Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Një vepër me vlera studimore nga autori Agim Qoku

| E merkure, 24.07.2019, 07:11 PM |


NJË VEPËR ME VLERA STUDIMORE NGA AUTORI AGIM QOKU

Nga Bashkim Saliasi

Fundi i muajit maji. Një kafe me mikun tim Viron Kona, i cili më foli gjerë e gjatë për botimin e librit të autorit z. Agim Qoku “Shëmili një rrugëtim në shekuj".  Ai më tha:  “Me porosi të mikut tonë të përbashkët Agim Qoku po të dhuroj ketë libër. Ti Bashkim ke shkruar monografinë e fshatit tënd dhe duhet të ngjalli interés, - shtoi Vironi me dashamirësi . Më se e vërtetë, librat studimorë dhe historikë më tërheqin më shumë sepse më shtynë kurioziteti për të mësuar veçanërisht për paraardhësit,aq më tepër që, siç vë në dukje z.Qoku: “Zona e Çermenikës fsheh thesare, por askush deri tani nuk është interesuar që të bëj studime të thelluara”.

Jam në dijeni të historisë që flet për Aranit Komnenin, sepse pothuajse çdo muaji marrë gazetën e shoqatës “Zani Çermenikës”, dhuratë nga Vebiu që ka kafenenë “Xherri” në Babrru-Fushë dhe kam lexuar disa shkrime radhazi nga studiuesi Avni Alcani, që bën fjalë për fisin e Komnenëve.

Kurioziteti më shtyu që të mos e harroj në bibliotekë, por pasi mbarova një libër që e përgatita për botim: “20 vjet Shkolla Vëllazërimi”, mora nga rafti botimin e Agim Qokut, “Shmili një rrugëtim në shekuj” dhe nisa ta lexoj me vëmendje të madhe.

Më është bërë zakon që parathënien ta lexoj pasi të kem mbaruar librin dhe kështu veprova, se ndryshe do humbisja kuriozitetin për tematikat që  Agim Qoku trajton në këtë vepër studimore me vlera historike, jo vetëm për trevën e Çermenikës dhe vet fshatin Shmili, por për gjithë zonën e rrethit Elbasan.

Autori me një pjekuri letrare, por edhe njohës i mirë i biologjisë, agronomisë dhe historisë e nis rrëfimin e vet me shpjegimin e toponimeve, monografinë e zonës së Çermenikës dhe fshatit Shmili, duke e  njohur lexuesin me florën dhe faunën e zonës si dhe burimet ujore.

Në këtë terren të ashpër me klimë të ftohtë në dimër dhe klimë të nxehtë në verë rriten shumë lloje bimësh barishtore dhe frutore, të cilat shfrytëzohen nga banorët e zonës për të rritur mirëqenien e tyre.

Flora dhe fauna e pasur e këtyre viseve ka bërë që banorët  të jenë shtatlartë, trima dhe shumë punëtorw. Agimi duket se e merr për dore tregimin e historisë së zonës së Çermenikës dhe kryesisht fshatit Shmili. Ai si një prind i mirë që merr për dore fëmijën e porsa ngritur në këmbë dhe i tregon rrugët e jetës, me penën e tij i ngre zonës së Çermenikës dhe fshatit të vet Shmil një shtatore që ke qejf ta sodisësh.

Si një arkeolog i specializuar në vlerat e veprave historike Agimi njeh lexuesin dhe studiuesit me vlerat dhe super-vlerat që kanë këto objekte të lëna në harresë.

Me mjaftë delikatesë ai trajton në veprën e tij besimin e bashkë krahinasve të vetë, doket dhe zakonet, të cilat kanë një vlerë të shtuar jo vetëm për brezin që jeton sot, por edhe për brezat që do vijnë.

Nuk jam historian, por mua më tërhoqi vëmendjen studimi i realizuar nga Agim Qoku i periudhës së Ilirisë dhe sidomos periudha e Aranitëve dhe Skënderbeut, Kanuni Skënderbeut në Çermenikë dhe Shmil, Kuvendi i Dukagjinit më 15 shkurt 1602 etj, Shmili e Çermenika nga kuvendi i Dukagjinit deri në reformat e Tanzimatit.

Z. Qoku, duke qenë një, studiues i rregullt dhe me kulturë të gjerë njohëse të letërsisë dhe shkencave të përafërta me të si historia, gjeografia, muzika etje, skalit me penën e tij mjaftë bukur vlera dhe tregon se pavarësisht se është një terren i thyer, por në të kanë jetuar dhe jetojnë njerëz që zëri tyre është dëgjuar jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën siç është rasti i dy figurave shmilas Ymer Tushës dhe Hasan Alisë në kohën e kryerjes së reformave të Tanzimatit nga Perandoria Osmane...

Në kapitullin “Lidhja  Shqiptare e Prizrenit, kontributi shmilsave”, autori tregon për mbështetjen që i dha zona e Çermenikës dhe fshati Shmil Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, një vlerë kjo e shtuar për banorët e kësaj treve.

Arti i portretizimit të personazheve që kanë kontribuar në vite për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi serb, Agimi e tregon me shembuj konkret dhe i bazuar në studime të kohës, sikundër është rasti i Demir Lekës që udhëhoqi Çermenikasit në dy lufta kundër serbëve…

Në libër gjejmë kontributin e Shmilasve në Luftën e Vlorës, periudhën e monarkisë 1924-1928, luftën Nacionalçlirimtare, Shmili gjatë viteve 1945-1966, Shmili gjatë periudhës  së kooperativës bujqësore 1967-1992, Shmilasit në ndërrimin e sistemit etj.

Në kapitullin “Konsiderata mbi demografinë në Shimil”, autori e nis studimin e tij që nga viti 1443 dhe Shimili më 1643 dhe bazuar në një studim të hollësishëm arrijnë të pasqyrojë familjet Shimilase më 2019.

Autori me të drejtë ngre një problema tepër të mprehtë për kohën tonë, plagën e emigracionit, ku theksi vihet te ndërrimi emrit dhe kombësisë nga bashkëfshatarët e vet, plagë e rëndë jo vetëm për zonën e Çermenikës, por për mbarë Shqipërinë. Kjo thekson autori çon në humbjen e ndjenjës njerëzore, ku shpirti shitet dhe blihet për para.

Autori lëshon kushtrimin dhe jep alarmin që si një kambanë e fuqishme të kumbojë në veshët e njerëzve që ti thërrasin mendjes dhe të ruajnë identitetin e tyre dhe mos shiten e blihen si skllevër.

Ai shkruan: Ruani emrin dhe dashurinë për vendlindjen, si një nga ndjenjat më të pastra njerëzore, ndryshe do pësoni fund tragjik si paraardhësit tuaj që ikën në Turqi e gjetkë dhe nuk dihet se ku janë, mbetën në dhera të huaj...

Ajo që më tërhoqi gjatë leximit të librit të Agim Qokut është së pari: -gjuha e poetit me një fjalor të pastër dhe një ndërtim të rregullt të fjalive, ku mendimi del natyrshëm dhe të mbetet në mendje.

Së dyti: studimi magjik i ngjarjeve, origjinaliteti i hulumtimeve dhe studimit të autorit mbi literaturën bazë që tregon për pjekurin artistike-letrare dhe studimore të Agimit.

Sa më shumë i afrohesh fundit, aq më shumë mbushesh me emocione, të cilat përcjellin mesazhe me supervlera për vendlindjen, për folenë e shpresës, për familjen e shoqërinë, si dhe për doket dhe zakonet e trevës ku

Sa më shumë i afrohesh fundit, aq më shumë mbushesh me emocione, të cilat përcjellin mesazhe me supervlera për vendlindjen, për folenë e shpresës, për familjen e shoqërinë, si dhe për doket dhe zakonet e trevës ku çermenikasit dhe shimilasit u lindën dhe hodhën shtat.

Botimi i veprës monografi nga autori Agim Qoku është një meritë e tij. Është kollaj të shkruash monografinë e një individi, por të shkruash për historinë e zonës dhe fshatit ku ke lindur e jetuar është përgjegjësi të cilën autori e ka marrë në konsideratë me vullnet të lirë dhe dashamirësi të plotë.

Në librin që nëse do keni fatin ta lexoni do shikoni se arti i fjalës shkrihet me studimin shkencor. Thellësia e studimit shihet me gjerësinë e problemeve të trajtuara në këtë vepër letrare me vlera historike.

Agimi me botimin e këtij libri ka dhënë një kontribut të çmuar duke ndier përgjegjësinë ndaj truallit ku lindi dhe u rrit, në të cilin kaloj vitet më të bukura të rinisë, për ta mbajtur gjallë zemrën e shpirtin e truallit të bashkëkrahinasve të vet.

I uroj mikut tim shimilas, z Agim Qoku suksese në botime të tjera dhe shëndet e mbarësi në familjen e tij.

Urime, veç urime. Bashkim Saliasi Tiranë, më 04.06.2019