E enjte, 19.09.2019, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Lisen Bashkurti: Ballkani - Diplomacia e munguar

E enjte, 11.07.2019, 06:18 PM


“…Ballkani ka nevojë për Europianizim në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Europianizim do thotë paqja të mënjanojë luftërat, stabiliteti të shmang krizat, demokracia të dominojë regjimet, prosperiteti të lumturojë qytetarët. Për këtë Ballkanit i nevojitet më shumë se kurrë diplomacia. Diplomacia si kulturë qytetare, si vlerë shoqërore, si mendim, sjellje dhe qëndrim politik, si zgjidhje institucionale dhe si marrëdhënie ndërkombëtare”.

Shtëpia Botuese, Fast Print

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i autorit Lisen Bashkurti, ‘BALLKANI – Diplomacia e munguar’, botuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare dhe Shtëpia Botuese Fast-Print. Libri është i njëzet e treti në serinë e librave monografik shkencor për historinë e diplomacisë, teoritë e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, çështjet Evropiane dhe Ballkanike, të drejtën ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare, krizat ndërkombëtare, negociatat diplomatike, diplomacinë publike dhe çështje ndërkombëtare bashkëkohore.

‘BALLKANI – Diplomacia e munguar’ ka në përmbajtjen e tij artikuj bashkëkohorë, intervista, aforizma dhe dy studime akademike të fushës. Libri ka në me fokus Ballkanin, historinë, tranzicionin dhe e ardhmërinë e tij në kontekstin Europian, Euro-Atlantik dhe global. Gjithçka është parë e trajtuar në perspektivën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe veprimtarisë diplomatike. Pyetja kërkimore që vihet në qendër të librit është definuar qysh në titullin e librit.

Ballkani, ky rajon me histori të përgjakshme konfliktesh, krizash dhe luftërash, i epitetuar ndërkombëtarisht si ‘Fuqi baroti’, është dominuar nga nacionalizmi, nga diktaturat, nga militarizmi dhe politikat e dhunshme. Ballkanit, këtij mjedisi historik dhe politik i kanë munguar qysh në krye të herës humaniteti, iluminizmi, moderniteti, demokracia, e drejta ndërkombëtare dhe diplomacia. Këto vlera të munguara kanë krijuar mure ksenofobie ndërmjet popujve të Ballkanit.

Në kohët tona sfida më e madhe e Ballkanit është të shembë muret e ksenofobisë, frikës, urrejtjes dhe armiqësisë dhe të krijojë një mjedis human, të iluminuar, demokratik, komunikativ, ku të dominojnë bisedimet, dialogu dhe negociatat si rrugët e vetme më të mira, më të lira, më eficente, më të zbatueshme dhe më afatgjate.

Ballkani ka shumë histori, por pamjaftueshmërisht ka nxjerrë mësime prej saj. Kujtesa Ballkanike duket akoma dritëshkurtër. Shkolla e historisë në Ballkan nuk ka dhënë shumë mësime për të mos u përsëritur. Memoria Ballkanike është ende e dominuar nga politizimi i historisë. Ndërsa e sotmja Ballkanike vuan nga historizmi i politikës. Në Ballkan historia dhe politika i përzihen me njëra-tjetrën, duke manipuluar të vërtetat historike të së shkuarës dhe duke mbajtur peng zhvillimet politike të së sotmes.

Historia Ballkanike sjell më shumë drithë seç mund të bluaj mulliri i këtij Rajoni. Politika Ballkanike ka më shumë oreks për të ngrënë sesa dhëmbë për të bluar ushqimin. Në Ballkan, e kaluara mban peng të sotmen. E sotmja mban peng të ardhmen. Në Ballkan historia dhe politika krijojnë një paradigmë. Kjo paradigmë kryqëzon diplomacinë. Kryqëzimi krijon boshllëk diplomatik. Kur diplomacia mungon, paqja, stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti janë në rrezik. Ballkani vijon të mbetet në rrezik, sepse diplomacia e tij është ende e kryqëzuar nga historia dhe politika.

Diplomacia e munguar në Ballkan është kërcënim për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin. E thënë ndryshe Ballkani ka nevojë për Europianizim në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Europianizim do thotë paqja të mënjanojë luftërat, stabiliteti të shmang krizat, demokracia të dominojë regjimet, prosperiteti të lumturojë qytetarët. Për këtë Ballkanit i nevojitet më shumë se kurrë diplomacia. Diplomacia si kulturë qytetare, si vlerë shoqërore, si mendim, sjellje dhe qëndrim politik, si zgjidhje institucionale dhe si marrëdhënie ndërkombëtare.

Libri ‘BALLKANI-Diplomacia e munguar’ është ndërtuar në tre pjesë: Pjesa e Parë përmban artikuj dhe intervista mbi historinë dhe marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë dhe Shqiptarëve me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe më gjërë. Në mënyrë të vecantë tërheqin vëmendjen bisedimet Kosovë-Serbi dhe skenari për ndarjen e Kosovës nën ‘arsyetimin’ kontravers të shkëmbimit territorial; dilema e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi; negociatat Shqipëri-Greqi për delimitimin e kufirit detar dhe marrëveshje të tjera; kriza dhe zgjidhja Greqi-Maqedoni dhe impakti i saj në Rajon; dinamikat gjeopolitike mbi Ballkan nga hapsira Euro-Atlantike dhe fuqi të tjera globale dhe rajonale jashtë saj; sfidat e integrimit të Ballkanit në BE dhe NATO, problemet e diplomacisë në Shqipëri e Kosovë etj.

Në pjesën e dytë, libri përmban një zhanër mjaft të rrallë për botimet tona: aforizma. Bazuar në dituritë teorike, në përvojën personale si dhe në stilistikën e zhanrit të aforizmave në letërsinë botërore, në libër janë dhënë rreth njëqind aforizma të autorit, të lidhura më së shumti me politikën, strategjinë, median dhe diplomacinë. Aforizmat e autorit të këtij libri përbëjnë një nga risitë unike në botimet tona, ku mendimi filozofik dhe shkrimi akademik shprehet me një stilistikë artistike dhe publicistike.

Në pjesën e tretë, libri përmban dy studime akademike të autorit, një për 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe mësimet që rrjedhin prej saj për mbarë njerëzimin e posaçërisht për Ballkanin nga ku kjo luftë filloi, dhe një studim tjetër për albanofobinë te fqinjët, si sfidë diplomatike e Shqiptarëve në Rajon.

‘BALLKANI-Diplomacia e munguar’, e autorit Lisen Bashkurti vjen në një kohë kur Ballkani përjeton një tranzicion kompleks dhe të vështirë brenda çdo shteti, në marrëdhëniet rajonale, në proceset e integrimit European dhe Euro-Atlantik sikundër po përballet edhe me tendenca pranish dhe ndikimesh gjeopolitike të fuqive të tjera globale dhe rajonale me interesa të ndryshme dhe të kundërta me Europianizmin dhe Euro-Atlantizmin.

Marrë nga: https://www.epokaere.com/ballkani-diplomacia-e-munguar/



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT