E diele, 22.09.2019, 11:19 AM (GMT+1)

Komente » Ukaj

Ndue Ukaj: Balta primitive ballkanike

E diele, 23.06.2019, 04:26 PM


Balta primitive ballkanike

Nga Ndue Ukaj

Që tri dekada formalisht e kemi përqafuar demokracinë e rendin perëndimor dhe jemi shkapë nga barbaritë komuniste.

Por ku jemi sot?

Sjelljet e politikës shqiptare vazhdojnë të jenë foshnjore, në Shqipëri e Kosovë, kurse gjuha e tyre, duket sikur thotë se demokracia perëndimore është përtej mundësive tona. Ose përtej mundësive të kësaj klase mjerane politike.

E tri dekada, nuk janë pak, përkundrazi, ne sot do të duhej të ishim më së paku si Sllovenia.

Ç’kemi mësuar ne nga demokracia perëndimore?

Rezultatet janë të dukshme, ndaj përgjigja është e kuptueshme: hiçgjë.

Ndoshta na duket e mjaftueshme që kemi pasë liri, kemi folë lirshëm për vlera perëndimore, por këto janë kërkesa minimaliste. Kurse në thelb, nuk është se jemi përfshirë në rrjedhat reale të demokracisë dhe kulturës perëndimore.

Kemi mësuar pak apo hiç nga kultura e dialogut, që është thelbi i demokracisë dhe porta që i shpie popujt ka përparimi.

Kemi mësuar pak apo hiç nga etika e përgjegjësisë publike.

Kemi mësuar pak apo hiç nga përgjegjësia që ka njeriu për fjalën publike.

Që tri dekada, kemi prodhuar karagjozë dhe demagogë me tonelata.

Dhe, që tri dekada, mërdhezemi, gulçojmë, bërtasim e ndonjëherë bëhemi sikur përgjërohemi përpara vlerave të demokracisë perëndimore, por krejt sjelljet tona politike janë në kundërshtim me parimet dhe vlerat e demokracisë perëndimore.

Dhe pastaj, natyrisht, gjejmë alibi dhe themi se dikush tjetër i ka fajet për pazotësinë tonë për të bërë shtet.

Jo, askush s’i ka fajet. Më së paku Europa.

Para tri dekadave, të entuziazmuar dhe të shastisur kërkonim të bëheshim si krejt Europa, por sot e shohim se jo që nuk arritëm të bëhemi si krejt Europa, por kemi mbetë politikisht më të pa emancipuarit dhe më të shkretit në kontinent.

Pas tri dekadave, ende nuk kemi arritur të shkundim nga këmbët tona baltën primitive ballkanike, në të cilën jemi rrëzuar, duke thyer hundë e buzë, por asnjëherë duke marrë mësim.

Shqiptarët vazhdojnë ta ëndërrojnë Europën, si një tokë të premtuar dhe për të arritë këtë qëllim, qindra e mijëra shqiptarë bëjnë çmos të ikin atje, por pak bëjmë që t’i bëjmë tokat tona të mrekullueshme si krejt Europa. Këtë mund ta bëjmë nesë vërtet fillojmë të refuzojmë esetikisht dhe aktivisht ndaj të keqes dhe çdo kompromisi me të.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT