E enjte, 24.10.2019, 05:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Eshref Ymeri: Kur na vidhen votat

E diele, 30.06.2019, 11:41 AM


Eshref Ymeri

Kur na vidhen votat

Kur na vidhen votat,

Vendit i arratiset qetësia,

Sëmuret rendi,

Tronditet i moçmi dhe fëmija.

Kur na vidhen votat,

Hajduti zdërhallet,

Deri natën vonë me mikeshat e tija,

Se paskëtaj

Gjithandej bëhet e sigurt pasiguria.

Kur na vidhen votat,

Kopuku pushtetit i shkel synë:

A e more vesh, or mik, i thotë,

Që ti je aleati ynë?

Kur na vidhen votat,

Banditit në këmbë s’i hyn as gjembi në milet,

Se shtetin e ka ortak,

Se shteti bandit bëhet vetë.

Kur na vidhen votat,

Edhe më shumë shtohen radhët e policisë,

Se më fort duhet të bjerë dajaku

Mbi shpatullat e njerëzisë.

Kur na vidhen votat,

Banditët krijojnë shoqata poshtë e përpjetë,

Se s’ka kush ua prish terezinë,

Se miqtë e tyre i gjen kudo. Medet!

Që nga gjykatat gjer në parlament.

Kur na vidhen votat,

Importi i maskave bëhet me shumicë,

Tregu për to e ndien keq urinë,

Nëpër rrugë gangsterët fillojnë e bëjnë kërdinë,

Vrasjet me kohë e pa kohë kthehen në rutinë.

Kur na vidhen votat,

Qeshet Beogradi,

Duart fërkojnë në Athinë:

Fli i qetë, Pashiç,

Ti, edhe në atë botë mbetesh aleati ynë

Për testamentin që ke lënë:

Gërmadhë ta lini Shqipërinë,

Këtë pykë, mes nesh dhe motrës sonë, Greqisë,

Pykë që na e futën në Londër,

Për qejf të Austro-Hungarisë.

Kur na vidhen votat,

Fillon e ngre veshët Rusia,

Epshet e saj për Ballkanin marrin sipërinë.

Dhe ajo me vete zë e kuvëndon:

Fara që kam mbjellë

Nga unë s’do ta largojë kurrë Shqipërinë!

Kur na vidhen votat,

Adriatikut humnerat i shtohen edhe më shumë,

Ndaj zë e tallazohet dhe fryhet me shkumë,

Se me kufoma shqiptarësh nuk ka të nginjur

Dallga e egërsuar, e verbër, e thinjur.

Kur na vidhen votat,

Industria e gomoneve është në lulëzim,

Se karvani i njerëzve është i pambarim,

Tek dynden drejt Otrantos për në “tokën e premtuar”,

Për t’u ksibërë një sahat e më parë

Nga balta “e mallkuar”.

Kur na vidhen votat,

Atdheu kthehet në skëterrë,

Nëpër shitore ushqimoret shndërrohen në vrer,

Çmimet e kripura të goditin për vdekje

Në “poçin e kresë”,

Saqë dhe sheqeri të duket më zeher,

Sesa duhani i Dumresë.

Kur na vidhen votat,

Arroganca e fqinjve vjen e bëhet aq e shfrenuar,

Saqë sejmenët e tyre këtu

Vijnë e kthehen në servilë të kulluar.

Kur na vidhen votat,

Banditët bëhen deputetë

Dhe në parlament s’e kanë për gjë

Të hyjnë në brez me pistoletë.

Madje s’e kanë për gjë të kthehen në makbethjanë

Që sallën e tij ta gjakosin në çdo kënd e anë.

Kur na vidhen votat,

Ligjin e nxjerrin në pension

Dhe dhuna na bëhet zonjë hijerëndë

Që po ngrite krye

Të merr e të shkel me këmbë.

Kur na vidhen votat,

Bën dasmë dembeli, zuzari, batakçiu, lapërdhari,

Veçse gjoksin më shumë e rreh tradhtari,

Se “me të drejtë” në krye të vendit

Ai kërkon të jetë i pari.

Kur na vidhen votat,

Gjithnjë e më fort dëgjohet një kushtrim:

Të gjithë të bëhen gati për integrim!

OJQ-ëra, fondacione, institute fantazma,

Nga janë e nga s’janë,

Në majë të gjuhës veç një fjalë kanë:

Shqipëria është veç për evropianizim,

Se vetëm në Evropë do të gjejmë shpëtim!

Por ua prish lezetin ndonjë “hokatar”

Që ngrihet e ua pret me sëpatë, si dardhar:

Avash, ku do të shkoni, more të uruar,

Hyrja s’është e lehtë n’ Evropën e Bashkuar,

Atje duhen njerëz me kokë e me këmbë,

Kurse ju veç jeni një copë trung i lënë.

Kur të jenë bashkë këmbët, krahët, koka,

Atëherë të shikojmë se sa na do Evropa!

Kur na vidhen votat,

Shqipëria bëhet si nuse “me tel”

Dhe si koloni greke veç veten ka model.

Kur na vidhen votat,

Epshet pushtetare aq të forta janë,

Saqë qeveritari, për post e kolltuk,

Gruan dhe fëmijët është gati orë e çast

t’i nxjerrë në ankand.

Kur na vidhen votat,

Kudo harbutëria na shitet për moral,

Saqë dhe vjedhja e thesarit nuk merret për skandal.

Gënjeshtra pushtetare është akt serioziteti,

Se veç bar të thatë di të hajë mileti.

Kur na vidhen votat,

Dashakeqët tallen,

Nga janë e nga s’janë:

Mirë t’u bëhet shqipove

Se atë kokë kanë.

Kur na vidhen votat,

Ballin rrudh Kosova,

Nga larg e njeh të ligën:

Kjo e lëndon fort

Kryezonjë Prishtinën.

Kur na vidhen votat,

Braktiset Iliriada,

Bën flirte tradhtia,

Pale, po zë e hakërrohet xhuxhmaqedonia!

Kur na vidhen votat,

Pushtetarët tanë,

Tek sillen nëpër botë,

Veç një avaz kanë:

S’ka ndryshim kufijsh,

Duam integrim,

Dhe në çdo tryezë,

Dhe në çdo takim,

Fjalë tjetër s’dinë,

Ndaj para të huajve

Porsi mumje rrinë.

Të gjorët! S’e kuptojnë

Se në ç’mjerim kanë rënë,

Se loja e tradhtisë

Shumë larg i ka shpënë.

Në Evropë kufijtë janë prishur tashmë

Me vakt e me kohë,

Por veç tradhtia në nahijet tona

Këtë fakt nuk dëshiron ta njohë.

Kur na vidhen votat,

Varfërohen tryezat, na vret errësira,

Thahemi për ujë,

Nëpër shpirtrat tona  pllakos mugëtira.

Kur na vidhen votat,

Do apo nuk do,

Derrin e ke dajë,

Dhe veç mos harro

Se është me shtatë gojë

Dhe vetëm di të hajë.

Kur na vidhen votat,

Shumohen milionerët

Me forcën e magjisë

Dhe shtohen merimangat

Në gojën e vegjëlisë.

Kur na vidhen votat,

Vendin e pllakosin laro e laraganë

Nga bota “e qytetëruar”,

Në politikë rrufjanë,

Edhe me diploma, edhe pa diploma

Dhe serbes na sillen

Nëpër zyrat tona.

Na sillen fodullë

Dhe kryet e vendit zënë,

Që, demek, shqiptarëve

T’u mësojnë abëcënë.

Kur na vidhen votat,

Këta laraganë,

Gjithsekush më parë,

Nxitojnë me sihariqe

Që të na mbushin mendjen

Pë votim të mbarë.

Kur na vidhen votat,

Sheshet vijnë e mbushen

plot me të papunë,

Ka halle buxheti,

Mendon për pushtetarët:

Të presin të papunët,

Të rrinë aty ku janë

Se s’u bë kiameti,

Se kohën me bollëk e kanë.

Kur na vidhen votat,

Na  shtohen llotoformularët

Nëpër udhëkryqet tona për emigrim:

Kush drejt Kanadasë, kush drejt SHBA-së

Për të gjetur shfrim.

Kështu na kënaqen mirë pushtetarët

Që këtu të mbeten veç njerëz të pazotë,

Dembelë e kurrizshtruar

Që me pushtetin nuk përballen dot,

Ndaj me ta kolltukun e kanë të siguruar.

Kur na vidhen votat,

Na shtohen llotodeputetët

Që në parlament marrin veç ylefenë

Që rrahin gjoksin për besnikëri

Dhe na betohen për “nderin” e vatanit,

Por me mendje diku larg flenë,

Prandaj edhe gratë me fëmijët

I kanë përtej oqeanit.

Kur na vidhen votat,

Nostalgjikët na bëhen edhe më të betuar

Për kohën e perënduar

Dhe janë gati edhe të sakrifikohen

Në altarin e faraonit,

Paçka se shpërblimi që marrin

Për një jetë të tërë

Është thjesht një poshtërim

I moshës së pensionit.

Kur na vidhen votat,

Një takëm pushtetarësh

Na bëhen edhe “pronarë” sekretaresh njomëzake

Se gratë i kanë larg nëpër botë

Dhe u duhet mërguar vetmia çmendurake.

Kur na vidhen votat,

Pushtetarët për kolltukun

Dollinë e kthejnë drejt e më këmbë,

Urojnë shoku-shokun

Dhe mes avujsh alkooli

Rrinë e pëshpërisin hijerëndë:

Ky popull e meritonte,

Prandaj mirë ia bëmë.

Kur na vidhen votat,

Populli hesht

Dhe heshtja e tij vazhdon gjatë.

Por edhe çdo heshtje e pamatë

Një ditë një fund do ta ketë

Dhe kur ky fund të vijë,

Se çfarë duhet bërë,

Populli e di vetë:

Votëvjedhja e mallkuar

Jetën ia ka nxirë

Dhe shpresat ia ka ngrënë,

Në botën e pështirë,

Ndaj s’i mbetet rrugë tjetër,

Veç t’i kthejë sytë nga malet

Dhe të thërrasë në skenë UÇK-ënë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT