova dhe lashë pas detyrën dhe ju nënshtrova leximit. Libri më mbërtheu. Një libër që poezia rridhte si ujëvarë, plot figura letrare, plot fabula të lëmuara, me detaje jetësore tejet të qëmtuara, me botë shpirtërore të pasur, me një vizion kohor që vlen për ta përmendur dhe me një përgjegjësi krijuesi që është për tu admiruar. Në tërë vëllimin e ri poetik “Kthim i përmallshëm” gëlon jeta, me të vërtetat e hidhura, me skenat dhe prapaskenat, me hijet dhe dritë hijet, me të veçantat dhe të përgjithshmet, me ligësinë dhe të mirën, me përgjegjësinë dhe pabesinë, me sinqeritetin dhe hipokrizinë, me të përditshëm dhe të ardhmen, me të bukurën dhe të shëmtuarën, me vuajtjet dhe gëzimet, me politikën dhe artin, me pasurinë dhe varfërinë por që përcjell një mesazh njerëzor tepër kohor që, të jetuarit me dinjitet është vlera më e madhe njerëzore. Duke qenë në mërgim, autori është bërë më i ndjeshëm në dashurinë për atdheun është bërë më i sinqertë me vetveten dhe më korrekt me jetën. Në libër nuk është ruajtur një simetri e temave në trajtimin e poezive pasi poeti ka shkruar, çfarë ka parë, çfarë ka menduar dhe çfarë ka prekur në përditshmëri apo në momentet e qetësisë dhe reflektimit shpirtëror. Një gjë them me bindje që, një poezi të sinqertë me kaq vërtetësi mund të shkruaj vetëm një emigrant që e ndjen shumë mallin për tokën amë dhe për njerëzit e dashur që ka lënë në atdhe. Duke qenë se dhe vetë kam qenë pjesë e emigracionit shpreh me sinqeritet se letërsia shqiptare e emigracionit është një letërsi tepër emocionale, e virgjër dhe mbushur me atdhedashuri. Kjo lloj letërsie e konkurron ndjeshëm letërsinë e krijuesve brenda vendit për arsyet e lartpërmendura. Autori ecën rrugëve të emigrimit dhe pyet veten;-Përse jam këtu? Përse nuk jam në vendin tim të begatë? Përse të jem i pezmatuar në vendin e huaj kur vendi im ka aq shumë bukuri, aq shumë pasuri, aq shumë reliev të thyer, aq nëntokë të pasur, aq tokë, det, male, pyje që i kanë zili shumë vende? Por ai nuk është vetëm një vëzhgues i thjeshtë, por edhe një konstatues i kësaj situate. Autori nxjerr me përgjegjësi fajtorët e kësaj varfërie shqiptare... Politika dhe vetëm politika. Klasa politike shqiptare historikisht ka qenë e papërgjegjshme për fatet e popullit dhe pavarësinë e atdheut. Dikur në një sistem është shitur tokë, pastaj në një sistem tjetër u shpërfytyrua njeriu. Lufta e klasave, ideologjizimi i çdo qelize të jetës, e kthyen njeriun në një verbëri absolute, ku emri Parti ishte mbi atë Atdhe - ishte mbi emrin Nënë, mbi emrin familje. Ajo, Partia, hyri në çdo ambient familjar, në çdo lugë gjelle, në çdo mendim të lirë, në çdo diskutim shoqëror, në çdo krijim letrar. Partia mbi gjithçka shpërfytyroi njeriun, na la vendin më të varfër në Europë na bëri që të marrim rrugët e botës. Dhe kalvari i vuajtjeve shqiptare vazhdon. Tashmë sipas autorit ndryshoi partia dhe u bënë partitë, por lindën hajdutët, të korruptuarit, ata që duhet të mbronin pasurinë e vodhën si askush, u bënë milioner brenda ditës, u bënë të fort, të paprekshëm, mbi ligjin. Dhe eksodi shqiptar vazhdon. Ky vend i begatë po prodhon vetëm emigrim.  Me një varg elegant, herë me metafora të fuqishme, herë me krahasime, herë me hiperbola apo me sarkazëm, autori kritikon, përcjell mesazhe atdhetare, pasi ashtu është i brumosur me dashurinë e pakufishme për Atdheun. Krahina e tij Labëria, krahina më e lavdishme shqiptare i ka injektuar në gjak dashurinë e pakufishme për Atdheun. Për autorin fjala Atdhe- Shqipëri është e barazuar me Zotin. Ai i përshkruan bukur gjithë trojet shqiptare që nga Çamëria martire dhe deri në Kosovë. Por me një penelat plot gjelbërim stinor autori përshkruan Rivierën shqiptare, si të rrallë në Europë që ne nuk mund të shijojmë nga kjo politikë dreqi që ende s’po gjen rrugën e stabilizimit ekonomik.  Për të përcjellë harmoninë e fjalës, tematikën e gjerë, mënyrën lakonike të të shkruarit po sjell para lexuesit disa poezi. Ja poezitë e para:

APARTEIDI  I  KUQ

Në kohën që ndërtohej

muri i Berlinit,

Mësuesi i matematikës

me emrin Baki,

Nuk e fillonte kurrë

orën e mësimit,

Pa i bërë nxënësit Ajet

"të ashtuquajturën biografi"!

Nxënësi Ajet

ulte kokën i turpëruar,

Nga thellësia e gjoksit

i vinte një ngashërim,

Kjo torturë e pa fund

nuk kishte të mbaruar,

Përlotur më tregonte

ç’do fjalë miku im.

Eh, sa ka pasur në atë sistem si Ajeti, por edhe si “mësuesi” Baki. Një fëmijë që poshtërohet nga mësuesi. Një i pafajshëm  që e shikon mësuesin si burim drite, mirësie, urtësie, dijeje, në fakt gjen antipodin e tij. Një fëmijë që donte ngrohtësi dhe lodra, gjente tek mësuesi njeriun më vrastar të ëndrrave dhe të së ardhmes. E pabesueshme sot, por autori e sjell kaq bukur atë të djeshme të hidhur. Degjenerimi i kuadrit në atë sistem, rehatia, abuzimet, burokracia, arroganca, mbytja e zërit të ndërgjegjshëm, aq i propoganduar parimisht , solli edhe mungesën e demokracisë, që ishte në vetë natyrën e organizimit të shoqërisë në sistemin komunist. Në asnjë sistem nuk ka demokraci jashtë ligjeve !

POETËT

Poetët nuk kanë avionë për të hedhë bomba,

dhe as tanke me tyta topash në bord.

Poetët bëjnë penën raketë që gjithë' bota,

të mos drithërohet nga dhimbjet si sot.

Poetët janë si doktorë për shpirtin,

se shpirti shërohet me rimat e ëmbla.

Na ngrohin në zjarrin e tyre gjithë vitin,

nga zjarri që ata kanë të ndezur në zemra.

Këta jemi ne. Ne të thjeshtët, të harruarit nga politika. Të nëpërkëmbur nga të paditurit, nga ata pseudo-deputetë me diploma false. Ne për ata jemi Vjeshta kur në fakt jemi Pranvera! Ne jemi doktorë për shpirtin dhe jo vrastarë të saj. Ne heqim nga përditshmëria retë e errëta të  stuhive politike, që na kanë zënë qiellin. Poeti qëndis bukur fjalët dhe i nis ashtu si i ndjen për një botë të bukur. Poeti dhe në  mbrëmjen e ftohtë  veshur me borë, ruan  në shpirt një stinë vere të nxehtë.

Ismail Qemali

Rrufetë nga fusha dhe mali,

ndriçuan tokën dhe detin.

Se shkon Ismail Qemali,

me trima, të bëjë shtetin.

Me katër rreshta del një mal me vepra. Autori ndjen përgjegjësinë atdhetare që me germat e zemrës ta sjellë këtë figurë kaq bukur, kaq me finesë, kaq madhështore, kaq historike – Të bëjë shtetin! Atë shtet që na mungonte. Atë shtet që e kishim ëndërr, atë shtet që se kishim vetëm ne në Europë. Emri  i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, që themeloi Shqipërinë; si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si Njeriu, që dhuntinë e tij politike e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme - domethënë mbetet i shënuar si personaliteti, që ka kryer mision prijës e parathënës në këtë histori. Është e kuptueshme pse pikërisht populli, njerëzi e thjeshtë me të cilët është përnjësuar ai, e kanë vlerësuar aq bukur këtë mision kur e kanë kënduar në vargjet:

Unë jam Smail Qemali

Pas meje vjen historia...

Ismail Qemali bëri shtet dhe pse  Atdheu ishte gjithmonë aty edhe më parë.  Ishte  dhe më parë, p;or ishte i cunguar, pasi disa e tradhtuan, disa e shitën, disa e harruan, disa e zhvatën, disa e lanë si mall pa zot, disa e përbuzën e shihnin vetëm si lopë për ta mjelë. Ndërgjegjja kombëtare e intelektualëve shqiptarë për shekuj nuk kishte arritur nivelin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Por koha i thirri në skenë atdhetarët. Ndaj fryma e dashurisë për atdheun e poetit është e madhe është si një kushtrim zemre e përjetshme. Ja si shprehet ai:

JE ATDHEU IM

Vendlindja ime, nuk paska masë malli,

që pazgjidhshmërisht me ty më mban të lidhur,

malli për ty që larg më treti së gjalli,

o, e ëmbla ime je si mjalti i hidhur !

ÇFAR MJALTI KE O TOKA IME

Ah, ç'na bëre ti moj varfëri,

Rrugëve të Botës t'rendim sot,

Ndaj të lamë ty o, Shqipëri,

Por dashurinë s'e lamë dot.

.

Këtu ku jam në dhe të huaj,

Jetoj më mirë por s'ndjej asgjë,

Se ëndrrat rrinë në gjirin tuaj,

Qysh kur zgjohem deri sa fle.

Atdhedashuria është një ndjenjë e pastër shpirtërore që gjendet thellë në natyrën e çdo njeriu. Vendi ku lind ai, ku hap sytë, loz me dheun e tij, rritet nga ushqimet që nxjerr ai dhé, kalon stinët e jetës bashkë me ato të vendit, për të ai bëhet si nënë dhe natyrisht, dashuria ndaj tij shkrihet në gjakun e tij. Nëse atdhedashuria shfaqet në formën e duhur te njeriu, ajo mund të kultivojë tek ai vlera e virtyte të larta, e të kontribuojë për mbarësinë, jo vetëm të kombit, por të gjithë njerëzimit. Atdheu është mbase para se gjithash vendi ku robërohet shpirti. Atdheu nuk do dashuri të cunguar. Ai që nuk bën gjithçka për të, nuk bën asgjë. Ai që nuk i jap gjithçka Atij, ai i ka mohuar të gjitha. Ai s’mund të harrohet. Nuk ka sëmundje më fisnike se sa malli për atdheun, pasi vendi i huaj nuk të bëhet atdhe. Në atdhe njeriu ka të kaluar, por edhe të ardhme.

Por në poezitë e Serxhos nuk mund të mungonte poezia për nënën, për këtë krijesë hyjnore, për këtë krijesë që çdo penë kur shkruan lëshon lot dhe dridhet.

Nëna

Tek fjala e bukur nënë,

Është mbledhë gjithë' dashuria,

Thua nënë çdo gjë ke thënë,

Nëna është si Perëndia!

Abraham Lincoln: Gjithçka që jam apo shpresoj se do të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!

Erich Fromm: Dashuria e nënës është paqja. Nuk ka nevojë të fitohet, nuk ka nevojë të meritohet!

William Makepeace Thackeray: Nëna është emri i Zotit në buzët dhe zemrat e fëmijëve të vegjël!

Jo më kot i solla këto thënie të njerëzve të famshëm për nënën. Aty ka shprehje filozofike, ndërsa Serxho flet me gjuhën letrare të shpirtit. Ky është ndryshimi! Sociologët dhe psikologët dëshmojnë për një farë “borxhi nga origjina” që kanë fëmijët për njeriun i cili i ka sjellë në jetë, ndaj ata gjithnjë i detyrohen asaj. Dashuria për nënën është e madhe dhe e pazëvendësueshme. Këto dhe të tjera poezi janë pjesë e librit të ri të poetit Serxho Hizma. Në këtë libër ai sjell aromë Shqipërie, dëshira mëmëdhetari, përgjegjësi shqiptari, dashuri poeti, përshkrime shkrimtari, kritika analisti në varg, vizion intelektuali të përgjegjshëm, respekt ndjenjash, vlerësim figurash, dënim vesesh, lartësim virtytesh, shmangie gabimesh,  propagandë cilësish, me dëshirën sublime: Kthim në Atdhe!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT