E hene, 19.08.2019, 11:13 AM (GMT+1)

Personalitete

Shyqyri Fejzo: Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili

E hene, 22.07.2019, 08:49 PM


Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili

Nga Shyqyri Fejzo

Çdo epokë prodhon heronjtë e saj. Në momente të caktuara historia njerzore ka treguar se një qytet, fshat, krahinë apo vend lind  dhe nxjerr njerzit e vet që bëjnë e përfaqësojne epokë. Kuptohet, ekzistojnë edhe disa kushte që e bëjnë nevojë lindjen e “kreshtave” të tilla të cilat përfaqësojnë njerzimin dhe i shërbejnë komunitetit për një problem të caktuar themelor

Ndërsa koha ndjek sensin e së ardhmes, kujtesa njerzore rikthehet herë pas here nëpër skutat e të kaluarës.. Kujtesa njerëzore i shëmbëllen një libri shumë fletësh, të cilin e kemi shfletuar disa herë në kohë të ndryshme, por  nuk heqim dorë nga fletët e tij të zverdhura  e vende-vende të  nënvizuara. Nuk ka se si  të heqim dorë se ai na ka lënë mbresa të pashlyeshme, të cilat me kalimin e kohës, sa vinë dhe e rritin imazhin e tyre. Ato përbëjnë element të rëndësishëm të kujtesës historike. Si të tilla ato duhet të mbahen në qendër të vemendjes të njerëzve. Një popull që nuk respekton historinë e vet, mbetet pa histori. Nga lindja e nje personaliteti, deri në mbarim të jetës së tij krijohen dhe heronjtë dhe dëshmorët e Atdhetarët  , që shpesh herë shoqëria jonë shqiptare nuk i sheh dhe nuk e njeh aty për aty heroizmin e tyre.  Por, roli i tyre, veprimtaria për probleme e momente të caktuara është një realitet i pamohueshëm. Vepra e tyre nuk e le shoqërinë të dremitë.    Një personalitet i tillë është dhe mbetet Mahmud Xhelili,”kapedani Grabovar”

Treva ku lindi dhe u rrit Mahmudi ka karakteristikat e veta. Nuk e kemi fjalën për karakteristikat fizike, si ato që kanë të bëjnë me lartësinë mbi nivelin e detit, klimën, ajerin e pastër, ujrat, pyjet apo terenin e thyer malor. E kemi fjalën për njerzit që jetojnë, punojnë në këtë mjedis. Ata janë lidhur pazgjidhëshmërisht me mjedisin, kanë marrë veçoritë e tij. Gjen njerëz patriotë, puntorë, të besës, të sinqertë, trima. Këto janë virtyte të rëndësisme për një shoqëri njerzore. Ka shumë ngjarje që e kanë shoqëruar zhvillimin jetësor në vend, ku populli i trevës, “maja e kreshtave” të tij gjithnjë është radhitur në kahun pozitiv progresist. Qëndrimi në krah të progresit nuk është një gjë e thjeshtë. Problemi komplikohet i marrë në raport me kohën. Është e vërtetë që zona ka pasur dhe ka dhe aspekte të prapambetjes, por ajo gjithnjë ka qënë prapambetje ekonomike. Popullata e këtyre zonave në veçanti dy probleme ka pasur kryesore në vazhdimësi. Lirinë dhe Diturinë. Për ato ka luftuar me këmbëngulje, pa mbajtur shumë parasysh bindjet politike. Bie në sy një kontradiktë, që ka pasur shumë ngjarje, të trevës, apo të vendit, ka pasur role të individëve e masave në to, por pak janë  njohur dhe ekspozuar, ose as pak. Kjo se ka pasur shumë pak njerëz të shkolluar, apo të apasionur për të shkruar realitetin. Dhe ata që shkruanin , si më përpara dhe tani, bëjnë një gabim fatal. Nuk kanë vjelë kujtime të njerëzve që i kanë jetuar ngjarjet e dukuritë, duke lënë të digjen shumë “biblioteka”. Pastaj, duke pasur një varfëri të tejskajshme nga periudha në periudhë, tek njerzit u kultivua dëshira për punë, ndershmëria dhe modestia, shpesh dhe e tepruar. Modestia vërtet është një dukuri fisnike shpirtërore, por kur ajo e kalon masën, nuk paraqit vlerat e vërteta të atyre që e kanë. Kjo ka qënë një dukuri tipike e grabovarit.

