E diele, 22.09.2019, 11:34 AM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Ura e Sidneit, Opera, Kopshti Botanik

E hene, 01.07.2019, 09:07 PM


Ura e Sidneit, Opera, Kopshti Botanik

Nga Prishtina në Australi

Nga Gani Mehmetaj

Të vizitosh Australinë e të mos e vizitosh Sidnein je i mangët në përjetime, nuk i ke shijuar vlerat e veçanta, nuk i ke përjetuar kënaqësitë që t'i ofron ky qytete e nuk i kanë qytete tjera jo vetëm në Australi. Shikimi nga avioni të shpalon pamje të mrekullueshme, pasi kë udhëtuar tetë orë mbi Oqeanin Paqësor nën rrezet e forta të diellit që t'i lëbyrin sytë.

Qyteti nuk është i rrëmujshëm aq sa pret nga një qytet pesë milionësh, megjithëse është plotë gjallëri, qyteti e ka sharmin bregdetar, ka diçka mesdhetare më të butë e më mikpritëse, por edhe fryma perandorake rrezatonte me qetësinë epike.

Trafiku është i çuditshëm jo vetëm pse shoferët rrinë në volanë në anën e kundërt nga shoferet e kontinentit evropianë (australianët e kanë rregulluar qarkullimin e trafikut sipas modelit të britanikëve), as pse trotuaret janë paralelisht me anën e shoferëve, ashtu sikurse janë shkallët elektrike nëpër shtëpitë e mëdha të mallrave. Trafiku duket në pamje të parë i ngatërruara, sepse rrugët nuk kanë ndryshuar paralelisht me ndryshimin marramendës të qytetit në njëzetë vjeteshin e fundit. Por rrugët nuk i ngatërron, nuk ka rrezik të humbësh edhe kur nuk e kërkon ndihmën e GPS. Restorante, shitore, shtëpi mallrash, vetëshërbime gjen në çdo kënd rruge, varësisht çfarë kërkon.

Nga apartamenti për disa minuta këmbë mund të dilnim në njërin prej gjireve më të bukur në botë, ku ndodhet porti, i rrethuar me restorante, me anije që bartnin pa ia nda turistë e kureshtarë, që bënin hark në qytet. Porti nëpër të cilin kaluam disa herë ka luajtur rolin kyç  në zhvillimin e qytetit. Në tarracën e një restoranti italian bri portit drekuam me familjen e Sadik Ramë Binakajt. Shqiptarë ka shumë në Sidnei e në vendbanimet përreth. Janë brezash e kohërave të ndryshme. Dhe kryesisht kanë krijuar mirëqenie e standardë. Dikur takoheshin më dendur në ndeja të organizuara, në festa kombëtare, tash sikur janë tehuajësuar pak.

Sidnei sipas ciceronit turistik është themeluar me 1788 nga anglezët. Është qendra më e madhe dhe më e vjetër urbane në Australi, për disa është qyteti më atraktiv dhe më i bukur jo vetëm në kontinentin e ri, mund të konkurron në kreun e qyteteve në botë, që duhet vizituar.

Sadik Ramë Binakaj nga Belegu i Deçanit e mbante në mend ndryshe para njëzetë vjetësh. Këta rrokaqiej nuk ishin, këto ndërtime të mëdha mungonin, thotë ai, por për një periudhë të shkurtër mori hov ndërtimi, u zgjerua e ndryshua. Këtë e thonë edhe doracakët: për katër vjet ndërtimi pësoi transformime të mëdha, sepse duhej të mbaheshin lojërat olimpike, ndërsa qyteti duhej ofruar akomodim e mikpritje tërë botës.

Doracakët turistik thonë se pastaj ndërtimet e ndryshimet vazhduan. Por paralelisht rrokaqiejve, qyteti e ka ruajtur edhe strukturën e vjetër të ndërtimit perandorak britanik.  Shumë objekte të periudhës viktoriane janë ruajtur e rinovuar, në njërën prej tyre  i kaluam disa orë.  Ndërtesa e mbretëreshës Viktoria dikur ishte depo e mallrave, ndërsa sot ishte shndërruar në restorante e shitore eskluzive, hapësirë që ta ka ënda të rrije e ta shijoje. Vitrazhet, mozaiqet, mënyra e ndërtimit e bënte joshëse si asnjë objekt tjetër, ndërsa nuk ka humbur nga sharmi i së kaluarës.

