E enjte, 28.03.2024, 10:26 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Anadolli - Golgota e shqiptarëve

E marte, 16.07.2019, 08:44 PM


Si e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta

Anadolli - Golgota e shqiptarëve

Nga Gani Mehmetaj

Nga Stambolli u nisa me një autobus turk që i ra Anadollit nga njëri skaj në skajin tjetër. Ishte rrugë e gjatë, gati e pafund, me ngritje e zbritje, sa kapërcenim një varg malor e zbrisnin në fushëtira, kur na dilnin para malet tjera. Dhe nuk e di pse e kisha menduar Turqinë e Anadollin vetëm fushëtirë e stepa të pafundme, apo pse e kisha identifikuar tërë Turqinë me Anadollin. Në rrugëtimin që zgjati dy net e dy ditë, bënim pushime, shihja fytyra nga më interesantet që futeshin e dilnin me nguti nga autobusi. Udhëtimi dukej interesant, shihja visore të cilat kurrë nuk i kisha parë, nuk do t'i shihja kurrë sikur të shkoja me aeroplanë.

Anadolli si emërtim gjeografik, psherëtimë, mallkim e kryqëzim në vuajtje, ishte futur thellë në lëkurën tonë, ishte ngulitur në rrashtën e kokës. Mijëra familje shqiptare kaluan nëpër këto stepa, në rrugë të parrugë. Kur i ndëshkonte Perandoria osmane, i tërhiqnin zvarrë nga Arbëria, kalonin Edrenenë, shkelnin cepave të kontinentit të mbetur evropian dhe dilnin në Azi. Ata që e përballonin rrugën, ndërsa nuk e përballonin gjysma, i zhvendosnin në toka djerr, i linin të shuheshin ngadalë, ose të mbijetonin me vuajtje e mundime. Qindra familje tjera vazhduan rrugëtimin cepave të Turqisë, në Eskisheher, Sivas, në kufi me Kurdistanin.

Me dhjetëra, që të mos them me qindra kilometra nuk shihje këmbë njeriu a vendbanim. Hëna pas mesnatës e ndriçonte hapësirën sikur të qe buzëmbrëmja, shihej ose hamendësoje se shihje ujkun e stepave, të dukej që e dëgjoje edhe  ulërimën e tij të zvargur e të frikshme. Ujku i Anadollit ishte një bishë e rrallë e hajthme si ndonjë dru i stërkequr që të dilte ndanë rrugës. Nuk dukej kund ujë a rrjedh lumi.

Në këtë ambient hënor pa kratere, por të shpërlarë, imagjinoja mijëra burra të syrgjynosur që vdisnin nga vuajtjet e mundimet, sepse nuk donin të bëheshin turq, nuk pranonin të ndërronin fenë e të parëve.

Mu kujtuan Martirët e Karadakut-shqiptarët e Dardanisë që lanë eshtrat stepave të kësaj hapësire gjeografike, u ngritën në këmbë tërë qytetërimi perëndimor, por Turqia ishte e palëkundshme, i kishte gjykuar të vuanin deri në vdekje. Shpateve të Stubllës nipat e këtyre martirëve e kanë hapur një rrugë malore: Rruga e Kalvarit, me të cilën e kujtojnë mundimin që e përjetuan të parët e tyre në Anadoll.

S'mbeti shqiptar pa e mallkuar shekuj me radhë Anadollin. Sa rrëfimet janë treguar për djerrinat e Anadollit, sa baladat e trishta kapërdiheshin me lot. Mbase nga këto mallkime të shqiptarëve e ndëshkoi edhe Zoti, e zhveshi nga gjelbërimi e pyllnaja, e ndali shiun, e thau tokën dhe e bëri teneqe.

Dhe derisa unë imagjinoja pamjet e shqiptarëve që vdisnin stepave të shkreta në mundime, të uritur e të rrahur me kamxhikë nga ushtarët turq, stepat në dritën e hënës se si me dukeshin, të  largëta, të ftohta, fantazmagorike, gati surreale, ashtu si nuk e kisha imagjinuar.

Rruga tjetër nëpër Anadoll shpinte në Siri, ku u zhvendosen shqiptarët në Alep,  Damask, në Irak e në shtetet e tjera arabe, mbase deri në Arabinë Saudite.  Atë rrugë po merrja edhe unë me autobusin turk që do të më çonte deri në Damask.

Hëna e ndritshme me ndoqi deri në mëngjes, ndërsa shikoja nga dritarja e autobusit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora