E enjte, 25.04.2024, 05:02 AM (GMT+1)

Speciale

Rrustem Berisha: Mendimet e Eqrem Çabejt për kulturën popullore

E merkure, 01.10.2008, 04:52 PM


Eqrem Çabej
MENDIMET E EQREM ÇABEJT PËR KULTURËN POPULLORE

Nga Rrustem Berisha

Eqrem Çabej me studime iu përkushtua gjuhës, njësisë themelore dhe më të rëndësishme të kombit. Me dashuri për kombin dhe akribi i studioi shumë probleme të jetës, të historisë, të gjeografisë, të etnografisë, të kulturës dhe të artit e sidomos ato motive e tema që e bëjnë të fortë faktin e ekzistencës, të lashtësisë dhe të trashëgimisë shqiptare në hapësirën ballkanike.

Me interesim të gjerë ai trajtoi termat kulmore për kah arritjet shkencore, duke e theksuar rëndësinë e tyre, bazë për vlerat tërësore të popullit.

Përkushtim të veçantë gjatë punës së tij shkencore ai ia kushtoi studimit të letërsisë shqiptare. Studioi letërsinë popullore, ndriçoi çështjet me rëndësi të dorës së parë me të cilat më drejtë e më bukur është ngulitur tradita jonë. Studioi letërsinë e shkruar, duke i theksuar vlerat e veprave të autorëve, të cilat artistikisht dhe kuptimisht mbajnë vendet prijatare në artin e fjalës. Ato që Eqrem Çabej i ka konsideruar dhe i ka kualifikuar vlera të artit, ato kanë ngelur të tilla dhe të pacenueshme.

Eqrem Çabej ishte i përgatitur me njohuri të gjera shke­n­co­re dhe në studime përdori metodat më të suksesshme. Ndërtoi sti­lin me të cilin hulumtoi dhe kumtoi rezultate si rrallëkush nga ba­shkëkohanikët e tij. Prandaj shkenca që krijoi ai është themel i for­të mbi të cilin përparojnë studimet e albanologjisë.

Mendimet e Eqrem Çabejt për kulturën popullore shqiptare janë të matura: ato mbështeten në hulumtimet e studiuesve të njohur, në faktet që përmban vetë kultura jonë dhe historia e saj. Ato janë të dhëna të peshuara e të krahasuara me vlerat e arteve dh të kulturave të popujve të tjerë të lashtë e të rinj, fqinj apo të largët. Eqrem Çabej vë baza dhe hap nisjativa për studimin e letërsisë shqipe, për atë populloren dhe të shkruarën, për mitologjinë, për racën shqiptare, për etnologjinë dhe për disiplina të tjera, për të cilat shqiptarët ende nuk kishin hulumtime të njëmendëta shkencore.

Në letërsinë popullore, fjala vjen, ai trajtoi ato terma, të cilat i kanë letërsitë e popujve të njohur për aktivitete kreative artistike. Në këtë fushë, hulumtimet e tij i nis me baladat si këngë më të vjetra, si krijime poetike më të pasura, ku konfliktet janë nxitje kryesore krijuese. Ai, këngën Konstandini i Vogëlith dhe rrafshin e ngjashmërive të ecurisë së zhvillimit të ngjarjes, ashtu si edhe shkaqet e përfundimet e këtij motivi të kthimit të burrit në dasmë të gruas, i krahasoi me kthimin e Odiseut të omerit apHomerit apo të këngëve të popujve të tjerë. Në rrugën e të përbashkëtave, secili popull në mënyrën e vet, me brengat e veta, ua ngriti përmendoren heronjve. Rreth këtyre çështjeve Çabej sjell të dhëna, e lidh bazën e këngës sonë me atë greke, por duke i parë shtresimet si begati në këngën e Aga, Ymeri, lë shteg të hapur të gjurmimeve Pyesim pra në mund tëç gjejmë ndonjë formë më të vjetër të kësaj figure.[1] Sepse ashtu, siç është Aga Ymeri me shtresën islame, që e mbuloi heroin e krishterë, ashtu do të mund ta ketë mbuluar motivi i Digenis Akritas ndonjë motiv pagan, gjegjësisht figurën pagane. Çabej me qëllim që të hedh dritë për çështje të rëndësishme të motiveve që u trajtuan në letërsinë tonë popullore, merr në shqyrtim edhe Këngën e Leonorës dhe e titullon Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare, që e shquan autorin zemërgjerë, ose studiues që nuk vuan nga komplekset. Edhe me këtë motiv është marrë Çabej sikurse shumë shkencëtarë të Ballkanit dhe të Evropës, dhe tregon se edhe letërsia jonë është frymëzuar dhe është mbështetur në motive të njëjta njësoj të rëndësishme që e kanë afirmuar artin si vlerë në botë. Në dy motivet elementi superior është fjala e dhënë, që do të thotë besa në traditën tonë, e cila është institucion, apo supervlerë, prandaj kundër besës nuk mund të mbahet asnjë arsyetim, për çka si pasojë del edhe ngritja e të vdekurit nga varri, për të mbajtur fjalën e dhënë.

Të dyja këto këngë, megjithë përbashkësitë e motivit të strukturës kompozicionale, i përgëzon, thjeshtë, art me vlerë kurse për këtë të fundit thotë: Në një kohë të afër rezervoj ta studioj edhe një herë e më imtas Këngën e Leonorës, këtë pjesë interesante të poezisë sonë popullore,[2] Kështu dhe e heq dyshimin që bie mbi origjinalitetin e motiveve të këtyre bnaladave. Ja se me çfarë dashurie e fillon ai shkrimin për këngën Konstandini i Vogëlth:

Një nga këngët më të përmallshme të Shqiptarëve t’Italisë dhe një nga pjesët më interesante të poezisë popullore ballkanike të krahasuara është kënga e Konstandinit[3] Këtë këngë, Çabej e çmon si njërën nga këngët tona më të bukura popullore, kurse motivin e saj e quan motiv të përbashkët me motivet e këngëve të popujve të tjerë.

Çabej e ka hulumtuar lashtësinë e këtyre baladave, përkatësitë dhe ngjashmëritë me letërsinë e popujve të tjerë, sidomos me letërsinë greke dhe atë turke osmane, por gjithnjë duke e mbrojtur origjinalitetin e krijimeve tona si vlerë letrare me elemente pagane e paraturke, por edhe me elemnte të reja që inkuadrohen me zhvillimet e vonshme kulturore historike.

Si shkencëtar që fakteve u jep kuptimin e sigurt, duke shstruar drejt origninalitetin e thesarëve shqiptarë thotë: Vetëm duam të theksojmë këtë, që poezia popullore shqiptare ësht’ aq e pasur me motive të vjetra, sa mund të hedhij dritë jo vetëm në mitologjinë e stërgjyshëvet t’onë paganë, por edhe në mitologjinë e krahasuar të popujve të vjetër e të rinj të Ballkanit.[4]

Baladës Konstandini i Vogëlith Çabej ia shqsuan edhe një vlerë dokumentimi, e cila mund të kontribuojë për ndriçimin e problemeve homerike, kur thotë se dijetarët i kanë shtrirë ngjarjet e kësaj vepre të omerit në n  Homerit në gjeografinë e Mesdheut perëndimor duke supozuar se popullatë e këtyre viseve mund të jenë ilirët.

Eqrem Çabej nuk rrëmbehet nga entuziazmi kur pasuron historinë dhe kulturën kombëtare. Ai është shembull i rrallë i shkencëtarit që di të përmbahet në shkallën e kufijve të objektivitetit. Ai di t’i çmojë trashëgimitë e të tjerëve me të gjitha vlerat që i kanë, sepse është punë e hulumtuesit që të marrë në shqyrtim ato që krijon e ndërton një popull.

Në shkrimin Për gjenezën e literaturës shqipe radhiten nëntitujt që janë të lidhur me themele të historisë, të kulturës, të gjeografisë dhe të karakteristikave të vendit, të emrit të popullit, të ndikimit të fuqisë centrifugale në historinë dhe në karakterin e popullit shqiptar, të rrymave centripetale të huaja, të Shqipërisë midis Perëndimit dhe Lindjes, të fiseve, të karakterit konservativ të zonave malore, të njësisë së kombit dhe të shpirtit të tij, të poezisë popullore, të literaturës etj., Këto janë njëherit formulime precize të tregojnë trashëgiminë e pasur, lashtësinë e pakontestueshme, autoktoninë e shqiptarëve si dhe të relievit që e zotëruan dhe që u takoi. Dëshmitë për këto probleme Çabej i mbështet në historinë, në kulturën dhe, ndër të tjera, në poezinë e popullit. Ky shkrim i qartëson rrugët e studimeve të asaj baze që e bën komplete ekzistencën tonë.

Sado që mund të duken të pakta studimet e Çabejt për lëndën letrare të popullit, ato janë të themelta, të rëndësishme si argumente dhe sugjeruese për thellimin e zgjerimin e hulumtimeve.

Çabej e ka çmuar drejt letërsinë popullore si bazë mbi të cilën mund të forcohen disa karakteristika kombëtare. Ai shkruan:

Edhe poezia popullore dhe shkrimtaria jonë dëshmojnë, siç do të shohim, njësinë dhe shpirtin e nacionit[5]

Eqrem Çabej kur hulumton për emrin e popullit (arbër – shqiptar) mbizotërimin e të parit e ilustron me këngë të popullit.

 

Arbëreshë, kukureshë,

U djalin kusur s’e keshë,

Po e keshë djal’ e deli djalë,

Bej të hipur mbi kalë![6]

 

Fragmenti i kësaj kënge, me vlera për vargnimin, sjell të dhëna me vlerë edhe për shkencën. Këto dy vlera i ka parë dhe i ka shquar dijetari ynë. Eqrem Çabej i trajton faktorët e ndryshëm, që e kanë ndryshuar vazhdimësinë e zhvillimit normal të kombit dhe të kulrurës së tij, duke i dhënë edhe ngjyrimin e tyre me shtresa joautoktone. Ai flet për shtegtimet shqiptare, si një lloj shtrirje-tkurrje brenda tokave të tyre, të cilat ishin pasojë e lakmive të shteteve të Lindjes dhe të Perëndimit, kur shqiptarët e shpërngulur ktheheshin më vonë në tokat e gjyshërve të tyre. Me këto ndryshime shprehet ndikim i madh në historinë e tyre kishtare, në historinë e popullit, në zakone, në poezinë popullore që do të thotë, në zhvillimin e shqiptarëve në përgjithësi.[7]

Eqrem Çabej duke shkruar për fiset, fillimin e themelit të tyre, shtrirjen dhe raportet, ai shkruan për kulturën e qeverisjes te shqiptarët qysh te paraardhësit e tyre. Ai, kështu, nëpër sfera të kulturës shkon gjithnjë deri te fillimet e tyre, deri në periudhat e mundshme të lashtësisë, i tregon proceset e zhvillimit, por edhe humbjet që kanë ndodhur si pasojë e këtyre ndarjeve dhe këtyre qeverisjeve, sepse ndonjë nga këto fise edhe është asimiluar në popujt fqinjë, siç ishin Vasojeviqët.[8]

Çabej ka shkruar për qeniet mitologjike, ekzistencën e tyre në traditën tonë, dhe për besimin e popullit në to. Kështu, ekzistencën e zanës që ishte futur thellë edhe në raportet e jetës e konkretizon me një këngë erotike nga jugu, ku zana na del personazh i lirë, i natyrës shqiptare në aktivitetin e dashurisë me dialog të imagjinuar sipas strukturës poetike të lirikës së dashurisë. [9]

Eqrem Çabej të gjitha studimeve u jep drejtim të qartë, të domosdoshëm që të kurorëzohen të njësuara në njësinë e kombit, dhe në shpirtin e tij. Ai e vështron punën e shkencëtarëve, të cilët e kanë parë kulturën tonë të ndarë në karakteristika krahinore e duke mos i parë se ato veçori krahinore shumëçka kanë të përbashkët, që formojnë një bazë të vetme dhe që krijonë njësinë për një popull dhe vendin e tij. Ai i shquan të gjitha ato që popullin e bëjnë një, si: besimet, ritet e motmotit, ritet familjare, veshjet, vendet e banimit, gjuhën, krijimtarinë artistike popullore, mentalitetin e njeriut të përditshëm etj., para të cilave elementet dalluese humbin brenda vlerës së përbashkët të kombit. Kjo edhe i shquan shqiptarët si popull më vete në Ballkan.

 

Çabej shkruan:

 

Por njësia është. Është njësi etnike e kulturo-historike, e rrjedhur nga njësia gjeografike. Do vetëm të zbulohet. Për ta kuptuar duhesh rrahur vendin nga njëra anë në tjetrën. Atëhere shlyhen ndryshimet e theksuara, trajtat lokale të jetës kalojnë më ngadalë njëra në tjetrën, dhe bashkohen domosdo në një tërësi të njëllojtë. Kjo merr fund atje, ku na të kalojmë kufijt’ e lëmës së gjuhës shqipe: na del atëherë përpara një botë tjetër, e ndryshme nga bota shqiptare.[10] Dijetari ynë i numëron faktorët që bashkojnë siç janë: tërësia gjeografike, veçoritë etnokulturore dhe të racës sonë, të cilat popujt e tjerë i kanë tjetërfare dhe, thotë shkurt, i hasim kur të kalojmë kufijtë dhe të ndeshemi në fqinjët.

Mendimt e Eqrem Çabejt në studimin Për gjenezën e literaturës shqipe agrumentohen edhe me karakterin dramatik të historisë shqiptare dhe të figurave kryesore për t’i dhënë trajtën përmbyllëse edhe me artin letrar popullor; Kjo cilësi na shfaqet dhe në poezinë popullore të Shqiptarëvet.[11] Ai poezinë popullore e konsideron jetë të popullit dhe të manifestimeve të asaj jete që bëhet përditë. Kështu, ai krijon lidhjen e krijuesit me ata që i shijonë ato, sepse jeta me artin ndërton vlera, të cilat i nevojiten shpirtit dhe mendjes së njeriut. Kënga dhe vallja, sipas tij, shijohen gjatë interpretimit, përndryshe, efektet e tyre zbehen. Ai sikur don të na nxisë t’i parafytyrojmë të gjalla idilat e jetës brenda ornamentikës së ritit, të festës dhe të ngjarjeve historike, të cilat fisnikërohen dhe gjallërojnë në këngë.

Ndër të tjera, Çabej ndalet edhe në shqyrtim të shkurtër, por të thelluar të proverbit dhe të përrallës. Po para së gjithash, ndaj poezisë ndien kënaqësi dhe siguri më të madhe prej së cilës nxirren dëshmitë. Pra, këtu i sheh vlerën e artit dhe të dëshmisë: Kënga popullore e shoqëron njeriun e Balllkanit prej djepi e gjer në varr. Nuk ka një çast të rëndësishëm në jetën e individit, lindje, dasmë, vdekje, të kremte, ngjarje lokale e historike, që të mos friksohet në këngë e të mos fisnikërohet e lartësohet prej saj.[12] Dijetari ynë ishte i bindur se: Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore.[13]

Raportet e poezisë popullore shqiptare me poezinë popullore të popujve fqinjë i sheh në një zhvillim të natyrshëm: poezitë e këtyre popujve (shqiptarëve, grekëve, arumunëve, serbëve e të tjerëve) kanë ndikuar në njëra – tjetrën, kanë marrë e kanë dhënë motive, lëndë, tematikë etj. Por, para së gjithash, ai i shikon faktet e një rruge të lashtësisë dhe bazën origjinale të poezisë sonë e mbështet në prirjet krijuese të kombit, i cili ka krijuar lloje të shumta të poezisë që janë pasuri artistike.

Mendimet e Eqrem Çabejt për epikën tonë legjendare janë të vlefshme, sidomos kur dihet se studiues të ndryshëm kanë mohuar origjinalitetin e epikës sonë, duke thënë se ajo mbështetet në epikën sllave, konkretisht në atë boshnjake. Si u pa, Çabej tregon se ka të dhëna e pohime se edhe grekët si popull i lashtë në Ballkan, në letërsinë e tyre i kanë pikërisht motivet shqiptare, siç është rasti me Odissenë, personazh i veprës së Homerit. Prandaj, shqiptarëve nuk mund t’u merret e drejta e autorësisë nga ardhësit, sllavët. Ai nuk e mohon influencën e poezisë legjendare serbe në epikën tonë në pikëpamje metrike, por duke e vënë në pah se nuk e njohim gjenezën e këtyre këngëve, për të ditur me saktësisht evoluimin e tyre se athua kështu ka qenë kjo influencë me këtë proporcion. Ai thotë se epika e tillë e shqiptarëve, e serbëve, e bullgarëve e bëjnë një qerthull në të cilin kënga shqipe ka pasur rolin dhënës. Ai këtu cek emrat tripjesësh të heronjve të këngëve shqiptare, që kanë shtrirje në gjithë truallin shqiptar e që janë më të lashtë. Këtu shihet, pohon Çabej, tradita e popullit që të ruajë fisin edhe në emër.[14] Ndërkaq, emri i Gjergj Elez Alisë, personazh i këngëve shqipe, këndohet në këngët e boshnjakëve dhe të bullgarëve me emrin e parë shqiptar. Sllavët e tjerë nuk e kanë këtë element marrës. Ai pohon se këto të dhëna janë të nënshtresës ilire, kurse sllavët e ardhur i gjetën dhe i përvetësuan. Zana, si personazh i këngëve kreshnike, është karakteristikë e viseve ku ndjehet ndjenja epike e jetës. Ndër shqiptarë ekzistojnë më shumë emërtime, madje një është edhe si përmbledhës i cilësive të heronjve, që të tjerët nuk e kanë, e ky është kreshnik, këngë krshnike. Emërtimet e tjera përputhen me ato të popujve të tjerë, si: këngë trimërie, këngë të moçme, këngë pleqërie, po i pari, kreshnik, është origjinal, është vetëm yni.

Me gjithë turrin pushtues llav, mendimt e Çabejt se ka ndikime marrëse e dhënëse në sferën e artit letrar popullor shkojnë rrugës së drejtë, siç ka ndodhur me të gjithë popujt në fqinjësi të tillë dhe si shembuj i merr gjermanët prej të cilëve morën francezët dhe ua kthyen në mënyrë të përpunuar. Çabej e mbron me dinjitet kulturën e lashtë të parëve tanë, e cila u fut në kulturën e ardhësve sllavë, por që gjatë marrëdhënieve në fqinjësi shqiptarët e morën pak si të sllavizuar, të natyrës dhe të tipit që krijuan ata.[15]

Eqrem Çabej e mbrojti historinë dhe kulturën tonë të lashtë duke e parashikuar se një mbrojtje e tillë do ta na duhet nga ata që na sulmuan vazhdimisht deri në ndonjë epikë më civilizuese. Ai e ka përmendur si të fuqishme influencën turke orientale në poezinë tonë popullore me shtresime dhe në melodi, por edhe ka konstatuar se ajo kurrë nuk ka dominuar. Por në malet e Shqipërisë janë ruajtur të gjalla meloditë e lashta të vendit.[16]

Mendimet e Çabejt përshkohen me idenë e vazdhueshme kombëtae patriotike. Gjeografia, historia, populli, emri i popullit, sistemi qeverisës fisnor, kultura, gjuha i mbajnë shenjat e kombit të lashtë në trevën e Ballkanit. Këtë shenjë e mban edhe poezia popullore me të cilën i dëshmon shumë studime nga këto fusha:

Ç’përshkruam më lartë si njësi shqiptare që çfaqet edhe në poezinë popullore.[17]

Shikimi patriotik i Çabejt është shtrirë në të gjithë spektrin e trashëgimisë sonë. Ai i ka bashkuar të domosdoshmet e historisë dhe të kulturës sonë me një harmoni të natyrshme. Mendimet e tij për gjuhën, për artin, për traditën, për historinë na kanë sjellë të dhëna kontinuitive bashkuese në pasurimin e fondit kombëtar. Ai si përcaktues i gjendjes dhe i shkallës së zhvillimeve tona e pa të harmonishme dhe të fortë lidhjen midis fiseve shqiptare, midis të folmeve dialektore, midis letërsive krahinore. Këto mendime ishin të drejta shkencorisht dhe të domosdoshme kombëtarisht.

Çabej konsideron me të drejtë se poezia popullore e arbëreshëve të Italisë është burim i çmueshëm i lashtësisë së kulturës, artit dhe gjuhës sonë. Atje i gjen të dhënat me moshë pesëshekullore, të cilat në Shqipëri dhe në vendet shqiptare rreth saj i ka prekur shtresimi i ndikimeve të kulturave të huaja dhe i zhvillimeve të natyrshme historike të popullit. Ndërkaq, poezia popullore e arbëreshëve të Italisë e ka ruajtur origjinalitetin e një lashtësise të konsiderueshme. Mbi këtë rezervat të kulturës shqiptare kanë nxituar shksencëtarë shqiptarë dhe të huaj, të cilët pa mëndyshje aty kanë fituar përvoja e kanë treguar suksese, kush më të mëdha e kush më të vogla, në shkencat albanologjike. Në njëfarë mënyre Çabej e ka konsideruar poezinë e arbëreshëve të Italisë si arkiv të natyrshëm të shkallës së kulturës shqiptare të kohës së qytetërimit të avancuar të kombit. Ajo letërsi ishte ruajtur me dashuri dhe ishte respektuar, sepse ishte e lidhur me ritualet e nostalgjisë për atdheun e braktisur. Kjo nuk kishte ngjarë me letërsinë në atdhe. Ajo kishte ndjekur rrugë tjetër të jetës dhe të interpretimit, duke iu nënshtruar dhunshëm herë-herë ndikimeve të huaja me ashpërsi dhe, në anën tjetër, zhvillimeve të brendshme që evoluojnë te çdo popull[18]. Duke përfillur mendimin e Kamardës. Çabej shkruan: Të lashta dhe të shpuara prej atdheut të vjetër janë ato këngë, që i gjejmë dhe të Arbëreshët e Kalabrisë dhe te ata të Siqelisë, shumë herë të barabarta gjer në hollësi. Duke qenë se këto dy grupe ngulimesh nuk kanë pasur dhe aq të dhënë e të marrë në mes të tyre gjatë jetës së tyre në Itali s’ka sesi t’i kenë marrë nga njëri-tjetri atje; ata këto i kanë sjellë në themel prej atdheut të tyre ballkanik[19]. Për këngët e krijuara më vonë nga arbëreshët ai thotë se në to ndikoi gjuha italiane dhe normat e jetesës atje, faktorë që janë normalë kur pakica etnike në mesin e një populli edhe pa dhunë shkon rrugës së asimilimit.

Në shkrimin Disa burra të shquar të arbëreshëve të Italisë, Çabej ka dhënë mendime dhe ka përmendur studiues dhe vjelës të letërsinë popullore të arbëreshve ku konkludon:…si mbedhës, si ruajtës e si gjurmues të pasurive mendore të popullit të tyre, kanë dhe këta një vend nderi në ndërtesën e kulturës shqiptare.[20]

Dijetari ynë ka shkruar disa herë me radhë për Maximilian Lambertz – in. Për të mos e cekur këtu hollësisht krejt çka ka thënë, ai ka shprehur një respekt të veçantë për studiuesin e përkushtuar të shkencave albanologjike. Ndër të tjera, ai flet për konributin e madh të Lambertzit në studimin dhe përkthimin e epikës sonë legjendare në gjuhën gjermane. Me këtë rast, duke folur për këtë lloj të poezisë sonë popullore, Çabej shpreh edhe mendimin e vet, se populli i lashtë shqiptar kishte poezi me vlerë, të cilën e lakmuan dhe prej së cilës përfituan sllavët e ardhur: Në punën e çështjes së përgjithshme të gjenezës së kësaj epike po lejohem këtu t’i referohem një mendimi tim të shprehur vjetë më parë për ato elemente të folklorit të sllavëve të jugut, të cilat i mungojnë botës sllave përjashta Gadishullit Ballkanik, në parim ekziston mundësia që ata t’i kenë marrë prej shtresës që sllavët gjetën në këto troje. Kjo shtresë, edhe nëse nuk është identike me një shtresë shqiptare të lashtë, është e lidhur me këtë në mënyrën më të ngushtë. Ndonëse mjaft elemente të kësaj poezie epike kanë dalë nga një zgjerim motivesh dhe kanë të bëjnë kështu me një zhvillim gjatë kohëve, kësaj poezie nuk mund t’i mohohet a priori, në thelb më i vjetër e parasllav. [21]

Çabej e mbyll kështu dinjitoz e ngadhënjyes një lloj polemike të pashpallur ose të themi ndryshe, e hesht sulmin që disa studiues e bënë mbi poezinë epike legjendare shqiptare. Duke shquar shtresat ilire e thrake që përshkohen në letërsinë popullore, ai e shquan paaftësinë e dukshme të kulturave të sllavëve të ardhur më vonë që të mbizotërojnë me dhënie në këtë drejtim para se me marrje. Mendimet e Çabejt për zakonet dhe doket tona, si dhe për figurat ku është mbështetur besimi i popullit, janë me vlerë të përgjithshme edhe për ato shkenca për të cilat dija shqiptare nuk kishte arritur t’i vështrojë as fillimisht.

Rëndësinë e njësisë kombëtare të ruajtur në vazhdimësi, Çabej e qartëson pa e lëshuar nga goja vlerësimin se ajo është e rëndësishme si kulturë autoktone shqiptare, por edhe e rëndësishme për kulturat e fqinjëve dhe të popujve evropianë, sepse ndihmon në identifikimin e dallimeve në mes kulturave veç e veç, si dhe të anëve të përbashkëta të tyre.

Për Çabejn, kënga si dokument i dorës së parë është jo vetëm prodhim shpirtëror artistik, por ajo shënon edhe arritje të zhvillimit mendor të popullit. Përmes këngës ai sheh zhvillimet e caktuara kulturore historike, zakonore, gjuhësore etj. Duke i parë ndikimet e kulturave dhe motivet që i shquajnë elementet e përbashkësisë, shksencëtari ynë, i thekson elementet e njësisë sonë kombëtare që nga lashtësia e tyre dhe ato i vë në thesarin tonë artistik, kulturor e historik për ta forcuar bazën me të cilën studimet duhe të ecin përpara. Në këtë drejtim, në punën e Çabejt e shohim një formim të posaçëm patriotik.

Rezultatet e punës shkencore të Eqrem Çabejt u kanë shërbyer shkencëtarëve që të mbështesin hulumtimet dhe konstatimet e tyre në studimet e albanologjisë. Megjithatë, vepra e tij prek vlerësimin e plotë analitik. Pas vdekjes së dijetarit, studiuesit i janë qasur në mënyrë fragmentare, apo nga aspekte të veçanta. Një studim monografik për këtë figurë e ka bërë profesor Shaban Demiraj (Eqrem Çabej, Tiranë 1990), i cili punën e Çabejt e ka parë si punë të hulumtuesit të thellë, që rezultateve shkencore u jep trajtën e studimeve të plota. Shaban Demiraj shkruan: Në këtë rast nuk është fjala vetëm për studiuesin e krijimeve popullore dhe letrare, sepse një gjuhëtar, sidomos një historian i gjuhës, duhet t’i kalojë ato disa herë nëpër duar, për të nxjerrë që andej lëndën e nevojshme për studimet e tij gjuhësore. Në rastin e gjuhëtarit tonë është fjala jo vetëm për njohjen e mirë të folklorit dhe të veprave të letërsisë së shkraur, por edhe për studime mbi probleme të kulturës popullore dhe të letërsisë shqiptare, në mjaft raste të vështruara dhe të krahasuara me ato të popujve të tjerë, sidomos të popujve të Ballkanit.[22]

Letërsinë në përgjithësi e letërsinë popullore, në veçanti, Çabej i studioi, si njohës i mirë, i cili e di peshën e fjalës, kur kumton si art, dhe efektin e figurshmërisë së saj në ndjenjat dhe në vetëdijen e njerëzve për shekuj me radhë, ashtu si] bëri kënga e arbëreshëve. Poetikën e krijimtarisë popullore e ka parë të evoluar në vazhdimësi dhe të lidhur me zakonet e raportet e zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Në disa lloje të këngëve, siç janë ato të dasmës e të tjera, i ka parë përbërësit e dramës, të një drame artistike popullore me specifika të theksuara.

Do cekur mendimin e Jorgo Bulës, i cili thënien e Çabejt të jemi objektivë, por jo indiferentë e qartëson me komentin: Këtë e dëshmojnë dhe studimet e shënimet e tij për letërsinë shqiptare, ku ndihet rreptësia e shkencëtarit dhe dashuria e pasioni i patriotit për të zbuluar vlerat e kulturës së popullit të vet, për t’i bërë ato të njohura e për t’i mbrojtur nga shtrembërimet e atyre studiuesve pas së cilave fshihen qëllime të këqija, shoviniste, antishqiptare e antishkencore.[23]

Çabej nuk është prej atyre shkrimtarëve që rrëmbehen dhe herë – herë entuziazmohen kur kulturën tonë e mbrojnë nga sulmet e studiuesve të huaj. Përkundrazi, dokumentimet në të mirë të kulturës sonë ai i bën me gjerësi shpirtërore. Për ta studiuar figurën e Çabejt si studiues i shkencave të albanologjisë kërkohet punë e madhe e kjo duhet të bëhet në përputhje me përkushtimin e vetë dijetarit tonë, Eqrem Çabejt

Ndër ata që veprën e Çabejt e çmon yll që do të shndrisë gjithmonë mi hapësirën shqiptare është Ismail Kadare. Ai përballë veprës së Çabejt nuk sheh tjetër më të vlefshme e më të rëndësishme:

Ai u mor tërë jetën me një nga përmasat më të gjera, më madhështore e më misterioze të jetës sonë: gjuhën. Ai punoi tërë jetën me mund prej titani për gjuhën tonë shqipe, atë gjuhë që, duke u përtypur si ushqim nga gojët e mendjet e dhjetëra milion shqiptarëve nëpër shekuj, duke i bashkuar ata e mendimet e tyre, mbajti gjallë unitetin e kombit e u mbajt edhe vetë gjallë prej tij. Të lidhura kështu me këtë materie të pavdekshme, emri dhe vepra e Eqrem Çabejt e kanë të natyrshme, si një cilësi të rasës, pavdeksinë.[24]

Eqrem Çabej në studimet e tij punoi të sigurojë maksimumin e realizimit dhe të objektivitetit shkencor. Ai e ka parë zhvillimin e kulturës shqiptare dhe të gjuhës shqipe në tërë kompleksitetin e saj të zhvillimit dhe të formimit. Ai, mbi të gjitha, deshi të dëshmojë ekzistencën e lashtë të shqiptarëve në këto hapësira, ekzistencën e tashme të denjë dhe të ardhmen më perspektivë. Rëniet dhe ngritjet tona kulturore, ai nuk i pa thjesht si dështime e shkelqime, por në rrethana e kushte, që u krijuan shumëherë në Ballkan, e ushtruan trysni të llojllojshme mbi kulturën tonë, duke e zvogëluar, madje, edhe relievin shqiptar.

Vlerat supreme të veprës së Eqrem Çabejt janë të dhëna, të cilat sot përfolen me një liri shpjeguese nga shumë studiues, porse vlerat e plota të veprës së tij do të dalin në dritë vetëm kur ajo të studiohet nga ndonjë studiues i përkushtuar siç ishte vetë ai, Eqrem Çabej.



[1] Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore V, Rilindja, Prishtinë 1975, f.98

[2] Vepra e cit. f. 96

[3] Vep. e cit, f. 97

[4] Vep, e cit, f. 100

[5] Vep, e cit, f. 117

[6] Vep. e cit, f. 103.

[7]Vep. e cit. f.108 e 109

[8] Vep, e cit, f. 111

[9] Vep. e cit, f. 112 e 113

[10] Vepra e cit. f. 113

[11] Vepra e cit, f. 115

[12] Vep. e cit, f. 121

[13] Vep. e cit, f. 122

[14] Vep. e cit, f. 124 e 125

[15] Vep. e cit, f. 125

 

[16] Vep. e cit, f. 129

[17] Vep. e cit, f. 132

[18] Vep. e cit, f. 136 e 137

[19] Vep, e cit, f. 137

[20] Vep. e cit, f. 166

[21] Vepra e cit. f. 189

[22] Shaban Demiraj, Studiues i krijimeve popullore dhe letrare (Pjesë nga libri: Eqrem Çabej, Tiranë 1990 në Jeta e re nr. 4, Prishtinë korrik – gusht 1998, f. 667.

[23] Jorgo, Bulo, Eqrem Çabej për letërsinë shqiptare, në Jeta e Re Nr.4, Prishtinë 1998, f.553

[24] Ismail Kadare, Akt kulturor e moral i admirueshëm, Shaban Demiraj: Eqrem Çabej. Një jetë kushtuar shkencës, Tiranë 1990. Në Jeta e re nr. 4 Prishtinë, 1998, f. 681

 

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora