Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Zihemi si gjelat për vlerat e luftës

| E hene, 15.07.2019, 08:19 PM |


Zihemi si gjelat për vlerat e luftës

Nga Ndue Ukaj

Duke mos ditur ose duke mos dashur të flasim për vlerat e lirisë, tash e njëzet vite flasim e zihemi si gjelat për vlerat e luftës. Dhe kemi “harruar” se lufta bëhet për të fituar lirinë, që është thelbi i ekzistencës njerëzore dhe vlerë sublime për të cilën luftohet.

Duke e orientuar debatin drejt vlerave të luftës, kemi “harruar” të flasim për vlerat e jashtëzakonshme dhe frytdhënëse të lirisë, vlera këto që të japin krah për t’u zhvilluar dhe emancipuar si kombet e përparuara.

Duke orientuar debatin kah vlerat e luftës, ne nuk kemi ndikuar dhe ndihmuar për ta kuptuar të kaluarën, por e kemi ndihmuar hegjemoninë e politike dhe diskursin e mjerë politik, që te lufta ka gjetë lopën patriotike për ta mjelë dhe për të udhëheqë në emër të saj.

Për fatin e keq të qytetarëve të Kosovës, kjo lopë patriotike ende nuk është shterp, sepse, në momentin që do të mbetet shterp, atëherë do të fillojë një epokë e re, ku politika do të përkthehet me terma zhvillimorë dhe atmosfera publike do të dominohet nga vlerat e lirisë, që janë përparimi, dija, paqja dhe mirëqenia.

Përsa kohë nuk flasim për vlerat e lirisë, do të jemi peng të luftës dhe narracionit rreth saj.

Vetëm atëherë kur t’i kuptojmë vlerat e lirisë, vlerat e luftës do t’i kemi të qarta dhe nuk do të zihemi përditë si gjelat.