Mahmud Xhelili u lind në mesin e dytë të shekullit të 19-të, në atë periudhë kur në zonën e Shpatit dhe Vërcës u përgatitën disa kryengritje që patën ndikimin tepër rrënjosnin te njerëzit patriotizmin. Prindërit e Mahmudit dhe të afërmit e tyre nuk ishin ndjerë kurrë borxhlinj ndaj fshatit, trevës e vendit, sa i përket patriotizmit e përparmit.

Ai i hodhi hapat e para këmbëzbathur duke bredhur arave e korieve të fshatit si gjithë moshatarët e vet. “Qahesha shumë herë se doja opinga të reja. Kisha parë dhe këpucë dhe ato i dëshiroja. Por, një ditë pashë një njeri pa këmbë që e çonin hipur  në një mushkë në Liqenin e Zi për banjo . Që atëherë nuk po qaja më për opinga të reja”, do të tregonte më vonë ai.

Që në rininë e tij ai u dallua për zgjuarsi dhe gjallëri. Kur ishte 10-12 vjeç, i pëlqente të qëndronte në majë të kalit, të godiste shenjën me gurë e më pas me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtje për pushtuesit e çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore. Konaku i familjes së tyre priste miq nga çdo anë, por u bë edhe shkollë për të rinjtë.

Mahmud Xhelili, me përmasa të dallueshme burrërore dhe trimërore, ku ishin ndërthurur dhe mëshiruar në mënyrën më të përkryer e bukura dhe e madhërishmja, guximi dhe mprehtësia, fisnikëria dhe thjeshtësia, krenaria dhe forca e pamposhtur e karakterit burrëror, e tregoi veten e vet. Më shumë se fjala, i fliste vepra dhe heshtja. Qartësinë e mendimit e formonte shumë shpejt, duke koncentruar gjithëshka pozitive që vinte re e prekte. Këmbëngulja, mbase, ishte tipar themelor, nëpërmjet së cilës realizonte pa lëshim atë që mendonte.  Ai kishte rënë në kontakt shumë heret me ideologë, luftëtarë e patriotë të lëvizjes kombëtare Shqiptare. .

Edhe pse i mbeti pak kohë të punonte e qëndronte në fshat, për shkak të angazhimit e veprimtarisë tij, atje ku e thërriste koha dhe interesi i vendit, njerzit që e rrethonin, njohën njeriun babaxhan, që jetonte mirë në saj djersës e punës së tij.  Kurrë nuk e kanë parë bashkëkohësit e vet të mburrej, të dukej apo të përfitonte nga pozicioni si Cetkomandant, që e mbajti një kohë shumë të gjatë. Origjina e tij Grabova ka qënë bazament e  gjthnjë një magnet thithës për të. Mahmud Xhelili pati disa fatkeqësi familjare, po nuk e dha asnjëherë veten. Nuk është e saktë data dhe dita kur u pagëzua me zjarrin e luftës, mbasi treva ka valuar gjithnjë si një kazan në shpërthim, kundër shtypjes e zgjedhës të rregjimit Osman. Ata që e njohën që në rininë e tij të herëshme thoshin se Mahmud Xhelili atyre u dukej se kishte lindur me pushkë.

Prijës i paharruar popullor, luftëtar besnik i Shqipërisë, që luftoi gjatë gjithë jetës për mbrojtjen e kufijve të vendit, u përmend rrallë, u shkrua edhe më pak për të mos thënë fare,  dhe atë në kontekst të ngjarjeve biografike të personaliteteve të tjera historike.  Që në vitet kur luftohej për pavarësi, u inkuadrua në çetën e Bajo Topullit.Së bashku me cetën e Cerciz Topullit shkon në roje të punimeve të Kongresit të Manastirit. Aty do të takohehej e njihej me patrioët të tjerë delegatë të Kongresit si dhe me gramshiotin tjetër Xhile Lici që në atë kohë punonte në gazetën e Manastirit “Bashkimi i Kombit”.Ndikim të madh patën tek ai ngjarjet në 10 ditët e Kongresit, aktivitetet që zhvilloheshin në seksione. Ai edhe më vonë, shpesh përsëritëte fjalën e Sevasti Qiriazit: “Të mbledhim mëritë dhe grindjet dhe ti hedhim në shportën e dashurisë”. Ceta që udhëhiqte kapedani Grabovar  luftoi në kohën e pavarësisë së vendit, luftoi kundër andartëve grekë. Duke parë rrezikun që I kanosej krahinës së Vërcës e më tej, (mbasi andartët grekë kishin ardhur duke masakruar popullsinë deri në Oparin e Poshtëm, kufi me Shënepremten),ai, së bashku me patriotë të tjerë vec cetës së vullnetarëve, mblodhi dhe shumë bashkëfshatarët e tij. Mbasi erdhën në ndihmë dhe 150 forca nga Sulova, ai  tashmë drejtonte 300 forca kundër andartëve grekë për tu prerë rrugën  atyre. Prita që bëri në vendin “Shkëmbi i Popcishtit” dhe manovra me vullnetarët dha rezultatet e pritura. Vetë Mahmudi u plagos, plumbi i  goditi dhe dylbinë në këtë betejë, por andartëve ju vu “kufiri tek thana” dhe ata nuk mundën të kalojnë në Shënepremte e Vërcë. Më pas  e lavdishme ishte lufta dhe organizimi që bëri kundër forcave reaksionare esadiste në Elbasan.Vullnetarët e cetës sëtij i vunë përpara forcat reaksionare duke cliruar qytetin. Patrioti Aqif Pashë Elbasani i nihte aftësitë e besnikërinë e Mahmud Xhelilit dhe cetës së tij.Ndaj ai e ftoi dhe e vlerësoi për aktin e betejën e suksesëshme që kryen. Krismat e pushkëve të cetës tij do të ndiheshin fuqishëm dhe në Cermenikë kundra forcave sërbe e më tej.

Ardhja e Themistokli Gërmenjit Mihal Gramenos e Kajo Babjenjit me 600 forca vullnetare në Shënepremte i dha impulse të reja aktivitetit të Mahmud Xhelilit. Ai u zgjodh komandant i forcave të komunares që u ngrit në Shënepremte në vitin 1916, nën shëmbullin e vartësinë e Republikës Autonome të Korcës. Bashkëpunimi dhe inkuadrimi i cetës së tij me cetën e Sali Butkës dhe Kajo Babjenjit, ka qënë mjaft i rëndësishëm dhe ndikues në luftimet që kryen së bashku, si Dvoran, Panarit, Voskopojë  Në vitin 1920 ju përgjigj me gjithë cetë me mbi 200 vetë, thirrjes së Aqif Pashë Elbasanit dhe   u vu në krye të forcave që komandonte në mbrojtje e ruajtje të Kongresit të Lushnjës. Këto veprime luftarake ai i bënte të koordinuara me veprimtarinë e patriotëve të tjerë të Gramshit, Asllan Shahini, Xhile Lici e Qazim Dyrmyshi. Veprimtari të gjërë kreu në zonën e Vërcës  në mbështetje të revolucionit demokratiko-borgjez të vitit 1924.  Duke kordinuar veprimet me cetën tjetër të Vërcës, organizuar nga drejtuesi i komunës së Vërcës, mjeku patriot Rifat Dyrmyshi, ata me mbi 200 forca vullnetare, i dhanë betejë në fshatin Drizë forcave reaksionare dhe i shpartalluan ato. Këto forca, pas pushtimit të Gramshit synonin të mbytnin lëvizjen në nahijen e Beratit. Futja e vullnetarëve të cetës në Elbasan u prit me entuziazmë dhe ndikoi shumë në fitoren e forcave progresiste. . Në emër të luftëtarëve të Gramshit pjestarët i përshëndeti  patrioti tjetër, Asllan Shahini. Gazeta “Shqiptari i Amerikës” në Korrik 1924 midis të tjerave shkruan: “…Lëvizja e popullit të Gramshit u kalli datën sejmenëve dhe qehallarëve të beut…dhe paralizoi krejt basibozukët, të cilët u tretën si akulli.”

Të duket paradoks që Mahmud Xhelili, megjithëse nuk pati shkollë, ishte shumë i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Dashuria e tij për shkollën e arsimin del qartë në mardhëniet e tij me Themistokli Gërmenjin e Mihal Gramenon e nxitja e tyre për shkollën e Shënepremtes, dërgimi i disa të rinjve në Manastir për tu përgatitur për mësues të gjuhës shqipe, mbështetja e ndihma që dha për ngritjen e shkollës së Grabovës e mbarëvajtjen e saj etj.dhe gjithë arritjet në trevë, kanë dhe dorën e ndikimin  e tij.

Ai nuk u pajtua asnjëherë me rregjimin shfrytëzues të satrapit Zog, mbajti gjithnjë krahun progresiv përparimtar të çdo zhvillimi në vend. Qëndrimi përkrah progresit nuk është një gjë e thjeshtë. Problemi komplikohet ende kur ai  merret në raport me kohën. Mahmudi ka pasur idhull Shahin Matrakun që vepronte në zonën e Oparit e për rreth në kohën e Turqisë. Njëherë humbi vigjilencën dhe pranoi kompromisin Shahini në teqene e Vrëpckës dhe e pagoi me kokë. Mahmudi kishte nxjerrë mësime nga kjo ngjarje. Ai, kur e deshi vendi e koha në kohën e Zogut, me njerzit e vet besnikë, doli në mal. Në vitin 1926 qeveria e Zogut e “fali” me një anmisti që nxori. Por Mahmudi e dinte dhe e  parandjente se cfarë fshihet mbas kësaj falje. Kur ja përmendnin miqtë e shokët punën e anmistisë, ai me shka thoshte:” Nga populli ka dalë  kur thonë se ngordhi ujku, atëhere ruaj gomarin”. Në shkurt të vitit 1931 Mahmudit ju bë atentat dhe u vra në rrethana tepër të dyshimta e fajtor që nuk u gjend kurrë. Kuptimplote është midis të tjerash shkrimi në gazetën “vullneti I popullit” nr.262 v.1931, që shkruan:”…Në Grabovë të nënprefekturës së Gramshit asht vra plaku patriot Mahmud  Xhelili, një katundar me moshë të shkueme… i cili sa ka qënë gjallë, i ka ba mjaft shërbime atdheut dhe në çdo rast e ka diftue atdhedashurinë e tij.”

Sado vite të  kalojnë, brez pas brezi, do të kujtohet dhe nderohet biri i paharruar i Grabovës, trevës e krejt Gramshit, patrioti, luftëtari e dëshmori i Rilindjes, Mahmud Xhelili. Për mbi tridhjet vjet ai nuk e hoqi pushkën nga krahu dhe së bashku me cetën e tij i shërbeu komunitetit dhe vendit atëhere kur ishte shumë e nevojshme. Nuk do të harrohet se jetën e shkriu për lirinë e pavarësinë dhe përparimin.

Në varrezat e dëshmorëve të rrethit të Gramshit, në njërin nga varret prehen eshtrat e patriotit Mahmud Xhelili. Emrin e tij e mban një rrugë në Tiranë. Për shërbimet e vlefshme patriotike që i ka bërë Atdheut, për pjesëmarrje në Komitetin e Manastirit “Për shpëtimin e Shqipërisë”, për luftën që bëri me çetën e tij kundër robërisë turke e shovinistëve grekë, për përkrahjen dhe mbrojtjen e qeverisë së Vlorës, për luftën e vendosur ndaj fudalëve, për pjesëmarrje me çetën e tij në revolucionin demokraatiko-borgjez të vitit 1924, si kundërshtar i vendosur i regjimit zogist, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar aktivitetin dhe meritat e tij dhe e ka dekoruar me Urdhërin “ Për veprimtari të shquar patriotike të Klasit të Dytë.

Shkëputur nga libri "Kapedani Grabovar Mahmud Xhelili" i autorit Shyqyri Fejzo



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gjon Markokaj: Lavdi burrash në malet tona Shyqyri Fejzo: Avni Xhelili, intelektuali që dijet e veta i vuri në dobi të shkollës dhe të vendit Hazir Mehmeti: Vdes miku i madh i shqiptarëve, diplomati austriak, Albert Rohan Ilir Hajdari: Dëshmorët nuk po vdiskan Ramadan Ademaj: 27 vjetori i rënjes së Tahir Lush Berishës Dhaskal Gjilani: Heronjët kanë vetëm lindje Ndue Ukaj: Në kujtim të Ernest Koliqit Xhavit Kryeziu: Remzi Morina - mësuesi i parë në shkollën e Gragjenikut Nue Oroshi: Kujtesë për njërin ndër tre komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Çekaj Milazim Kadriu: Edhe një hero iu shtue Kosovës - Selim Berisha Klajd Kapinova: Historia e parashutistit antikomunist martirit Hamid Toshi (Saiti) Albert Habazaj: Mesazhi human i doktor Pelivanit të Vlorës Alfred Papuçiu: Bedri Dedja- shkrime dhe vlerësime për të Idriz Zeqiraj: Ismet Gashi - një jetë aktive dhe rënie heroike Hysen Kobellari: Profesor Selman Riza, shkencëtari atdhetar, midis vuajtjesh dhe triumfit intelektual Alfred Papuçiu: Akademiku Bedri Dedja - shkrimtari, pedagogu mbarëkombëtar Klajd Kapinova: Prof. Arshi Pipa, shqiptarët e Amerikës dhe pseudolibrat e zhurmëshëm rreth tyre Alfred Papuçiu: Kujtime në përvjetorin e 80-të të Nderit të Kombit tonë, Vaçe Zela Fran Gjoka & Ndue Dragusha: Ded Rramani, njeriu, bashkëshorti dhe qytetari i devotshëm Klajd Kapinova: Amerikanët frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës

Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT