E merkure, 18.09.2019, 12:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Afroviti Gusho: Dy botë – libri himn për vajzën shqiptare!

E enjte, 01.08.2019, 09:34 PM


Dy botë – libri himn për vajzën shqiptare!

Libri “Dy botë” i shkrimtarit Elvi Sidheri është dashuri për botën si një e tërë, por edhe për copëzat e mrekullueshme të së tërës. Stili i veçantë, përshkrimet plot jetë e larmi të vendeve të ndryshme, shumë të bukura..., të vjen të presësh biletën e të nisesh për udhë...

Nga Afroviti Gusho

Kush nga ju e ka përjetuar atë periudhë të vitit 1999, njëzet vite më parë, kur lufta në Kosovë detyroi qindra e mijëra banorë të linin shtëpitë e tyre e të strehoheshin në kampe refugjatësh në Shqipëri e Maqedoni? Këtu zë fill romani i Elvi Sidherit “Dy botë” duke na prezantuar personazhin kryesor Livian.

Në moshë shumë të re, vetëm 17 vjeçe, kishte njohur dhunën në familje, dhunën që i ati, një njeri i alkoolizuar dhe me vese ushtronte ndaj nënës së saj, një artiste e njohur e skenës. Pas vdekjes së parakohshme të së ëmës, Livia vazhdonte të përjetonte dhunën psikologjike të njerkës, vajzës së saj dhe babait të degraduar nga alkooli.

Ndërkohë kishte gjyshërit nga e ëma që i mbushnin zbrazëtinë e dashurisë familjare me përkushtimin e fisnikërinë e tyre të pafund.

Livia ishte nxënëse tek shkolla e mesme e gjuhëve të huaja në Tiranë.

“Livia fliste tashmë rrjedhshëm italisht, anglisht, spanjisht, e ndërkohë digjej nga dëshira për të mësuar gjithmonë e më tepër gjuhë të huaja, duke e patur prirjen për gjuhët, jo vetëm shtysë të natyrshme të brendshme, por edhe një synim jetësor në vetvete, përveçse rrugëdaljen më të praktikueshme nga këneta shtëpiake dhe familjare ku ishte e detyruar të pluskonte prej disa vitesh, pavarësisht vullnetit të saj.” (fragment nga romani)

Livia do të dilte nga këneta ku jeta e kishte zhytur në moshë aq të re, me shansin që iu dha të punonte në kampet ku kishin ardhur nëna, fëmijë e pleq, që kishin parë me sytë e tyre tmerret e luftës në Kosovë. T’i ndihmonte ata u bë një mision i madh për Livian, mbështetja ndaj këtyre njerëzve të vuajtur e të traumatizuar e shoqëroi edhe në vitet më vonë, kur iu desh të ikte nga vendi i saj i dashur për të dalë në botën e madhe!

Në faqet e romanit ndoqa me një frymë udhëtimin e Livias, për t’u përballur me atë çka i kishte rezervuar jeta e fati. Kjo vajzë e brishtë shqiptare mundi të kalojë një rrezik të madh siç ishte në ato kohë tranzicioni të egër, trafikimi i grave e vajzave, gjeti forca në karakterin e saj të ndiqte ëndërrat për të njohur botën, veten, për t’u rritur çdo ditë duke studiuar dhe duke mësuar, duke ndjekur pasionin e saj për gjuhët e huaja, për letërsinë dhe shkëndijën e fshehur të krijimit.

Livia është e bukur, e mençur, një vajzë me shpirt të dlirë që shndërrohet në një grua që e do të bukurën dhe do ta eksplorojë atë në shumë vende të botës, tek vendet e bukura buzë detit, tek poezia, tek librat, tek studentët e saj që presin me entuziazëm të njohin atë botë të magjishme të artit e letërsisë.

Ashtu si ajo lehtësoi vuajtjet e njerëzve në kampin e viktimave të luftës, ashtu njerëz të tjerë rreth saj e mbuluan me dashuri e përkujdesje, duke bërë që ajo të zbulonte një bote edhe më të madhe, botën e dashurisë.

Duke ndjekur Livian në rrugëtimin e saj zbulova një thesar me vende të panjohura, duke pasur shpesh ndjesinë se po lexoja një enciklopedi.

Libri “Dy botë” i Elvi Sidherit është dashuri për botën si një e tërë, por edhe për copëzat e mrekullueshme të së tërës. Stili i veçantë, përshkrimet plot jetë e larmi të vendeve të ndryshme..., të vjen të presësh biletën e të nisesh për udhë...

Libri “Dy botë” i përkthyesit dhe poliglotit Elvi Sidheri është dashuri për të bukurën, mishëruar tek personazhi kryesor Livia, kësaj vajze shqiptare, që autori me shumë bujari i ka dhënë një dimension të jashtëzakonshëm.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT