Mendime
Eshref Ymeri: Talentet tona i gëzon bota
E merkure, 17.07.2019, 09:24 PM
Talentet tona i gëzon bota
Në gjurmët e rrëfimit të doktoreshës së
talentuar Armela Kadria
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
Ndërrimi i regjimit në dhjetor të vitit 1990, i cili u bë
përmes zëvendësimit të sistemit komunist me një sistem neokomunist, solli një
dukuri interesante.
Në regjimin komunist vendi mbahej i rrethuar si me tela
me gjemba, në mënyrë që askush të mos kuturiste t’i afrohej kufirit shtetëror
për të dalë në botën kapitaliste dhe veteranokomunistët në pushtet e çuan
popullin deri në nivelet e një varfërie ekstreme. Edhe neokomunistët, të cilët
e morën pushtetin nga veteranokomunistët pas lëvizjes studentore të dhjetorit,
lëvizje, e cila, siç rezultoi pas gati tre dhjetëvjeçarësh, paskej qenë e
orkestruar nga një dorë e fshehtë, ndoqën dhe vazhdojnë të ndjekin të njëjtën
taktikë qeverisjeje, e cila ka për qëllim varfërimin e pandërprerë të shumicës
dërrmuese të familjeve shqiptare.
Sigurisht, sistemi neokomunist i bijve dhe i nipave të
veteranokomunistëve dikur në pushtet, do të funksiononte në kushte krejt të
tjera: në kushtet e pluralizmit politik dhe të ekonomisë së tregut. Pra, në
këto kushte, Shqipëria u hap me botën dhe jo pak njerëz filluan të largoheshin
drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë. Pjesa më e madhe e
bashkatdhetarëve tanë emigroi drejt Greqisë dhe Italisë.
Valët e emigracionit kanë qenë karakteristike edhe për
vende të tjera në periudha krizash ekonomike. Por për një popullsi
shumëmilionëshe të një vendi të caktuar, valët e emigracionit nuk kanë qenë kaq
të mëdha, saqë të ndikonin aq tepër në zvogëlimin e numrit të popullsisë, si në
rastin e vendit tonë.
Dukuria e emigrimit në vitet e para të dhjetëvjeçarit të
fundit të shekullit të kaluar, ishte e kuptueshme dhe nuk kishte asgjë për t’u
habitur, sepse veteranokomunistët në pushtet vendin e kishin katandisur në një
gjendje ekonomike aq katastrofike, saqë degjenerimi gjenetik i njerëzve për
shkak të mungesës së ushqimeve, përbënte një rrezik serioz. Por megjithatë, të
gjithë patën shpresuar se situata ekonomike do të ndryshonte, duke shkuar drejt
përmirësimit shkallë-shkallë, çka do të pasqyrohej në rritjen e standardit të
jetesës së familjeve shqiptare dhe, vetvetiu, do të çonte në uljen në maksimum
të valës së emigrimit. Çuditërisht, nuk ndodhi kështu. Gjatë këtyre gati
tridhjetë vjetëve që kanë kaluar, gjendja ekonomike e familjeve të thjeshta
shqiptare është rënduar shumë më tepër. Këtë e vërteton një e dhënë
statistikore e ditëve të fundit. Sipas kësaj të dhëne, rezulton ky informacion:
“Për një familje mesatare, jetesa në
Shqipëri është e vështirë, madje kthehet në mbijetesë për shkak të të ardhurave
të pakta dhe shpenzimeve të larta. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare,
rreth 63% e tyre, sigurojnë të ardhura nga 0 deri në 50 mijë lekë në muaj (80%
e tyre kanë më shumë se 3 anëtarë), sipas të dhënave nga një vrojtim i Bankës
së Shqipërisë në një kampion prej më shumë se 1200 njësish familjare, të
shpërndara në të gjithë vendin” (Citohet sipas: Familjet
shqiptare në mbijetesë, 63 % kanë deri në 50 mijë lekë të ardhura në muaj”. Faqja
e internetit “Monitor”. 14 korrik 2019).
Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se vala e
emigracionit në periudhën mes viteve 2005-2013 nuk ka qenë aq shqetësuese, si
në periudhën që pasoi pas ardhjes së Ramës në krye të qeverisë. Vizat u hoqën
në vitin 2010, por nuk u vu re absolutisht ndonjë valë emigrimi me përmasa shqetësuese,
si në periudhën që vijoi pas shtatorit të vitit 2013 dhe sidomos prej vitit
2015 e këtej, kur numri i njerëzve që braktisën vendin arriti në 500 mijë, siç
i deklaroi kryeministrit Rama analisti italian Alberto Negri në programin
televiziv TG2 të RaiDue në Itali më 28 shkurt 2019.
Po si shpjegohet kjo gjendje e rëndë ekonomike, paçka se
kanë kaluar gati tridhjetë vjet pas ardhjes së neokomunistëve në pushtet?
Sipas këndvështrimit të çdo shqiptari të thjeshtë, të
pajisur me ndërgjegje kombëtare, arsyeja kryesore e kësaj gjendjeje të rëndë
ekonomike e ka burimin te paaftësia shtetformuese e shqiptarëve. Kjo paaftësi
shtetformuese vjen si pasojë e nxjerrjes në plan të parë të militantizmit
partiak dhe jo të aftësive të individit. Militanët partiakë, duke qenë të
paaftë, janë me vite larg intelektualëve me përgatitje të lartë profesionale.
Madje këta të fundit jo vetëm që nuk afrohen në drejtimin e shtetit, por
shndërrohen edhe në objekt shpëfilljeje nga ana e militantëve partiakë.
Qytetarët shqiptarë le të gjykojnë për aftësitë e
kryeministrit Rama për qeverisjen e vendit. Gazetari i njohur Çim Peka, në një
analizë të botuar në portalin “Syri.net” të datës 05 korrik 2019, ka
radhitur një më një të gjitha dështimet e Ramës, që kur ka filluar punë, deri
në ditën e sotme. A mund të jetë në krye të qeverisë një njeri që nuk ka
shkëlqyer absolutisht në të gjitha rrugët e jetës nga ka kaluar deri tani?
Absolutisht jo. Nënkuptohet që në ekipin qeverisës ai do të grumbullojë rreth
vetes, siç edhe ka grumbulluar deri tani, militantë partiakë, të paaftë
profesionalisht, por të aftë për bëma antiqeverisëse, çka reflektohet në
gjendjen e rënduar të pjesës më të madhe të familjeve shqiptare.
Qeverisja e vendit nga njerëz të paaftë nga radhët e
militatëve partiakë, mbart në vetvete edhe një rrezik tjetër të madh: këta
militantë partiakë janë pre shumë e lehtë për t’u shndëruar në mercenarë, në
servilë në shërbim të të huajve dhe në tradhtarë të interesave kombëtare.
Po atëherë cila është rrugëdalja që ka zgjedhur Rama për
përjetësimin e pushtetit? Rrugëdaljen ai e shikon te varfërimi i njerëzve,
sepse varfëria është aleati më i sigurt i pushtetit të tij autoritar. Pikërisht
varfërimi i shumicës së familjeve shqiptare ka bërë që vala e emigrimit të
njerëzve gjatë qeverisjes së tij të marrë përmasa të frikshme, çka ka çuar në
uljen e ndjeshme të numrit të popullsisë. Kjo gjendje ka bërë që:
Së pari, të
emigrojë ajo pjesë e popullsisë që nuk
dëshiron të mbajë lakun e varfërisë që Rama ia ka hedhur në qafë.
Së dyti, në
valën e emigracionit të përfshihen edhe specialistë shumë të aftë, të cilët nuk
e gjejnë dot veten në kushtet e mjedisit mbytës të militantëve të paaftë
partiakë.
Pra, në dallim nga veteranokomunistët e Shqipërisë
Socialiste, të cilët e mbanin Shqipërinë në darën e izolimit total, neokomunistët socialistë, me
Ramën në krye dhe oligarkët rreth tij, me taktikën e qeverisjes së tyre, po
kërkojnë ta pakësojnë sa më shumë numrin e popullsisë, për të shpëtuar një herë
e mirë nga kundërshtarët politikë, me pikësynimin që në Shqipëri të mbeten
vetëm njerëz kurrizshtruar që ta shikojnë Ramën në dritën e syrit për kafshatën
e gojës. Kjo mënyrë qeverisjeje nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse si tradhti
kombëtare, me qëllim shpërbërjen deri në shfarosje të popullit shqiptar të
Shqipërisë Londineze.
Një inxhinier i talentuar i fushës së gjeologjisë më
dërgonte para pak ditësh një letër nga Kanadaja, ku ka emigruar para shumë
vjetësh. Ai ka pasë punuar në Institutin e Kërkimeve të Naftës në Fier dhe në
Institutin e Kërkimeve Gjelogjike në Tiranë. Ja çfarë më shkruante:
“Në të dy institutet më mbyti
egoizmi primitiv i disa kolegëve dhe pushtetarëve”.
Një rast tjetër dëshmohet
fare qartë përsëri se specialistë të aftë e shikojnë të ardhmen jo në
Shqipëri, po në një vend perëndimor, se në atdheun e tyre nuk i përfill kush.
Doktoresha e talentuar Armela Kadria, vajza e një mikut
tim, një e-mail që më dërgonte dy ditë më parë nga Gjermania, e shoqëronte edhe
me një video nga Singapori. E ndoqa me shumë kujdes përmbajtjen e asaj videoje
në anglisht, në të cilën bëhet fjalë për rrugën që pati ndjekur Singapori për
t’u shndërruar nga një vend i botës së tretë, në një vend të botës së parë,
madje në njërin nga gjigantët e Azisë. Në video thuhej se për drejtimin e
vendit u zgjodhën specialistët më të aftë nga ana profesionale, për t’i
shërbyer atdheut me tërë potencialin e vet intelektual. Falë aftësive
qeverisëse të atyre specialistëve të talentuar nga radhët e inteligjencies
vendase, ja ku është sot Singapori.
Po cila është doktoresha Armela Kadria?
Është bija e një familjeje të thjeshtë dibrane, e cila u
zhvendos me banim në Tiranë pas zëvendësimit të sistemit komunist. Ajo mbaroi
shkollën 9-vjeçare “Edith Durham” dhe Gjimnazin “Petro Nini Luarasi” me
mesataren 9.8. Mandej, në vitin 2009, hyri në
Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e përfundoi në vitin 2015, me mesataren
9. E kam njohur si një vajzë të heshtur, modeste, dinjitoze, me autoritet dhe
mjaft të talentuar në studimin e gjuhëve të huaja, për të cilat kishte aftësi
të jashtëzakonshme.
Ja çfarë thotë ajo për studimin e gjuhëve të huaja:
“Gjuhët e huaja kanë qenë gjithmonë pasioni im. Kur më
pyesin se çfarë do të kisha dashur të bëj, përveç mjekësisë, gjithmonë
përgjigjem se do të doja të kisha studiuar për gjuhë të huaja. Gjuha e parë e
huaj që kam mësuar, ka qenë italishtja, me një mësues privat, me një grup
fëmijësh të tjerë. Më pas fillova anglishten. Në gjimnaz kisha ndjesinë që isha
mirë me anglishten tashmë dhe doja të nisja një gjuhë tjetër. Me pëlqente
spanjishtja, kështu që vendosa për spanjishten. Kurset e gjuhëve të huaja i kam
bërë zakonisht me një grup tjetër nxënësish. Anglishten e kishim edhe në
shkollë, dhe kjo më ka ndihmuar sigurisht, por ritmet në shkollë ishin disi më
të ngadalta për mua. U jam shumë mirënjohëse
prindërve që më kanë mbështetur me të gjitha mundësitë për kurset e
gjuhëve të huaja. Në gjimnaz na u dha mundësia të zgjidhnim një gjuhë të huaj
të dytë dhe variantet ishin italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Zgjodha
frëngjishten. Gjatë studimeve universitare nisa të krijoja idenë se varianti më
i mirë për mua për specializim, do të ishte me shumë gjasa jashtë vendit. Pasi
lexova dhe u informova, vendosa që Gjermania ishte vendi që duhet të synoja.
Prandaj, në vitet e fundit të universitetit, nisa studimin e gjermanishtes.
Aktualisht, zotëroj shumë mirë gjermanishten, anglishten, spanjishten dhe
italishten. Kam pak njohuri për
frëngjishten dhe mund të kuptoj edhe portugalishten”.
Po cila qe ecuria e jetës së doktoreshë Armelës, pasi mbaroi
Fakultetin e Mjekësisë? I ftoj lexuesit e nderuar të ndjekin rrëfimin e saj:
“Meqenëse në mbarim të gjimnazit mund të flisja, të
paktën, në katër gjuhë të huaja, mundësitë për vazhdimin e studimeve në një
universitet evropian nuk më mungonin. E megjithatë, vendimi për të lënë pas familjen time dhe vendin tim, nuk
ishte një vendim që mund të merrej lehtë. Për rrjedhojë, vendosa të pres,
vendosa të qendroj dhe të vazhdoj studimet e larta në Shqipëri, me shpresën se,
duke punuar në fushën që dëshiroja, gjërat do të ishin më mirë. Fatkeqësisht,
kjo nuk ndodhi. Që në fillim u përballa me zhgënjim për sa i përket
infrastrukturës, sallave të leksioneve me lagështirë, sallave të seminareve pa
ngrohje dhe mungesës së bazës së duhur materiale për zhvillimin e seminareve
dhe të leksioneve, orëve të gjata pranë dyerve të sekretarisë, informacioneve
që duhej të ishin publike dhe që nuk bëheshin publike etj., etj. Më pas, me
fillimin e pjesës praktike, kuptova që praktika dhe edukimi që po merrnim si
mjekë të ardhshëm, ishte larg asaj që unë kisha menduar e ëndërruar dhe, çdo
vit që kalonte, ndihesha gjithmonë e më shumë në ankth, me një pyetje në kokë:
kur unë dhe kolegët e mi të përfundojmë këtë universitet, a do të jemi në
nivelin e duhur, për t’i kryer detyrat me profesionalizmin e duhur? Në dallim
nga profesionet e tjera, profesioni i mjekut është krejt ndryshe se lidhet me
jetën e njeriut, gjë që është shumë serioze. Unë dhe shokët e kursit lexonim
shumë, por praktika linte tepër për të dëshiruar se puna e mjekut nuk është
vetëm teori. Këtu më duhet të shtoj që literatura përmblidhej më së shumti në
libra të përkthyer keq, pa redaktor, ose ishte literaturë e vjetër. Paralelisht
me këtë situatë, m’u krijua ndjesia se Shqipëria, në njëfarë mënyre, nuk po
bënte hapa para. Sa herë hyja në QSUT, me dukej se kishte rënë një hije e
rëndë, gri. Kudo shikoja fytyra njerëzish të lodhur, të sëmurë, të varfer,
pamja e të cilëve nuk tregonte moshën e tyre reale. Të lindte dëshira t’i
ndihmoje, por, në të njëjtën kohë, zemrën ta pushtonte një trishtim dhe
pezmatim i madh. Me pas, me përfundimin e studimeve, mendova se, ndoshta, kur
të nis të punoj, punët do të venë më mirë. Por ajo që ndodhi, më mbushi me
dëshpërim. Gjatë shumë e shumë muajve, nuk gjeta dot një vend pune. M’u ofrua
një vend pune në një qendër shëndetësore, por, në këmbim, më kërkuan të paguaja
5000 euro. Pra, donin që unë ta blija atë vend pune. Nuk pranova, jo se s’doja
të punoja, jo se s’mund të gjeja një mënyrë për t’i siguruar ato para, por nuk
doja. Nuk e doja një punë të tillë. Po ashtu, nuk doja ta nisja punën time në
atë mënyrë. Atëherë rinisa gjermanishten intensivisht me një mësuese private.
Shikoja situatën e kolegëve të mi, shumica ishin si unë. Ndokush që kishte
arritur të gjente një vend pune të mirë, kish mundur ta siguronte falë njohjeve
të mira dhe ky nuk ishte sekret. Kështu që, pasi e diskutova me familjen time,
vendosa që më e mira që mund te bëja, ishte të tentoja për një vend pune dhe
specializim në Gjermani. Më duhet të theksoj se për ndonjë specializim në
Shqiperi nuk ndërmora ndonjë hap, sepse, e para, nuk kisha asnjë besim në
trasparencën e atij procesi, dhe, e dyta, nuk ishte më ëndrra ime të punoja në
ndonjë spital në Shqipëri në ato kushte, nuk doja t’i thoja pacientit për çdo
medikament: “Më vjen keq, por duhet të iki një familjar ta blejë te farmacia
se spitali nuk ka”, apo të shihja pacientët në ato dhoma, në ato kushte.
Ndiej dhembje në shpirt, se ata janë pacientët e vendit tim, teorikisht unë
atyre duhej t’u shërbeja, por në ato kushte e kisha të pamundur ta ushtroja
profesionin tim. Dikush më pati thënë: “Në qoftë se do të qëndrosh në
Shqipëri, duhet ta hedhësh vallen si hidhet këtu”. Por unë atë valle nuk
doja ta hidhja, nuk doja të filloja të urreja veten dhe profesionin tim! Kështu
që u largova për dy muaj në Gjermani, pa vizë, pa asgjë, thjesht për një kurs
dhe ndërkohë që ndodhesha atje, nisa të aplikoja. Për fatin tim të mirë, në
muajin e dytë më erdhën dy përgjigje pozitive për intervistë. Në spitalin ku
nisa punën, më dhanë përgjigje pozitive që në fund të intervistës dhe u ofruan
të më ndihmojnë me gjithcka. Ka qenë njëra nga ditët më të lumtura për mua. U
ndjeva e vlerësuar dhe u binda që edhe mund të ecja me ëndrrat e mia. Mjekët
specializantë në Gjermani punojnë me një rrogë bruto prej rreth 4600 eurosh,
ndërkohë që në Shqipëri marrin rreth 30 000 ose 40 000 lekë, pra, rreth 15 herë
më pak. Nuk bëhet fjalë vetëm për para. Bëhet fjalë për një shkollë të gjatë,
për një kalvar vuajtjesh e investimi për një përgjegjësi shumë të madhe. Çdo
mjek profesionist i përkushtuar, para se të bëjë gjumin e natës, rri e vret
mendjen gjatë nëse e ka bërë çdo gjë mirë gjatë kohës që i ka shërbyer
pacientit. Dhe rri e pyet veten: “A jeton? Mos duhej ta kisha bërë diçka
ndryshe?”. Për mjekun e ndërgjegjshëm
në punë ky është një shqetësim i përditshëm dhe kjo kundrejt një shpërblimi që
e bën shumë të vështirë të fillosh jetën, shto këtu mungesën e vlerësimit për
punën e mundimshme. Me punën që kam tani në Gjermani, jam tepër e kënaqur, jam
rritur shumë profesionalisht në kaq kohë, gjë që nuk mendoj se do e kisha
arritur në Shqipëri në të njëjtën periudhë kohore. Kolegët gjermanë më
respektojnë, shefat gjithashtu dhe gjithmonë janë të gatshëm të më ofrojnë
ndihmë dhe mbështetje dhe, ajo çka më
frymëzon më shumnë, pacientët me duan.
Me pyesin shpesh: “A doni të ktheheni ne Shqiperi, doktoreshë?”. Nuk e di, - u them, - për momentin jo, më
vonë nuk e di. Dhe ata ma kthejnë: “Për ne do të ishte shumë mirë sikur të
qëndronit këtu”. E në këto fjalë e sipër, më gëzon zemra, por, në të
njëjtën kohë, ndiej edhe trishtim disi që kontributin tim, si mjeke në shërbim
të pacienteve, nuk i pata kushtet ta jepja në atdheun tim. Tani, pas 2 vitesh
pune, sa herë që kam kontakte me miqtë dhe me kolegët e mi këtu në Gjermani, të
cilët më rrëfejnë për eksperiencën dhe për problemet e tyre, mendoj se kam bërë
zgjedhjen më të mirë”.
Doktoresha e
talentuar Armela Kadria u punësua në Gjermani më 05 korrik 2017. Ajo,
fillimisht, e nisi punën në spitalin multidisiplinar “Kreiskrankenhaus
Prignitz”. Tani ajo punon si mjeke okuliste në klinikën “Augen-Tagesklinik
Groß Pankoë”. Që të dyja këto klinika të rëndësishme për kurimin e
pacientëve, ndodhen në rajonin e Prignitz-it në Landin Brandenburg..
Të vjen keq që kjo
mjeke e talentuar nuk pati mundësi që ëndrrat e veta në shërbim të pacientëve
t’i shikonte të realizuara në tokën mëmë. Por s’qe e thënë. Se talentet tona i
gëzon bota. Se Shqipëria është vend pa zot. Kjo është pasojë e politikës së
alternativës neokomuniste me mbulojë socialiste me në krye Ramën, e cila, siç
kanë treguar faktet gjatë qeverisjes së saj 6-vjeçare, i ka vënë vetes si
qëllim zbrazjen e vendit tonë nga specialistët e talentuar dhe, përgjithësisht,
nga popullsia rrënjëse. Prandaj të dhënat statistikore të OKB-së për pakësimin
drastik të popullsisë së vendit tonë në fund të shekullit, janë katastrofike.
Ja në ç’përfundim ka arritur OKB-ja: “Paralelisht
OKB ka llogaritur projeksionet edhe sipas një skenari më negativ, i cili
bazohet në një rënie më të shpejtë të lindshmërisë. Rezultatet për këtë variant janë edhe më
alarmante, duke e parashikuar rrudhjen e popullsisë së Shqipërisë në vetëm 500
mijë banorë në fund të shekullit. Një projeksion fatal, që praktikisht e
projekton Shqipërinë drejt zhdukjes” (Citohet sipas: “Parashikimi
i OKB-së pë popullsinë e Shqipërisë”. Faqja e internetit “top-channel.tv”.
11 korrik 2019.
Le të shpresojmë që alternativa neokomuniste e
Rilind(rivdek)jes socialiste do ta vazhdojë qeverisjen e vendit deri në fund të
këtij shekulli, në mënyrë që ta shikojë me sytë e vet rezultatin e bëmave të
saj antikombëtare.
Santa
Barbara, Kaliforni
16
korrik 2019