E marte, 19.03.2024, 06:38 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Si e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta

E hene, 15.07.2019, 08:37 PM


Si e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta

Konstantinopoja-Stambolli i kontrasteve të mëdha

Nga Gani Mehmetaj

Konstantinopoja (Stambolli) gjithnjë me ka interesuar me historinë e vet interesante, me fundin tragjik në mesjetë dhe me rrëmujën e sotme në kufijtë e kaosit. Nga Perandoria e Bizantit mbeti Aja Sofia, kisha që ishte shndërruar në xhami, sikurse në Pejë kisha e Shën Premtes që u bë Xhamia e Çarshisë. Aja Sofia prapë u kthye në kishë nga presioni i Evropës, por kisha e Shën Premtes në Pejë nuk u bë kurrë si më parë. Mu kujtua shembulli i historisë fatkeqe, pikërisht kur e shihja këtë kishë, mrekullinë e  qytetërimit. Heshtja brenda kubeve të rrëqethte e të fuste në mendime të thella.

Kur i braktisje tempujt a ngrehinat e moçme, të imponoheshin çarshitë e mëdha, me mallra të renditura brenda e të ekspozuara në vitrinë, me shitësit që të kapnin nga mënga e përpiqeshin të te fusnin brenda me dhunë, ndërsa gjithë kohën, me duket të thoshin "bak, bak".  Duhej të bëheshe arrogant që t'i dëboje nga vetja, nëse nuk e kishe ndërmend të futeshe brenda e t'ua shihje mallin, ndërsa s'të linin me asnjë çmim të dilje pa ua blerë ndonjë cukël.

Nga Stambolli dikur vinin hordhitë e pafundme që e shkretuan Shqipërinë e shqiptarët, nga Stambolli gjatë viteve të shtatëdhjetë e tetëdhjetë të shekullit të kaluar vinin mallrat turke që të griseshin në trup ende pa i veshur mirë. Dërgonin tregtarët tanë nga Kosova në Turqi çaj Indie, që i thoshin çaj rusi dhe blinin tekstil, parfume të lira e sixhade. Dërgonin tanët edhe raki Rahoveci , që turqit e pinin si rusët. Me policët e doganierët serbë, bullgarë e turq çdo herë kishe probleme, të zhvatnin e të fyenin deri në arrogancë.

Secili në qytetin shumë milionësh, buzë Bosforit, përpiqej në ethe të mbijetonte e të fitonte, shpesh në kurrizin e tjetrit, lufta për mbijetesë ishte më e theksuar se askund tjetër. Bashkëjetonin feudalizmi e kapitalizmi në Turqi, punëtorët ndihmës (shegertët) nëpër dyqanet e shumta, i rrihte pronari sikur t'i kishte skllav dhe askush nuk shihte diçka të pazakonshme në këtë keqtrajtim. Mendësia mesjetare rrinte pezull mbi çati e në trotuare. Kur kalonte ndonjë bionde nga Evropa a nga Ballkani, dilnin shegertët e pronarët e dyqaneve dhe fishkëllenin si në ndeshje sporti, dikush e lëshonte ndonjë fjalë të pistë me afshe. Në planin social po nuk punoje përfundoje lypsarë në rrugë.  Kishte kaluar koha e grusht shtetit që në Turqi i bënin shpesh, ishte diçka më qetë, por policia e ushtria sillej kudo. Ushtria ishte autoritare dhe të gjithë ia kishin frikën.

Qyrtët (kurdët) ishin raca më e urrejtshme jo vetëm në Stamboll, por në tërë Turqinë. Propaganda shtetërore e kishte bërë të vetën, duke i sharë e kriminalizuar kolektivisht, mu siç bënin serbët ndaj nesh. Kur i pyesje pse janë të keqi, nuk dinin të ma thoshin, vetëm e përsërisnin si papagall: qyrtët janë të poshtër. Kurdët luftonin për pavarësi, udhëheqja e tyre gabimisht ishin rreshtuar me Bashkimin Sovjetik, ndërsa Bashkimi Sovjetik nuk i kishte ndihmuar askujt. Turqit e kultivonin patriotizmin e atdhedashurinë duke i luftuar e poshtëruar kurdët, mu si serbët që mbaheshin si komb duke i diskriminuar e luftuar shqiptarët.

Në këtë ambient mos durimi i kujtoja filmat e famshëm të kurdit Jilmaz Gynej "Shpresa" dhe "Rruga" që ishin të trishtë sa ta këpusnin shpirtin. Kurdi më i famshëm vuante burgun turk në kushtet çnjerëzore, sepse ishte deklaruar për kombin e shtetin e tij. Sa tragjike. Ai jepte instruksione nga burgu për realizimin e filmave, por nuk e shijonte suksesin e tyre, nuk shkelte në tapetin e kuq të Kanës e të Berlinit, nuk kishin si t'ia dorëzonin Palmën e Artë a Ariun e Berlinit.

Kurdët e kuptonin tragjedinë e tyre dhe luftonin, shqiptarët e shkretë që ikën nga serbi në Turqi, nuk e kuptonin që po shkriheshin si kripa në ujë dhe rrinin të shushatur.

-Kokan (qenkan) si shkitë, - tha për turqit njëri nga pleqtë e dajëve të mi dhe vdiq nga pikëllimi disa muaj pasi erdhi në Turqi. Asnjëherë nuk mu hoq nga mendja fjala e tij.

Shqiptarë të Dardanisë e boshnjakë të Sanxhakut ndeshje kudo. Shqiptarët të flisnin disi me druajte shqip, boshnjakët flisnin serbisht serbez, do të thoshte turku, pa u bërë syri verr, megjithëse atë gjuhë e kishin blerë nga serbët, ndërsa kishin qenë shqiptarë (fis i Kelmendit) para Kongresit të Berlinit. Kur ua thosha këtë fakt, thartoheshin, por rrudhnin me supe, kjo gjuhë na mbeti, arsyetonin. Serbishten e pranonin më lehtë se sa shqipen edhe turqit në çarshi. Pas konsumatorëve serbë vraponin me përulje, duke i ftuar serbisht në dyqan. Asnjëherë nuk me ka ndodh të me flisnin në gjuhën time dyqangjitë e Stambollit, ashtu si u flinin serbëve në gjuhë të tyre.

Konstantinopojën nuk e shihja për herë të parë, vitin e kaluar erdha nga Edreneja, kur merrja pjesë në xhirimin e disa kuadrove të një filmi të Kosovës. Në Stamboll e kisha gjysmën e familjes, ose më saktë tërë familja e nënës jetonin këtu, sikurse miliona shqiptarë në detin e popujve aziatikë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora