E marte, 23.07.2019, 08:59 AM (GMT+1)

Komente » Ukaj

Ndue Ukaj: Mosmarrëveshjet politike janë bërë të padurueshme

E shtune, 22.06.2019, 04:22 PM


Ngatërresat dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme

Nga Ndue Ukaj

Ngatërresat dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme, aq të mëdha e aq të fëlliqta, sa nuk ka mendje racionale që mund t’u jep shpjegim. Thjesht, marrëzitë politike shqiptare kanë dalë përtej mundësive që ofrojnë dijet e ndryshme humane për t’i kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar fenomenet politike. Dhe si pasojë e kësaj, ka vite prej kur askush ndër ne nuk flet për vlera demokratike e cilësi politike. Mjerisht, te ne flitet për përmasën e krimit dhe të së keqes!

Shqipëria është një kaos ngatërresash, kanë thënë të diturit para një shekulli, por pas një shekulli, ky kaos nuk duket se e ka fundin, dhe tani e ka përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën.

E në këso momentesh dëshpërimi, është e udhës t’i thërrasim në ndihmë klasikët e mendimit dhe të kulturës, etërit e kombit, të cilët i kanë kuptuar të gjitha marrëzitë dhe poshtërsitë politike shqiptare. Prandaj, ta lexosh sot Fishtën, Konicën, Nolin, Merxhanin, Harapin, etj., të duket se ata janë ngjallë dhe jetojnë në Prishtinë e Tiranë.

Ja disa vargje të Fishtës që duket se janë shkruar sot në Tiranë apo në Prishtinë:

“Ju rrugaça e sallahana

vagabonda, shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij

qi të mjerës ksaj Shqypni

thellë hi i keni në mushkni

pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

por der kur, bre batakçi!

Bre coftina, kalbë mbi dhè

der kur ju, t’u tallë npër ne,

do t’na qelbni fis e atdhè?”

Sot, pas afro një shekulli, të paktë janë ata shqiptarë që nuk e gjykojnë realitetin politik shqiptar ngjashëm me Fishtën. Kurse në taborin tjetër, mund të jenë grusht i vogël njerëzish të lidhur me interesa egoiste, që nuk kanë të bëjnë asgjë më shtetin, demokracinë dhe lirinë.

Dhe përballë këtij realiteti të zymtë politik, të paktë janë ata shqiptarë që nuk ndihen të turpëruar dhe të poshtëruar deri në palcë për degradimin kaq të madh që i kemi bërë vetvetes, për shkak të batakçinjve dhe idiotëve të shumtë në politikë, që kanë qelbë çdo gjë dhe e kanë deformuar e zymtësuar fotografinë e kombit tonë.

Si pasojë e kësaj, bota na sheh dhe gjykon si komb të pa emancipuar politikisht, si komb ngatërrestar që nuk është i zoti asnjë mosmarrëveshje politike ta tejkalojë pa ndërhyrje të jashtme.

Përsa kohë të kemi këso ngatërresash mes nesh, është turp të kërkojmë nder e respekt nga të tjerët. Është turp të kërkojmë që të tjerët t’i mirëkuptojnë marrëzitë tona e ne të vazhdojmë t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.

Prandaj, njerëz, ndaluni sa nuk është tepër vonë, thirreni arsyen dhe mësoni nga historia dhe këshillat e vlefshme.

“Demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”, ka këshilluar nobelisti i madh Octavio Paz.

Nëse vazhdojmë ta godasim vetveten kështu dhe të qesim mure të pakalueshme mes nesh, nesër mos të kërkojmë nder e respekt në botë.

Dhe nëse vërtet duam ta dimë ku e ka zanafillën krejt ky degradimi i madh i shqiptarëve dhe pazotësia jonë për të bërë shtet normal, atëherë atë duhet kërkuar te trashëgimia e keqe otomane dhe komuniste, nga të cilat botëkuptime ne ende nuk jemi çliruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT