E shtune, 20.04.2024, 09:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Shtrydhen e rreziten retë

E hene, 15.07.2019, 09:36 PM


Shtrydhen e rreziten retë

Nga Blerim Rrecaj

Vazhdon vera. Duke lënë gjurmët e saj, pak a shumë të njohura. Nëpër copëza qielli e copëza ditësh po enden të harlisura, rrufeshëm e me shpejtësi përdredhëse tufa dallëndyshesh që duket që pasqyrojnë lëvizjet tona së bashku e krahpërkrah mes bashkatmëmëdhetarësh vendorë e mërgimtarë. E Filip Shiroka dallëndyshes i thotë: shko e eja. Ndonjë vrull ere i shtyejnë për t'ia marrë valles puplave rrumbullake fije fije të shkëputura nga kërcenjë toke gjemborë e therra-therra e me kokë rozë që kur po piqen, po thahen e përthahen po marrin ngjyrën e një hirte përzier me një të kafte të lehtë, ashtu diçka si të makiatos, dhe nga koka e pjekur po lirohen si fragmente ideshë e mendimesh, si të liruara prangash, në këtë copë pasditeje me erë, por edhe natën pupël-lehtat fijeholla duke u dukur për bukuri në fluturimet e tyre që kushedi ku mund të përfundojnë, në ndonjë dru a lis, në gotën e mbushur me lëng a ujë, në qoshkun e ndonjë ballkoni a përtokë të ngjitura për për fije bari. Ca prej tyre, tri a katër sosh janë ndalur në petalet e kësaj luleje, bile njëra në grep polenin e saj sa për të kujtuar bletët që në Çamëri siç e pamë në një libër po i quanin mjalca. Ndërsa do të donim që puplat fije fije të ndesheshin me fluska shamponi që shpërndajnë me frymën e tyre ca vocërrakë këtejpari. E nga ky mozaik lëvizjesh, ca nga to, po enden papërcaktueshëm duke parë nga hëna mbuluar me një shall reshë, ylli i madh e shëndritës, si bir planetesh shëndritëse që rrezaton duke vështruar kushedi mbase deri në përtej agim. Sidoqoftë edhe për këtë lule petalfluturuese hasim disa emërtime si gjembaçja, gjemb gomari, e diku si lule-therra ilire nëse s'ka ndonjë ngatërim në shpjegim a në fotografinë ilustruese me legjendë. Verë e vapë. Turbullimë, kthjelltësi, vranësi e freski. Një ditë korriku me shi ku nga ndonjë verandë me çadër mbi kokë, me një çaj kamomili përpara e me avuj të nxehtë që ngriten përpjetë, vështrojmë me nge edhe filxhanat e zbrazët dhe dy gota të mbushura në njërën nga tavolinat përreth e që ende s'i kanë hequr kamarierët edhe pas largimit të myshterinjëve, ndërkohë shohim edhe dikë matanë rruge që iu prishet çadra dhe mundohet t'i bëjë vetes zgjidhje, për t'u mbrojtur nga ujësjellësi qiellor. Ndërkohë dy vetë bisedojnë me njërin nga drejtuesit e këtij lokali që mban emrin e njërës prej aparateve mediale për mundësinë e fillimit të punës. Sa për të na e kujtuar vargun: Ti shqiptarhane më jep nder, më jep emrin kamarier. Respekt për çdo kënd e çdo profesion, por shqetësim i pandërprerë endet kokave për hapësira e mundësi të vogla punësimi, e për mirëqenien e përgjithshme n'atdhe. Në kafenetë ngjitur me njëra tjetrën është krijuar një vijë shiu, një vijë lagështie kufitare mes mbulojave e ndërsa këtej kufiri përreth këtij druri një hapësirë katrore e lënë për të ngritur kokën mbi mbulojë, si për ta lagur dhe trungun e tij ndërkohë që gjethet stërpikojnë nga ky shi i rrëmbyeshëm. Shiu shkon e kthehet, mërgon sërish e dikur edhe kjo ditë si një valixhe e mbushur me lloj-lloj gjërash të grumbulluara e të parenditura. Vijojnë këto ditë ca me diell e ca me të reshura, në një harmoni të admirueshme. Vazhdon dhe loja jonë disi e papërcaktueshme me vetën e me jetën. Pas shiut nëpër rrugët e lagura një shëti të ofron freski këndellëse. Një balonëz kandilndezur lundron qiellit mes reve të bardha e pakëz të nxira nëpër këtë muzg të shpërlarë, rishtrydhja e reve mund të filloj sërish për të na dhuruar lëngje ëmblake shirash, e më pas retë do mund t'i ekspozohen diellit për t'u terur, ngrohur a rrezitur me nge e për qejf...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Resmi Osmani: Xhungla

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora