E premte, 29.03.2024, 01:05 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Tablo e ikjes dhe forca integruese

E shtune, 13.07.2019, 02:41 PM


TABLO E IKJES DHE FORCA INTEGRUESE

Për librin: ”Sfida shqiptare në Londër” të Ruzhdi Jatës

Nga Qazim D. Shehu

Libri më i ri publicistik: Sfida shqiptare në Londër”i autorit Ruzhdi Jata dëshmon jo vetëm pjekurinë e tij krijuese dhe analizuese të autorit,por jep edhe tablo tronditëse  të ikjes së shqiptarëve  në mërgim,të cilat të mbërthejnë me dramacitetin dhe forcën e detajit. Ai jep fatin e atyre njerëzve që u ndodhën në situata krejtësisht të pafavorshme në rrugëtimin e tyre nëpër det, në shtete të huaja, shpesh kaluan  në duar trafikantësh të pashpirt dhe mizorë. Vërtetë të ngjethet shtati nga këto rrëfime.

Ky libër, për nga materiali i gjallë, është një pasqyrë tronditëse e fatit të individit shqiptar, pas viteve kësaj ikjeje, dhe ai na përshkruan gjithë kalvarin e këtyre njerëzve    vitet nëntëdhjetë, kur u hapën dyert e botës, dhe shumëkush ”braktisi”atdheun për një jetë më të mirë. Dhe kjo ikje nuk ishte pa kosto, nuk ishte një shëtitje nëpër rrugët e botës, po një rendje maratonomaku për të kërkuar një kuptim te ri për jetën, edhe me qëndresë njerëzore.

Ruzhdiu është vetë pjesë e këtij guximi,kur lexon ato skena që nuk mund të përfytyrohen për nga ngushtësia e rrethanës dhe e papritura e rrezikut. Vërtetë, ndjen ankthin e së panjohurës që vetëm në romane mund ta lexosh, por ajo ka ngjarë, dhe, është aftësi e penës shkrimore të Ruzhdi Jatës që, këtë ankth,ta japë me ngjyra realiste dhe dramatike. Ky dramacitet i penës së tij thuret përmes një përshkrimi të saktë, autentik, pa zbukurime, lidhur fort prej fatit dhe veç prej tij. Në këto përshkrime lakonike dhe pa teprime,jepet udha e gjatë e individit shqiptar, për të mbërritur në destinacionin e ëndrrës, një udhë që i ngjet një mundimi sizifian, një udhë ku kërcënohet jeta. Dhe të mos harrojmë: sa shqiptarë ranë në kthetrat e krimit, sa u mbytën nëpër det e sa u rikthyen mbrapsht duke humbur gjithçka, e prapë, sa u rinisën drejt një shprese që ata e projektonin dhe e mendonin. E çuditshme! E pabesueshme, edhe për ata vetë.

Ajo që ndodhi me shqiptarët, pas viteve nëntëdhjetë, është me të vërtetë një dramë që pak është prekur nga letërsia, edhe pse është filmuar diku apo është shkruar diçka.

Me një stil të kursyer, ku ndihet pasuria e informacionit jetësor, Ruzhdiu jep shpejt e shpejt pamje që rinovohen dhe kompletohen nga ankthi. Kështu, mund të veçojmë disa skena si: Udhëtimi në det me gomone, udhëtimi me tren, afrimet e trafikantëve për “ndihmë” dhe pasiguria e besimit, kthimi në momentin e hipjes në tren dhe guximi për të mos u tërhequr e ndihmesa e fatit përmes vendosmërisë së refugjatit.

Në pjesën më të madhe të librit, Ruzhdiu shpalos jetën e refugjatëve në Angli, integrimin e tyre atje, dhe të vjen mirë e ndjehesh krenar se si këta njerëz të hekurt, me vullnet të pashoq, ditën t’i përshtaten aq mirë jetës, të organizohen në shoqata, siç është “SFIDA”, në rastin konkret, ditën të shfrytëzojnë mundësitë e lirisë në dobi të një jete kreative dhe me dinjitet. Ruzhdiu është një prej tyre, i cili bashkë me të shoqen, Kadimen dhe me vajzat Gretën dhe Rozanën, po edhe me bashkatdhetarë të tjerë, avokatë, juristë, mjeshtra të profesioneve të ndryshme, arriti të integrohet në këtë jetë dhe, jo vetëm kaq, të afrojë ndihmesë edhe për të tjerët, duke kryer kështu jo vetëm një detyrë prej intelektuali qytetar, po edhe  si patriot dhe atdhedashës.

Nga faqja në faqe, shkurt, me një autencitet informacioni, autori përshkruan jetën intensive në Londër, komunikimet,aktivizimet,trajnimet, këshillimet dhe afrimin e çdo lloj asistence njerëzore e teknike për të gjithë të paorientuarit dhe të pamundurit .Kjo nuk mbetet vetëm një kah  patriotik, po mbi të gjitha human, që përbën një kredo të fortë morale, po dhe që e bën çdo individ të ndjehet krenar për të qenit shqiptar.

Autori shpalos aspekte të jetës në Londër, mjedise, psikologji të ndryshme, mënyra  të organizimit të një shoqërie që ndërtohet mbi vlera dhe mbi liri të mëdha, që përfill njeriun dhe nuhat mirë se çfarë kërkon ai, dhe sesi mund t`i vihet në ndihmë, po edhe të një shoqërie dhe e një shteti që i tregon vendin të keqit, trafikantit, vjedhësit , atij që është parazit dhe kërkon ta nxjerrë jetesën duke abuzuar me rregullat e ligjet e vendit ku jetojnë.

Nga libri mësohet se edhe ndaj këtyre njerëzve mund të rrish afër, duke u treguar rrugën e drejtë, se Anglia nuk është parajsë për dembelët, por është parajsë për ata që punojnë dhe janë të ndershëm. E, në këtë aspekt, nëse heqim një paralele me shoqërinë tonë të sotme, vetvetiu ndjen një  trishtim, jo se duhet të krahasohemi me Anglinë, sepse këtu ndajnë shekuj të ecjes ndryshe drejt kahjes së zhvillimit dhe të arritjeve, por se na është dashur të mësojmë më shumë prej saj, dhe jo të mbetemi në atë sloganin e famshëm të “rrezikut anglo-amerikan për Shqipërinë”, siç porosiste diktatori E. Hoxha.

“Sfida shqiptare në Londër” lexohet përmes mënyrash të ndryshme këndvështrimesh dhe përshkohet nga dashuria e madhe për njeriun, për të mos e parë atë skllav të varfërisë as të paragjykimeve të ndryshme raciale e nacionaliste, por si individ të integruar në një shoqëri të lirë, pa komplekse, siç është në të vërtetë shoqëria perëndimore, e ajo angleze në veçanti.

Shkrimtari e gazetari, Ruzhdi Jata, shpreh njëkohësisht pengjet dhe nostalgjinë për Shqipërinë; kështu libri mund të lexohet edhe si një mesazh i ri për atdheun, që nuk shihet në qasje të vjetëruara nacionaliste-folklorike, po autori përmes situatave dhe nënteksteve konotative, shpalos idenë se patriotizmi fillon nga fuqia e individit, nga realizimi i vlerave të tij dhe shprehshmëria e tyre përmes identitetit njerëzor. Mendoj se ky është një koncept i ri, i realizuar aq bukur në një rrjedhë të fshehtë të idesë që duhet ta marrim përmes përshkrimit dhe strukturës arkitekturore të librit. Gjithashtu, libri është një manual i gjallë turistik për Londrën, pasi autori na njeh me ambientet atje, me shumë dyer  të jetës në Londër, me komunikimin aq paqësor dhe të kulturuar të anglezëve me shqiptarët dhe emigrantët në përgjithësi, me ndihmën e pakursyer të tyre dhe me kënde  të tjera.

Ndërsa gjuha e prozës së tij,përcaktohet nga rrjedhshmëria, nga lakonizmi dhe drejtpërdrejtësia e komunikimit, nga fluksi i informacionit jetësor dhe kulturor, çka tregon se autori i mbetet besnik përshkrimit objektivist, edhe pse nuk mungojnë mjaft ndërhyrje subjektive në trajtën e të shprehurit emocional, përshtat situatave të ndryshme dhe të së ndodhurës. Autori tregon shembullin sesi mund të shkruhet një libër i mirë, pa vështrime ekskatedra dhe pa u nisur vetëm nga leximet; ai tregon sesi mund të shkruhet duke u thelluar në një temë të caktuar, në këtë rast në një shumësi temash, duke sjellë bagazhin e një përvoje të vjetër profesionale, por edhe përjetimet dhe kontaktet e gjalla me jetën. Dhe të gjitha këto na kanë dhënë një libër interesant…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora