E hene, 19.08.2019, 07:18 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Prof. Dr. Thanas Gjika – shembull atdhetarizmi

E shtune, 13.07.2019, 07:27 PM


PROF. DR. THANAS GJIKA – SHEMBULL ATDHETARIZMI

(ME RASTIN E 75-VJETORIT TË LINDJES)*

Nga Frank Shkreli

Përshëndetje i dashur Thanas – urimet më të përzemërta prej meje dhe bashkëshortes sime Viki - me rastin e 75-vjetorit të lindjes suaj. Uroj t'ia kaloni sa më mirë te 'Fruit Land Restorant' Harvard MA mes familjarëve e miqve tuaj, që jeni mbledhur për të festuar dhe për të celebruar jetën dhe veprimtarinë tuaj të larmishme, në shërbim të familjes dhe të Atdheut.

Të dashur pjesëmarrës, dua dhe unë të them disa fjalë për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e atdhetarit të spikatur të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, Profesorit Thanas L. Gjika.

Unë me Thanasin jam njohur vetëm pak vjet më parë, kemi zhvilluar një miqësi dhe bashkpunim të ngushtë duke qarë hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve si në trojet stëgjyshore ashtu edhe këtu në SHBA. Nga njohja me Profesorin e nderuar kam përfituar shumë dhe kam zbuluar se ndajmë mendime të përbashkëta në lidhje me të kaluarën komuniste në Shqipëri dhe që të punohet për krijimin e një Shqipërie të Vërtetë, me një strategji mbarëkombëtare, për integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në orgnaizmat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme të Kombit Shqiptar me ShBA-të.

E kam vlerësuar punën dhe veprimtarinë e tij si dhe veprat e tija të cilat kam patur nderin ti lexoj, e të cilat janë shkruar me sy gjithmonë të qartë, me mendje të mprehtë dhe me profesionalizmin e një shkencëtari të mirëfilltë e të shquar të botës shqiptare. Është për t’u adhuruar fakti se në veprat e Profesor Thanas Gjikës çështjet trajtohen, jo prej një këndveshtrimi krahinor ose një përcaktimi të ngusht personal, por nga një pikëpamje mbarëkombëtare, në të gjitha fushat të cilat ai prek, siç është, ndër të tjera edhe libri i fundit i tijNJË LETËRSI KOMBËTARE, NJË ATDHE I VETËM. Përveç veprave shkencore dhe letrare, për publikun sot, mund të thuhet se ndoshta studiuesi Gjika njihet më së miri nga publistika e tij aktuale – e pasqyruar në artikujt, kumtesat, portretet dhe kujtimet kushtuar shumë personaliteteve të fushave të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe në Shtetet e Bashkuara.

Me këtë rast dëshiroj të falënderoj Profesorin e nderuar për portretin e gjatë që shkroi për mua e që u botua në shumë media. Në veçanti, i jam mirënjohës dhe për organizimin e promovimit të suksesshëm dhe të parë të librit tim DEMOKRACIA NUK PRET në prill 2018 në Worcester MA, ku morrën pjesë me gjithë bashkëshortet një numër jo i vogë Shqiptaro-Amerikanësh, të cilët gjithashtu i falënderoj për respektin që treguan ndaj meje me pjesëmarrjen dhe vlerësimet e tyre.  Po ashtu e falënderoj nga zemra Profesor Thanas Gjikën për dashamirsinë dhe përkrahjen që më ka dhënë mua dhe komunitetit tonë në fushën e kulturës dhe të publicistikës, duke më inkurajuar shpesh me komunikime elektronike plot kuptim e ndjenja miqësore, që të vazhdojmë pa u lodhur, pavarrësisht nga mosha, me aq sa kemi mundësi të mbajmë lart, këtu në mërgim, frymën e shëndosh të traditave tona më të çmueshme dhe të ndriçojmë me aq sa mundemi, të vërtetën mbi vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe padrejtësitë që i bëhen ende sot.

I nderuar Profesor, edhe njëherë faleminderit për miqësinë dhe respektin që keni treguar ndaj meje, gjatë kohës që jemi njohur me njëri tjetrin. Si një ish-seminarist, më pëlqen që në raste të tilla, siç është ditëlindja juaj, të përshëndes me frazën latine: Ad Multos Annos!, një shprehje kjo e vullnetit të mirë dhe të urimit për një jetë të gjatë plot shëndet dhe lumturi!

New York, NY, 13 Korrik 2019

*Kjo përshëndetje është lexuar në drekën festive në qytetin Worcester të shtetit Masaçusets – kushtuar 75-vjetorit të Prof. Asc. Dr. Thanas Ligor Gjikës, krahas vlerësimeve të miqve të tjerë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT