Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ramazan S. Ilnica: 'Duke kërkuar ditë më të bukura'

| E merkure, 24.07.2019, 08:00 PM |


”DUKE KËRKUAR DITË MË TË BUKURA”

Për  vëllimin  omonim  të Qazim Shehut

Nga Ramazan S. ILNICA

Është një libër me poezi që po lexoja me nge dhe pa u shpejtuar, pavarësisht se autori, me pyetjet e tij më cyste të flas për to. Por pikërisht sot duke lexuar te gazeta “Nacional” ciklin me poezi të poetit Qazim Shehu, me titull “Rruga e poetëve”, nisa të shkruaj për vëllimin e tij. Është vëllimi i 15-të dhe poeti tani është i njohur për nivelin e lartë ku ka arritur në lëvrimin e poezisë. Është poet lirik dhe i nderuar në rrugën e tij. Vargjet e Qazim Shehut janë “zjarri që s’përton të ndrisë” dhe ky zjarr ka ardhur siç thotë poeti: “Rend shpirti im në muzg/ Eshkë e ndezur nga një xixë,/ Po tymin s’ia sheh kush,/ As zjarrin që s’përton të ndrisë” …” Poezia e tij është qytetare, poezi për të gjithë, për rrugët nëpër kodrat e malet e vendlindjes dhe në Tiranën moderne. Për njerëzit, poeti  thur vargje që duket sikur shkruajnë jetën tonë të përditshme, por në çdo poezi ka kulme të fjalës poetike me ngjyrime të habitshme apo siç thotë vetë te “Rruga e poetëve”: “…Ku e gjete këtë varg, gjeni/ se me të më plase (?!)”.

Poezitë e Qazim Shehut në këtë vëllim nuk janë ndarë në cikle apo në ndarje sipas shtresëzimeve të vargjeve, por janë si ndodhi të zakonshme me befasi të figuracionit në secilën prej tyre, me ndriçime të bukura e plot shkëlqim. Poezitë duhen lexuar me pauza për t’u menduar, për të pirë nektarin e fjalës poetike apo dhe për t’u kënaqur me lezetin e ëmbëlsinë që jep fryma poetike.

1. E përditshmja hyn në poezi si diçka e zakonshme, por që na mbart mendime në çdo strofë. Të tilla janë poezitë,si: ”Frashëri”, “Statujat”, “Vetëtimat”, “Gozhup”, “Burojnë lumenjtë”, ”Mitrushi”, ‘Agimi i kuq”, “Borsalino e Lasgushit” etj. Te poezia “Frashëri” gozhdohemi me vargjet “Frashëri që jep bojë u tha,/ Në rrëpirën që nga tharja shket…” Apo te “Statujat” fillon me vargun “Ne pa statuja s’na rrihet…” dhe mbaron me “Kështu me to në piedestal të jetës/ Sa vjen e zbret më poshtë/ Veç rritet lavdi e gënjeshtrës/ Se statujat na mbajnë ngrohtë.”// Të fut në mendime dhe të prek në shpirt kur lexon për  “zhdukjen” e lumenjve, për futjen në zgafella e tuba për të fituar: “Dritë të ligë duke lëshuar/ në kufoma parash të majme/ Dhe malet shtyjnë të verbuar/ Të gjejnë shtratet e thame…”// Kështu poetit i dhimbset Valbona se mos gjejë fatin e Fanit, Devollit e lumenjve të tjerë për .. para të majme.

Te poezia “Mitrushi” kemi vargje të cilat të përcëllojnë me realitetin e sotëm: “Nga cep i Ilirisë së Poshtme vjen Mitrushi/ Vështrimin hedh nga Dardania” dhe këndon Mitrushi se…: “Nuk mund të ketë më të hijshëm panteon/ Sa kjo lulishte me dy monumente të gjalla” Por tani s’ka më banorë se “U zbrazën fshatrat, i përpiu ikja” Por Mitrushi i ruan në veprat e tija “Dhe do t’i ripopullojë, sapo mundësia t’ia dalë…” A nuk është sinjifikative poezia “Një zog”! Nositin lasgushian e gjen vetëm në Shën Naum, por që  nuk e kemi tonin …“Se ai vend u shit,/Nga një mbret që e kishte emrin Zog,/ Por s’ish nosit…”// Lexuesi duhet të bëjë pauza meditimi, sepse çdo poezi ka jetë dhe bukuri, jep dhe mesazhe që të të godasin në zemër dhe na bën të reflektojmë në mendime.

Në poezitë e Qazim Shehut mund të bëjmë një “ndarje” të tyre me poezi lirike- filozofike, vargje për dashurinë, për rolin e poetit në shoqërinë e sotme,, kemi peizazhe të bukura dhe për “hallet e dertet e kohës së sotme.

2. Në poezitë filozofike përmendim: “Cunami”, “Koha”, “Ishulli”, ”Thellësinë e marrë ndez një lot”, “Eklips”, “Në peshën e një loti”, “Lexime”, “Bari” etj. Në poezinë “Cunami” kemi këto vargje: “Deti ngulmon, dallgët përplas,/Toka e mirëpret me krenari,/ Atëhere deti veten zbraz,/ Cunami shkrehet brenda tij…” Vargje të tilla në futin në mendime edhe me figuracionin, duke dhënë mendime për lidhjen det-tokë, përndryshe dhe të njerëzve që kanë marrëdhënie në jetën e tyre. Në poezinë “Koha” poeti shkruan: “Herë-herë, më vjen e më ulet para/ Një vizitore imagjinare/ Është koha që ikën me të katra/ Kjo sojleshë kusare…//. Ai e lidh ngushtësisht kohën me njerëzit, që kanë ikur dhe kanë humbur, por siç shkruan poeti …”Dhe kujtesa del nga vetja/ Rreth i pashtrënguar,/ Ajri murmuron nëpër shpendra/ Me zërin e atyre që janë shuar…// Te “Eklipse yjesh”, poezi perlë, kemi një paralelizëm të bukur sa larg yjet që “Ndrisin netëve me drithërimë” dhe kaq pranë miset: “Kaq larg ata janë në qiell/ Dhe miset kaq pranë…”//

Në poezinë “Në peshën e një loti”: poezi me 8 vargje, me një bukuri të rrallë “Pafuqi e botës ngjizet/ në peshën e një loti./ Ai ka peshën e gurit të Mujit/ Flakën e damarit të shqotës// dhe përfundon me një thirrje të madhe : “Kjo peshë mund të fshihej/ nga një gisht në faqe,/ Një gisht botën e bindte/ një gisht bën paqe…//

Te poezia “Bari” poeti  “Bari s’mund të jetë/ Veçse mbështjellësja më e sinqertë/ E rrobes së djepit/ punuar nga duat e nënës… Bari vjen te ne me të gjelbrën e njohur/ që na ngroh vatrën e syrit/ dhe ne njerëzit “Bëhemi të gjelbër/ Të butë,/ Inkadeshentë/ Filozofë/ Në mbështjellësen e tij të gëzoftë//

Në vëllim zë vend dhe poezia shkurtër “Kjo botë”. Gjithsej 6 vargje: “Pasuria veten e ha,/ Dhe paratë s’i mbarohen…// “Në vetëngrënie apokaliptike pa dëm/ Një gërryerje pa humnerë,/ Të varfërit shtohen, kjo nuk shkon,/ Kjo botë po mban erë…”//

Poezi të tilla jo vetëm të fusin në mendime, por dhe të angazhojnë për një ndryshim, për të djegur këto anomali të jetës sonë.

3. Vargjet për dashurinë zënë një vend të vogël, por janë vërtet të bukura dhe vënë në mendime sidomos moshën e pjekur. Të tilla poezi janë: “Nuk besoj”, “Kur moshën time e vë re”, “Drita jote”, “Dielli nganjëherë”, “Buzëqeshjen e vitit”, “Një shkëndijë” “Nuk jam Leka” e të tjera. Në poezinë “Kur moshën time e vë re” poeti kalon në dy pamje: së pari me vajzën e bukur që është “Krijuar nga zoti në ditë pushimi’ dhe së dyti, ai vë re moshën e vet “Dhe mosha ngashërehet.”  Nuk puqet mosha e vajzës me moshën e tij të mesme, që e tejkalon te poezia “Drita jote”duke qenë dritë e pashuar që : ”Atëherë drita jote nuk vonon,/ Gardhin e viteve çan e vjen,/ si një i hapur horizont/ Më rrëmben.”  Poeti arrin dhe në vargje lapidare për dashurinë, vetëm katër vargje që të verbojnë me bukurinë e tyre: “Dielli nganjëherë hënën porositi/ Të spërkasë rrugën e dashurisë,/ Frikohet t’i japë më shumë dritë/ budallepsjes së saj prej lumturisë.//

Në tetë vargjet e poezisë “Nuk jam Leka i madh” poeti fillon me dy vargjet : “Nuk jam Leka i madh, nuk të pushtova/ Në trojet e shpirtit tënd brodha,” dhe mbaron me dy vargje të bukura: “Me to u ngopa, në tehe sërish u nisa,/ Si Leka nu desha të vdes i ri” . Mosha e poetit nuk e ndrydh dashurinë dhe përtej fjalëve dalin imazhe të bukura si te poezia “Sisat dalin kokë gjarpri”: “Zogu i zemrës në kafaz të kraharorit/ Alfabetin e morsit e rënies së gjethes/ të dallojë di…/ duke u mbyllur me dy vargje të bukura: “Sisat dalin si kokë gjarpri/ ku buza fillon e pi…//

4. Peizazhet e vëllimit janë vërtet  tërheqëse nga mënyra si janë konceptuar dhe forma si janë shkruar    duke veçuar të tilla si poezitë: “Marrëveshje”, “Një gur i bardhë”, “Lëkurë e dimrit”, “E bardha”, “Shoh barin”, “Kodra”, “Sorkadhja” e poezi të tjera që të prekin me  bukurinë e vargjeve.     Vargje të tilla janë: “Ky gur i bardhë mbi kodër/ Roje që nuk lodhet,/ Një dorë gjigandi nga motet/ Vënë aty mrolët” mbyllen me dy vargje kuptimplote “Pastaj me heshtjen e venitur? Vetminë e vet qante’ (Një gur i bardhë). Në poezinë “Një mall që gjithnjë na vjen, poeti ka shkruar me figura të befta: “Një mall që gjithnjë na vjen/ Si prush që na ngrin…| por koha që ka ikur ka mbetur në mendjen e poetit: “Ujëvarat ishin ato të parat,/ Jo nuk duhet të ishin edhe sikur,Këtë rënie ua morën flokëve të vajzave,/ që hodhën/ mbi fytyrën e bukur dhe të murrmë/ Atëherë kur i fejonin me pahir dhe i mbyllnin para dasmave/ Dhe dasmat ua bënin për të gëzuar veç një turmë.” Në këtë seri poezish magjeps ajo me titull “Sorkadhja” vargjet e strofës së parë: “Yjet e ftohta mban mbi brirë,/ Lotin e qiellit mbi sy,/ Lulet që kanë mbirë/ Në hapin e saj janë aty…/ Dhe mbyllet me vargjet e “qeta: ”Gjithçka i more botë,/ Hapin e brishtë me naze,/ Pastaj u pendua e ndrojtur, / Emrin ia dhuroi çdo vajze…//”   Dhe vërtet, a nuk themi çdo vajze të shkathët e të bukur “Hajde, moj sorkadhe!”

I një tipi të përbashkët peizazh-meditim janë shumë poezi të bukura   që na lënë mbresa për mendimet që na zgjojnë, siç është poezia “Burimi”. Bukuria qëndron te gjetjet dyshe të autorit: “Nga gji i kujt doli burimi/ Si nga   gji i femrës një psherëtimë.// Vë buzën mbi të e shuaj etjen,/ Ky gji përkëdhelet në brendësi//.  Burimi rrjedh e rrjedh e s’mbaron, / Për të tjerë e të tjerë rrjedh… Poeti e mbyll me dy vargje: “…Si një shirit i mori, pa zë,/ Në djep të kohrave i çeli zogj.// Poezi të tilla lënë mbresa dhe e çojnë lexuesin në meditime për jetën si një sërë burimesh të pasosura…

5. Disa poezi të vëllimit kanë në qendër aktualitetin e sotëm në vazhdën e tranzicionit “modern”. Na bëjnë që të çuditemi me dukuri të shëmtuara, kur i kemi kushtet e mundësitë që të llamburitemi vetëm nga dritat e lirisë që e kërkuam aq shumë. Të tilla poezi janë disa, por po përmend vetëm disa, si: “E Bukura e dheut”, “Një mall gjithnjë na vjen”, “Kjo botë", “Arrati”, Oxhakët në dimër”, “Llamburitje” etj.  paratë janë epiqendër të veseve të “modernes" së sotme.”Pasuria veten e ha,/ Dhe paratë s’i mbarohen…/ një vetëngrënie apokaliptike   pa dëm/ Një gërryerje pa humnerë,/ Të varfërit shtohen, kjo nuk shkon,/ Kjo botë po mban erë//. Në poezinë “Arrati” poeti rikthehet në “bazë” në fshat, arratiset nga rrëmeti i qytetit: “Si një romantik ika nga qyteti,/ Të gjej strehën e malit nën dëborë”.. Është poezia më “tregimtare” e poetit. E shohim fshatin primitiv dhe qytetin modern: “Larg qyteti kapele tymrash ve,/ Mbi hundë oxhaqesh e hedh prej mendjemadhësisë…//  Poeti e vlerëson lart kasollen e tij të thjeshtë , por e di që e ardhmja është te civilizimi, ndërsa ai sot :është helmuar nga civilizimi karnavalesk, prandaj poeti shkruan: “Shkoj në kasolle ku është fillimi/ tradhtuar nga hapi im banditesk.//” Poeti dënon veset e sotme që e neverisin dhe ngre përmendore për të mirët, për të mirat që duhen bërë për këtë vend.

6. Poeti ka kredon e vet artistike dhe ngre probleme të poezisë sot.  Poezi të tilla të vëllimit, si: “Pasqyrat”, “Porta”, “Aty në mal”, Peng”, “Kredo” etj. Poeti lodhet nga rrokanisja që po u bëhet poetëve dhe nga lloj-lloj shkruesish  që nuk e kanë në shpirt poezinë. Në poezinë “Peng”: ”Më mban peng s’di ç’më mban/ Sido më mban peng, / Kur fjala më dysh ndahet / Si një degëz në rremb//  Poeti e di se “Poezia s’mund t’ia largojë dhimbjet/ Kësaj bote…./ Por s’mund ta largojë pengun/ Pët t’u ndarë me dëshirë…”//

Poezia “Kredo” është kuptimplote për dëshirën e tij për një poezi qytetare dhe larg skandaleve të poetëve të dëgjuar e mbivlerësuar prej tyre.mbyllja e poezisë është vërtet e gjetur: “S’më pëlqen lavdia qorre,/ Brohorimat e pasinqerta./ Veç fjala që lodhet e del,/ Bimë në vlagë të nxehta.

Poeti Qazim Shehu ka botuar në këtë vëllim rreth 50 HAIKU, por pa u vënë as titull as dhe emër këtij grupimi kaq të bukur. Janë haiku që me nga 3 vargje thurin edhe ëndje, edhe mendim duke plotësuar dhe idenë e lexuesit se teknikat e poetit janë edhe në tipin e vargjeve dhe të strofave. Mos do të duket dhe më modest se ç’është poeti nga Kostenja, autori i 15 vëllimeve që i burojnë vargjet me aq bukuri? “Përroit të Kostenjës/ Ndërtova aq fole/ Ti i mbulove me re”.// Kuptimplote është ky haiku: “Nuk dua të jem/ Ai që s’jam/ Boll veten e kam.”  Poeti sikur thotë thjesht që ta vlerësojmë aq sa është dhe ç’është me aq barrë poezish tërheqëse që ia zbukurojnë hijeshinë edhe poezisë shqipe në tërësi dhe  kudo që shkruhet ajo.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                       
Tiranë, 20 korrik 2019