E premte, 19.04.2024, 05:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Rrëfimi i shtëpisë – gërmadhë në Çamëri

E hene, 24.06.2019, 08:37 PM


RRËFIMI I SHTËPISË –GËRMADHË NË ÇAMËRI

Për 27 qershorin, dites se genocidit grek kundër popullates dhqiptare në Çamëri.

Nga Resmi Osmani

Nata ishte e qetë.Hëna e plotë kalëronte midis yjeve dhe derdhte tatëpjetë dritën e zbehtë.Diku në një lis,jehonte thirrja vajtimtare e Gjonit në kërkim të qyqe-motrës së humbur. Në kodrën e ullinjve, i vetmuar, dergjej në lëngatë  skeleti i gurtë i shtëpisë së djegur, të vidhisur, me rrënojat e gurëve, hirit dhe shkrumbit, me dritaret, sy të verbër dhe dyert si plagë të hapura, bashkë me të vdekurit e saj varrosur në oborr. Nën harkun e qemerit të gurtë të portës, ende të pa shëmbur,veç shpirtërave dhe hijes së të vdekurve, askush i gjallë s’hynte, askush nuk dilte. Dergjej aty e vetmuar, jetëshuar, e pa mbrojtur, e braktisur, e harruar, e rrahur nga stuhitë, shqotat, shkulmet e shiut, nga akulli dhe ngricat, nga dielli përvëlues, që përherë i shkëpusnin nga trupi, si mishin nga eshtrat, herë një gur e herë një tjetër, duke e vogëluar dhe rrëgjuar, deri sa ta kthenin në një pirg gurësh të mbuluar nga bari dhe harresa. Ajo e ndjente që ky fund rrënues, një vdekje e dhimbshme, sido që e ngadaltë, po avitej pa pra e tinëzisht. Do të mbeteshin vetëm themelet e varrosura nën tokë, si rrënjët e thara të nje peme të goditur nga rrufeja.

Era e vjeshtës uturinte përvajshëm në mazgallat e shtëpisë–gërmadhë. Kukuvajka vetmitare, pas gjuetisë së natës, u shkëput nga degët e ullirit, mori fluturim dhe u ul mbi murin e shtëpisë-gërmadhë dhe nisi të bënte atë që dinte më mirë: ulërimën vajtuese, zindjellëse e të kobshme që përzjehej me cicërimat e bulktheve, ciatjen e lakuriqëve të natës dhe gulshet e erës. Mesnatë e mugët, e përhitur me pluhurizën e zbehtë të yjeve dhe dritën e hënës, e mbarsur me mistere dhe fshehtësi të frikshme. U dëgjua një psherëtimë, e pastaj një rënkim i ngjethshëm, mbi varret e oborrit llapsi nga nëndheu një flakëz kaltëroshe. U hapën portat e misterit dhe sosh dolën shpirtërat që edhe në mbretërinë e nëntokes, nuk gjenin prehje. Muret u drithëruan, gurët kërkëllinë si eshtrat kur thyhen. Shtëpia fërgëlloi. Ajo i njihte. Ishin të sajtë. Shpirtrat dhe hijet e të pajetëve, të masakruar, në shtëpinë e tyre te rrënuar që kishte psuar si edhe ata vdekjen kobzezë e të lemerisëshme, nga e njëjta dorë e egër greke-zerviste, vrastare, mizore.   Nga dita e tmerrit kishin kaluar 75 vjet. Vinin të takoheshin, të çmalleshin. Ç’farë thoshin vallë? Shtëpia dëgjonte të qarat e fëmijëve, rënkimet e pleqve, psherëtimat e grave, nënave dhe vajzave, fjalët hakërryese të  burrave. Ajo ndjente dhimbjen, se plagët ende kullonin gjak, shpirtrat vuanin, por bisedat vinin si të shurdhera, të ndërprera, të mbytura nga gulçi dhe vaji i gjëmës. Nuk arrinte ti merrte vesh, por  aq gjë e kuptonte: shpirtrat ishin rrënuar si edhe ajo dhe nuk gjenin as prehje as paqe për gjakun e pashpaguar dhe jetët e shuara. Mbi varret e tyre, nga koha të sheshuar, kishte mbirë bari. Askush nuk qante e derdhte lot dhimbjeje e dashurie mbi ta, askush nuk u ndizte një qiri, askush s’u sillte lule. Varre të humbur, pa emër, varre të braktisur në oborrin e shtëpisë gërmadhë.

Nga larg u dëgjua kënga e gjelave që paralajmëronte agimin.Mbi varre u rishfaq ajo dritëza e kaltëreme, toka shungulloi dhe shpirtrat u kthyen në amshimin e tyre. Shtëpia mbeti me vetminë e saj.Kukuvajka nisi ulurimat e saj rrënqethëse. Vetulla e artë e hënës po varej nga perndimi. Shtëpinë e kapluan kujtimet. Se edhe gurët kanë kujtesë, paçka se s’kanë gojë të flasin. Janë dëshmi për atë që ka ndodhur, për të gjithë ata që dinë t’i lexojnë. Dhe shtëpia foli ”Hënë moj hënë,ti që na sheh nga lart,se jemi me qindra e qindra, gurmbigur, në tërë Çamërinë, më sheh si jam por se mendon si kam qënë, një zonjë e rëndë, me shumë oda që ndrisnin e llapsnin nga pastertia, dritaret me qelqe me ngjyra të blerë në Prevezë, dyshemetë me dërrasa nga Korfusi, qilima nga Janina,shkallët dhe qemerët të mermerta, çatia me qeramidhe flakë të kuqe. Oborri mbushur me lule, avllia me çubet e mjalcave[1], trëndafile erëmira, manxuran e borzilok, limon e portokalle, shegë e bajame. Më tutje yrti me ullinj. Në mua rronin zotërit e mi,u gëzova në dasma, pashë nuset e bukura si drita, dhendurrët si petrita, si lindën e u rritën fëmijët.

Isha e lumtur.

Kjo isha unë.

Por një ditë, në fund qershori, ah ajo ditë e zezë, që sapo kish gdhirë, e njerëzit pa u zgjuar mire, mu sulën lukunija e ulqërve,të urdhëruar nga gjenerali i zi Zerva. Si të dalë nga shpellat, të egër gjakësorë, mjekroshë, të armatosur gjer në dhëmbë me pushkë e hanxharë e kryqe të varur në gjoks. Që kur thyen portën e u turrën shkallwve, ndjeva duhmën e qelbur të trupave të palarë dhe alkolit. Ishin të dehur, të mbarsur me urrejtje, të etur për gjak.Të parin te porta e oborrit vranë qenin e shtëpisë. Plakun mjekërbardhë, gjysh dhe zoti im, qw doli sa ndjeu krismat e pushkëve dhe britmat, e vranë te shkallët, i prenë kokën dhe e rrokullisën tatëpjetë. Rrëkeja e gjakut rrodhi shkallëve.U ngjitën në katin e dytë. Nusen, nënë e tre fëmijëve të mitur, e gjetën në odën e saj. E përdhunuan, shfrynë epshin pastaj e lagën me benzinë dhe i vunë flakën. Ashtu, si një pishtar i flakëruar, zbriti shkallët dhe ra plasur në ooborr. Të shoqin, atë deli djalë, e therën si të ishte dash dhe ja ndanë kokën nga trupi. Fëmijët e lebetitur, i vranë me plumb. Grabitën gjithë ç’ishte me vlerë, pastaj më erdhi radha mua. Më lagën me vajguri pastaj më vunë flakën. Bashkë me mua u dogjën edhe trupat e fëmijëve. U dogja gjithë ditën dhe natën sa u ktheva në shkrumb e hi, në gërmadhën që ti sheh tani. Më pas, erdhën të tjerë, hapën gropa në oborr dhe mbuluan të vdekurit që kishin filluar të prisheshin.

Njerëzit e mi i poshtëruan, i rrahën, i shtynë e pështynë, u thanë:

”Turko-alvanos të fëlliqur, i maskruan dhe i vranë. Pyes veten: pse gjithë kjo mynxyrë? Unë isha një shtëpi e gurtë, pashë gjithë sa ndodhi u dogja dhe u rrënova, pa e ditur pse. Thuama ti hënë po qe se e di ! ”

Qershor 2019



[1] .Çube(zgjoje),mjalca(bletë) dialektore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora