E merkure, 18.09.2019, 01:15 PM (GMT+1)

Editorial

Enver Bytyçi: Vërtet, kush jeni ju zoti kryeministër?!

E enjte, 01.08.2019, 09:33 PM


Vërtet, kush jeni ju zoti kryeministër?!

Nga Enver Bytyçi

Nuk e di nëse Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka pyetur veten ndonjëherë se kush ai është. Nuk është fjala për një pyetje të thjeshtë, e cila secilit prej nesh i lind në kokë, por që ngelet pa përgjigje, nëse kjo pyetje nuk buron nga rrënjët e qenies së njeriut, nga shpirti, nga nevoja për qetësi shpirtërore. E di se askush për askënd nuk mund të vendosë të dëshmojë se kush është dhe çfarë përfaqëson tjetri. Por kur bëhet fjalë për njeriun në krye të ekzekutivit të vendit tënd, atëherë, në mungesë të refleksionit të kryeministrit, çdo qytetari i lejohet të qëmtojë dhe të dijë se kush është ai që ka në dorë fatet tona. Nuk besoj se Edi Rama e ka kaluar ndonjëherë në subkoshiencën dhe koshiencën e tij këtë pyetje. Ndryshe ai do të merrte një përgjigje tmerruese, por që së paku do ta bënte të reflektonte disi.

Vërtet, kush jeni ju zoti kryeministër? Nëse ju nuk keni dashur asnjëherë ta mësoni këtë, atëherë më lejoni ju lutem t’i përafrohem përgjigjes që do të merrnit.

Kam një parandjenjë se ju jeni saktësisht njeriu, politikani, shtetari që për nevojat tuaja egoiste si alfan dhe zetën e kërkesave për të plotësuar nevojat tuaja numëroni vetëm një fuqi, fuqinë e pushtetit. Edhe pse erdhët në pushtet me premtimin se do të ishit shërbëtor i qytetarëve shqiptarë, (Diner der Albaner – i thoshit ju gazetës austriake Der Standard dy ditë pas zgjedhjeve të qershorit 2013) ju jeni shndërruar në këto gjashtë vite në një cikllop të pushtetit të pamatë e të pakufizuar personal.

Ju, ndonëse nuk doni ta dini se kush jeni, ilaçi që ju ju shqetëson dhe ju bën esëll është vetëm fuqia e pushtetit politik dhe të parasë, d.m.th dominimi i të tjerëve. Kësisoj e perceptuat ju pushtetin e Sali Berishës dhe të Ilir Metës, prandaj për të konkurruar Berishën thirrët në ndihmë gjithë kriminelët vrasës, përdhunues e mafiozë dhe për të konkurruar Metën, me mendimin se ai posedon miliarda, ju grabitët gjithë Shqipërinë.

Si i tillë ju u bëtë i vetmi lider politik e shtetëror që njoh unë, i cili gëzohet nga vuajtjet që u shkakton të tjerëve! Ju flini i qetë kur burgosni mijëra qytetarë të pafajshëm dhe prishni gjumin e mijëra familjeve! Ju lumturoheni nga nxjerrja në rrugë të madhe e njerëzve të varfër! Ju gëzoheni kur shkatërroni shtëpitë e të varfërve ose kur u hidhni gaz lotsjellës në shtëpi fëmijëve, grave e pleqve natën në gjumë! Ju turfulloni kur artistët nuk ju lënë të prishni godinën e teatrit! Ju fërkoni duart dhe bëheni në humor të mirë kur ka vrasje dhe ngjarje tragjike që tërheqin vëmendjen e publikut nga skandalet e shumta tuajat e të qeverisë suaj! Ju zoti kryeministër ju sjell në humor jo vetëm kokaina, por edhe fundosja e të tjerëve, sidomos kundërshtarëve politikë e jo rrallë bashkëpunëtorëve tuaj! Ju kënaqeni me talljen që i bëni atyre t[ cilëve betoheshit se dë t’u shërbeni, qytetarëve shqiptarë!

Dhe nëse shkojmë më tej me diagnozën e qenies tuaj, më lejoni të them se ju zoti Rama jeni njeriu i së shkuarës, kryeministri që asnjë fjalë nuk e thotë për të ardhmen. Në emër e duke akuzuar të shkuarën ju shkatërroni të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë e përtej Shqipërisë, të Kosovës. Kjo ju bën që të merreni me vogëlsirat dhe të lini mënjanë projektet e zhvillimit të vendit. Për ju ka shumë më tepër rëndësi, nëse Tao Balla e fitoi p.sh një gjyq me Shkëlzen Berishën, sesa ndërtimi i një autostrade. Për ju është më shumë domethënëse, nëse merrni në dorë me metoda mafioze të gjitha pushtetet në këtë vend, sesa demokracia, prosperiteti i vendit, ose integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ju zoti kryeministër nuk e njihni masën, nuk e dini as nuk doni ta dini se’ mjaft është mjaft’. Prandaj dhe sa herë që ziheni në skandale zëri juaj tingëllon fort në veshët e shqiptarëve. Këta tinguj që nxirrni nga fulçitë tuaja prodhojnë kundër-akuza monstruoze ndaj atyre që bëjnë publike skandalet tuaja. Prodhoni babale e antibabale, habilaj e anti-habilaj, shullazë e anti-shullazë. Të gjithë këta e të tjerë i merrni në mbrojtje, ndërkohë që shpërthen ndaj kundërshtarëve tuaj, sikur keni përpara armikun shekullor të shqiptarëve. Këtë sjellje e dikton nevoja për të kënaq etjen për pushtet e për para, zoti Rama. Ndryshe nuk do silleshit kësisoj me opozitën e vërtetë dhe krejt miqësisht me kriminelët e madje dhe me ata që rrezikojnë kombin shqiptar, përkatësisht me Aleksandër Vuçiç. Duket se presidenti i Serbisë nuk bën pjesë në grupin e atyre që ju rrezikojnë ambicien e pushtetit. Përkundrazi, ai ua nxit këtë ambicie në stilin e elozheve të tipit ‘lider global’. Po kështu kriminelët që ju merrni në mbrojtje dhe i nxirrni nga burgu, edhe atëherë kur janë dënuar përjetësisht!

Ju, zoti Rama nuk doni ta njihni veten, sepse duke mos bërë këtë, e keni më të lehtë t’u imponoheni të të tjerëve. Shumicës iu imponove me dhunë, me burgje, me ligje exra, me padrejtësi, me imponim, me sharrim këmbësh, apo prerje gjuhe, më gjoba, me heqje nga puna, me kontrolle diskriminuese të biznesit, me përjashtim nga projektet, madje dhe nga e drejta për shkollim, për punë, për ndihmë sociale dhe në fund këtë shumicë e kualifikove si pakicë.

Kjo ndodh se ju nuk e doni paqen, ju doni luftën, konfliktin. Përmes konfliktit të brendshëm ju, jo vetëm shtoni peshën e pushtetit mbi shpatullat tuaja, por edhe peshën e krimit politik dhe ekonomik. Kontrolli i pushtetit për ju do të thotë kontroll i pasurisë kombëtare, d.m.th grabitja e pasurisë kombëtare, derisa bëtë ligj për administrimin e arit e thesarit . Prandaj shpikët PPP-të e famshme, që po sjellin jo vetëm fundin e pushtetit tuaj, por rezervojnë edhe një fund të tmerrshëm për Shqipërinë.

Megjithëse është vonë, shumë vonë, ju duhet të bisedoni me koshiencën dhe subkoshiencën tuaj zoti kryeministër dhe të vendosni ta njihni veten tuaj. Nëse e bëni këtë, atëherë do të nisni të reflektoni, të njihni përgjegjësitë tuaja për katastrofën, së cilës i jemi afruar dhe të shpëtoni çfarë mund të shpëtohet! Kjo kërkon që ta kontrollosh egocentrizmin tuaj, ta kufizosh atë, për të kuptuar se jeni njeri prej gjaku, kockash, mishi e uji dhe si i tillë nuk do të jeni i gjithmonshëm në këtë botë, pra duhet të kujtosh se vdekja do ju rezervohet edhe ju. E kush është i vetëdijshëm se vdekja nuk kursen askënd, ai bëhet njeri. Ndryshe tejkalohen edhe limitet e kafshës!

Ndalo së paku para hundës tuaj zoti Rama, që të ndalojë dhe rrokullisja e pashmangshme e vendit dhe popullit që ti drejton! Ndryshe ju do të shkoni në p.s, por do merrni me vete edhe sigurinë dhe paqen e Shqipërisë e të shqiptarëve!

Tiranë, më 31.07.2019



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT