E enjte, 25.04.2024, 03:44 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Historianët grekë gjejnë provat për luftën: Çamët s’na tradhtuan

E merkure, 01.10.2008, 04:10 PM


Nga Marko Caka /Athinë

Roli i çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ka hapur një debat të fortë në Greqi. Këtë radhë, çamët, ndryshe nga sa trumbetohej mediatikisht dhe ndoshta politikisht, janë vlerësuar pozitivisht nga historianët grekë. Sipas fakteve të reja historike, roli i tyre gjatë luftës italo-greke nuk përkufizohet më me tradhti, duke i dhënë një ngjyrë tjetër të gjithë historisë. Gjithçka ka nisur nga dokumentari i televizionit "SKY". Për herë të parë ky televizion ka zbardhur me pamje filmime dhe dokumente të pazbuluar, historinë e vërtetë të luftërave të Greqisë që nga viti 1897 deri në luftën italo-greke të vitit 1940. Televizioni kombëtar i profilizuar te dokumentarët ka bërë një përmbledhje me fakte dhe dëshmi të pazbuluara ndonjëherë nga dëshmitarë okularë dhe historianë të rëndësishëm, në serialin "Ne grekët". Bëhet fjalë për dokumente që zbardhen për herë të parë me dëshmi, rrëfime dhe komente të personazheve të këtyre ngjarjeve dhe studiues të historisë. Kryeredaktori i televizionit, Mihalis Kacigiras, që ndërtoi dokumentarin e parë historik të Greqisë, tregon disa nga zbulimet kyçe. "Materialet e grumbulluara dhe që do t'i shfaqen për herë të parë publikut grek nga televizioni më i madh për filmat dokumentarë (i ngjashëm me Discovery) janë marrë në vendet ku kanë ndodhur ngjarjet historike, mbështetur nga faktet e dëshmitë dhe jo nga hamendjet që janë publikuar deri tani të prodhuara në bazë të interesave të caktuara në periudha të caktuara". Në lidhje me këto hamendësime, Mihalis Kacigiras shprehet ekskluzivisht për "Panorama", se "në bazë të zbulimeve të reja dhe materialeve të grumbulluara në dokumentar për periudhën e pushtimit grek nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, çamët nuk përmenden si tradhtarë të vendit. Kjo tregon që kamera e "Sky" e ndodhur në vendet ku janë zhvilluar këto ngjarje, ka filmuar të gjitha rrëfimet e personazheve që kanë marrë pjesë në këtë histori si dhe studimet e historianëve më të shquar grekë dhe që nuk e kanë cilësuar në asnjë vend se çamët ishin bashkëpunëtorë të okupatorit". Sipas Kacigiras: "Teleshikuesit grekë do të kenë mundësinë të ndjekin për herë të parë të vërtetën e historisë së luftërave greke gjatë periudhës 1897-1940 nëpërmjet dokumentarit të titulluar 'Ne grekët' të përmbledhur në 12 episode". Premiera që nisi që më datë 29 shtator dhe që do shfaqet çdo të hënë, ka disa javë që është vënë në publicitet në televizion dhe në radiot greke, si një eveniment ku teleshikuesit do të mësojnë për herë të parë historinë e vërtetë të këtyre periudhave që kanë shënuar historinë e Greqisë. Sipas Kacigiras, që shprehet për herë të parë për një media shqiptare, "dokumentari do të publikojë për herë të parë dhe fotografi të rralla, dhe filmime të papublikuara ndonjëherë, të cilat të ndihmuara nga përdorimi i teknologjisë bashkëkohore do të zbardhin të vërtetën mbi atë që ndodhi në Greqi gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ku deri tani çamët janë cilësuar si bashkëpunëtorë të okupatorit dhe në dokumentar cilëson të kundërtën". Ndihmuesit e këtij seriali të rrallë dokumentar janë disa studiues të rëndësishëm të historisë moderne greke, të cilët garantojnë historinë e vërtetë si dhe zbardhjen e shumanshme të ngjarjeve të paraqitura. Sipas tyre, dokumentari shfaq periudha të rrëqethshme me plot fitore heroike, me humbje shkatërruese dhe me përplasje diplomatike, ku në disa raste e çojnë Greqinë në histori të errëta, në buzët e shkatërrimit dhe në momente të tjera që shkruan për faqet e ndritshme të historisë së saj. Por për nacionalistët grekë, ky dokumentar është kthyer në një herezi. Në shumë faqe interneti ka reagime nga qarqe nacionaliste ekstremiste greke, që për t'iu kundërvënë të vërtetës së këtij dokumentari të rrallë, të bazuar me fakte kanë krijuar faqe web me parulla patriotike. Në këto faqe shprehen hapur mendimet antishqiptare dhe thirrje të forta për Vorio-Epirin. Ky dokumentar vjen pas simpoziumit të parë në muajin shkurt të këtij viti në Universitetin e Athinës, ku për herë të parë historianët e njohur grekë dhe pedagogë të historisë së Fakultetit të Padios, pranuan publikisht gjenocidin ndaj çamëve dhe se minoritarët ishin bashkëpunëtorë të okupatorit dhe jo çamët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora