E marte, 19.03.2024, 07:05 AM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Kur flet Nexhmija...

E enjte, 02.10.2008, 05:55 PM


Agron Tufa
Kur flet Nexhmija...

Nga Agron Tufa

Kur vihet në diskutim e Djeshmja, në të gjitha diskurset publike të mediave tona bie në sy një dritëshkurtësi aq profane, sa edhe një përulje skllavi përballë personazheve që kanë sunduar peisazhin historik, ideologjik dhe kulturor. Kështu dita-ditës gjendemi të humbur në një pyll të dendur rrëfenjash përplot me gjyshe dhe gjyshër kinse babaxhanë, kinse hokatarë e kinse të dhembshur, që rrëfejnë kinse me naivitet pafajësinë e tyre, secili duke iu shmangur përgjegjësisë personale, ndonëse ishin aktorët qendrorë të masakrimit masiv komunist..

Ata rrëfejnë për punët e tyre të zeza me një profanizëm të kripur në proverba popullore dhe ne jemi mësuar t’i dëgjojmë me një pasivitet derdimen, pa ua vënë në dyshim lloqet folklorike dhe kështu, me sot e me nesër, revokojmë pandalshëm një të kaluar të turpshme, të pashoqe në historinë e njerëzimit. Askujt nuk i vjen turp, askush nuk ndjen pendesë. Xhelati krenohet s’e ia vuri litarin në fyt viktimës, cenzori se ia kalli shpirtin në kënetë poetit, spiuni se ia shkatërroi familjen dhe jetën mikut të ngushtë, ish-udhëheqësit – se paskan mbrojtur dinjitetin e shtetit shqiptar. Ne të gjitha këto i dimë. Kanë ngjarë në familjet tona, me personazhe të gjallë, midis nesh, jo dikur e dikund gjetkë, në Hënë, por në këtë Shqipëri të mpakur “si foshnja në djep”, nën hijen e rëndë e helmatisëse të “njeriut të ri”. Dhe, të na ndjeni shumë, nuk ishte kryevepra jonë ajo zombie, por e atyre gjyshërve të krimbur në rrëfenja! Ndërsa tani duhet të mahnitemi me bëmat e tyre, madje të na vijë keq, se sa paskemi degraduar! A janë bërë gabime? Sigurisht, thonë gjyshet dhe gjyshërit e përrallave, por gabimet janë të pashmangshme për një periudhë 45-vjeçare kur tërë Atdheu tranformohej. Dhe për të gjitha gabimet, fajtori tranferohet jashtë sferës personale, në një fuqi abstrakte apo okulte që është Partia. Domethënë, Partia përbëhej nga njerëz të shenjtë, të pagabueshëm, ndërsa ajo vetë ishte e gabueshme.

Unë mendoj se ne nuk kemi qenë e nuk jemi ende në gjendje të dimë t’i kërkojmë të vërtetat tona dhe kam përshtypjen sikur ndjemë krrupë nëse padashje gëlltisim ndonjë racion të vërtete. Sharl Bodleri do t’i kishte quajtur “lulet e së keqes shqiptare”; unë këtu po e thjeshtoj më shumë duke i quajtur “lulja e marres shqiptare”. Dhe jemi të zënë kolektivisht në vaditjen dhe selitjen e petaleve gjigande të “lules së marres”.

Para dy ditësh shqiptarët ndoqën për dy orë rekord emisionin “Shqip” në “Top Chanel” një ndër figurat më të inkriminuara të shekullit që shkoi, vejushën e diktatorit Enver Hoxha. Absurditeti për mua nuk qëndron në produktin oral të një krimineleje, e cila vendin duhej ta kishte, pa asnjë ekzagjerim, në Tribunalin e Hagës. Absurdi dhe “lulja e marres” ka të bëjë me strategjinë e zgjedhur dhe zellin për të sjellë në studio një ndër personazhet më të zinj që të dëshmojë për historinë.

Mund të mbrohesh sa të duash me të drejtat dhe liritë që ka gazetari për të sjellë në stuadio apo faqet e gazetës kë të dojë e madje, duke i përligjur këto akte me synime spekulative të rikonfirmimit të qëndrimeve tejet të njohura të diktatorëve dhe instrumentave të dhunës diktatoriale. Në Gjermaninë e pas luftës së Dytë, ky do të konsiderohej një krim dhe do të përbënte një çështje të nxehtë penale, një akt që fyen sensibilitete tepër të gjera të popullsisë. Pra mund të përligjesh me gjithëfarë spekulimesh dhe nihilizmash, sikundër fare mirë mund të përligjesh akte të shfrenuara ekstremiste e radikale, si për shembull: të dalësh një mëngjesi të bukur nga shtëpia me një pistoletë në xhep dhe, në akord me të qenët ekstremist, ta zbrazësh koburen mbi këto plaka e pleq babaxhanë, nën bëmat e të cilëve kaloi shenja e fatit tonë tragjik për gjysëm shekulli. Mandej, në mbrëmje, të kthehesh me ndërgjegjen personale të pastër, të larë si me milva, e madje, me ndjenjën e përmbushjes së një detyre ndërpersonale, krejt në pajtim me thelbin e të qenit ekstremist. Dhe sigurisht, një mënyrë e tillë veprimi, do të ishte ku e ku më e logjike e më e ndershme, se sa zelli pervers që bëjnë mediat tona ndaj revokimit të personazheve qendrorë të diktaturës.

Sigurisht predikimi normal për një qenie të ndërgjegjshme njerëzore në një shoqëri me vlera morale dhe etike, kulturore e religjioze, është të mos vritet asnjë milingonë. Por si të kuptohet këmbëngulja për të risjellë në ballafaqim me të shkuarën tonë fatkeqe, pikërisht shkaktarët, të cilët, përpos se nuk kanë kërkuar para popullit të tyre asnjë fije ndjese, vazhdojnë t’i mëshojnë idesë, se ndjesë nuk ka pse të kërkohet. Çfarë konteksti politik, shoqëror apo kulturor e përligj një takim me fantazmën e stalinizmit shqiptar? Kujt i intereson vallë të dijë në ka ndërruar mendim halla Nexhmie për krimet e saj dhe të burrit të vet? Për dy orë studioja e “Top Chanel” i ngjau një nostalgjie recidiviste apo më saktë, një meshe të zezë sataniste.

Ka dhjetra e dhjetra mënyra për t’ua lënë përrenjtë e pistë të kujtimeve të vërshojnë faqeve të pafajshme të letrës, por jo të shkosh aq larg, sa telekanalet tona të bëhen valvola shkarkimi për hyjnizimin e ish-dashnorëve internacionalistë të militantes sonë Nexhmie! Se sa i “sinqertë e i lidhur me popullin tonë” ka qenë komunisti serb Miladin Popoviqi, këtë mund ta mësojmë shumë më mirë nëpërmjet dokumentave të arkivave, pa ia patur nevojën rrëfimit sentimental të vejushës së diktatorit. I dhembshuri e shqiptarëdashësi Miladin, nisur nga ajo dashuri e papërballueshme për shqiptarët i shkruan kështu Titos:
“Kemi ndikuar në PKSH dhe në LANÇL që gjithësesi ta prishim Marrëveshjen e Mukjes... Ky bashkim nuk mund të pranohet. Tashti ne po forcohemi gjithnjë e më shumë dhe do të nisim të godasim me këpore dhe jo të nënshkruajmë bashkime me qentë. Pa le pastaj kjo Shqipëria etnike! Kanë për ta parë kur të shohin zverkun <...> Nuk pranohet ky bashkim! Ne tashi që po forcohemi, do të fillojmë nga sëpata dhe jo të bëjmë lidhje me qentë. Pastaj kjo Skipëri Etniçka – jeben Timajku!” (Uran Butka “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945” 128 AQSH f. 40 D. 7 v. 1943).

Duke iu kthyer pyetjeve të mësipërme, se ku qëndron rëndësia e dëshmive të tilla, çfarë na sqarojnë ato në shpjegimin e kostumit surrealist të historisë sonë, dalim te një pyetje më e rëndësishme dhe më e drejtpërdrejtë: çfarë besueshmërie kanë këto dëshmi në lidhje me ndofarë të vërtete kur dihet që dëshmuesi ka qenë edhe regjizor edhe aktor i aktit tragjik të luajtur në kurrizin tonë? Përse qenka i shtrenjtë vetëm versioni i kriminelit mbi krimin? A thua për këtë paskemi nevojë ne dhe historia jonë? Dhe nëse ne s’kemi nevojë, atëherë duket ashiqare, që dikush është shumë i interesuar të rizgjojë mitin okult të diktaturës për të “shtrënguar rradhët” dhe për të nxjerrë përfitime prej tij. Madje, jo vetëm politike...!

E dimë që pyetjet nuk kanë të sosur dhe përgjigjet mungojnë. E dimë që bota nuk ndryshon vetëm me pyetje. E dimë se askush nuk shqetësohet për përgjigjet dhe raporti ynë me realitetin dhe të vërtetën dobësohet shpërfytyrueshëm. Dimë edhe se drejtësia si nocion është shndërruar në instancë të privilegjuar rrëfimore vetëm për kriminelët dhe se, duke dëgjuar “bëmat” e tyre të ra, ndjekim pasivish si përsoset nga njëri dhjetvjeçar në tjetrin një sagë e tejzgjatur turpi. E turpi zgjatet, ndërsa ndjeshmëria jonë për të bie... 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gafurr Adili: Risitë dhe vjetërsitë e gjeopolitikës bë Ballkan..! Xun Çetta: Kush pro e kush kundër zgjedhjeve 2009? Gëzim Tafa: Publikut të gjerë po i kërkohet të rehabilitojë diktaturën Henri Çili: Nexhmija dhe gazetat, prapë me biografitë! Intervistë me zotin Prof. dr. Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë U arrit bashkepunimi vllazror midis komuniteteve shqiptare ne Kanada! Thanas L. Gjika: Po të isha unë Nexhmie Hoxha Krimet e Nexhmije Hoxhës fillojnë nga vrasja e Qemal Stafës e deri te vizitat e Aldo Bares në burg Reagim i këshilltarit te perkohshem të “Komunitetit shqiptaro-katolik të Torontos” z.Gjergj Nikolla Florent Rrahmani: Akuzat pa fakte, si të mos thuash asgjë, më mirë asgjë, se diq të paqëndrueshme dhe të pabazuar Albert Shabanaj: Letër dikur shokut tim ne migrim, tani zyrtar i Prishtinës! Kadare, e Vetmja Vlerë Shqiptare në Tregun Botëror Selim Hasanaj: Të vetdijsohet ndergjegjëja e shqiptarve, të demaskohen njerzit si Sheradin Berisha Joseph J. DioGuardi: Cila është zgjidhja? Mentor Nazarko: Varrezat dhe shkollat. Kisha ne mes Fatos Lubonja: Rasti “Morava” dhe trafiku i drogës Selim Hasanaj: Drejtësia dhe ligji i shtetit te mvetsishëm të Dardanisë duhet t'i mbrojë Kolosët e Kombit Frashër Demaj: Matoshi shkon më larg se historiografia serbe Selim Hasanaj: Aferim familes Mehaj, Kabashi dhe Maksutaj të fshatrave të Istogut Dardan e Dardane Kabashi: Çka vërtetojnë “më së miri”,”faktet” e Qemajl Morinës?!

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora