Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Nga mitra mëmësie

| E diele, 28.07.2019, 06:10 PM |


Keze Kozeta Zylo

Nga mitra mëmësie

Brengat dhe trishtimet e mbysin një grua,

Si grimcëza rëre i qorrojnë sytë,

Nga qerpikët e lagur i bien lotët si krua,

Dhe aksidentalisht një botë mund të mbyt.

Ajo ka bërë pakt të jetojë në Paqe,

Dhe pse flakët mundohen ta përpijnë,

Portën e shpresës e mbjellë bahçe më bahçe,

Dhe bëhet roje e ndonjë pabesie në kthinë.

Shpesh gjërat pa lidhje i bën nyje harrese,

Për mendjet gjysmake që tymosin llafe,

Ato i përcjellë në heshtje si kortezhe,

Ndryshe s’do ta quaja grua gjeniale.

Askush s’kujtohet se ç’ishte kjo grua,

Nga akullsia e tyre e mori brinjë më brinjë,

Imazhi i saj më shfaqet si fajkua,

Që jeton në ajër dhe krahët rreh e lirë.

O grua e bukur me petale mirësie,

Që terrin ndriçon me dritëzat e syrit,

Udhët e shpresës vijnë nga mitra mëmësie,

Dhe ju bejnë sfidë ikonave prej dyllit.

Fund korriku, 2019

Staten Island, New York