E enjte, 18.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Mendime

Krimet e Nexhmije Hoxhës fillojnë nga vrasja e Qemal Stafës e deri te vizitat e Aldo Bares në burg

E merkure, 01.10.2008, 04:46 PM


Nexhmije Hoxha
Nga Gazeta 55
 
Lady Makbeth, e zeza e përjetshme e këtij vendi

-Pse N.Hoxha nuk foli para teleshikuese për krimet e shumta të saj.
-Pse nuk foli mbi karakterin e vizitave të Aldo Bares kur ajo ishte e burgosur
-Po liria demokratike a mund të shpërdorohet nga fondet e zeza
-Nexhmije Hoxha nuk mund të mbrojë as krimet e të shoqin dhe atë që ka lënë pas ai
-Krimi i Enver Hoxhës mbi Syrja Selfon dhe pafytyrësia për ta pranuar këtë krim
-Si akuzon Lef Nosin për 4 shkurtin 1944 kur ai nuk ka qenë fare në Tiranë
-Mos ardhtë dita kurrë të të lavdërojë Lady Makbeth e Shqipërisë
-Si e mbron akoma Miladin Popoviçin e UDB-së dhe sulmon shqiptarin Haki Taha si të UDB-së

Me gjakftohtësinë e një vrasëse profesioniste, e veja e diktatorit komunist Enver Hoxha, tregoi edhe njëherë përpara teleshikuesve të një televizioni se mbetet edhe në këtë moshë stacioni i përhershëm i një falsikatoreje të historisë ku trumbetohen propagandë e revansh. Për një person të mbushur me mëkate të një periudhe të gjatë nga koha e luftës e deri në ditët e demokracisë, do të ishte e mirëpritur një falje. Por i mbrapshti po i mbrapshtë mbetet. Qysh nga koha kur vritej Qemal Stafa, e deri e në ditët kur Aldo Bare bënte vizita në burgun e Nexhmije Hoxhës kanë kaluar gjitha ato ngjarje që meritonin vëmendje nga shqiptar. Ishin disa vite të shkuara kur me negocimin e një funksionari të lartë të Partisë Socialiste i movonnjohuri si “Aldo Bare” të përdorej si truproje i kryetares së Frontit Demokratik, të vejës së zezë të Enver Hoxhës. Siç shihet problematik shfaqet ajo në të dy kohët, në diktaturë dhe në demokraci.
E gjitha ajo që u tha shikuesve nuk ishte gjë tjetër vetëm një vazhdim i mashtrimit 45 vjeçar, derdhje e helmit dhe e urrejtjes.

Enveri “luftëtar”?

Është tallje e madhe të vazhdosh ta imagjinosh Enverin se luftëtar apo komandant. Një njeri që nuk njohu as fizkulturën në jetën e vet, një frikacak që nuk pati burrëri as për njerëzit e fisit të vet nuk mund të imagjinohet si “luftëtar” e “komandant”.
Si për ironi femra që ishte shpirti dhe veprimi i zi i të shoqit, vazhdonte të kërkonte për Enver Hoxhën statusin e veteranit të luftës, kur në fakt ky “status” duhet t’i njihet së bashku me shokët Miladin dhe Dushan, për kontributin e madh të vrasjes dhe masakrimit të shqiptarëve në vitet e luftës civile. Në ka gjë që nuk do t’i shkonte në këtë botë Enver Hoxhës do të ishte ajo e “komandantit”. Mund ta shikosh Enver Hoxhën në të gjitha foto e luftës me prapanica të kthyera nga aparati fotografik. E gjitha periudha e qëndrimit të Enver Hoxhës në mal vetëm luftë nuk ka qenë. Mundohuni t’i gjeni një foto në luftë Enverit. Po t’i heqësh rrobat ushtarake do ta kujtosh se është në piknin ose vende “teferiçe”, ku dihet se çfarë bëhet. E vetmja “luftë” që nuk i duhet mohuar Enverit është dhënia e direktivave për të masakruar çdo shqiptarët me njëri – tjetrin.

Nexhmija “mohon” ato që ka pohuar Enveri

Për N. Hoxhën, kemi Miladin të mirë dhe Dushan të keq. Ajo nuk e quan Enver Hoxhën gjetje të jugosllavëve. Mirëpo vetë Enver Hoxha sipas dokumenteve të Arkivit të Partisë së Punës thotë të kundërtën në të ashtuquajturin plenum të Beratit në nëntor 1944.
Në plenum ka folur Sejfulla Malëshova mbi situatën politike (fjala e të cilit ka humbur); për vijën politike ka folur Enver Hoxha dhe për çështjen organizative ka folur Koçi Xoxe Enver Hoxha për rrethanat e krijimit të PKSH-së ka thënë se për gjithçka që kishte ndodhur kishte meritë e faj Miladin Popoviçi dhe se të gjithë ata ishin pasqyrë e tij. Sipas tij, sektarizmi i Popoviçit kishte qenë shumë i madh (AQSH. “Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës...”, faqe 11, 28 – 29). Për zonën e Vlorës, Hoxha ka thënë se atje kishin punuar Dushan Mugosha, Hysni Kapo e Liri Gega, ndërsa në veri parulla kishte qenë “o me ne o kundër nesh” (po aty, faqe 30 –31). Ai përmend vrasjet e bëra nga komunistët vend e pa vend, ndihmën e madhe të PKJ-së (po aty, faqe 33).
Enver Hoxha duke rimarrë fjalën ka thënë se çështjet i shikonte më mirë në atë moment që po bënte autokritikë, duke vazhduar se kishte qenë vetëm një simpatizant i Grupit Komunist të Korçës dhe se besimi te Miladini e Dushani ishte i madh. Ai pranon se në çdo hap pranë tij ishte Miladini. Se në konferencën e marsit 1943 ai ishte i pëlqyeri i Miladinit dhe se ky kishte besim të madh tek Hoxha. Ai i formalizon si mbledhjen e Pezës ashtu edhe formimin e shtabit ku ishe bërë komisar politik, pa ditur gjë nga kjo detyrë. Edhe në pyetje – përgjigjet, Enver Hoxha thotë se KQ, ai vetë e Byroja Politike ishin zgjedhur nga Miladini dhe se ata nuk dinin asgjë se ç’ishin strukturat politike të partisë. Në plenum doli se PKSH kishte pasur gjatë luftës një vijë terroriste e cila ishte, sipas Enver Hoxhës, më e theksuar tek Dushani, Miladini e Liri Gega. Hoxha e quante veten një pasqyrë të Miladinit dhe pohoi se ishte hija e tij (po aty, faqe 152 - 163).
Mbledhja u ndërpre për shkak se më 28 nëntor qeveria duhej të hynte në Tiranë.
Si duket edhe sot Nexhmija ka frikë nga Dushani.

Miladinin e UDB-së e vrau UDB-ja (?!)

Për shkak të mashtrimit që u bëri shqiptarëve Miladin Popoviçin, këtë serb injorant që magjeps edhe sot Nexhmije Hoxhën, e vrau shqiptari nacionalist Haki Taha, një i ri i edukuar në Normalen e Elbasanit. UDB-ja nuk kishte asnjë arsye të eliminonte njeriun e vet që i kishte sjellë aq shërbime asaj duket përcaktuar piramidën e pushtetit në vend.
Vetë Miladini si ustai që përcaktoi piramidën e pushtetit në Shqipëri dhe si serbomadh që nuk duronte fjalët “Shqipëri etnike”, i shërbente UDB-së sepse pjesë e saj ishte. Mesa duket Nexhmija si adhuruese e tij nxjerr më shumë se kurrë se kujt i përket ajo vetë. Ai “shqiptari i Ballit” që vrau Miladinin nuk vrau gjë tjetër veçse një serbomadh që dhimbset edhe sot Nexhmije Hoxhës.

Enveri një servil i Titos dhe varosës i Shqipërisë

Enver hoxha ishte aksidenti më i madh në gjysmën e dytë të jetës së shtetit shqiptar. Për të mos u zgjatur shumë në këtë pikë, mjafton të kujtohet fakti se Shqipëria e pas 1944-s ishte vendi më i pasur në Ballkan me rezerva ushqimore, monetare dhe industriale. Vetëm bashkimi doganor dhe monetar me Jugosllavinë, shkaktoi një kaos ekonomik, përpos atij politik. Sa flori iu mor me forcë qytetarit shqiptar nga regjimi i Enver Hoxhës. Sa mallra shqiptare kaluan në Jugosllavinë e Titos dhe sa dinarë mbetën në duar të shqiptarëve pas vitit 1948?
Ku ishte Enveri kur më 2 prill 1945, u vranë mijëra shqiptarë në Tivar? Kur paraqiste programin e vet para Kuvendit Popullor, më 22 mars 1946, Enver Hoxha deklaronte:
“Nga miqtë më të afërt për popullin tonë janë popujt e Jugosllavisë. Miqësia në mes nesh dhe Jugosllavisë lindi në kohët më kritike nga kalonin kombet tona dhe në përleshje kundër fashizmit, populli ynë gjeti shokët dhe miqtë nga më të sinqertët që i dhanë dorën dhe e ndihmuan pa kursim. Miqësia dhe vëllazërimi që na lidh me popujt e Jugosllavisë do të jetë e përhershme e janë vitale për popullin shqiptar, për independencën e pavarësinë e tij. Miqësia që na lidh me Jugosllavinë është nga ato miqësi të rralla dhe të sinqerta që ndihmojnë aq shumë popullin tonë dhe e nderojnë dhe e respektojnë independencën dhe sovranitetin e Shqipërisë. Jugosllavia e madhe e mareshalit Tito dhe Shqipëria jonë e vogël kanë gjetur rrugën e demokracisë së vërtetë dhe të shëndoshë e janë bërë faktor i madh i paqes në Ballkan dhe në Europë dhe njëkohësisht shtylla e vëllazërimit ballkanik”.
I ashtuquajturi raport “pragmatist” i Enverit nuk ishte gjë tjetër veçse rastësia e 1948-s, konflikti rastësor i Stalinit me Titon. Vetë Nexhmije i di mirë këto punë se ka qenë edhe anëtare e shoqërisë së miqësisë Shqipëri – Jugosllavi që vendosi gjuhën serbe në shkollat shqiptare.

Enveri kishte frikë nga Koçi (?!)

Nexhmija vazhdoi të tregojë përrallën mbi “grupin e Koçi Xoxes” sikur Enver nuk kishte gjë në dorë dhe se Koçi po e vinte përpara. Koçi në gjyqin e tij i ka pohuar të gjitha se nuk ka bërë asnjë veprim pa urdhrin e “komandantit”. Nga ana tjetër dihet se dënimi i Koçit ishte direktivë e ardhur nga Stalini për të goditur titistët në gjitha vendet e lindjes. Por nëse zbatohej ky kriter, për Shqipërinë lista duhet të fillonte nga Enveri e të vazhdonte nga Koçi, Bedriu, etj, që nuk ndryshonin nga njëri – tjetri për raportin me Jugosllavinë.
Po të lexosh gjyqin e Koçi Xoxes, ku Nexhmija ka qenë dëgjuese në sallë, do të marrësh vesh se të gjitha aktet e bëra nga Koçi Xoxe ishin bërë me urdhrin dhe bekimin e “komandantit”. Koçi Xoxe ishte vetë një shërbëtor i bindur i Enver Hoxhës ose më mirë me thënë një enver i vogël. Duheshin 100 koça që të bëhej një enver i Enver Hoxha.

Lef Nosi “terrorist”

Për tipa si Nexhmije Hoxha, albanologë si Lef Nosi është e lehtë të etiketohen si “terroristë”. Bile ajo tha se Lef Nosi ka drejtuar vrasjet e 4 shkurtit 1944 dhe se ajo (Nexhmija) i paska parë në Tiranë. Një mashtrim i kulluar. Po të lexosh gjyqin ndaj Lef Nosit do të kuptosh se Lef Nosi ka qenë në Elbasan ato ditë dhe nuk ka qenë në Tiranë fare. Nga e pa pra Nexhmija, Lefin në Tiranë? Nga ana tjetër dihet se 4 shkurti ka qenë “punë shqiptarësh” e nuk kishte të bënte fare me gjermanët. Po komunistët e Nexhmjes sa “4 shkurta” bënë në ato vite dhe veçmas në tiranë në tetor – nëntor 1944? Këtu nuk përgjigjet Nexhmija.

Pendesa e vonuar ndaj Syrja Selfos

Mjafton vetëm rasti i Syrja Selfos për të marrë me mend se çfarë vrasësi profesionist dhe mosmirënjohësi ka qenë Enveri. Selfo u pushkatua në “grupin e deputetëve”. Enveri pretendon në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re” se Koçi ia kishte vrarë shokun e tij. Gënjeshtra e Hoxhës shkon deri aty sa edhe thotë se kishte parë firmën e Syrja Selfos në hetuesi. Në fakt firma e Syrja Selfos nuk i ngjan tjetrës. Shoku i Enverit, ishte torturuar aq shumë sa nuk kishte sesi të nënshkruante me firmën e tij origjinale. Pastaj kjo “pendesë” e Enverit nga viti 1947 shkoi deri në vitin 1984. Në pleqëri të thellë, Enveri vërtet qau kur i erdhi një letër, por nuk mund ta kthente jetën e Syrja Selfos. Pastaj pse kaq gjatë për të kuptuar se ia kishte bërë Koçi Xoxe këtë veprim.
Është fakt se Enver Hoxha krahas mizorive të shumta që kreu mbi popullit shqiptar u shqua edhe për ushtrim gjenocidi edhe ndaj miqve apo shokëve më të afërt që ai kishte. Duke qenë jo vetëm një inatçi i vogël, por më tepër një hakmarrës i madh, i frymëzuar nga e keqja deri në përmasën më të pabesueshme të saj, mbi rrethin shoqëror që e pat njohur lëshoi goditje të njëpasnjëshme. Të kishe njohur në vitet ’30 Enver Hoxhën ishte vërtet një rrezik i madh. Mirëpo me kalimin e viteve, në pleqërinë e thellë të tij, Enver Hoxha filloi të ndjente, ndonëse pak, mëkatet që kishte bërë në të kaluarën. Në një nga këto raste, ai përmend edhe pabesinë që ka bërë ndaj shokut të tij Syrja Selfo. Në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, botuar në Tiranë në vitin 1984, Hoxha shkruan se dënimi i Syrjait ishte punë e Koçi Xoxes për ta ndarë dhe armiqësuar me shokët e tij. Hoxha me “pendesë” shkruante se i kishte thënë Koçi Xoxes t’i sillte firmën e Syrjait pasi nuk ishte e mundur. Gjoja Hoxha kishte parë firmën dhe ishte bindur që ishte e Syrjaiut. Pavarësisht nga kjo në vitet pasuese, kur Hoxha kishte ndjerë “pabesinë” e Koçi Xoxes, Syrjai nuk u rehabilitua ndonjëherë. Mirëpo për kohën nuk ishte e mundur të bëhej ballafaqimi i deklarimeve i dosjes hetimore-gjyqësore me thëniet e Enver Hoxhës. Tanimë kjo mund të bëhet. E vërteta është në anën e kundërt me Enver Hoxhën, i cili nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtar. Syrja Selfo është torturuar mizorisht aqsa nënshkrimi i tij është kontradiktor nga dhuna dhe me dorë të dridhur nga mosaftësia fizike e shkaktuar nga teknikat e Sigurimit të Shtetit.
Në librin “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, E. Hoxha shkruan:
“Dhe ja ku, krejt papritur, më vjen Koçi Xoxe e më thotë se Syrjai na qenkësh implikuar për “rrëzimin e pushtetit popullor”! Tronditjes dhe kundërshtimit tim të hapur Koçi Xoxe aty për aty iu përgjigj me “gjakftohtësi”:
- Ka deponuar vetë. Ka pohuar çdo gjë dhe ka firmosur!
- Më sillni procesverbalin e tij, se unë ia njoh firmën.
Ma solli, e lexova dhe e pashë se ishte firma e Syrjait. U mendova dhe i thashë Koçit:
-Mos e kanë torturuar?
Koçi më bëri be e rrufe:
-Në asnjë mënyrë. Ne me vendim të Byrosë e kemi ndaluar torturën.
-Mirë, - i thashë, - të shkojë në gjyq, le ta gjykojë gjyqi dhe të zbatohet vendimi i gjyqit.
Më vonë, kur u zbulua tradhtia e Koçi Xoxes dhe e jugosllavëve, dolën në shesh të gjitha poshtërsitë e tyre, u gjetën edhe dosjet që përgatitnin në Ministrinë e Punëve të Brendshme për mua e për të tjerët. Çështja e Syrja Selfos e ndonjë tjetri nuk ishte veçse një kurth për të më komprometuar, duke arrestuar miqtë e mi, duke i torturuar këta për vdekje për të pranuar dhe për të firmosur ç'u diktonte grupi i Koçi Xoxes dhe i jugosllavëve”.
Kur doli “tradhtia” e Koçi Xoxes (më 1948) dhe kur u zbulua e “vërteta” (më 1984).

Popullsia e Shqipërisë duhej të ishte 4 – 5 milion

Nexhmija i atribuon regjimit meritën e rritjes së popullsisë, duke përmendur këtu statistikat. Nëse Shqipëria shkoi me rritje natyrore deri 3 milionë vetë, në regjim tjetër kjo shifër duhej të ishte 4 – 5 milion, po të liheshin rehat e të mos burgoseshin, internoheshin, shqiptarët. Po të ishte në vend ajo popullsi që u detyrua të largohej nga vendi, me siguri do të ishte një popullsi shumë më e lartë. Nga trungu kombëtar u shkëput një pjesë e rëndësishme e popullsisë, në pjesë të madhe dhe elitare.
Burgjet e diktaturës ishin një zë që nuk prekeshin fare në intervistën e Nexhmijes. A kishte apo vrasje intelektualësh gjatë diktaturës së Enver Hoxhës? Apo i mbylli Koçi të gjitha. Pas Koçit Kadriu, Feçori, etj. Vetëm Enveri nuk dinte gjë kur bëheshin krime. Por dinte vetëm kur bëheshin sukseset.

Treshja bujqësi – naftë – kulturë

Përveç dështimit politik, Shqipëria nën Enver Hoxhën ishte një dështim i madh ekonomik dhe ekologjik. Dëmet që ka lënë ai regjim mund të kërkojnë ndoshta edhe 100 vjet të rikuperohen. Në dhjetëra raste ndërtimet e kota industriale kanë krijuar dëme të pariparueshme ekologjike. Por Nexhmija quan sukses treshen bujqësi – naftë – kulturë. Bujqësia e kolektivizuar ishte dështim i madh. Jo vetëm që nuk siguroi nevojat kryesore në vend, por ngriti një sistem bujkrobërie. Nafta e konceptuar sipas “grupeve të naftës”, ishte një teatër tragjik që të paktën Nexhmija nuk duhej ta zinte në gojë. Ndërsa për kulturë sovjetike që e filloi me dënimin e inteligjencës dhe me goditjen e asaj që prodhoi vetë regjimi as që bëhet fjalë. 5-vjeçarët ishin dështim i madh i asaj periudhe kur Shqipëria merrte çmime meksikane për ushqimin nga njëra anë dhe nga ana tjetër nuk kishte me se të ushqehej. Nuk po vazhdojmë me tallonat apo 1 kilogram mish pule në muaj. Ajo që i ndodhi shokut të saj Fadil Paçrami ishte shumë e trishtueshme. Burgu i Fadilit nuk kthehet me ato që tha mbrëmë Nexhmija.

Dosjet e spiunëve

Nëse Nemxhmije Hoxha flet për “hapje dosjesh” duhet të thotë së paku se dosja e parë që duhet hapur është ajo e Enver Hoxhës, dosjes më të zezë që nuk kapërcen asnjë lloj dosje tjetër për botën shqiptare. Të gjitha të tjerat bëhen kot para kësaj.

“Burgu” i Nexhmijes duhej të ishte burg komunist

Nexhmije Hoxha përfaqësuese e sistemit të burgjeve flet edhe për burgun e vet që e vlerëson, ndërsa nuk e përfill burgjet e të tjerëve. Të mos harrojmë se kur ajo u burgos, kërkonte tharëse flokësh në burg, ndërsa të burgonit e kohës së saj futeshin në arkivol, liheshin në ujë të ftohtë, rriheshin ditë e natë, etj. Në fakt mirë do ishte që Nexhmija të bënte një burg komunist e t’i provonte këto gjëra. Në burg duhej të jepte llogari para operativit e komandës, të pastronte mirë banjon dhe sendet e veta. Pas burgut do ishte mirë të bënte një internim në Shtyllas ku të punonte në kooperativë, të shkulte panxhar apo të mbillte qepë e të banonte në ndonjë barakë të bërë me kallamishte ose teneqe fuçish. Pasi të ndodhnin këto gjëra, vërtet Nexhmija do ishte “viktimë e luftës së klasave” dhe ndoshta nuk do ishte komuniste.

Nexhmija, krim i gjallë i komunizmit

Nexhmije Hoxha vetë është një krim i gjallë i komunizmit. Është gjysma e kokës që i ka shkaktuar këto krime. Ajo vazhdon të shkruajë libra në mënyrë që të vazhdojë të bëjë krime, tashmë të karakterit propagandistik për mbrojtjen dhe përhapjen e të keqes. Kur Këshilli i Europës kërkon dënimin e krimeve të komunizmit, Nemxhijes i duket se nuk ka ndonjë problem. Problem i madh për të janë ato kanale të shtrembëta apo ndonjë kombinat e fabrikë idiote nga ato të socializmit ku harxhoheshin 5 dhe fitoheshin 1.
Së paku Hoxha pranoi se Mehmet Shehu ishte vrarë dhe nuk ishte “vetëvrarë”.

Sulmet e Nexhmijes, lartësim për njerëzit

Gjatë lëshimit të helmit të saj, Nexhmija sulmoi jo pa qëllim 3 njerëz. Sali Berishën, Ismail Kadarenë dhe Fahri Balliun. Me fyerjet e saj i ka lartësuar të tre sepse mos ardhtë dita kurrë të të lavdërojë Nexhmije Hoxha. I pari është lideri historik i përmbysjes së komunizmit dhe kryeministri i ndërtimit të Shqipërisë. I dyti është shkrimtari më i njohur shqiptar sot në botë. I treti është shkrimtari dhe botuesi që me librat e tij ka zbërthyer më mirë nga të gjithë ndër të tjera edhe mizorinë e regjimit komunist e të vetë Nexhmije Hoxhës.

 

Letra e Nexhmije Xhuglinit dërguar Dushan Mugoshës:

7 maj 1944

I dashur shoku Dushan

Me keqardhje të madhe mora vesh largimin tënd nga Shqipnija. Veçanërisht me erdhi keq që nuk mundëm të takohemi para se t’ikje. Megjithë se kemi ndenjë pak kohë bashkë, e ndjej mungesën tënde në mes tonë, ashti si edhe shokët tonë më të afërt.
Sigurisht do të kujtojsh jo vetëm kohën që jetove dhe bashkëpunove gjatë këtyre dy vjetëve e ma, por sigurisht do të marr malli dhe për malet dhe fushat e Shqipëris që i lave me djersë dhe që u pive dhallën apo jo?
Jo vetëm ne, por i gjithë populli shqiptar, do të të ketë një mik të dashur të tij e sigurisht kur të sjellë rasti të kthehesh ndonjëherë, në vendin tonë do të shohësh se me punë, do të shpërblejë atë që. Sigurojmë me bindje të plotë se do të shtojmë, gjithnjë hovin punës, që të formojmë e naltësojmë partinë tonë dhe t’i sigurojmë edhe popullit tonë pushtetin e tij.
Vetëm kështu do të shpërbljemë dhe ndihmën tuaj të vlefshme.
Dushan, thuaji shokëve të Jugosllavisë se shokët shqiptarë ndjekin me besim hapin e tyre dhe kërkojnë çmos që të ndjekin edhe shembullin e tyre heroik. Thuaj që gjithë populli shqiptar ndjen për popujt e Jugosllavisë dhe për luftën e tyre, një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqnore. Mos na harro. Po të mundesh na kujto me ndonjë copë letër. Udhë e mbarë dhe u pjekshim për së shpejti në botën e lirë.
Të fala shoqnore Nexhmija
(Vladimir Dedijer “Il sangue traditto”, 1949, faqe 208 – 209).

Letra nuk ka vend dërgimi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora