E merkure, 13.11.2019, 01:03 PM (GMT)

Komente

Eshref Ymeri: Një nismë me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare

E enjte, 25.07.2019, 08:51 PM


Një nismë me një rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare

Nga Prof. dr. Eshref Ymeri

Para pak çastesh, në faqen e internetit “Bota Sot” të datës 22 korrik, lexova materialin me titull “Intelektualët, zgjedhje të parakohshme me qeveri apolitike”.

Nga leximi i materialit mësova se është formuar Forumi Intelektual Shqiptar, i kryesuar nga historiania e mirënjohur Elena Kocaqi.

U gëzova që zonja Elena Kocaqi, si një intelektuale e shquar dhe me brumosje të shkëlqyer atdhetarizmi, kishte marrë nismën për krijimin e Forumit Intelektual Shqiptar. Prandaj ky Forum meriton të përshëndetet përzemërsisht nga të gjithë bashkatdhetarët tanë me ndërgjegje kombëtare, brenda trojeve etnike dhe në Diasporë, për Platformën e botuar për t’i dalë zot Shqipërisë, të cilën klasa politike, gjatë këtyre gati 30 vjetëve, e ka katandisur vendin në mjerim, për shkak të mungesës së shtetit ligjor, të cilin e ka kapur për fyti oligarkizmi i pamëshirshëm, me yshtjen e politikës antikombëtare, sidomos gjatë këtyre gjashtë vjetëve të fundit.

Gjatë kësaj periudhe që ka kaluar që prej zëvendësimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist, niveli i jetesës së familjeve shqiptare ka degraduar në mënyrë të pandalshme, pasi pasuritë kombëtare janë grabitur dhe po vazhdojnë të grabiten pa mëshirë nga një grusht oligarkësh, Kuvendi i Shqipërisë është shndërruar në një “tufë delesh”, të cilat shikojnë në dritë të syrit kryetarin e partisë se mos i heq nga lista e deputetëve në zgjedhjet e radhës dhe sistemi i drejtësisë ka notuar dhe vazhdon të notojë në detin e korrupsionit. Për pasojë, taksat dhe çmimet janë rritur në një mënyrë të frikshme.

Prandaj kishte ardhur koha që një grup intelektualësh të merrnin nismën për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa e pandalshme, e cila, sipas të dhënave statistikore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në fund të shekullit do të çojë në reduktimin e popullsisë së vendit në 500 mijë banorë.

Jam i bindur që miliarderët oligarkë dhe politikanët oligarkë do të mundohen ta korruptojnë Forumin e Intelektualëve Shqiptarë, me në krye zonjën Elena Kocaqi, do t’i bëjnë presion të tërhiqet, mundet edhe ta kërcënojnë. Por jam po ashtu i bindur se zonja Elena dhe intelektualët rreth saj nuk do të tërhiqen nga nisma që kanë marrë, për arsye të këmbënguljes që i karakterizon dhe për forcë të karakterit shembullor, si intelektualë me një formim të shkëlqyer nacionalist, me zonjën Elena në krye. Kam po ashtu bindjen se zonja Elena dhe intelektualët pranë saj, kanë marrë një nismë me një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjitha trojet tona etnike, që nga Çamëria dhe deri në Tivar.

I uroj suksese zonjës Elena dhe Forumit të Intelektualëve Shqiptarë që ajo kryeson.

Santa Barbara, Kaliforni

23 korrik 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT