E marte, 19.03.2024, 02:35 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Zana e Çermenikës, një libër i tipologjisë etnokulturore

E marte, 23.07.2019, 07:15 PM


ZANA E ÇERMENIKËS,  NJË LIBËR I TIPOLOGJISË ETNOKULTURORE

Nga Qazim D.  Shehu

Studiuesit Avni Alcani dhe Ferit Fixha paraqiten kohët e fundit para lexuesit librin studimor”Zana  dhe Dita e Verës në Çermenikë dhe vise të tjera shqiptare”, një studim i plotë,  tërësor,  mbi këtë temë, që,  edhe një  herë, sjell kurajon studimore për të prekur tema të njohura,  të cilat, edhe pse kanë rrezikun e përsëritjes, përveçohen nga autorët, duke u rrekur të sjellin argumente dhe të dhëna se Dita e Verës,  Zana e Kandavisë,  e ka burimin nga Çermenika. Mitologjia shqiptare është mjaft e pasur, ajo është një mitologji që përsillet në figura të njohura të saj e,  për këtë shkak, mbetet  burim frymëzimi për mjaft poetë,  shkrimtarë dhe,  detyrë e çdo studiuesi është ta hulumtojë atë më tej. Por edhe pse vihet brenda një arketipi,  ajo e ka gjithnjë mundësinë për t`u përcaktuar në variante të ndryshme të shfaqjes së saj. Kjo ka ndodhur se fantazia lokale në perceptimin e saj ka shprehur në kohëra të ndryshme dëshirat dhe rrethanat e përfytyrimit të figurës. Librazhdi me terrenin, siç thonë autorët, i ngjet një amfiteatri gjigand,  dhe në këtë amfiteatër, po gjithnjë sipas tyre, janë luajtur drama të mëdha, njerëzore dhe jo njerëzore,  luftra dhe beteja me të huajt,  është përcjell miti dhe legjenda deri në kufijtë e së pamundurës. Dhe brenda kësaj drame, është mbajtur ai që quhet filli i së bukurës,  diçka e pashkëputshme nga dëshira për ekzistencë estetike, larg vështirësive dhe banalitetit të jetës. Si  popull punëdashës, rrethuar nga një natyrë e mrekullueshme, me pyje, ujëra,  male të lartë,  kodrina,  fushëza të pakta,  vreshtari  e pemëtari, me një histori të lashtë ilirie,  çka e dëshmojnë gjejet arkeologjike,  populli i Çermenikës  ka ditur ta ruajë këtë dhe të mos e tregojë,  ta quajë diçka të zakonshme, ashtu siç ndodh rëndom me popullsinë fisnike që s`ka nevojë të lavdërohet  për  çfarë ka. E në këtë pikëvështrim,  ndodh edhe ajo që quhet rimarrja e së drejtës  nëpër trysnitë e kohërave, sepse nëse nuk e tregon shpesh diçka që zotëron në  tymnajën e shekujve, gjërat udhëtojnë drejt përvetësimit të tjetërsuar.

Prandaj puna e dy autorëve është me vlerë,  sepse gjërat e shkruara mbeten dhe nxisin e motivojnë edhe autorë të tjerë për kërkime të mëtutjeshme në këtë areal shumë të pasur, siç është Çermenika dhe,  në përgjithësi, rrethi i Librazhdit, ku ende mbetet nevoja për kërkime dhe zbulime,  jo vetëm në fushë të mitologjisë,  po të historisë,  folklorit,  këngës dhe trashëgimisë shekullore iliro- shqiptare.  Trualli i legjendave dhe miteve ta sjell vetiu  atë dimension kohor që përbëhet nga shumë shtresëzime, ku ka vepruar kujtesa, harresa,  riformatimi dhe ringjallja e miteve,  shtesat dhe konkludimet,  duke ardhë herë herë në prerjet tërthore e vertikale;metaforizimi i së bukurës është vetëndjerë përmes izoipseve traumatikë e herë këndellës duke deshifruar ato kode të fshehta të shpirtit njerëzor. Dhe këto kode të fshehta të shpirtit njerëzor janë kyçur dhe shkyçur në një kohë të gjatë brenda turbulencave historike,  ku gjithmonë midis historisë dhe mitit ndodh ajo që përcaktohet në një thënie të famshme se ”historia nis si e vërtetë dhe përfundon në gënjeshtër,  ndërsa miti nis si gënjeshtër dhe përfundon në të vërtetë. ”. E,  në këtë “gënjeshtër “ mund të zbërthehet gjithë vrulli   i qenies njerëzore për t`u ngjitur në majat e fantazisë, për ta bërë jetën më të bukur, më të lumtur, më të begatë, atëhere kur ajo me kopracinë e saj linte pak mundësi. Realizmi magjik i Markesit, me siguri do fitonte këtu disa paradigma të reja me sugjestionin dhe bërthamën filozofike që japin mitet dhe legjendat e trevës së Çermenikës. Ndoshta, dikur ndonjë prozator do merret me to. E bukura e shpirtit njerëzor që arrin deri në përmasën e së jashtëzakonshmes ka nevojë të konkretizohet në gjithë atë trupëzim dhe shpirtëzim të figurave të tilla, si: Zana,  Kuçedra, Keci i Mullirit, Lugati, Dragoi etj. Po jo vetëm e bukura,  por edhe jeta e përtejjeta, ankthi dhe shpëtimi,  pendesa dhe mallëngjimi,  pengu dhe çlirimi, etj . Avni Alcani është një studiues i hollë dhe ka sjellë herë pas here fakte interesante nga e kaluara. Në këtë lëmë e ka ndihmuar edhe puna e tij e dikurshme në Muzeun Enografik të rrethit të Librazhdit, i cili ka qenë një nga muzetë më të mirë në  Shqipëri e që,  fatkeqësisht,  mbetet i dëmtuar dhe pa lavdinë e dikurshme. Puna plot pasion për të gjurmuar etnosin në rrafshin kulturologjik e për të lidhur fijet që ngatërrohen në errësimin kohor duket edhe në këtë libër të bukur. Shtysa ose boshti kompozicional është Zana e Çermenikës,  ndërsa në të vërtetë dy studiuesit hidhen, përmes të dhënave dhe referencave në mjaft fusha të tjera të legjendave,  në dëshmi njerëzish konkretë apo të konturuara përmes rrëfimesh dhe dëgjimesh. Qëllimi ka qenë plotësimi i kuadrit njohës përmes tezave dhe hipotezave të ngjeshura e të vërtetuara nga referencat e shumta,  çka dëshmon se me këtë libër është punuar me kujdes. Siç thotë studiuesi Mark Tirta:”Është një arritje e re në këtë fushë, kur gjurmët e së kaluarës janë në shuarje e sipër…”Metoda e identifikimit të Zanës së Kandavies si parësore,  prej nga erdhi Dita e Verës, është përcjellë me parimin e rrathëve koncentrikë  në përqasjen dhe motërzimin,  apo krahasimin sesi kjo Ditë erdh dhe u shndrrua në një festë kombëtare pagane, por ama,  fillesën dhe ngjyrën më të fortë të kremtimit e ka në Çermenikë dhe Elbasan, ajo ku ka lindur së pari dhe rrënjët, domosdo janë më të forta. Për të na bindur për këtë, shtegtimin e Zanës Kandave, autorët citojnë arkeologët austriakë Kamilo Praknisher dhe Arnold Shober të cilët, më 1916,  gjetën në Mal të Zi  një altar votiv me mbishkrimin”Diana augusta Kandaviensis”. Duke iu referuar studiuesve të shumtë si Han, Hyjni Ceka, Papjani, Berardin Palaj etj, autorët arrijnë në përfundime të rëndësishme nëpër rrjedhat e një proze shkencore divulgative. Pra,  ky përfundim nuk mund të kontestohet, ashtu si mund të gjurmohet sesi erdh kjo festë dhe u bë aq e pëlqyeshme në të gjitha trevat shqiptare,  nga Zhuri i Prizrenit në Përmet e nga Gostivari në Tropojë. Natyrisht, festimet kanë bëjnë me mënyra të llojllojshme  të kremtimit,  me ushqime të ndryshme, apo rite të cilat konvergojnë në një pikë:gëzimin për ardhjen e pranverës. Autorët japin variante interesante  edhe të asaj që quhet Verore, e që lexuesi mund t`i gjejë në libër,  po Verorja në Çermenikë është më afër realitetit të sythimit bimor. Parë në këtë kënd, mund të themi se Dita e Verës sa ç`është një rit i lashtë festues pagan,  aq mbetet edhe një akt i shpirtit njerëzor që qarkullon nëpër sferat e gëzimit duke ta kujtuar Donisin e lashtë, ku ndizeshin zjarre,  pihej verë dhe festohej gjithë natën. Motivi i ndezjes së Zjarrit  i ndarjes nga e keqja e dimrit dhe afrimit drejt ngrohtësisë që sillte pranvera,  është një motiv që përcillet në gjithë truallin shqiptar dhe ballkanik,  për të cilin do gjejmë shpjegime me detaje në libër, ashtu siç është edhe motivi i këputjes së luleve  apo  prerjes së drurëve që,  në Çermenikë, trajtën e bastit fitues, si dhe motivi i larjes së fytyrës me ujë lulesh, apo i zbukurimit të dyerve me lule që aq mirë e bukur përcillet edhe në kujtesën time nga fëmijëria si çermenikas. Të gjitha këto motive janë pjesë e artë e gjithë atij gjerdani me të cilin zbukurohet kjo festë, për të cilën ka folur edhe eruditi aristokrat Faik bej Konica. Përcjellja e vërtetshme e fakteve bëhet gjithnjë pa iu larguar konkretësisë së tyre dhe brenda përkufizimeve kohore, sa ato e gjejnë veten edhe sot, çfarë flet për një vazhdimësi të shpirtit njerëzor në përvijimin e gjërave të bukura me inkadeshencë mahnitëse. Edhe pse sot legjendat urbane po ngrenë krye, ato,  legjendetat e lashta,  mbeten sërish aq të bukura dhe si varkë shpëtimi për të na nisur ne drejt brigjeve të qeta të shpirtit,  drejt shpëtimit nga rëndomtësia dhe trallisja që shkakton moderniteti. Edhe pse objektivi i autorëve ka qenë që të na tregojnë,  efektivisht e merr këtë konotacion poetik  ky objektiv,  po të përsillemi në një interpretim të filozofisë dhe forcës ngjizëse të mitit.

Autorët Alcani e Fixha kanë bërë një punë të mirë studimore në pësjelljen e një teme që zgjerohet nga kuptime të ndryshme krahasimtare. Nga teza kalohet në hipoteza me dëshmi e fakte dhe anasjelltas. Për shembull, në Shkallën e Lunikut ka ekzistuar Gur i Nuses, shembur nga tërmeti i vitit 1967;apo në mjaft fshatra ende vajzave u vihet emri Zanushë, gjithashtu Shpella e Letmit është një objekt i rëndësishëm i artit prej nga mund të merren e hulumtohen të dhëna për lashtësinë. Unë që jam nga Kostenja e di mirë se mbi mal gjendet një kala, gurët e mëdhenj të së cilës ndodhen edhe sot,  po kush i ka gjurmët??Ose  fshatarët,  kur fryn era e lindjes,  thonë:Po fryn polisa? Pse ky emërtim? Me siguri atje duhet të ketë qenë një qytet. Vende,  toponime të ndryshme dëshmojnë për gjithë atë kulturë të madhe shpirtërore,  trashëguar nga e kaluara, e cila ka nevojë t`i çilet goja dhe duhet të flasë,  jo vetëm në transmetimet gojore, po të shkruhet edhe në libra, prandaj autorët kanë bërë një punë lavdëruese që gjallon brenda një synimi madhor:në lënien e gjërave të shkruara brezave pasardhës. Po a mund të ketë akoma legjenda dhe rrëfime mbi to ?Patjetër,  veçse autorët janë munduar të sjellin ato që dihen në vazhdën e një tregimtarie të mirëfilltë, ku rrëfimi vishet me petkun e interpretimit shkencor. Variantet,  motërzimet dhe gjithë atë arsenal të shprehuri fantazmagorig,  ata janë munduar ta  tjerrin në besueshmërinë e së ndodhurës, duke mos ngurruar të citojnë edhe rrëfyes të tjerë,  apo studiues që janë marrë më herët me trevën e Çermenikës. Gjuha e këtij libri ngërthehet në rrafshin e kuptimësive  që përcillen me një kod të thjeshtë të kuptuari, pra ajo është shkencore me prirje divulgative,  duke mëtuar se librin mund ta lexojnë të gjithë lexuesit e disa niveleve. Libri i bën një prerje vertikale kohës dhe kohërave dhe jep portretin kolektiv të një populli që ka jetuar me mitin dhe legjendat në periudha  të hershme; po që ka ngritur përmes tyre mitin e së bukurës e të  gëzimit të jetës dhe kush më tepër mund ta jepte këtë se sa Zana e Çermenikës  ose Dita e Verës e cila mori udhë nga Çermenika dhe bujti pothuajse në të gjitha trevat shqiptare  duke dëshmuar fleksibilitetin e një ndjenje të fuqishme. Madje, kjo Ditë si dhe festa të tjera pagane u shkrinë në plazmimin e tyre dhe dhanë frymë edhe tek feja monoteiste. Shembujt janë në libër. Dita e Verës është parë në një kontekst të gjerë,  gjithnjë në afishimin e ideve të filozofisë jetësore të popullit të Çemenikës , filozofi që zbërthehet vetëm përmes së bukurës dhe gëzimit për jetën….  Kështu,  si një tekst i vështrimit analitik, ky libër i përthekon edhe vështrimet sintetizuese  me një fushëpamje të kënaqshme të mititi e mitologjisë iliro-shqiptare,   duke e sjellë atë  në besueshmërinë e një interpretimi të ngrohtë,  nga zbërthehet edhe poetika e një teksti, sa shkencor aq edhe të ngritur e të performuar në rrjedhën e  shekujve…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora