E hene, 19.08.2019, 11:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Homazh për Milazim Kadriun

E diele, 14.07.2019, 10:16 AM


HOMAZH PËR MILAZIM KADRIUN

Nga Prend Buzhala

Edhe sot vdekja u tregua e shpejtë dhe e pamëshirshme: na iku në amshim një mik i nderuar i letrave shqipe, MILAZIM KADRIU (1958 – 2019).

Kosova, Shqipëria, diaspora dhe Maqedonia e njihnim për poet, gazetar, dhe sidomos për kritik letrar. Rrethi i Podujevës e njihte si mësimdhënës të dashur e të përkushtuar, po edhe si veprimtar kulture, që dinte t'i afronte krijuesit e njerëzit e arteve... E shihje të palodhshëm në redaktime e recensime veprash... në ligjërime për vepra e autorë...

1.

Gjatë viteve të fundit jemi gjendur së bashku duke ligjëruar për vepra të ndryshme e për autorë të ndryshëm, nëpër salla e ambiente letrare kudo nëpër Kosovë e tutje... ashtu, pa zhurmë, pa fudullëkun e pamjes akademike që na e imponojnë “të lartit”. Ai ishte “poshtë”, në mesin e krijuesve e lexuesve të thjeshtë... duke punuar e shkruar me idealizëm e zemërçiltërsi proverbiale...sidomos kur përgatiste libra me autorë të shumtë kushtuar dëshmorëve apo figurave të shquara kombëtare...

Ishte bashkëpunëtor palodhshëm i shumë medieve elektronike (po më parë edhe i medieve të shtypura)...

E kishim bashkëpunëtor në sa e sa manifestime me krijuesit nga Klina, sidomos për DITËN E PLISIT, po edhe në cilësinë e redaktorit e recensuesit për libra të autorëve klinas...

Mbi të gjitha, ishte pedagog e njeri i mirë.

Më ra që këtë vit t'i kem në redaktim e recensim dy vepra të tij... dhe kam shkruar me përkushtim, për një krijues të përkushtuar. Ia tregova një dorëshkrim: e kisha ndërmend që Milazimi të ishte redaktor a recensues i librit tim të ardhshëm...

Por ai është me ne, me fjalën e tij të shkruar E të ligjëruar.

Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, kolegëve të tij të punës dhe krijuesve letrarë, që e kanë njohur dhe me të cilët ka bashkëpunuar.

2.

Në shënimet për autorin thuhet: Milazim F. Kadriu, u lind në fshatin Revuq, komuna e Besianës (ish Podujevë). Shkollën fillore e mbaroi në Llapias (Kërpimeh), gjimnazin në Besianë (Podujevë), kurse në Fakultetin Filologjik në Prishtinë studioi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Punën në arsim e nisi fillimisht në shkollën e mesme në Besianë (Podujevë) e më pas në shkollën në Llapias (ku punon edhe tani).

Është veteran i UÇK-së.

Me shkrime ka filluar të merret qysh si nxënës i shkollës fillore dhe ka botuar në revistat për fëmijë. Edhe me gazetari ka filluar të merret herët ku ka bashkëpunuar kohë të gjatë me gazetën “Rilindja”, pastaj me “Zëri i Rinisë”, ”Shkëndija” , ”Bujku” etj. Po ashtu gjatë kohës së okupimit në vitet e 90-ta ka qenë bashkëpunëtor i rregullt i gazetës kroate që botohej në Zarë “Fokus”. Pas luftës ka punuar edhe në radion lokale “Radio Llapi” si gazetarë, redaktor e kryeredaktor, si dhe ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “ALBI”. Ndërsa si korrespodent nga Podujeva ka punuar në gazetat “Gazeta e re”, ”Epoka e re”, ”24 orë” dhe “Kosova Sot”. Është bashkëpunëtor i redaksisë Dëshmorët e UÇK-së, bashkautor i monografisë "Feniksët e lirisë”.

Me krijimtari letrare kryesisht merret me poezi për fëmijë dhe për të rritur, tregime për fëmijë,kritikë letrare si dhe merret edhe me enigmatikë. Deri tani ka botuar këta libra :

“Lindi dielli” (poezi për fëmijë)-2000;

Biografi e shkurtër për dëshmorin Besnik Muharrem Restelica -2011

“Flakadani i lirisë” (50 autorë-100 poezi)-2012;

“Tri shkronja” (poezi për fëmijë)-2014;

“Uragani i lirisë” (20 autorë-55 poezi)-2017;

“Refleksione letrare” (kritikë)- 2017;

“Vështrime letrare” (kritikë)-2017;

“Përsiatje letrare” (kritikë)-2018;

“Ata që për liri u flijuan”-2018;

“Një krismë pushke për liri”-2019.

Kishte të gatshme për botim edhe libra tjerë, si dhe në procedurë të botimit monografinë për shkollën e Llapiasit. Deri tani ka qenë redaktor dhe recensent i shumë librave të autorëve tjerë nga Kosova dhe Shqipëria.

Është bashkautor i monografisë "Feniksët e lirisë” (deri tash janë botuar 16 libra) është i përfaqësuar në 12 antologji me poezi që janë botuar në Kosovë e Shqipëri.

3.

Nga shënimet e shkrimit kritiko-letrar për vëllimin poetik ““Ata që për liri u flijuan" i Milazim Kadriut:

Nuk është e vështirë për ta gjetur një emërues të përbashkët të poezive në vëllimin “Ata që për liri u flijuan" të Milazim Kadriut. Zaten, në këtë drejtim na ndihmon vetë autori: duke e ndarë vëllimin e tij poetik në dy cikle: "Ata që për liri u flijuan" dhe "Me rrezet e diellit në përqafim". Milazim Kadriu, kësisoj, na i shpalos edhe dy makrotema lirike: atdhesinë, luftën për liri (i pari) dhe botën refleksive intime e atë të realitetit të përditshëm dhe atij historik (i dyti). Vijnë ritme të përgjakshme e sakrifice te cikli i parë, por vijnë edhe ritme të mprehta e të hapura të dendësisë së thënies lirike, herë-herë edhe të ndërliqshme, që provokojnë sfidat e përditshme të jetës e të etikës njerëzore, te i dyti. Vetë titujt e cikleve, si dhe qartësia e tillë e thënies lirike, sugjerojnë një botë ndryshe, të ndritshme, të trashëgimisë sonë shpirtërore, historike e nacionale, përgjithësisht vlerash humaniste universale; autori shkruan dhe krijon në atë që beson, ndryshe nga poetët tjerë refleksivë që këndojnë ankthin ekzistencial.

Ngushëllime të gjithëve!

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

MILAZIM F. KADRIU:

IU PËRGJIGJA THIRRJES SË ATDHEUT

Iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se ishte thirrje e zërit të nënës,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se ishte urdhër i fjalës së babës,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se ishte kujtim i gjyshit plak.

Iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se më kujtoi dhimbjen e gjyshes plakë,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se mu kujtuan vuajtjet e poshtërimi,

iu përgjigja thirrjes së atdheut,

se më thirri gjaku, fara dhe fisi.

DIKUSH DUHET TË VDISTE

Dikush duhej të vdiste,

ai që  gjithherë ka qenë zgjuar,

çdo herë ndenji zgjuar,

për ti zgjuar të fjeturit.

Përherë ishte në marshim,

në marshim drejtë lirisë,

edhe kur u bë martir,

eci para nesh, në shtigje zjarri,

ai që vdiq e mbeti i gjallë,

për ne djalë pas djali.

Dikush duhej të vdiste,

vdiq ai që me kohë kishte kuptuar,

se jeta e robëruar është luftë,

dhe vdiq për të qëndruar.

Ky është çmimi i lartë,

  s’mund ta paguaj kushdo,

vetëm djemtë që janë pagëzuar,

që në lindje të diellit, heronj.

TASH KA DRITË

Nëpër qiellin e nxirë

Një rreze e bardhë kaloi

Zemrat tona i ngrohu

Dielli me rreze i mbuloi.

Këto rreze të diellit

Ngrohën tokë e qiell

E në qiellin e kaltër

Shqiponja fluturoi

Më pas  fluturuan zogjtë tjerë

Nga qielli u zhduk errësira

Yjet shihen ditën,

E natën e bëjnë të shndritë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT