E enjte, 28.03.2024, 10:04 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Vetëtima vere

E shtune, 27.07.2019, 03:53 PM


Vetëtima vere

Nga Blerim Rrecaj

Fillojmë një ditë të re. Secili sipas mënyrës së tij. Edhe sot vazhdon një ditë diellore. Sa mirë do të ishte pa rrena në zemra e pa mrrolla në fytyrë, siç thotë njëri këtu e ky tjetri tash këtej. Me sa më pak vese e me përmirësime e korrigjime të kufinjve të karakterit e të hapësirës rretheqark. E pa e ndryshu veten si të ndryshojmë botën. Sikur duhet dëshirë më para e më pas durim, taktikë e strategji, veprim. Duke u mbledhur si kokrrat në shegë. Coprat e kësaj dite vazhdojnë. Mërgimtarët e kanë gjallëruar jetën duke i dhënë më shumë shije e kuptim. Ndërkohë mbrenda dyerve të parkut të qytetit një burrë rreth të gjashtëdhjetave edhe pse nën hije mban një çadër të hapur në dorë ndërsa shikimin e mban matanë rrugës ku ndodhen nja tridhjetë a më shumë njerëz, kryesisht të rinj që presin para një zyreje që mban mbishkrimin: Schengen Visa Application Centre. E po përballë, këtej rruge në trotuar presin taksistët ca brenda e ca jashte veturave për udhëtarët që "do bijen në rrjetat e tyre" mund të themi pasi aty afër pos tjerash ndodhet dhe një dyqan me pajisje të ndryshme peshkimi. Vazhdo ecjen duke (mos) vrarë, plagosur, lënduar a lodruar mendjen edhe për elemente të vërejtura orëve a ditëve më parë. Hapat që i mat kujtesa e ajrit siç mund të shprehen poetët mund të i tërheq ndonjë gjë a shfaqje që mund ta shpërfillim a të na shty ta shohim në këtë a në atë këndvështrim. Dikush u bije tupanave e te mensa e studentëve, nëse ajo ende funksionon si e tillë, e duket që po, pasi që në ballkonin e saj në katin sipër kanë dalur ca mantelbardhë e mantelbardha që duken të jenë gjellbërës, kuzhinierë e shërbyes aty. Bijnë tupanat e ata së bashku shijojnë tingujt e rrezet e diellit pa ia marrë valles. E pak më tej në një ballë ndërtese të njërit prej konvikteve një artiste që është ngjitur lart me ndihmën e një vinçi që komandohet nga poshtë është duke ngjyrosur sqepin e kësaj shqiponje pupëlpurpurtë, pupëlartë, e pupëljargovantë që duket se sa nuk është bërë gati ta braktis këtë mural e të vazhdoj të fluturoj rrethepërqark e lart e më lart. Më pas mund të vazhdoj dita, mund të lulëzoj rutina, ndërsa shumë nga qentë me etiketa nëpër vesh seç janë shtrirë për pushimin e mesditës, ca nën hije e ca nën diell, njëri nga shtrirë në trotuar pranë një kioske në trotuar dremit e duket se hap sytë përgjysmë sapo kalon kush pranë tij. Ca pëllumba tremben derisa janë duke qëndruar bregut të fontanës së cilës s'di pse kështu papritur seç iu tek dhe filloi ta hedh ujin përpjetë me vrull sikurse gejzeri në banjë të Sijarinës, për të na kthyer në fëmijërinë e largët. Njëri nga autobusët, qoftë ky verdhosh ose edhe ata që para se të shkojnë fshatrave ndalen edhe stacioneve të qytezës, ose taksistët që ka kohë që gishtin tregues e kanë shndrruar në numrin 1, do na largojnë a afrojnë, si dje, si sot. Kthimi do na gjej e bëj së bashku ne të afërmëve bashkatdhetarë që si duket se na kanë tretur pyetjet se: ma mirë ktu, a atje...Muzgu na zë ndejave e lojërave, na zë duke vështruar ca trëndafila që duket që po shkëmbejnë shkëlqime me të kuqëlimtën e qiellit. Mendja shkon edhe te ca trëndafila kryelartë kryeqyteti. Nisin vetëtima për së kthjellti që shndrisin qiellin edhe pas mërgimit të muzgut të sotëm. Bie nata. Pas vetëtimave bijen dhe vija të përdredhura e të përndritura rrufeshë, por të heshtura e pa zhurmë, pa bubullima. Tash që kemi ndrruar vend një erë që tund e shkund trupa e gjethe drunjësh ngre një pluhurimë nëpër këtë qiell zijosh. Fëmijët i lënë lojërat, të mëdhenjtë karriket e tavolinat për të mërguar brenda tek të tjera lojëra e tjera karrike e tavolina. Qielli shfryhet mirë. Mjaft rreptë pikat e syve të tij përplasen për tokë, dyer e dritare. Pastaj ndjehet një freski këndellëse dhe aroma e ajrit të passhiut si një dhuratë e shumëpritur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora