Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Lamtumirë Profesor Skënder Gashi

| E diele, 07.07.2019, 02:35 PM |


LAMTUMIRË PROFESOR SKËNDER GASHI!

Nga Hazir MEHEMTI, Vjenë

Shpesh nuk gjendën fjalë, as sot këtu në Vjenën e profesorit të respektuar Skënder Gashi.  Dhe, para të vjen rruga e përpjekjeve tona drejtë lirisë e cila nuk arrihet pa dije, mësim e trimëri, Aty edhe Profesor Skënder Gashi. Aty Jokli, Çabej, Mosi, Poradeci, Pekmezi, Basho, Korça, aty Djalëria, Vëllazënja, Albania... Dardania...

Rruga nuk ishte e lehtë, auditorët e shkencës vareshin në peshën e madhe të  detyrimit kombëtar drejtë lirisë me pendë e miqësi. Ai këto i bëri realitet.

Në Vjenën e shkencës, kulturës aty ku e priste porosia e Madhe e mësimit shqip në Katedrën e rrallë në kontinent, e priste porosia e vëllait për nesër, e Dr. Gjergj Pekmezit që nga pranvera e tretë e shekullit që lëmë, përplot 35 pranvera të fjalës shqipe. Dr. Pekmezi shkoi papritmas, shkoi tani edhe Prof. Skënder Gashi papritmas, por fjala dhe mësimi shqip mbesin porosi moteve.

Mendjen e zërin e respektuar e thërret  Atdheu, e thërret  liria. Atdheut i duhen miq, të ri e të vjetër, i duhet dora e Vjenës ashtu si dikur!

Profesori kishte bërë miq për Kosovën.

Shumë.

Emri i tij ishte bërë synonim i shqiptarit intelektual në Vjenë dhe më larg. Prof. Skënder Gashi

E njihni Prof.Gashin? Ishte pyetja e parë e kontaktit shqiptar me Vjenën.

Po, e njohim, e njihnim veprën e tij.

Ishte kjo  gjithherë  sapo takoje  intelektual vendor dhe rrethet e tyre. Kjo të bënte gjithmonë krenar dhe shpresa rilindte.

Po, kush nuk e njeh profesorin! Thoshin shumë nga ata dhe fillonin të tregonin për punën e tij në Katedrën e Gjuhës, për studimet e tij me rëndësi, për familjen e tij, kontaktet e tij me Atdheun.

Ai kishte bërë emër intelektuali shqiptar në Vjenë në fundshekullin e njëzet trashëgimtar i intelektualëve të mëdhenj të fillimit të tij.

Profesor Skënderi u gjend në Vjenë, aty ku miqtë shtrinë dorën e ndihmës mu atëherë kur ishte nevoja. Tani ai ishte bërë zëri i Kosovë në Radio Austria mu në momentin e duhur, atëherë kur shqiptarët dëboheshin nga shtëpitë e tyre, vritej jeta dhe armiku tregonte dhëmbët e ujkut të vjetër për të fundit herë.

Shtëpia e tij ishte bërë seli e aktiviteteve, adresë për miq e vëllezër, dhe s’mund të thirrje Vjenën pa emrin e tij, Prof. Dr.SkendërGashi.

Dekorimi i Juaj , për merita pas kalimit në amshim është pak, është jashtë syve tuaj, përjetimit tuaj, por, JU nuk punuat për lavde formaliteti e grada kancelarish. Vepra e juaj do shndritë moteve në altarin e historisë së shqiptarëve gjithandej ku janë. Kurse, neve në Austri e diasporë na bëre gjithmonë krenar që të patëm.

Sot Atdheut ju shkëput një yll i cili nuk do të shuhet kurrë brezave!

Faleminderit për të gjitha, Profesor Skënder Gashi!

Prehuni i qetë në dheun e tokës mëmë!

Lavdi moteve shqiptare!

4 korrik 2019