Të rrallë janë ata që nuk e kujtojnë urën e famshme "Harbor Briddte" nga hidhen çdo 31 dhjetor fishekzjarrët për Vitin e Ri. Në Natën e Dritave, festival i njohur i fundmaji, ura lahej nga dritat, ne e shihnim nga anija disa qindra metra nën te, përderisa treni kalonte sipëri urës, sikur të kalonte cepave të qiellit. Ura mbi det askund nuk prekte nga bregu në breg.

Kush nuk ka dëgjuar për plazhet e Sidneit, ku australianët dhe turistët bëjnë plazh dimër e verë, ndërsa ata më të "krisurit" bëjnë "surfë" mbi valët e harbuara të Oqeanit. Plazhi  Bond, është ndër plazhet më të bukura në botë, ku vijnë të kamurit, mirëpo është i pranueshëm e i këndshëm edhe për ata që nuk e kanë xhepin plotë. Kryesisht të rinjtë shullëheshin në diell, apo i hidheshin valëve të detit, gjithnjë duke pasur parasysh se nuk guxojnë të shkojnë larg, sepse  peshkaqenët ishin rrezik i përhershëm, megjithëse lëvizjet e tyre ndiqeshin nga rojat bregdetare.

Kur isha në fund të majit me gruan e vajzën, ndërsa në Sidnei ishte vjeshtë e vonë, njerëzit laheshin në valët e paqësorit, të tjerët prisnin valët më të mëdha që të kalëronin mbi to. Rëra ishte e imët dhe e butë, dielli të ngrohte si në qershor të ne, kurse era pothuajse nuk frynte. Sipëri Plazhit Bond ishte lagja elitare e pasunareve të qytetit, por edhe pasunarëve të botës.

Restorantet e kafenetë të ofrojnë pushim e qetësi, kamerieret kryesisht janë studente evropiane që kanë ardhur të vizitojnë Australinë (njëra nga to që na shërbente e kishte theksin francez), por njëkohësisht edhe të punojnë sa për të nxjerrë shpenzimet e qëndrimit e të udhëtimit. Vinin edhe vajza e djelmoshat shqiptarë me shtetësi gjermane e zvicerane, kalonin gjashtë muaj në Australi, shëtisnin, kënaqeshin, punonin e ktheheshin në qytetet e tyre.

Sidney nuk shquhet vetëm me gjirin e famshëm, as me urën po aq të famshme, Sidnei nuk e ka vetëm Kopshtin Botanik, që të mrekullonin ditën e veçmas natën, kur transformohet në drita shumëngjyrëshe, gjatë festivalit të Dritave, Sidnei shquhet me ndërtesën më karakteristike Operën e qytetit, që është e veçantë për planimetrinë, i ngjanë anijes me vela ngado që ta shikosh, nga toka, nga deti e nga ajri. Ndërtesa e Operës ka hyrë në det, por pjesa tjetër mbështetet në tokë, duke e krijuar një tërësi që të mahnitë natën kur i sillesh rrotull me anijen e madhe, kryqësoren turiste dhe buzëmbrëmjes kur shkel shkallëve të gjëra të platos së ndërtesës që është një përjetim i veçantë, sepse pos pamjes që të shpalohet  janë dritat farfuritëse në tërë hapësirën e murit qendror që i ndryshon pamjet vizuale e ngjyrat e dritave. Ndërkaq, era nga deti ta sjell përshtypjen sikur prapë je në anijen që e tundin valët.

Kopshti Botanik, ndërsa kalon natës me dritat e rregulluara me aq mjeshtri që nuk i ke parë herë tjetër, të duket sikur kalon nëpër Kopshtin e Edenit, por pa Adamin e Evën. Janë pasardhësit e Adamit e Evës që gumëzhijnë në dritëhijen e Kopshtit Botanik me pamje mahnitëse. Mbrëmjen kur e vizituam ishin mijëra vizitorë.

Sidnei shquhet edhe me festivalin e veçantë, Festivalin e Dritave që nisi atë mbrëmje maji kur erdha nga Kanberra, vazhdoi gjatë tërë kohës sa ndjenja në qytet, ndërsa qyteti shkëlqente me miliona drita. Është një traditë australiane që shndërrohet në festë, vizitorët rrinë rrugëve e restoranteve deri në orët e mëngjesit. Vijnë mijëra turistë nga qytete e kontinentet tjera.

Për ta vizituar Sidnein nuk mjaftojnë shtatë- tetë ditë, sepse të mbetën aq shumë gjëra pa i vizituar sa habitësh kur i sheh nga largësia apo në katalogun e qytetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT