E enjte, 28.03.2024, 12:28 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: Një përmendore për Shmilin

E shtune, 29.06.2019, 06:37 PM


NJË PËRMENDORE PËR SHMILIN,

FSHAT NË ZEMËR TË ÇERMENIKËS

Nga Kadri Tarelli

Si fillim përshëndes autorin Agim Qoku, që ka pasur, guximin, durimin dhe këmbënguljen për ta nisur, e më pas për ta bitisur librin “Shmili në rrugëtimin e tij”, me vlera njohëse dhe studimore, duke ngritur një përmendore për këtë fshat në zemër të Çermenikës.

Autorët që nisin e shkruajnë histori, unë i quaj kokëkrisur, besoj se lexuesi më je të drejtë. Mjafton të pyesim Agimin: Sa vjet t’u deshën për ta përfunduar, sa libra ke shfletuar, me sa njerëz të ditur, të vjetër e të rinj, je ulur e ke biseduar, duke mbajtur shënim çdo mendim, çdo shprehje e fjalë, e më pas për t’i krahasuar, për t’u bindur në të vërtetën, që kërkon historia, apo një libër shkencor? Unë e admiroj dhe e përsëris shpesh thënien e Ciceronit të lashtësisë: “Historia është dëshmitarja e kohëve, drita e së vërtetës, mësuesja e jetës, lajmëtarja e lashtësisë”.

Të më falin shkrimtarët dhe poetët, sepse nga përvoja, unë kam nxjerrë një mësim: “Mjerë ai që nis shkruan libra të tillë, sepse veç kulturës të të shkruarit, i del shpina dhe i skuqen sytë mbi libra, arkiva, dokumente, relike e gjetje arkeologjike, vajtje-ardhje pa fund, etj. etj. Dhe në fund duhet të përballet me të vërtetën dhe kritikën që nuk të fal. E kam fjalën për kritikën serioze dhe shkencore, sepse ka edhe kritikë të bezdisur, që krijojnë opinion e që thonë: “Nuk e ka shkruar ashtu siç e dua unë, apo sepse nuk ka shkruar edhe ato që dua unë”.

Atë që dua të them në fund po e vendos në fillim të shkrimit. Këtë libër unë e quaj një “Muzeum, i ndërtuar në fletë libri”. Dikush mund të shprehet: si shumë e ngrite, sepse vepra është veç një libër i thjeshtë, si gjithë të tjerët. Mbase, por më lejoni ta shpjegoj, vetëm me një pyetje:

- A ka mbetur gjë pa u thënë për Shmilin? – Sepse këtu gjen histori, lashtësi, arkeologji, mitologji, gojëdhëna, klimë, toponime, bimësi, hidrografi, folklor, ekonomi, bujqësi, zejtari, blegtori, kulturë popullore, ligj e kanun, traditë, arsim, shëndetësi, besimet fetare, e deri tek analiza gjuhësore e dialektit të zonës, etj, etj.

Në çdo faqe lexuesi do të ndeshet me figura që e jetuan historinë, por edhe e bënë histori, me qëndrimin, mençurinë dhe trimërinë, duke u bërë model jete dhe krenari e ligjshme për brezat. Duke i dhënë vendin e merituar bijve të nderuar të kësaj krahine, të vogël në sipërfaqe, por të madhërishme në histori, libri merr karakter mësimor dhe edukativ për çdo lexues, prind e mësues shkolle. Kam parasysh kontributin e figurave të shquara të trevës, jo thjesht në historinë vendore, por në ngjarjet e mëdha kombëtare, aq sa ajo nuk mund të jetë e plotë, pa historitë e trevave të veçanta, që së bashku bëjnë historinë e madhe. Po s’ më besuat, binduni duke lexuar.

Nuk po analizoj të gjithë librin, duke i lënë lexuesit të provojë: “Një gotë verë, për të dalluar cilësinë e të gjithë butit”. Lexoni dhe do të më jepni të drejtë, duke parë me vëmendje një dokument interesant: “Një regjistër Osmano–turk, i vitit 1442-1643”, i gjetur në sektorin oriental të Bibliotekës Kombëtare të Sofjes, “Kiril i Metodi”. Aty ruhet një regjistër turk i qytetit të Elbasanit dhe të rrethit të tij, i mesit të shek. XVII. Regjistri ka të dhëna mbi gjendjen civile të qytetit dhe të rrethit……. Mjafton ky shkrim burimor, që e bën librin shumë të besueshëm, por edhe të dobishëm për studiuesit, si burim i mirëfilltë shkencor, jo vetëm për Shmilin dhe Çermenikën, por edhe historinë tonë kombëtare:

E lexova librin që në dorëshkrim. Të them të drejtën, pasi pashë titullin, të parën gjë që desha të di, ishte bibliografia, apo referenca, siç i thonë disa. (Unë i quaj fjalë të jashtme), vura re, se kishte shumë pena të njohura, duke filluar që nga Homeri i lashtësisë, e për të vazhduar me studiuesit tan të ditëve tona. Kjo më kënaqi dhe më shtoi bindjen, se autori është lodhur shumë dhe libri është i vërtetë dhe bindës, sepse është mbështetur në burime të shumta, të lashtësisë, mesjetës dhe të historisë së re, vendase dhe të huaj. Besoj se kjo është vlera e vërtetë, që lakmon një libër dhe autori i saj, duke qenë në një mendje me studiuesin Mehmet Elezi, kur shkruan: “Një libër i mirë, s’ka nevojë për koment. Ai është si kroi në mal; mjafton të bësh me shenjë ku ndodhet dhe i eturi shkon vetë”.

Një tjetër pasuri e librit, është përfshirja në të e disa studiuesve të zonës, ku bën pjesë edhe vetë autori Agim Qoku. Kjo përbën një vlerë tjetër, sepse përfshirja në libër e punimeve të tyre, është pasuri intelektuale, që e pasuron informacionin historik, folklorik, zakonor, ekonomik dhe turistik. Nuk është me vend t’i përmend të gjithë me radhë, pasi është përsëritje e panevojshme. Kjo i jep të drejtë shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona, që shprehet: “Janë intelektualë, njohës të traditave, të kulturës së zonës, por edhe të jetës ekonomike e shpirtërore, që me artikujt e tyre, i bashkohen librit natyrshëm, ashtu siç bashkohen degët në trungun e një druri”.

Nuk e teproj të shprehem, se libri është aq i ngjeshur me fakte dhe të dhëna, sa nuk gjen vend të fusim qoftë edhe një gozhdë. Të tjerët, që do të kenë guxim të merren me historinë e kësaj zone, u mbetet një shteg: Vetëm ta pasurojnë me material të ri, që koha ofron, sepse historia asnjëherë nuk shteret me gjetje e dokumente. Në këtë libër, që është një model krijimtarie për secilin krijues, që niset të studiojë e të shkruajë një monografi, çdo lexues gjen vetveten, duke plotësuar njohjen dhe kulturën historike, njëkohësisht edhe përvojën jetësore. Kjo përsëri duhet shënuar si vlerë përdorimi për lexuesin e të gjitha moshave.

Shpesh nëpër shkrime thuhet: Libër që e vlen të jetë në çdo bibliotekë, apo në çdo tavolinë pune, kur bie fjala për histori. Ndërsa unë mendoj, se ky libër duhet të zërë vend mbi çdo oxhak, në odën më të mirë të çdo shtëpie, pasi aty ndodhet e tërë historia e krahinës dhe njerëzve të saj. E tërë krahina është në oxhakun e çdo kulle, ku ndizet zjarr, ku gatuhet bukë dhe ku rriten fëmijë. Aty mbi oxhak mund ta shohin të gjithë, të mburren e të krenohen me historinë e të parëve, ta mësojnë mirë të mëdhenj e të vegjël dhe për t’i shërbyer në çdo kohë, vendit dhe kombit.

Libri në vetvete, me vlerat që bart, është një përmendore që ngrihet dhe mbetet në përjetësi. Për libra të tillë, besoj se ka shkruar dikur dijetari Ruso: “Shkalla e vlerës së një libri, varet jo vetëm nga fakti se sa të emocionon, por edhe sa të bën të mendohesh”.

Urime autorit, për librin dhe për libra të tjerë po kaq të mirë në të ardhmen!

Kadri Tarelli

Durrës më: 20. 06. 2019.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora