E enjte, 28.03.2024, 01:54 PM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Unë jam këtu dem baba dem

E marte, 02.07.2019, 06:48 PM


UNË JAM KËTU DEM BABA DEM

U desh të nisemi  përsëri për rrugë – gjithë rrugët e Kosovës së vogël – (se përtej kufive të sotme, në Shkup e tatëpjetë është e  një tjatër Kosovë, e robëruar).  Gjyrmat e kolonizimit të ri jugosllav po treteshin në tokë. Të vjetrat ishin në vend. Kur shëkonja gërmadha këthenja sytë më tjatër anë. I them vetes economist dhe çdo rrënim lënde e jete më duket një absurditet. Ja pata thenë këto Izedinit dhe ay s’foli. M’u duk se pranoi pikëpamjen time, kur një ndajnatë më tha:

- Ti si ekonomist mund të kesh të drejtë të mendosh ndryshe. Po këta njerëz që janë ilirianë nga ata të Teutës, vepërojnë sipas një instinktit të tyre. Po të jetë se do vinim në ekuacion të mendimit, botëkuptimin e tyre do kishin për për të thenë: Unë jam në këtë tokë sa bota. Kam trajtat e jetës sime dhe brenda tyre rroj. Katundet i bëj në vise që mund t’i mpruaj. Ashtu edhe shtëpitë. Ardhi tani mbi mua një popull i huaj, ma mori tokën, bëri ndërtesa e katunde sipas trajtës së jetës së vet. Tani ky i huaji s’është më këtu: iku vetë, pa luftë ose me luftë ose u vra me luftë, si u vra edhe babaj im, vëllaj im. Mbetnë ndërtesat e tija. Ç’t’i bëj unë këto? Të banoj atje? Jo. Kjo nuk i përshtatet jetës sime. Pra i prish! I prish që të mos këthehet armiku prapë. Ose, në këthehet, të mos ketë mundësi të rifillojë jetën këtu.

- Jo, i thash unë, përsëri. Shkenca ekonomike, ligjet e shoqërisë… Izedini qeshi:

- Falja Asim Qerimit që është stërnip i Teutës se nuk di shkencë ekonomike. Ay vepëron sipas instinktit të tij si ka vepëruar prej shekujsh. Ay lëfton – pra e vritet – për token e vet, pa marrë parasysh ligjet e rentabilitetit.

- Je i vrazhdët i thashë.

- Jo, foli Izedini Jashari. Unë vetë nuk bëj përveçë se të këndoj. Dhe doemos, të këndoj kombin tim – vojtjet e vrullet e racës. Dhe luftën e këndoj. Luftën si mbrojtje të jetës së kombit, të së drejtës së përherëshme. Të pyes tani: a nuk ka ky popull të drejta mbi këtë tokë, si i pari që ndodhet këtu? E jo vetëm si i pari, po edhe si shumicë? Atëhere ç’kërkon këtu një tjatër komb?

I dhash të drejtë.

Dhe ay si shenjë kënaqësie më mori për krahu e dualmë jashtë qytetit, ku pat rrahur dikur gurët me shkopë, si Moisiu i Israilit – jo për të nxjerrë sojesh ujë, po rithmin që i mungonte. Rrugës, i kapur prej dyshimesh, e pyeta:

- Mirë, o shok, po çështja duhet vështruar edhe nga ana tjatër. – Sikur të paskeshim qenë ne në vendin e tyre…

- Të armikut?

- Po.

- Dëgjo tha Izedini. Që të të jap përgjigjen time mbi këtë, të më lejosh të shkel në një fushë që nuk është e pregatitjes sime: në fushën e doktrinave ekonomike. A e njëh një farë Max Stirner që pat shkruar një veprë me famë “I vetëmi edhe pronja e tij” (Der Einzinge und sein Eigentum”)? Ky njeri pat thënë: “Tigri që më sulmon ka të drejtë, po edhe unë kam të drejtë që të mpruhem”. Me të tjera fjalë: armiku që vjen të më marrë tokën e jetën mund të ketë të drejtë nga pikëpamja e vet, sepse kërkon jetë për veten e vet, po edhe unë kam të drejtë të mpruhem. Aqë më fort se jam në këtë tokë jo që dje e që pardje, si ay, po gjithëmonë, që nga Teuta e përpara Teutës e jo një e dy – tërgovaçë e çinovnikë, bugjezë qytetesh, - po shumica dërmonjëse: sa rër’ e detit e sa yjt’ e qjellit.

Pra lerë të gjitha e dëgjo brithmën time, se po buças me zë kaba:

Se jam këtu kur s’kish njeri

dhe as kufi

as fqinjëri,

as shkjah të zi.

Un jam këtu kur Mal i Zi

ish Iliri!

Kur nga një det në tjatrin det

isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti

kur vetë Zoti

e bëri fushën- fushë

e malin mal.

Unë jam këtu

e do të jem

-dem baba dem,

sa mali të bëhet hi

e hiri mal përsëri!

Dhe si m’a tha këtë brithmë të qëndrimit shqiptar, Izedin Jashar Kutrulija nuk foli më.

As unë nuk i vura do një tjatër pyetje.

(Fragment nga “Poemi Kosovar”, e Mitrush Kutelit)

Dhimitër Paskon, alias Mitrush Kutelin (1907-1967) lexuesit e shumtë e njohin më tepër si shkrimtar, por pakkush e di se Kuteli ishte një nga ekonomistët më të njohur, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Ka qenë drejtor i Bankës Kombëtare të Rumanisë, konsulent dhe më pas drejtor në Bankën e Shtetit Shqiptar (1945-1946), ndërsa në vitin 1947 u arrestua,  u gjykua  dhe dënua me pesë vjet burgim, si “armik i popullit” (!), prej të cilave dy i vuajti.  Me qenë se Kuteli ishte edhe shkrimtar, pas lirimit nga burgu (1949) atij iu ndalua botimi  i veprave, kështuqë për një kohë të gjatë veprimtaria e tij letrare, pa të drejtë, mbeti nën hije një kohë të gjatë. Në periudhën 1930 – 1941 ka shkrua 17 libra e broshura, nga fusha e bankave dhe ekonomisë, në rumanisht dhe shqip. Më shumë botoi me pseudonime, se sa me emrin e vërtetë. Pseudonimi Mitrush Kuteli, është një ngjizje e emrit përkdhelës Mitrush (nga Dhimitër), dhe mbiemrit Kuteli, që ishte mbiemri i dikurshëm i familjes së tij, të ardhur nga Arta e Çamërisë.

Zgjodhi për ju: Adil FETAHU



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora