E enjte, 25.04.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Editorial

Antishqiptarizmi i një shqipfolësi - Nga Albert Vataj

E diele, 20.05.2007, 09:11 PM


Nga Albert VATAJ

Albert Vataj
Absurde! Ka plot emërtime të tjera në fjalorin e shqipes së sotme, por falë një kuraje civile dhe gjakftohtësie që motivon pak shqiptar në të sotmen nevracingëritëse vendosa ta pagëzoja vetëm kështu atë që do të zinte vend në gjykimin e një deklarate të çmendur të një njeriu të çmendur, pavarësisht se mbi qafën e tij të trashë rëndon një kravatë e kushtueshme dhe mbi barrën e rëndë të tulit e dhjamit nderet kostumi i një personi publik. Deklarata e turpshme, djallëzore, arkaike, antishqiptare e një kryetari bashkie shqiptare, që paguhet nga shteti shqiptar dhe taksapaguesit e këtij shteti, i quajtur Bollano, duhej sot të kish ngritur në këmbë vetë shtetin, opinionin politik të çdo krahu, opinionin shoqëror, intelektual, civil, mediatik, si dhe këdo brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, që ende ka në deje gjak shqiptari. Në vitin 2007, në mes të Evropës që kërkon të bashkojë kufijtë, të Ballkanit që po kuron plagët e reja, por kryesisht të vjetrat, ato të ndarjeve shoviniste dhe që ka paguar paq për copëtimin, një ekstremist greko-nacionalist i veshur me pushtet shqiptar kërkon në mënyrën më të hapur që Shqipëria të ndahet në pjesë.
Ai flet për një shtet imagjinar, që kurrë nuk ka ekzistuar dhe kurrë nuk është provuar, përveçse në mendjet e sëmura të ekstremistëve perversë grekë dhe të të shiturve perversë shqiptarë. Të parët nuk janë pak, madje janë kudo deri në lobingje amerikane, që helmin e tyre e lëshojnë ngado përmes një rruge që kanë ndjekur tash sa dhjetëra vjet, parasë. Të dytët nuk janë pak gjithashtu, ata nuk e kanë emrin veç "bollano", por që prej 10 vitesh e më shumë quhen edhe socialistë, edhe demokratë, ose me fjalën popullore: politikanë. Disa të shitur e të blerë me para greke të mjaftueshme për t‘u kthyer në pasunarë dhe për t‘u mbyllur gojën në këmbim. Të tjerë të shitur për një copëz pushtet që gabimisht, tërësisht në mënyrë kompleksuale, mendojnë se u vjen e u ikën prej grekëve. Të gjithë një tufë antishqiptarësh, antipatriotësh, që kurrë nuk e panë atdheun si gjënë kryesore të jetës së tyre, si gjënë më të shtrenjtë se veten, më të shtrenjtë se familjen. Këta janë fytyrat e vërteta të baballarëve dhe bijve të kombit, që kurrë nuk e çojnë në mend që para se t‘i thonë vetes politikanë, duhet t‘i thonë patriotë; që kur betohen para flamurit ta ndiejnë me shpirt dhe zemër; që kur interesat e kombit preken, të lënë çdo mëri vetjake a partiake dhe të bëhen një. Që kur një i marrosur antishqiptar i dhjamur me para greke, plus atyre të taksapaguesve shqiptarë, si Bollano, lëshon deklarata të rrezikshme antikombëtare, të mblidhen të dënojnë një punonjës të shtetit që këta politikanë udhëheqin. Ose të paktën, të distancohen nga kjo deklaratë dhe të lëshojnë alarmin e kombit në rrezik. Sepse kombi shqiptar është i kërcënuar dhe deklarata e një kryetari baskie brenda territorit të Shqipërisë, që më parë falet në Athinë se në Tiranë, nuk është as rastësi, as e papritur. Në fakt, ajo gjen në befasi vetëm pjesën e civilizuar të dy shoqërive greke dhe shqiptare, civilizim që në këtë mijëvjeçar të ri s‘ka lidhje me arkaizmat e shekujve dhe aq më pak i sheh ato të arritshme apo të domosdoshme. Për sa i përket pastaj rrjedhe logjike të ngjarjeve të fundit në Shqipëri dhe raporteve të saj me Greqinë, kjo deklaratë është vetëm një rrjedhojë e natyrshme që herët a vonë do shpërthente. Si mund të shkojnë dëm gjithë ato pensione për ortodoksë e myslimanë shqiptarë (të kulluar shqiptarë), që kanë vite e vite që dalin nga buxheti i Athinës? Ka më shumë se dhjetë vjet që shteti shqiptar, demokrat, socialist, e prapë demokrat, është në dijeni të kësaj metode dhe politike të frikshme që një shtet fqinj aplikon ndaj nesh dhe kurrë nuk ka ngritur të paktën pyetjen: Pse? Për mos shkuar më tej te një studim i hollësishëm, se kush paguhet nga Athina, pse paguhet dhe çfarë do kërkohet në këmbim të kësaj pagese. Politikanët shqiptarë, kur vjen fjala për Greqinë, përpiqen të bëjnë diplomatin, por harrojnë se ka kufij kudo, diplomatikë, politikë, njerëzorë dhe sigurisht kufij gjeografikë. Të cilët, nëse njëra palë i shkel apo tenton dhe përgatit terrenin t‘i shkelë nesër, të gjitha bastet janë "off" dhe diplomacia nuk pi më ujë. Politikanët tanë, këta inferiorë të pakufi, me indiferencën e tyre janë palë në agresion, janë palë në tradhti kombëtare, madje janë pikërisht ata që lejojnë jo vetëm deklarata të rrezikshme të lulëzojnë nga goja e punonjësve të shtetit shqiptar, por madje i japin krahë strategjisë dhe teknikave që mund të na çojnë nesër në një Kosovë të re. Dhe le të ndalemi vetëm një sekondë te Kosova, meqë dhe Bollano ka guximin dhe paturpësinë ta përmendë. Ai tha se është e njëjta gjë, se ata, "autonomët grekë", nuk po kërkojnë gjë tjetër, veçse atë që kërkon Shqipëria për Kosovën. Në fakt, ka vetëm një ngjashmëri në këtë mes. Atë që po kërkon Greqia, përmes bulonave dhe bollanove, është pikërisht ajo që u realizua gati një shekull më parë, ndarja e një pjese tërësisht shqiptare nga trungu i Shqipërisë. Atëherë ne nuk kishim shtet, të varfër, të dobët, kur fatet na i vendosnin të tjerët, dhe lamë Kosovën të quhej pjesë e Jugosllavisë. Sot, pas 100 vjetësh, më në fund, pas gjakut të derdhur nga mijëra martirë që ruajtën gjuhën dhe zakonet nën dhunë, që mbajtën flamurin nën gji ditë e natë, më në fund historia po vë pikat mbi "i". Për shkak të gjeopolitikës dhe për shkak të një paradoksi që askush nuk di ta shpjegojë, Kosovës do t‘i jepet pavarësia shpejt, me kusht jo bashkimin me Shqipërinë. Normalja do ishte që Prishtina të ishte një Berlin i dytë, që shteti amë të bashkohej me gjymtyrën e grabitur. Por ja që bota e re ka kushte dhe të dyja palët shqiptare kanë thënë "Po" për një të mirë të madhe, pavarësinë e shumëdëshiruar të kosovarëve. Dhe meqë kjo është dhe dëshira e vetë shqiptarëve në Kosovë, le të bëhet më e mira për ta dhe le të jemi dy shtete shqiptare në Ballkan, sado ridikjuloze të duket kjo. Por të krahasosh përpjekjet dhe dëshirën për pavarësi të Kosovës së vrarë e sakatuar nga serbët, të një pjese të trungut tonë kombëtar që ende s‘e di ku i ka varret e bijve që luftuan për këtë ditë, me fantazitë e çmendura shoviniste të disa grekëve me para, që qëndrojnë në politikë në Athinë, Tiranë, Sarandë apo Uashington, është jashtë çdo logjike dhe sensi normal. Bollanos jo vetëm nuk i dridhet qerpiku të deklarojë agresion ndaj shtetit shqiptar, por paturpësisht fyen Kosovën, duke na fyer të gjithëve, duke na lënduar të gjithëve, duke hapur plagë të vjetra të një kombi të paaftë për të mbrojtur kufijtë e tij dje, por akoma më të paaftë për të mbrojtur veten e tij sot. Figura si ai dhe të tjerë duhet së pari të hasin në pengesa elektorale dhe në bashkimin politik shqiptar pa dallim ngjyre, që lloji i tij sot mos të mbante postet që mban në shtetin shqiptar. E nëse PS-ja dhe PD-ja do kishin parë përtej hundës së tyre, Bollano do ishte thjesht një i paguar i grekëve, një qen që leh kot, sa për të justifikuar pensionin nga Athina, që sigurisht mund ta ketë më të majmë se pleqtë e Palasës, Dhërmiut, Korçës, Sarandës, Peqinit, e dreqi e di se kujt cope tjetër shqiptare. Por sot ai është kryetar bashkie në administratën e shtetit shqiptar, flet në emër të këtij shteti dhe kur ky shtet nuk reagon, kjo do të thotë që jo vetëm i jep të drejtë, por edhe është i dorëzuar para çdo plani të afërm a largët që dëmton rëndë interesat tona kombëtare. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, kur janë këta politikanë drejtues të kombit, që heshtin dhe vetëm heshtin jo vetëm për incidente private në dukje sporadike, ku shqiptarët ose theren ose u këndohen këngë me zorrët që do t‘u bëhen litarë, por edhe kur ndodhin çudira të tilla si hapja e shkollave greke mu në mes të Shqipërisë së Jugut apo Juglindjes. Territore që kurrë nuk kanë qenë greke dhe kurrë s‘kanë për të qenë. Politikanët heshtin kur Greqia në emër të hyrjes në Evropë kërkon të blejë paturpësisht kësaj here jo vetëm me dhrahmi, por me pasaporta autonomie më shumë se gjysmë milioni shqiptarë. Ne të gjithë heshtim të shokuar kur Greqia doli kundërshtarja më e devotshme e pavarësisë së Kosovës. Ne të gjithë e dimë se vota e saj, jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë Shqipërinë e dëshiruar për t‘u angazhuar në organizmat ndërkombëtarë, është një votë kundër qysh në mëngjes. Ne të gjithë heshtim për pronat e ligjshme të çamëve dhe kur politikanët kanë frikë se mos zemërojnë Athinën. Nën hijen e të qenit gjoja diplomat, ata të gjithë kanë harruar detyrën kryesore ndaj atdheut, kanë flakur tutje çdo ndjenjë patriotike, që Zoti e di në e kanë pasur ndonjëherë. Dikur ishte Nano që patriotizmin e këmbeu me buzukë, qejfe dhe hargalisje haremi. Sot është Berisha më i frenuar në këtë drejtim, por i shfrenuar për pushtet, që akoma ka paranojën se në 1997-ën e hoqën grekët nga pushteti, që akoma rron me frikën se ata po të duan ia bëjnë prapë. Ka harruar se, si dje dhe sot, ai ia bën vetes. Antishqiptarizmin e djeshëm, të fshehur nën fuçi nafte kur furnizonte Millosheviçin, e ka kthyer në një antishqiptarizëm të ri, të hapur fare, inferior, që i shtohet paaftësisë dhe dhunës me të cilën bën ligjet dhe shtetin nga brenda. Dhe kjo e dyta, ashtu si dikur, do ta çojë në të njëjtin fund të pashmangshëm, pa qenë nevoja për Athinën, ashtu sikur nuk ka qenë kurrë. Të befason reagimi i opozitës së quajtur ndryshe, me një lider të ri, që duhet të reagonte menjëherë, qoftë edhe si koleg i Bollanos në administratën e shtetit shqiptar. Të befason dhe trishton pa masë reagimi zero i atyre politikanëve të ashtuquajtur të rinj, që nuk lënë debat e ekran televizioni pa na u shfaqur, ndonjëri duke gagaçuar e duke propaganduar politika të reja, që nuk lënë vend pa na tundur diplomën e Perëndimit, jo atë realen e shkollës, por atë medaljen e trimërisë dhe patriotizmit se lanë Perëndimin për atdheun. Aq shumë patriotë janë! Disa prej tyre në fakt e kanë provuar se e lanë vërtet Perëndimin për t‘u pasuruar brenda një viti aq marramendës, sa në Perëndim nuk do ta kishin arritur as në ëndrrën më të çmendur. Dhe paçka se nuk pret gjë nga këta rrjepës të atdheut, qoftë për hir të hipokrizisë që i shoqëron në çdo hap, sot duhet të ngriheshin dhe protestonin, sepse atdheut që "duan" kaq shumë i preken interesat. Shoqëria civile duhet të jetë e gjitha në aksion sot, ashtu sikur ka qenë sa herë që politika nuk është gjëkundi. Dhe me aksion nuk e kam fjalën te djegiet bastarde të flamujve grekë, që është një huq i bartur nga Athina, por e kam fjalën për shfaqjen e civilizimit të vërtetë që rrënjët i ka te patriotizmi dhe jo tek interesat e ngushta politike të momentit. Deri tani, në të vërtetë, sa herë na shqetësojnë fqinjët, sa herë na therin vëllezërit, sa herë na poshtërojnë fëmijët nëpër shkolla, sa herë na këndojnë këngë barbarësh, kemi dëgjuar veç Sabri Godon dhe Pëllumb Xhufin, si dhe partinë e këtij të fundit, LSI-në, të protestojnë dhe reagojnë siç u ka hije jo vetëm politikanëve, por shqiptarëve në radhë të parë. Secilin prej tyre unë e votoj për President menjëherë dhe kjo nuk ka lidhje me valën që ka përfshirë politikën shqiptare të momentit. Nuk është as nacionalizëm ekstrem i llojit grek, është thjesht patriotizëm normal, që as nuk shitet, as nuk blihet.
Është vërtetuar që rastet e thyerjes apo të krisjes së ndërgjegjes kombëtare kanë mprehur vigjilencën kombëtare dhe prania e pasojave të tyre mbi arsyen historike mund të shkaktojë tronditje të reja më të rënda se më parë."Strategjia" greke e doktrinës për "Vorio-Epirin" ka dështuar. Çfarë kërkojnë segmentet shovene greke të përfaqësuara nga Dulet, Janullatosit, Bollanot&CO të cilët çirren për "Vorio-Epirin" dhe shprehin pretendimet territoriale kundër Shqipërisë? Po iu themi që në fillim, siç ua kemi thënë edhe më parë: Nuk ka "Vorio-Epir", por ka Epir, i cili ka qenë, është dhe do të jetë histori dhe hapësirë etnike shqiptare. Politika dhe opinioni shkencor shqiptar këtë konstatim historik, ka ardhur koha ta thonë me zë të lartë në gjuhën shqipe.
Përballë një politike të hapur, të mbarsur me nacionalizëm agresiv dhe imponues në çdo rast, në qëndrimin grek gjallojnë çdo ditë e më shumë pretendimet absurde territoriale, të cilave tashmë u ka dalë boja. Qarqet shovene me megafonë të tipit Geixh, Dule, Bollano e një takëm "historianësh", që guxojnë të dalin në ekranet shqiptare dhe të kërkojnë ballafaqim për gjenezën pellazgo-epiriote-thesprote-shqiptare në misionin e tyre kanë dështuar. Sido që po ndodh, këto zullume politiko-ideologjike me prapavija reaksionare fetare, kurrsesi nuk do të kalojnë në heshtje, edhe kur politika zyrtare në shtetin shqiptar hesht dhe nuk zbaton ligjet kushtetuese të vendit. Historinë nuk mund ta tjetërsojnë as Bollanot & CO, e as një takëm politikanësh shqiptarë, që janë tulatur përpara presioneve politike greke. Krahasueshmëria me rastin e Kosovës, e bën këtë gjakprishur dhe të tjerë pas tij të bëjë një gabim trashanik dhe të zbulojnë në opinion dështimin e strategjisë shovene greke kundër Shqipërisë. Pretendimet territoriale janë një turp politik, për të gjithë ata që shesin moral për demokracinë dhe standardet e saj. Ky mbetet një problem i hapur që kërkon shpjegim, dhe këtë duhet ta bëjnë ata që i fryjnë erërave shovene në rajon. Institucionet zyrtare greke nuk njohin çështjen çame, duke e konsideruar atë "një çështje të mbyllur", ato bëjnë presion mbi emigracionin shqiptar, duke shfaqur anën më të errët të dominuar prej llumit të shoqërisë greke, nën hundën e tyre zhvillohet veprimtari ultranacionaliste nga qarqe të dyshimta deri paramilitare, të cilat shfaqin hapur pretendimet territoriale mbi "Vorio-Epirin", si në rastin e fatkeqit Bollano. Në kundërshtim me ligjet shqiptare jepen pensione, serviret fantazma e homogjenitetit dhe dyshtetësisë, bizneset greke u rrëshqasin ligjeve të shtetit shqiptar, hapen shkolla greke të palicencuara, dhunohen simbolet kombëtare, dhunohen të drejtat e njeriut, vriten shqiptarë në mjedise publike dhe në burgje, dhunohet rendi kushtetues, lëshohen kërcënime prej trupave ushtarake, cenohet siguria kombëtare, duke ndërhyrë hapur në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Çfarë ka mbetur tjetër për t’u bërë në shpinë të Shqipërisë, zotërinj pushtetarë dhe politikanë? Hipokrizia e politikës greke është kthyer në qëndrim institucional megaloman, me pak shanse për t’u korrigjuar. Zullumet e saj të përfaqësuar me emra pushtetarësh dhe funksionarësh shtetërorë, bien shumë në sy, dhe kjo bën që askush të mos mohojë praninë e „luftës së ftohtë" midis dy vendeve. Të mos gënjejnë veten as politikanët shqiptarë dhe ata grekë e as misionarët e politikës evropiane, të cilët po e lejojnë këtë situatë, duke i bërë lëshime të pamerituara politikës greke. Por të mos i shmangemi problemit: CD-ja e politikës greke ka një „pasuord" dhe ky pasuord është i instaluar në skutat politike të Athinës. Ai hapet herë pas here, duke vënë në lëvizje megafonët e tipit Geixh, Bollano, Dule, Joanullatos & CO, struktura të tëra antishqiptare, në mënyrë që politika greke ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar të jetë përherë në sulm. Pse të mos e pranojnë: Politika greke ka dështuar në drejtim të nacionalizmit etniko-fetar kundër Shqipërisë. Po e përsërisim, ka dështuar. Pararojat e saj politike dhe fetare, PBDNJ, "Omonia", Kisha Ortodokse Greke dhe organizata terroriste „Mavi", kanë dështuar në misionin e tyre. Këta "ambasadorë të përhershëm" të shtetit grek, janë pjestarë të kongreseve të përvitshme të "Vorio Epirit". Opinioni shqiptar tashmë i njeh. PBDNJ jep natyrën e një njeriu të trullosur që nuk po gjen vend. Ajo nuk është ndier rehat në politikën shqiptare, duke ndërruar karriget sa andej këndej, për të përfituar maksimalisht në misionin e saj antishqiptar. Për gjuhën e hidhur të Dules me shokë shqiptarët nuk kanë nevojë për përkthyes. Diskretitimi i politikës greke i ka kapërcyer me kohë përmasat e marrëdhënieve dypalëshe dhe "dosja greke" tashmë është e hapur në dorë të faktorit ndërkombëtar. Dalja e Dules nga koalicioni dhe përgjërimi i tij për "interesat e biznesit shqiptar", dalja e Bollanos, (priten surpriza të tjera greke në të ardhmen), heshtja e disa subjekteve politike në Shqipëri, janë të lidhura me dy dështime të ndjeshme të politikës greke. Tendenca e turravrapit të qarqeve shovene greke dhe segmenteve dashakeqëse në politikë, për helenizimin e jugut të Shqipërisë, të sinkronizuara me trysninë e ftohtë politike, ekonomike dhe fetare, janë hapësirat që mbajnë sot peng çështjen çame, çështjen e minoritetit dhe emigrantëve shqiptarë dhe vetë marrëdhëniet midis dy shteteve. Nuk po bëjmë ndonjë zbulim të ri sensacional, përveçse i referohemi të vërtetës historike. Së pari, rruga e pakthyeshme e pavarësisë së Kosovës, ku Greqia ka shprehur hapur qëndrimin e saj kundër. Pse nuk e dëshiron Greqia këtë pavarësi? Çfarë pretendon Greqia më tej? Si mund të pranojë Greqia që të ndryshojnë raportet gjeostrategjike në Ballkan me daljen e një shteti të ri shqiptar? Politika greke e di se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çështja çame dhe e tërë kombësive që jetojnë sot në Greqi do të jetë një çështje e hapur, që do t’i kapërcejë hapësirat absurde të "zgjidhjeve dypalëshe". Janë të prekshme në jetën politike greke kërkesat e kombësisë maqedonase, bullgare, turke dhe të shumë pakicave të tjera me prejardhje gjenetike. Në kushtet e "rrethimit demokratik", të cilin Greqia ka kohë që po e ndien, çështja e helenizmit do të sfumohet. Greqia duhet të zhvishet prej tij. Ai është mashtrimi më i madh që po i bëhet historisë së Ballkanit. Së dyti, intrigues mbetet fakti i çështjes së zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri. Politikës greke i kanë interesuar liderët shqiptarë, sepse nëpërmjet tyre ajo ka mundur të ruajë interesat e saj në Shqipëri. Nuk është e vështirë të kuptohet që ajo të mos ketë hedhur kartat e saj për kreun e shtetit shqiptar. Zhvillimet politike kohët e fundit dhe kompleksiteti i sajuar, me sa duket, i ka djegur këto karta dhe kundërvënia greke ka filluar të ndihet ndaj politikës shqiptare, pse jo dhe ndaj qeverisjes së partisë në pushtet. Nuk është çështje "daljeje" nga koalicioni, nuk është çështje e një "Bollanoje", nuk është çështje prishjesh në bregdetin "minoritar", por shumë më tepër se kaq. Zhvillimi i ngjarjeve në hapësirën shqiptare dhe maturia shqiptare për të qenë në unison me faktorin politik ndërkombëtar për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me çështjen tonë kombëtare e kanë nervozuar politikën greke dhe "pasuordi" i saj është vënë në lëvizje. Në mënyrë të kamufluar, po dhunohen parimet e sigurisë kombëtare. Kërcënimet dhe rreziqet nuk janë abstrakte, por janë të pranishme dhe veprojnë, duke shkaktuar pasoja të rënda në jetën e vendit. Lufta e ashpër politike e dy partive të mëdha në Shqipëri po krijon hapësira boshe, të cilat po shfrytëzohen nga qarqe reaksionare, me synime të pastra politike, etnike e fetare në dëm të shtetit dhe kombit shqiptar. Incidentet e shumta që kanë ndodhur në këtë periudhë, janë një ogur i keq i asaj që po vepron, i asaj që pretendohet se nuk duket, i asaj që nuk gjen dot justifikim përpara opinionit shqiptar, i krizës politike permanente që kërkojnë shpjegim, i dhunimit të institucioneve të sigurisë që shkaktojnë kaos politik, social dhe ekonomik, i mosfunksionimit të shtetit dhe rendit kushtetues, i frikës nga njerëz që i kanë shitur interesat e tyre matanë kufirit, qëndrime këto që po diskretitojnë politikisht vendin. Ky mund të jetë përfundimi i gjithçkaje që bëhet keq në këtë vend, në fund të fundit, i asaj që nuk u ka pëlqyer dhe nuk do t’u pëlqejë kurrë shqiptarëve. Këto momente, pa dyshim, shkaktojnë tensione politike, por nëse shqiptarëve u kërkohet t’u tregohen gjurmët, ata shikojnë ujkun përballë. Këta precedentë politikë i kapërcejnë kufijtë e konflikteve të brendshme, dhe nëse shqiptarët reagojnë ashpër, shkaktarët duhet të binden se diçka në këto marrëdhënie është mbrapsht. Marrëdhëniet midis dy shteteve janë lënë të ndjekin rrjedhën e tyre, por pa menduar se luhatjet po lënë pasoja shumë të rënda në thellimin e përçarjes dhe të armiqësisë, për të cilat do të duhet shumë kohë që ato të normalizohen. Marifetet politike të politikës greke janë kthyer në një rrezik permanent, duke e krahasuar atë me një njeri që rri me kopaçe në dorë pas dere dhe pret vetëm rastin të të godasë. Çështja e zgjidhjes së konflikteve midis dy shteteve kërkon subkoshiencë politike me standarde qytetare, sepse në të kundërt ato nuk mund të kalojnë kurrsesi pa lënë gjurmë të hidhura në memorien historike të popujve që dëshirojnë të jetojnë në fqinjësi. "Uthulla e fortë prish enën e vet", kështu thonë shqiptarët. Greqia ka kohë që e ka kamufluar të vërtetën historike të kombeve dhe popujve në Ballkan me globalizimin e helenizimit, i cili nuk ekziston. Grabitja dhe shtrembërimi i historisë është shkaku që frymëzon sot ultranacionalizmin grek dhe nxit qarqet shoviniste për t’i fryrë erës së pretendimeve territoriale. Bota e qytetëruar, nëse do ta shpëtojë Greqinë dhe popullin e saj dhe tërë rajonin ballkanik, duhet të ndikojë fuqimisht në shmangien e konceptit helen dhe të helenizmit. Është ky koncept që motivon sot nacionalizmin agresiv grek dhe qëndrimin antidemokratik të një shteti të ashtuquajtur demokratik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora