E premte, 19.04.2024, 04:50 AM (GMT+1)

Speciale

Shaban Sinani: Çabej si referencë e mendimit letrar

E enjte, 02.10.2008, 04:44 PM


Eqrem Çabej
ÇABEJ SI REFERENCË E MENDIMIT LETRAR

 

Nga Shaban Sinani

 

Vitet e fundit, në kuadrin e një fushate të sforcuar për rivlerësimin kritik të traditës, dyshimi i qëllimtë ka rrethuar në çaste të përveçme të dijes edhe emrin e prof. E. Çabejt, sidomos kur është fjala për ndihmesat e tij në shkencën letrare dhe në atë etno-folkloristike. Në fakt, përpjekja për ta paraqitur punën e këtij dijetari në letërsi e folklor thjesht si “punë pasioni”, synon të rrëzojë një referencë në mendimin letrar shqiptar. Mungesa e referencave sjell pështjellimin.

Mendje e ndritur dhe me rendiment të jashtëzakonshëm, me një fuqi intelektuale prej talenti të madh, E. Çabej i siguroi shkencës shqiptare përmasën ndërkombëtare të saj. Në qoftë se sot pranohet me plot gojën që qendra e studimeve albanologjike është tashmë vetë trualli shqiptar, kjo fitore historike nuk mund të ndahet nga emri i tij. Në qoftë se tash është e padyshimtë mëvetësia e shqipes dhe e mëmës së saj, ilirishtes, në familjen e madhe të gjuhëve indoeuropiane, prapëseprapë së pari duhet përmendur emri i Çabejt, që i çoi më përpara arritjet e tre burrave të mëdhenj, të cilët gjithnjë ai vetë i kujtonte me nderim të veçantë: G. Majer, H. Pedersen dhe N. Jokli. Dimensioni ndërkombëtar i figurës së Çabejt është njëherësh përmasë e shkencës shqiptare në tërësi. Me punën e tij filloi të paraqitej në mënyrë më të sistemuar edhe roli dhënës i gjuhës, kulturës dhe qytetërimit shqiptar në rrjedhë të shekujve.

Parim bazë i punës së Çabejt ishte: të paraqesësh dobësitë e tezave të kundërshtarit do të thotë të jesh në fillim të një pune që mbetet krejt pa vlerë, në qoftë se nuk paraqet argumente të plo­ta për të mbështetur e afirmuar tezën tënde. Për të ishte e huaj dhe e shëmtuar gjithçka që paraqitej si shkencë, duke mos qenë e tillë, por pasion apo sedër e sëmurë, motiv i kërkuar, ide fikse apo paragjykim. Personalitet siç ishte në kërkim shkencor, i tillë ish­te edhe në kulturën e debatit. Siç këmbëgulte për thellimin e stu­dimeve të veta kur gjente fakte e shpjegime të reja, ashtu nuk e kishte për gjë të shprehej diku gjetkë se “edhe autori i këtyre ra­dhëve dikur ka pasur mendim tjetër, por, në dritën e të dhë­na­ve të reja del se ka shumë gjasë të ketë gabuar” etj. Dhe kjo ve­tëm e lartëson atë, jo vetëm si dijetar, por edhe si qytetar i ema­n­ci­puar, sepse çdo krijim është dhe një akt moral njëkohësisht.

Në këtë trajtesë, në funksion të mendimit që Çabej ishte dhe mbetet një referencë e rëndësishme në mendimin letrar shqiptar, do t’i drejtohemi pikë së pari një prej veprave më të hershme dhe njëherësh gati të harruar të tij, “Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe”, pa përjashtuar edhe dy studimet e tjera të mirënjohura të tij, përfshirë në “Shqipëria ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes”.

Në vitin 1936, fill pas kthimit nga studimet universitare, prof. E. Çabej, asokohe djalosh i ri, në krye të rrugës së gjatë të kër­kimit shkencor, siç dihet, botoi studimin “Për gjenezën e li­te­ra­turës shqipe”. Po atë vit ai botoi edhe një vepër tjetër, një tekst për shkollat e mesme, të titulluar “Elemente të gjuhës e të li­te­ra­tu­rës shqipe”, që, ndryshe nga libri i parë, pati fat të kundërt: për një kohë të gjatë u mbulua nga një harresë e pamerituar, fat që e pë­soi edhe disertacioni i tij mbi rolin e italo-shqiptarëve në kul­tu­rën kombëtare, që edhe sot e kësaj dite, ndonëse në do­rë­sh­krim tashmë ka një tekst të dyfishtë, mbetet i pabotuar.

“Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe” është, pra, një punë e kryehershme e Çabejt. Gjithsej me nja dyqind faqe, në këtë libër janë dhënë shkurtimisht njohuritë bazë për çështje të tilla edhe sot e kësaj dite fushë diskutimesh e polemikash shkencore, si karakteri indo-europian i shqipes, vazhdimësia e saj prej ilirishtes dhe mëvetësia në familjen e madhe të gjuhëve ariane, lidhjet e bashkëpërkimet me gjuhët e tjera paleo-ballkanike (trakisht e greqisht), vendi dhe koha e tranzicionit nga nëna tek bija etj.

Në vazhdim, si një dukuri e dyfishtë, gjuhësore dhe let­ra­re, është trajtuar letërsia klasike e vendit tonë, trashëgimia e her­sh­me në këtë fushë. Pastaj paraqiten motivet më të rëndësishme të folklorit dhe shkrimtarët kryesorë, duke filluar që nga Bu­zu­ku, deri tek Mjeda e Asdreni. Më tutje, ndonëse vetëm me 200 fa­qe, libri ka pasur vend edhe për një antologji të përzgjedhur të le­tërsisë shqipe, që gjithashtu fillon me humanistët e fundit të mes­jetës e vjen deri në vitet ‘30 të këtij shekulli.

Një nga meritat kryesore të dijetarit të ri është se solli në Shqipëri traditën europiane të vështrimit në bashkëlidhje të tri shkallëve të komunikimit estetik përmes artit të fjalës: gjuhë - folklor dhe letërsi, traditë që më pas, për shkak të kuptimit doktrinar të disiplinës në shkencë, erdhi duke u përjashtuar.

Çabej vetë e ka karakterizuar këtë vepër një punë “pa pretendime shkencore”, thjesht një sistemim të njohurive të deriatëhershme për problemet e paraqitura për shqyrtim. Ai shënon në parathënie se, “në qoftë se ky libër ka një anë shkencore, kjo do të ishte jo zgjidhje problemesh, por hedhje problemesh në lëmë të bisedimit”.

Në të vërtetë, duke e vlerësuar sot, pas më shumë se një gjysmë shekulli, me gjykim dhe njohuri të një shkalle universitare rreth historisë së gjuhës amtare, nuk mund të mbetesh në këtë konsideratë. Vepra “Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe” përmban mjaft vlera e kon­tribute të mirëfillta shkencore. Kjo është shtytja për ta trajtuar atë si një referencë men­di­mi. Qysh me këtë libër, Çabej shfaqet si një gjuhëtar plotësisht i orientuar, që i ka përcaktuar te­zat themelore që do të ndjekë në studimet e mëpasme. Por ai ruan edhe disa vlera të tjera, që mund të jenë aktuale për shkollën. Njëherësh ai zbulohet para dijes si njohës i etno-psikikës kom­bëtare, i traditës kulturore në kuptim të gjerë dhe i parimeve të pohimit të saj.

Së pari, ky është ndër tekstet e rrallë shkollorë, ku letërsia, gjuha dhe folklori shqiptar traj­tohen si një fenomen i përbashkët, gjë që do t’i përgjigjej plotësisht natyrës specifike të pro­cesit letrar kulturor që është zhvilluar tek ne të paktën që nga mesjeta e këtej. Është shumë e zorshme të ndahet se për cilën fushë, për gjuhësinë apo për letërsinë, ka më shumë rëndësi Bu­zuku, Bardhi, Budi a Bogdani. Po ashtu, Naim Frashëri, duke qenë poeti më i madh kom­bë­tar i Rilindjes, është njëherësh pionieri i gjuhës letrare shqipe. Pa verbin naimian do të pri­shej drejtpeshimi i gjuhës së sotme letrare kombëtare. Shkrimtarët e poetët ishin ata që krijuan al­fabetet dhe tekstet e para mësimore të shqipes; ishin nismëtarët, delegatët dhe zhvilluesit e Kon­gresit të Manastirit, që konkludoi me njësimin e shkronjave amtare. Në fund të fundit, gjuha, folklori dhe letërsia janë tri shkallë të njëmbinjëshme të komunikimit estetik me të njëjtin mjet: fjalën.

Në Shqipëri ka ndodhur një fenomen i veçantë: ai i shkrirjes më një të detyrave të gju­hë­­tarit e të letrarit. Shumë personalitete të kulturës sonë, duke mos ua përcaktuar dot fu­shën për­parësore midis këtyre dy sferave edhe në vetvete të lidhura bashkë, janë quajtur me të dre­j­të filologë. Edhe tekstet shkollore duhet ta pasqyrojnë veçantinë e këtij procesi, ato duhet t’i nën­shtrohen natyrës specifike të tij, jo skemave të përgjithshme. Pikërisht këtë bëri Çabej. Li­b­­ri i tij është njëherësh antologji e histori letërsise, gjuhësi e folkloristikë. Madje, këto janë shkri­­rë aq organikisht ndërmjet tyre, saqë nuk e saktëson dot ku mbaron njëra, e ku fillon tjet­ra.

Kjo cilësi e veprës së Çabejt paraqitet me vlera mësimdhënëse edhe për sot. Librat shkollorë të letërsisë të arsimit të mesëm aktualisht pothuajse i kanë përjashtuar fare njohuritë gjuhësore. Për rrjedhim, edhe pas një shkollimi të tillë të nivelit të lartë, nxënësit shpesh nuk dinë të shprehin drejt vetveten, të shkruajnë një letër, një kartolinë apo një kërkesë zyrtare, të mbushin një anketë, një dokument apo një shkresë, pa bërë fjalë për shkrimin e bukur, që nuk është e tepërt të thuhet se ka bërë së prapthi.

Shkrirja e dijeve gjuhësore me lëndën letrare në shkollë është dhe një praktikë botërore e njohur. Mjafton të shihen e të kujtohen metodat dhe tekstet kryesore të mësimit të gjuhëve të huaja që janë në qarkullim. Zakonisht ato që në titull paraqiten si kurse gjuhe, kulture dhe qytetërimi njëherësh. Aq më tepër kjo bashkëlidhje është e nevojshme në rastin e letërsisë dhe gjuhës shqipe, që janë zhvilluar si një fenomen i njësuar e i intergruar. Ndarja e disiplinave shkencore, specializimi i tyre, është me dobi, por vetëm atëhere kur kjo i përgjigjet realitetit. Specializimi për të ndarë të përdashmen sjell vetëm dëm me vete. Ndarjet artificiale kanë lënë pasoja shpesh të pandreçshme. Nxënësi për gjuhën mëson një tog rregullash dhe një mori termash, duke i shoqëruar ato me vargje të tërë përjashtimesh, por nuk përvetëson mekanizmin e zotërimit të mjeteve të shprehjes, të përdorimit efektiv e estetik të tyre. Nga ana tjetër, lënda letrare më së paku shihet si art i fjalës, si shfaqje e mundësive shprehëse të saj, si shembull i përdorimit me shije e ngarkesë kuptimore të saj, domethënë si mjeshtëri që ekziston vetëm në saje të ekzistencës së gjuhës, por kryesisht si një dije më vete. Pa përgjigje mbetet pyetja: Ç’lëndë i takon të zhvillojë të folurit bukur të nxënësit? Me disa tekste të sotme, as njëra, as tjetra nuk i dalin dot për zot kësaj detyre. Nxitja për të reflektuar për ndreqjen e kësaj mangësie të dytë do të ishte vlerë tjetër shkencore e librit të Çabejt.

Së treti, autori e ka marrë procesin letrar si një proces të pandërprerë, ku njëra hallkë bashkohet vetvetiu me tjetrën, që nga Barleti e këtej. Duke e krahasuar librin e Çabejt me një pjesë të teksteve të sotme sheh se në këto të fundit më shumë është theksuar se ç’e ndan një etapë të letërsisë sonë kombëtare nga faza para apo pasardhëse, sesa ç’i bashkon ato në një të tërë. Letërsia e vjetër shqipe, që në mjaft tekste të tanishme të letërsisë rindahet më tej në tri nënpjesë (letërsi shqiptare e shkruar në latinisht, ku përfshihet Barleti, Beçikemi etj; letërsi e vjetër shqipe, me katër klasikët si përfaqësues, të cilët gjithnjë e më shumë po përjashtohen nga bota letrare dhe po cilësohen thjesht “shkrues”; dhe letërsi arbëreshe, me Lekë Matrangën e Jul Varibobën kryesues), në librin e Çabejt është parë në vazhdimësi, një dhe e pandarë, letërsi e humanizmit shqiptar, e frymëzuar nga të njëjtat ideale që ndezën zjarrin e Rilindjes Evropiane. Prej këtej ai arrin ta lidhë atë edhe me letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Parathënia e veprës kryesore të Bogdanit “Çeta e profetëve” dhe enciklika e mirënjohur e N. Veqilharxhit, të shkruara respektivisht njëra në mbyllje të një periudhe letrare dhe tjetra në paralajmërim të periudhës së re, megjithëse kanë dekada midis, paraqiten me përmbajtje shumë të afërt, që të dyja të përshkruara nga kulti i dritës së diturisë.

Vepra “Elementë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe” të çon në përfundimin se ndarjet e kërkuara e pa vend, të frymëzuara nga tipare të dorës së dytë, fragmentarizimi i procesit letrar e kulturor, kërkimi i cilësive të veçanta atje ku s’janë, prishin përfytyrimin për letërsinë kombëtare. Procedimet për arsye metodike-pedagogjike, që kanë shtegtuar nga një botim në tjetrin, gati janë kthyer në kritere të organizimit të lëndës letrare, në fakt të copëtimit të letërsisë në faza e nënfaza. Për keq ka ndikuar këtu, me sa duket, edhe dëshira për të gjetur për çdo autor apo grup autorësh një etiketë, për simetri me drejtimet dhe rrymat letrare të zhvilluara në botë, për ta “projektuar” me to historinë e letërsisë. Dijetari Jorgo Bulo e ka shprehur shumë qartë raportin e letërsisë shqipe me shkollat dhe drejtimet klasike botërore, duke saktësuar se historia e saj do parë si histori personalitetesh, sepse krahasimi me këto të fundit do ta varfëronte atë.

Mësimdhënëse për tekstet e sotme është edhe antologjia. Ajo i jep mundësi nxënësit të njohë drejtpërdrejt krijimtarinë në gjuhën shqipe, që nga Buzuku, deri tek Noli, i cili, siç dihet, përfaqësonte një ndër kundërshtarët më të rrezikshëm të regjimit monarkik të atëhershëm. Çabej, siç duket, ka meritën e botuesit të parë të Nolit në Shqipëri dhe, duke vazhduar këtë logjikë, me siguri do të ishte edhe i Migjenit, po të mos e kishte botuar antologjinë e tij pak më shpejt se “Vargjet e lira”, që u censuruan me shpejtësi para daljes në publik. Antologjia është mjaft e përzgjedhur, e formuar me vlera të vërteta letrare. Ndër to sheh se mundësia për të nxjerrë copa të zgjedhura për nxënësit është edhe për veprën e Buzukut, edhe për atë të Jul Varibobës apo të Kristoforidhit. Vjersha e Varibobës, për shembull, që përfshihet në këtë antologji, vërtet është me motiv biblik, por në përmbajtje është një vajtim tipik shqiptar malësor, ku zotit autori i drejtohet me shprehjen “bir”:

“Paa biir u si ti ronj,

Kit thik si te duronj,

Me tii biir, dua ti shighem,

Ndi kit varr dua ti mbulighem”.

Me librin “Elemente të gjuhës dhe të letërsisë shqipe”, Çabej, në këtë prag të mbushjes së 90-vjetorit të lindjes, është pjesëmarrës aktiv në diskutimin e problemeve që e prokupojnë shoqërinë. Mendja e tij e emancipuar e përfshiu edhe “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, mbledhur nga Gjeçovi, në fondin e letërsisë, pa i shkuar aspak në mendje se edhe një gjysmë shekulli më vonë kjo vepër do të evokohej jo si monument i trashëgimit kombëtar, por si një “kushtetutë për Shqipërinë demokratike”.

Duke u marrë me mendimin historiko-letrar të prof. E. Çabejt - në një libër që i kushtohet posaçërisht atij dhe të botuar këtë vit, prof. Ali Xhiku ka evokuar dhe u ka rikthyer vëmendjen disa prej çështjeve më të rëndësishme të të kuptuarit të historisë së zhvillimit të letërsisë shqipe, prej burimeve deri në mesin e këtij shekulli. Në fakt, për nevojën e rinjohjes së traditës letrare të vendit, në një kuadër të përgjithshëm dhe në rrafshin agjitativ, ka kohë që flitet, madje me zë të ngritur, të paktën qysh prej vitit 1988 e këndej. Kjo çështje, në një dhjetëvjetësh të plotë, u bë një “communis opinio” dhe po kështu një “preoccupis opinio”. Mirëpo, për arsye letrare e joletrare, propozimet e argumentuara për zgjidhje kriteriale të problemit, në vend të veprimeve naive - të hiqet ky e të vihet ky tjetri - kanë qenë të rralla.

Ata që, sidomos vitet e fundit, janë përpjekur të instalojnë idenë se mendimi i Çabejt për historinë e letërsisë shqipe “ka qenë një interesim periferik”, një “hobi” e tij, duhet të njohin realitetin, që vjen në formën e një pyetjeje, së cilës dija nuk mund t’i bishtnojë: për çfarë ka më shumë nevojë rivlerësimi i traditës letrare - për referencë apo për preferencë? Eshtë e ditur: vitet e fundit në vend të parë doli e dyta.

Periodizimi i historisë së letërsisë pa dyshim që është një nga çështjet më të rën­dë­sish­me që duhen zgjidhur me arsyetim të rreptë, para se të ndërmerret çdo nismë për një ri­pa­ra­qit­je të saj. Studiuesit mund t’i qasen këtij problemi duke rimarrë tezën e Çabejt, që “ndarja e dre­jtë e literaturës shqipe nuk duhet të dalë prej periodash historike, po prej qarqesh kul­tu­ro­re e letrare”, pa iu shmangur një rishqyrtimi kritik të debateve të zhvilluara në lidhje me kri­te­rin e periodizimit - prej Lambercit deri tek Resuli, Skiroi, Camaj e Qosja. Kjo ofron një zgji­dh­je që synon ta pavarësojë shkencën letrare nga dijet fqinje, në atë masë që është e ne­voj­sh­me për një gjykim të letërsisë “nga brenda”, por duke iu ruajtur krijimit të mureve.

Çabej dhe ata që edhe sot kanë të njëjtin mendim me të ka­në qenë të prirur të afirmojnë se parimisht periodizimi i historisë së letërsisë nuk ka pse të ndjekë periodizimin e historisë së Shqi­pë­risë, ndonëse kjo e fundit duhet shkruar më parë.    Kuptimi i le­tërsisë së vjetër shqi­pe duket se ka mbetur e do të mbetet edhe më tej i varur mjaft prej mendimit të Çabejt. Di­je­ta­rë­ve u është da­shur të hedhin hapa të kujdesshëm në evokimin problemor të kë­tij mendimi. Ndër­mjet një grupimi dijetarësh që janë akuzuar se e kanë laicizuar brendinë e letërsisë së vje­tër nga zelli i thek­si­mit të humanizmit, nga njëra anë, dhe një grupimi tjetër, që ësh­të aku­zuar për të kundërtën, se i ka ungjillizuar në mënyrë ten­dencioze dhe doktrinare edhe ato pru­r­je të erërave për­pa­rim­ta­re dhe të botës shqiptare që kanë tejshkuar (depërtuar) në librat ki­­sh­ta­rë, është më me vend arsyetimi i mundimshëm i shkencëtarit të ngujuar në objektin e vet.

Me sa duket nuk është e rastit që më të ndjeshmit ndaj “tepërimeve liberale” në kërkimin e dukurive humaniste në letërsinë e vjetër kanë qenë dijetarë klerikë ose të tillë pranë tyre, sikurse e kundërta: më të ndjeshmit ndaj “tepërimit në trajtimin e ngushtë doktrinar” të tyre kanë qenë një grupim studiuesish të interesuar prej qëllimesh larg teologjisë. Mendoj se raporti “biblike - laike” në këto vepra është një prej raporteve që do të ndihmonte për të ruajtur baraspeshën.

Përmes mendimit të Çabejt mund të mbërrihet deri tek një prej çështjeve më të ngatërruara të kuptimit të historisë së le­të­r­si­së shqipe: karakterit të romantizmit. Prej De Radës tek Naimi gje­nden vlera të përbashkëta të romantizmit, por edhe veçori ti­po­logjikisht të ndryshme. Në veprën “Shqipëria ndërmjet Pe­rë­n­di­mit dhe Lindjes, studiuesi e ka parë të nevojshme të përdorë vë­shtrimin e krahasuar. Pas opozicionit “romantizëm europian – ro­mantizëm shqiptar” i vjen radha një opozicioni tjetër: “ro­ma­n­ti­zmëm ballkanik - romantizëm shqiptar”. Në krahasim e sipër ai kon­kludon se romantizmi shqiptar mund të kuptohet në një per­for­mim të dyfishtë: si romantizëm perëndimor (letërsia ar­bë­re­she) dhe si romantizëm lindor (Naimi). Romantizmi perëndimor, që u zhvillua në mënyrë modelore nga De Rada në Itali, kishte, si­pas Çabejt, ekzotikën tipike të euro-romantizmit (huajtjet nga “Sa­kuntala”, nga “Vedat” sanskrite), kurse romantizmi lindor, i zhvilluar nga Naimi në një metropol të Lindjes (Stamboll) - kishte mitin e Perëndimit.

Një nga shqetësimet e Çabejt lidhet me faktin që letërsia ro­mantike shqiptare, duke e pasur kultin e heroit energjik (hy­j­ni­zi­mi i Skënderbeut) sikurse letërsia romantike europiane (kulti i Na­poleonit, për shembull), përkundrazi, nuk e ka në një modelim të qartë heroin e rrënuar, me mundime të holla dhe vuajtje të bre­ndshme shpirtërore. Kjo shpesh është quajtur homocentrizëm (por edhe egocentrizëm) dhe është lidhur me krizën e identitetit të njeriut, me nevojën e rinjohjes dhe ripohimit të vetes. Në këtë rast ndoshta është me vend të shtrohet pyetja: Mos në letërsinë shqipe homocentrizmi u shfaq në formën e etnocentrizmit apo, më saktë, të albanocentrizmit? Do mbajtur parasysh se ro­ma­ntizmi shqiptar qe një sprovë e fuqishme për të nxjerrë ba­sh­kë­si­në kombëtare nga kriza e identitetit.

Studimet e trashëguara nga Çabej i japin mundësinë e një sprove të letërsive të krahasuara, duke marrë për analogji të njëra-tjetrës letërsinë shqipe dhe atë greke, sidomos rrugën e ngjitjes së gjuhëve popullore në shkallën e gjuhëve letrare. Tek shqiptarët ishte çështja e krijimit të alfabetit, e kalimit prej traditës gojore në atë të shkruar, kurse tek grekët ishte bërë urgjent kalimi nga “katharevus-a” akademike dhe elitare në gjuhën popullore “dhimotiki”. Në thelb ishte i njëjti problem: ngritja e nivelit të komunikimit në një rrafsh të ri.

Sigurisht, mendimi i Çabejt nuk është pa kufizime e pa mangësi, por këtu u ndalëm në radhë të parë, në ato vlera të tij që kanë mbetur me dobi aktuale. Vepra përmban edhe plot teza tashmë të konfirmuara nga shkenca gjuhësore e ajo letrare. Vënia e tyre në pah mund të jetë objekt studimi më vete. Në këtë trajtesë deshëm të pasqyronim vetëm një aspekt të vlerave, që ruan kjo vepër: dobinë e mundshme të saj për hartimin e teksteve shkollore, për të cilat është folur e që flitet mjaft, veçanërisht këto kohët e fundit.

 

   1. Eqrem Çabej, “Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe”, Tiranë 1936;

   2. Eqrem Çabej, “Studime gjuhësore”, vëllimi 1-6, Prishtinë 1986;

   3. Jup Kastrati, “Histori e gramatologjisë shqipe”, 1989;

   4. Sabri Hamiti, “Letërsia e vjetër shqipe”, 1996;

   5. Ali Xhiku, “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt”, 1998;

   6. Shaban Demiraj, “Eqrem Çabej”, Tiranë 1990;

   7. Rexhep Qosja, “Porosia e madhe”, Tiranë 1989;

   8. Shaban Sinani: “Pengu i moskuptimit”, Tiranë 1997;

            9. Shaban Sinani, “Sipërore”, Tiranë 1998



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora