E shtune, 20.04.2024, 12:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Eli Bici: Në thelb të filmit është jeta shqiptare, drama e familjes, e vajzave tona, e pensionistëve, e punonjësve

E merkure, 01.10.2008, 03:37 PM


“Dhimbja e dashurisë” do të lehtësojë shumë dhimbje regjisorja e dytë e  filmit

Nga Albert Zholi

Prej kohësh përflitet që në Televizionin Shqiptar do të transmetohet telefilmi “Dhimbja e dashurisë”. Pikërisht për një eveniment të tillë të përmasave të mëdha, I realizuar me shumë mjeshtëri nga personalitete të televizionit shqiptar kemi intervistuar asistent-regjisoren e këtij telefilmi dhe një nga personazhet e tij, Violetën, zonjën Eli Bici, e cila do të na flasë për karrierën e saj të gjatë artistike, por dhe do zbulojë shumë  aspekte të këtij telefilmi që së shpejti do të tërheqë vëmendjen e adhuruesve të pelikulës shqiptare

Mund të flasim paksa për filmin që keni xhiruar gjatë verës dhe që së shpejti do të transmetohet në ekranin e madh të TVSH-së?

Në të vërtetë është bërë goxha jehonë sepse kanë dalë spotet e serialit televiziv të telefilmit “Dhimbja e dashurisë”. Unë jam regjisore e dytë dhe punoj në krahët e profesorit Ylli Pepo, kam dhe një rol pothuajse kryesor në të gjithë serialin. Është një ndërmarrje shumë e madhe për televizionin si institucion, por dhe për ne profesionistët që vijmë mbas tij.

Pse e quani ndërmarrje shumë të madhe?

Sepse filmi është gjinia më e lartë e realizimit televiziv. Nuk është telenovelë, por serial televiziv që ka pasur vështirësitë e veta dhe ka kërkuar shumë profesionalizëm e mjeshtëri. Filmi ka xhirime jashtë, brenda dhe personazhet janë të ndërthurura me ngjarje dhe linja të ndryshme, në thelb të të cilave është jeta shqiptare, drama e familjes, e vajzave tona, e pensionistëve, e punonjësve. Në këtë telefilm çdo shtresë e shoqërisë shqiptare do të gjejë veten e vet dhe do jetë e përfaqësua në të gjitha nivelet shpirtërore dhe emocionale.

Sa seri do të ketë filmi?

Do të jetë me dhjetë seri me një kohëzgjatje 50 minuta.

Çfarë roli interpretoni ju në telefilm?

-Unë kam rolin e Violetës. Një e persekutuar, që bashkë me burrin e saj në kohën e monizmit kanë qenë në internim dhe kthehen pas ndryshimeve politike në shtëpinë e tyre. Violeta është e martuar me një piktor, njëkohësisht dhe pedagog në Institutin e Arteve, i cili për hir të gruas që ishte mbesë pasaniku u internua. Violeta duke shpresuar shumë tek demokracia, tek koha tjetër,  mendon se do t’i kthehet ajo pasuri që i është përvetësuar në mënyrë të padrejtë dhe është në kërkim të pronave të saja, duke menduar se do përmirësojë në këtë mënyrë jetën e saj dhe më së fundi do jetë e lumtur. Por ekzistenca e saj është një qerthull pa fund. Kontradikta e saj është me ato që e rrethojnë, sepse në çdo zyrë ku ajo shkon për dokumente has në vështirësi dhe rezistencë,  në korrupsionin e pashmangshëm dhe refuzime megjithë dokumentet që disponon. Ndërkohë i shoqi ka mbetur po i njëjti tip, besnik i idealeve të veta si në atë kohë dhe në këtë kohë, i dënuar atëherë  dhe për shijet e veta moderniste, ndërkohë që sot mbetet një njeri stereotip i formimit dhe bindjeve të veta dhe  nuk integrohet dot në realitetin aktual shqiptar. Këtu nis konflikti dhe drama e tyre në çift dhe vazhdon deri në ndarjen e tyre.

Një çift që ka fëmijë?

-Jo. Nuk kanë fëmijë. Por secili prej tyre vazhdon jetën e vet në kërkim të qëllimit që i kanë vënë vetes.

Duke kaluar nga personazhi juaj tek ajo çka bëhet në telefilm. Mund të më flisni pak për personazhet. Sa janë?

-Janë rreth 30 personazhe. Skenari është i Bashkim Kozelit, skenografia e Shkëlzen Kokalarit, stafi tjetër përbëhet nga operator zëri Kristaq Kristo ndriçimi nga Sokol Këndella, drejtor fotografie është Astrit Omeri. Montazhi është bërë nga mjeshtri Andon Beqari,  muzika Pranvera Kati dhe regjisor është Ylli Pepo.

Si ka qenë bashkëpunimi me regjisorin Ylli Pepo?

-Unë mendoj se është një privilegj të punosh me të. Është një shkollë më vete çdo ditë e kaluar pranë tij.

Le të flasim paksa për formimin tuaj. Keni mbaruar për…?

-Unë kam mbaruar për regjisurë në vitin 1983 me pedagogë shumë të nderuar si Esat Oktrova, Pirro Mani dhe Vangjush Furrxhi. Ato i kujtoj me shumë respekt dhe me shumë mall, sepse më kanë mësuar shumë. Kanë qenë dhe mbeten idhujt e mi. 

Punën si regjisore e keni ushtruar për sa vite?

-Kam punuar prej 17 vjetësh si regjisore në teatrin e Gjirokastrës. Mbas asaj  periudhe erdha në televizion duke punuar në zhanre të ndryshme televizive. Së fundmi kam realizuar disa filma dokumentarë, plus emisioneve të zakonshme. Dhe në këtë film  kam pasur fatin e madh të punoj krah Ylli Pepos.

Kush ka qenë drama që ju mbetur në mendje gjatë punës tuaj si regjisore në  teatrin  e Gjirokastrës?

-Në atë teatër unë punova në të dyja kohët, sepse mbarova në 83-in dhe vazhdova atje deri në vitet 2000. I kam lëvruar të gjitha llojet si dramën, komedinë dhe varietenë, por më tepër kam qenë e dhënë mbas dramës. Kam vënë  në skenë shumë drama, por do veçoja vitin 1995 kur kam qenë regjisore e dramës  “Lavirja e denjë për respekt” e Sartrit, e cila u quajt revolucion në Gjirokastër. Kjo për faktin se vetë tema ishte një tabu. Mund të them  me krenari se unë së bashku me trupën e thyem këtë tabu. Është një dramë që është vlerësuar nga kritika. Me të  mora pjesë  në festivalin e teatrove dhe ajo u përzgjodh  për të hapur festivalin. Çmim nuk mori, por rëndësi për mua kishte se merrja pjesë si regjisore, duke qenë dhe e vetmja  femër regjisore në atë festival.

Morët pjesë si personazh në dramë?

-Jo. Sepse ishte vetëm një aktore dhe kishte vetëm 4 personazhe. Liliana Ristani kishte rolin kryesor. Mbetet një dramë shumë e madhe  për mua sepse trajtonte problemin e femrës. Heroina kryesore ishte prostitutë në profesion por  njeri në shpirt. Ndërkohë që në realitetin tonë gjen të kundërtën. Kjo ishte ajo që më intrigoi dhe kam punuar me shumë zell dhe rezultatet kënaqën dhe egon time profesionale.

Krahas profesionit të regjisores keni luajtur si aktore në teatër?

-Kam luajtur shumë. Unë aktrimin e dashuroj shumë, dhe në fakt kam pasur role si në teatër ashtu dhe  disa në kinematografi. Por mos harrojmë se unë jetoja në Gjirokastër dhe pa dyshim që nuk kisha privilegjet e aktoreve apo regjisoreve  që ishin në Tiranë. Provinca ka privilegjet dhe sakrilegjet e veta. Pjesa më e madhe e regjisorëve nuk kërkonte aktorë në provincë por i gjente në Tiranë, ndaj mendoj se shumë aktorë të mirë janë djegur duke jetuar paksa larg kryeqytetit.

Thatë se prej vitit 2000 i jeni përkushtuar televizionit. Një pozicion ku e ndjeni veten më mirë se në teatër?

-Në televizion e ndiej veten shumë mirë sepse kam natyrë shumë punëtore dhe jam kërkuese ndaj vetes. Malli për teatrin më merr shumë dhe vitet e fundit  nuk kam pasur kohë të eksperimentoja në Tiranë. Më rrëmbeu rrjedha  televizionit e para dhe e dyta u dashurova shumë mbas filmit dokumentar. Deri tani kam realizuar 8 filma dokumentarë duke përmendur “Këngët mbi gur”një film i realizuar me klipe ku këngëtarët e rinj të Gjirokastrës këndojnë këngën qytetare,kam bërë një film  për Lunxhërinë, Zagorinë. Kisha shumë gjëra brenda vetes që kam mundur t’i shfaq tani në televizion.

Keni eksperimentuar shumë profesionalisht. Jeni dakord me mendimin se eksperienca si aktore është më e bukur se të qenit regjisore teatri apo dokumentarësh?

-Me profesor Yllin kam pasur dhe një eksperiencë tjetër në një film që nuk është transmetuar në Shqipëri, por vetëm jashtë. E kam pasur profesor në Arte dhe kam pasur konsideratë të veçantë për të. E thashë dhe më sipër që ai është një shkollë e vërtetë e filmit. Ndaj e ndiej si privilegj të punuarit me të. Kur lexova skenarin më pëlqeu roli i Violetës. Mu duk shumë afër si moshë, si gjendje shpirtërore dhe aty e gjeta veten mirë. Më ngjiti si personazh. Për gati 3 muaj sa filluan xhirimet unë i mbeta konseguent zgjidhjes së parë dhe interpretova Violetën.

Duke punuar në dy pozicione ku mendoni se regjisori Pepo ka mbetur më i kënaqur për rolin tuaj  si asistente-regjisore apo aktore?

-Mendoj se është i kënaqur me të dyja sepse jam munduar të jap maksimumin tim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora