E premte, 29.03.2024, 12:52 PM (GMT)

Editorial

Prend Buzhala: Molla e grindjes

E hene, 24.06.2019, 08:34 PM


MOLLA E GRINDJES

ose: ese për grindjen, II

(Nga ligjërimet për të vërtetën)

Nga Prend BUZHALA

Nëpër shkrime e në të folurit e përditshëm e dëgjojmë shpesh shprehjen ose frazemën: "mollë sherri", "molla e grindjes". Erinitë në miret antike, përmenden si perëndesha të hakmarrjes. Sidomos perëndesha e hakmarrjes, Erida, mishërim i së keqes . Ndër mileniume, popujt e përvetësuan këtë shprehje, mbasi motivet e tilla paraqiten pothuajse në të gjitha kulturat e popujve nëpër botë. Gjithsesi, që arketipi i grindjes shënjon marrëzitë e tilla të konflikteve të njerëzimit në shtigjet e tij historike. Arketipi i Luftës së Trojës që e shkaktoi një Helenë, apo një mollë e grindjes, arketipi i konfliktit mes vëllezërve apo i vëllavrasjes, i grindjeve ideologjike si te Lufta e Trojës etj, është jo vetëm motiv i shpeshtë letrar, por edhe motiv që ka përsëritjet e veta sipas rrethanave, konteksteve dhe kushteve historike e shoqërore.

1.

(Miti dhe prapaskenat)

Është dasma e Peleut mbret, në Thesali, martesa e tij me Tetidën e bukur. Muzikë, vallëzim, atmosferë dasme hyjnore, dëgjohet lyra e artë Apolonit, ka aromë pijesh, aromë vere e aromë të pijeve të perëndive, ambrozit, aroma ë ushqimeve të mishit të pjekur.

Zeusi qëndron aty, kujton grindjen me Posejdonin, sepse që të dy vëllezërit dashuronin Tetidën. Posejdoni tërhiqet para më të fortit, por Tetida ka refuzuar dashurinë e Zeusit. Shpella, ku mbahet dasma, e ka shpërndarë errësirën nga drita e hyjnive. Erida, që shërben aty, merr mollën e artë, aq të mrekullueshme, që e kishte fshehur në një vrimë bë shpellë e në të kishte shkruar: dhuratë për më të bukurën. Zeusi vëren Eridën, sikur po qëndron jashtë gazmendit, e paftuar. Erida është er fyer për këto mos-ftesë. Ajo merr nga tryeza hyjnore një kristal, mbi të cilën e vendos mollën. Dikur dasmorët pushojnë së vallëzuari, jepen pas pijes e ushqimeve. Erida shfaqet para tyre dhe të gjithë mbesin gojëhapur. Perëndeshat psherëtijnë: ah, çfarë bukurie paska kjo mollë mbi kristal, por çka qenka ajo?! Atena e urtë, bijë e Zeusit, e do për vete atë dhuratë. Hera e lexon: Më të bukurës! Dhe kërkon që t'i jepet asaj. Afërdita hidhërohet: e përse t'i takojë Herës? Kujt t'i takojë: Atenës, Herës apo Afërditës? Erida tërhiqet pranë murit të shpellës e gëzuar, se po ia arrinte qëllimit! Perëndeshat grinden! Zeusi urdhëron Hermesin t'ia sjellë aty Safon që krijon vargje përjetësie. Zeusi e pyet Safon: Perëndeshat po grinden, cila është më e bukur, na e thuaj ti, cila është? Safoja heziton, se nuk mund të përgjigjet, por jep këshillën: ajo që është e bukur, është edhe e mirë. Përsëri grindja: cila është më e mira dhe cila është më e bukura! Zeusi edhe njëherë e ndërpret grindjen dhe pyet dasmorët: cila është më e bukura? Dasmorët, që ishin perëndi, heshtin. Zeusi vendos t'i pyesë njerëzit. E urdhëron Hermesin t'i dërgojë tri perëndeshat në bjeshkët e Trojës dhe e urdhëron, Parisin (Paridin, që ende nuk ishte princ i trojanëve) që të gjykojë se cila është më e bukura. Erida fërkon duart e gëzuar. Del edhe ajo nga shpella e atmosfera e dasmës.

Burime të tjera mitike thonë se motivet e kësaj ngjarjeje ishin politike, një bashkëpunim i fshehtë i Zeusit me Eridën: për ta nxitur një luftë për ta zbutur racën njerëzore, tepër kryengritëse e tepër të egër. Zeusi ndërhyn në luftëra e në fatet e njerëzve, njësoj si zeusët e historisë që krijuan luftëra e konflikte. Zeusi dëshironte që t'ia bënte një festë dasme të bukurës Helenë. Parisi deshi të ikte (ishte ende një bari), por Hermesi e ndalon dhunshëm, e urdhëron që të vlerësojë e të ndërhyjë në këtë grindje. Perëndeshat i premtojnë Parisit pasuri, tokë, lugina e bjeshkë... Hera i premton se do të jetë sundimtar i Azisë, Atena i premton shkathtësitë luftarake, i premton fitore të mëdha në luftë, dhe pre lufte të paçmueshme, kurse Afërdita ia premton Helenën, më të bukurën nga bota e vdekatarëve e këtë Parisi nuk mundi të mos e pranonte. Parisi merr mollën, ia dhuron Afërditës, me mendimin e gëzimin në zemër se do të jetë më i lumturi në botë me Helenën e bukur.

Thuhet se ky ishte akti i parë i një zgjedhjeje të lirë në histori. Zgjeshje që çoi në luftë.

Ngjarjet tjera dihen edhe nga "Iliada": se si zhvillohet Lufta e Trojës. Molla e prerë përgjysmë noton nëpër kohë. Kjo mollë e sherreve vërtitet në dorën e perëndive e prapaskenave historike që bashkëpunojnë me erinitë e përçarjeve, sherreve dhe grindjeve.

2.

(Molla e Eridës na arrin kudo që të jemi)

Në traditën shqiptare e ruajmë këtë mollë në shtizë, në maje të flamurit. Te peozitë e Ali Podrimjes vijnë poezitë nëpër vite e dekada, Molla e Nënës, Molla e Kuqe (simbol i sherrit të kufijve etnikë), Molla në degë:

Armiku yt më i madh

është varfëria miku im

Lehtë ia bëjmë urrejtjes

Shoh

Dora jote s’është e vogël

për ta këputur mollën në degë

Në vitin 1986 Musa Ramadani botoi vëllimin “Eugjenika e tri deteve”, një titull kuptimplotë, që sugjeronte grindjet e përgjakshme shumëshekullore, të keqen që p vërtitej si shpatë Damokelu nga regjimi millosheviçian...Ky poeti i risemnatizon mitet, i rimitologjizon (siç do të thoshte . E. M. MELETINSKI te stuimi i tij monografik “Poetika e mitit). Ty ky vëllim gjendet edhe poezia “Molla e Eridës”

Dikush e hedh një gur në shesh

Dikush e nxjerr një shpatë në fushë

E dikush e zbraz një plumb në mal

Po për të shkaktuar grindje ndër njerëz

Mjafton edhe vetëm një mollë e Eridës.

(...)

Edhe sot e kësaj dite njerëzia

Ia kanë drojën mollës së Eridës

I ikin guerit, shpatës, plumbit

Molla e Eridës i arrin gjithkund

Përnjëmend, e ku nuk arrin kjo sfidë molle e grindjes?!

Le t’i përfytyrojmë për një çast, se si u nxitën e u nisën luftërat, si u nisën revolucionet: gjithnjë duke u nisur nga një pretekst (nga një mollë sherri)... Më 1981 një pjatë e thyer në mensën e studentëve, nxiti demonstrata, dhuna serbe e tulatur, që kishte zënë pusi më shumë se një dekadë, po priste pretekstin, preteksti u rrit dhe shkatërroi një federatë, shkaktoi luftëra të përgjakshme...

Dhe molla e grindjes na përcjell edhe pas luftës: assesi të zbutet tigri grindavec serb me amvisje të sëmura mbi Kosovën.

Molla e grindjes depërton mes nesh.

Arrin në familje, në shkollë, në krye të shtetit, mes shteteve, mes blloqeve ushtarake etj.

Arrin te zemra e njeriut: njeriu zhvillon konfliktin e tij të brendshëm me vetveten.

Kurrë më shumë mjete të komunikimit për t’u marrë vesh, nuk kemi pasur gjatë historisë, siç kemi tani, dhe asnjëherë më shumë mosmarrëveshje!

Njerëzit keqkuptohen, në vend që të mirëkuptohen.

Njerëzit nuk e pranojnë njëri-tjetrin, e mohojnë miku mikun, bashkëpunëtori bashkëpunëtorin, kolegu kolegen, i riu të renë apo e reja që dashuron braktis të dashurin e saj. Kaq shumë mjete komunikimi e ka shumë njerëzit e harrojnë njëri-tjetrin! Profesori nuk merret vesh me studentët, të vjetrit nuk mund t'i kuptojnë të rinjtë dhe rinia nuk çan kokën për t'i kuptuar gjeneratën e vjetër. Në mes bashkëshortit e gruas lindin moskuptime e keqkuptime, shpesh pa fund e pa skaj. Prindi s'e do fëmijën e tij, kurse fëmija ik nga prindi i tij. Marrëdhëniet në mes njerëzve minohen, shkatërrohen...

U pa: mjetet e komunikimit nuk sigurojnë e as nuk garantojnë se njerëzit mund të mirëkuptohen apo mund të merren vesh.

3.

(Kultura e Mirëkuptimit)

E pra, mirëkuptimi mungon e kjo shndërrohet në problem shqetësues dhe në çështje të të gjithë njerëzve, ashtu sikundër njerëzit kanë nevojë edhe të ndërlidhen dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.

"Shumica e probleme në jetë vijnë nga keqkuptimi", thotë një personazh i veprës së L.M. Montgomery.

Dhe, mbasi konstatohet gjendja e tillë, atëherë çka duhet bërë? Ku gjendet zgjidhja dhe ku mund ta vendosim zgjedhjen tonë? Prandaj, na u dashka dhe Edukimi për Mirëkuptim, arsimimi për marrëveshje. Ky edukim ngërthen dhe një Kulturë të Etikës Njerëzore... - si të arrihet, me anë të komunikimit e mirëkuptimit, përvetësimi i shpirtit bujar, i zemërgjerësisë, i fisnikërisë shpirtërore, domethënë, si t'i qëndrojmë pranë asaj thënies proverbiale për Bujarinë e Shqiptarit...

(Prend Buzhala, 17 maj 2019)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora