E hene, 19.08.2019, 06:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Fadil Halimi - Proces në kafkë

E enjte, 18.07.2019, 06:41 PM


DRAMA E KOLEKTIVITETIT – KRYETEMË E POEZISË SË POETIT FADIL HALIMI

Proces në kafkë (poezi),

Botimi I, Rilindja”, Prishtinë, 1992

Nga Zymer Mehani

Poezia e Fadil Halimit është dëshmitare e ndryshimeve socio-politike, që evoluuan madje edhe me dhunë sistematike të okupatorit ndaj etnisë shqiptare në këto hapësira, me qëllim të shthurjes totale të etnicitetit dhe identitetit tonë. Kjo është edhe tematika e poezisë së autorit. Pra, lajtmotiv i poezisë së tij është qëndresa jonë kolektive ndaj stuhish dhe rrebeshesh të dhunës së paparë, që kuptohet lehtë nga nënteksti i vargjeve.

Pra kryetemë e këtyre poezive është drama e kolektivit (e shqiptarëve të Kosovës nën ish-Jugosllavi).

Shumë poezi të Halimit shquhen me elemente të fantastikës dhe me harmoni ngjyrash të trishta, por optimiste, me reflekse dhe ide që i hasim në çdo varg.

Qëndresa individuale dhe kolektive (kombëtare) është një motiv i fuqishëm. Në shumë vargje ai inkuadron ndonjë element a detaj të këtij motivi, si reagim i masës shqiptare ndaj ca proceseve që ndodhën te ne në vitet ’90 të shekullit XX.

Me të drejtë thuhet se fati i individit është i lidhur me fatin e kolektivitetit, sikurse fati i njeriut që është i pandashëm nga ai i krijuesit, e i tillë është edhe Fadil Halimi, që na bën shpalosje të përbrendshme të individit si karakter, që inkuadrohet dhe është aktiv dhe i interesuar për fatet e etnisë, pjesëtar i së cilës është.

Krijuesi shpesh i kthehet të kaluarës, sepse dëshiron ta rikujtojë origjinën, për të mos u harruar dhe për të gjetur qetësi shpirtërore. Autori bindshëm verifikon se fati i individit me atë të krijuesit është i përbashkët me atë të kolektivitetit dhe se krijimi i mirëfilltë nuk mund të mbetet indiferent ndaj gjithë asaj që ndodh brenda shoqërisë.

Fadil Halimi është poet lirik, e lirizmi i tij shquhet herë-herë edhe me tone të nostalgjisë, prandaj poezia e tij është interesante, qoftë për figuracionin që përmban, për idetë, motivet, për qasjet dhe çështjet që shtjellon. Ajo është poezi moderne në rrëshqitje drejt meditavitetit. Përveç simbolikës kjo poezi mund të interpretohet, do të thosha si poezi metaforike, domethënien e së cilës do ta kemi të qartë tek atëherë kur do të kemi arritur ta ndërtojmë atë imazhin e çuditshëm të ngjyrave e reflekseve, të shenjave e ideve brenda një poezie, një tërësie ciklore, por edhe të tërë vëllimit poetik.

Poezia e Halimit nuk është poezi strikte e metrit sipas urdhërit teoriko-letrar. Ajo ka fare pak rima, por shquhet për muzikalitet, me një fuqi të brendshme që të cyt për ta dëgjuar a lexuar më shumë se një herë, prandaj poezinë e tij e quajmë krejt origjinale, me laryshi temash, idesh e formash.

Kreativitetin e tij krijues poeti Halimi nuk e var vetëm në talentin e tij, por e bazon dhe e mbështet edhe në guximin e tij qytetar dhe intelektual e krijues për të shtruar probleme dhe dukuri “të nxehta”. Teksti i tij poetik mundëson interpretime nga më të ndryshmet.

(Marrë nga libri: Zymer Mehani “Kundrime”,III, Prishtinë, 2019)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT