Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Akademia “Stoa” nga Bujanoci - Emision special me shkrimtaren nga Prizreni Rabije Bytyqi

| E marte, 02.07.2019, 06:37 PM |


Akademia “Stoa” nga Bujanoci - Emision special me shkrimtaren nga Prizreni Rabije Bytyqi

Nga Sevdail Hyseni

Gjatë javës së tretë të qershorit, muajit të qershive, talentet e reja të Akademisë “Stoa”, nga Bujanoci, në krye me prof. Bejzad Avdiu, morën një rrugëtim për në Prizrenin e lashtë, djepin e kulturës dhe civilizimit shqiptar, për ta takuar poeten dhe veprimtaren e mirënjohur Rabije Bytyqi.

Qëllimi i vizës së Prizrenit, që me të drejtë quhet “qyteti muze” dhe takimi me shkrimtaren Rabije Bytyqi, ishte vazhdimi i veprimtarive kulturore të Akademisë “Stoa”, nga Bujanoci, e cila në vazhdimësi sjell për publikun shqiptar të Luginës së Preshevës, përmes emisioneve speciale “Shkrimtari në mesin e nxënësve”, personalitet më të shquara të kulturës shqiptare gjithandej trojeve etnike shqiptare.

Akademia “Stoa” dhe talentet e saja të mrekullueshme, kryesisht nxënëse të Shkollës së Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, me prof. Bejzad Avdiun, kanë pasur nderin dhe kënaqësinë të takojnë dhe të intervistojnë me dhjetëra e dhjetëra personalitete të shquara të kulturës shqiptare si: Idriz Ajeti, Dritëro Agolli, Mark Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Qerim Ujkani, Nazmi Rrahmani, Adem Demaçi Flora Brovina, Sali Bashota, Sabile Keçmezi Basha, Xhevahir Spahiu, Ylljet Aliçkaj, Sabri Novosella Maxhuni, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj etj.

Kësaj radhe, vazhdës së këtyre emisioneve speciale për kulturë iu bashkua edhe poetja Rabije Bytyqi, e cila me kënaqësinë më të madhe i priti talentet e reja të Akademisë “Stoa”, nga Bujanoci, me profesorin e nderuar Bejzad Avdiun, duke nisur bisedën fillimisht në ambientet e hotelit të preferuar “Theranda” në qendër të Prizrenit, e më pas për të vazhduar vizitat edhe nëpër pjesë të tjera të bukura të këtij qyteti antik, që përshkruhet si një nga qytetet më të bukura jo vetëm të Kosovës.

Emisioni kulturor, si zakonisht, u konsiderua I hapur nga prof. Bejzad Avdiu, për të vazhduar me pyetjet e talenteve të reja të Akademisë “Stoa”, drejtuar shkrimtares Rabije Bytyqi, si dhe me leximin e disa poezive të marra na librat poetik të kësaj poete, të shpërblyer jo rrallë me mirënjohje nga institucione të ndryshme kulturore brenda dhe jashtë Kosovës.

Shkrimtarja Rabije Bytyqi, nuk ngurron ta thotë hapur se nga ky emision karakteristik, ndjehet shumë e emocionuar dhe e motivuar, ngase për të është diçka risi, të intervistosh jo vetëm me një gazetarë, por me talente të reja, që vijën nga Akademia “Stoa’ e të cilat njëkohësisht janë edhe krijuese të artit dhe letërsisë.

“Qyteti i këngës dhe dashurisë”, ashtu siç quhet Prizreni në një nga këngët lokale të këtij qyteti, zë vend edhe në krijimtarinë e Rabije Bytyqit, e cila ndonëse e lindur në Rahovec e ka begenisur këtë qytet të jetoj dhe të krijoj me familjen e saj.

Emisioni special për kulturë me tematikë “Shkrimtari në mesin e nxënësve”, të realizuar nga Akademia “Stoa”, është përcjellë me një interesim të madh dhe kureshtje nga artdashësit shqiptarë të Luginës së Preshevës përmes RTV “Spektri” dhe të yotube-s.

Për të mësuar më shumë për shkrimtaren Rabije Bytyqi, shkëputëm disa të dhëna nga Antologjinë e poezisë moderne shqipe të përgatitur nga Adem Zaplluzha:

Rabije Bytyqi, ka lindur më 20.5.1965 në Radost të Rahovecit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, si nxënëse shembullore, ndërsa të mesmen, në Rahovec. Gjatë shkollimit, jo vetëm që u mor me shkrime, por ishte dhe valltare e shquar, ku interpretonte në çdo aktivitet shkollor në ato vite.

Me shkrime ka filluar të merret shumë herët, që nga bankat e shkollës fillore, por shumë shkrime të saj u zhdukën gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Shpeshherë autorja thotë: ... “m’i vranë vargjet, por jo shpirtin”. Edhe pse u zhduk një thesar i krijimtarisë së saj, ajo s’u dorëzua, duke vazhduar përsëri të merrej me shkrime poetike. Vëllimin e parë poetik me titull ”RRUGË JETE ” e botoi në vitin 2004. si dhe Vëllimin e dytë poetik me Titull -Përmasa E Eklipsit-2015.

Është shpërblyer me Mirënjohje: Në Orën letrare tradicionale me rastin e shënimit të 15-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit – Jahir Mazreku, Hysen e Maliq Sopaj në Malishevë, më 3 prill 2014; në Gjakovë më 30.5.2014, në Konkursin e Poezisë “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore”; në Prekaz, më 27.9.2014; në Manifestimin “100 mijë poetë për ndryshime - poetët e kombit apelojnë “; për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në Orën e madhe letrare, “Prekazi 2014” me moton: ”Kërkojmë zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë ”, Gjilan 30 .1.2015 . Është fituese e çmimit të tretë, në ”Flakén e Janarit” me poezinë “Përmasat e Eklipsit” në Prizren, më 17.2.2015, për pjesëmarrje në manifestimin kulturor ”ORA E PAVARËSISË”, ndër 10 poezitë e zgjedhura konkurruese, e përzgjedhur për Çmimin “Xhemil Doda“ me poezinë ”Në qytetin e ndjenjës“. Është fituese : ”Çmimi i Dytë, për pjesëmarrje në Orën e madhe letrare ”Fryma e Lirisë“, në përkujtim të Xheladin Gashit – Komandant Plaku, me poezinë “Odë trimërisë“, mbajtur më 22 mars 2015, si dhe fituese e Çmimit II në Gjakovë, 2015 me poezinë “Jehona e dhimbjes!” në konkursin letrar “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore

Me poezitë e saj është prezantuar edhe në 9 antologji poetike Anëtare e disa Klubeve letrare jashtë dhe brenda - ks.Kryen detyrë si Sekretare e Galaktika Poetike Atunis- dega në Pz. Dhe është anëtare e IGFM-se.

PRIZRENI

Në Kala prek damarët prej guri

Me mall puthë ca palë flamuri

Tek “Shtëpia e Lidhjes”

Emblemë e besës dhe fjalës së burrit,

për një komb,

tokë e lashtë, truall shqiptarie.

Këtu gjëmon sot e mot historia

E pena ime ndizet përherë nga lavdia.

Më deh e më gëzon ky peizazh, vegim.

Pena ime mbushet me frymëzim.....