Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dy Botë, romani i dytë nga Elvi Sidheri

| E merkure, 26.06.2019, 09:35 PM |


Porsa pa dritën e botimit romani i dytë i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, i titulluar jo rastësisht DY BOTË, si një pasqyrim i vetvetishëm i vetë thelbit e fillit përçues të këtij romani jokonvencional.

DY BOTË është krijimi i dytë në prozë i Elvi Sidherit, pas romanit të parë Emigrantja, që fort shpejt do të vijë në botimin e shtypur, pas përpunimit të fundit, dhe përbën një vazhdimësi letrare në stilin e të shkruarit të autorit të tij, në nuancat, përthyerjet, këndvështrimet, mendësitë, personazhet, pikëtakimet kulturore, vendet, popujt, shtetet e kontinentet që përfshin ky libër në përqafimin e tij gjithëpërfshirës; duke qenë gjithsesi kryekëput i ndryshëm nga romani i mëparshëm.

Në DY BOTË ngërthehet një dashuri e jetuar, ndier, botëkuptuar dhe shtjelluar në mënyrë krejt njësore, që veçohet nga trajtimi i rëndomtë i dashurisë në letërsinë aktuale, duke u përqendruar thellësisht pikërisht te fuqia e dashurisë dhe shtysat e papërballueshme të të dashuruarit, përkundër gjithkujt, gjithçkaje, përtej barrierave fizike, kufijve, detrave e oqeaneve, përkundër ndryshimeve kulturore, largësisë apo kohës e viteve.

Dashuria e shpërfaqur në këtë roman të përfshin, të grish, ashtu siç të joshin gjithë personazhet e përshkruar nëpër faqet e tij, atmosferat e pakoha, qytetërimet, vendet, nuancat ekzotike, Europa e lashtë dhe Bota e Re të sintetizuara nga sytë magjepsës dhe mendja kryeneçësisht e mprehtë e një shqiptareje të shekullit XXI,  gërshetuar me spërkatje të shumta kulturore që sendërtojnë një roman modern, mendjehapës dhe përthithës për lexuesin në mëtimin për të ndjekur hapin e ngjarjeve, personazheve dhe situatave që jetësohen nënjë mjedis tejet kozmopolit e frymëzues.

DY BOTË përfaqëson besnikërisht frymën e personazheve që gjallojnë në brendësi të tij, duke ofruar mundësinë e rrallë për të njohur një univers dashuror, kulturor, psikologjik, shpesh edhe gjuhësor, që ndërthuret natyralisht duke krijuar një ansambël letrar që arrin të bashkëveprojë me lexuesin duke rrëfyer butësisht një histori dashurie.