Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sevdail Hyseni: Agustin Gjinaj - Shokë...

| E shtune, 22.06.2019, 09:49 AM |


Në Prishtinë u përurua libri ”Shokë...” i autorit ushtarak Agustin Gjinaj

Nga Sevdail Hyseni

Të enjten e 20 qershorit, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare ”Pjetër Bogdani”, të organizuar nga Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Lugina e Preshevës, u mbajt përurimi i librit me ese, skica dhe portrete ”Shokë...”, të autorit shkodran Agustin Gjinaj.

Këtë eveniment të lartë kulturor e konsideroi të hapur, moderatorja gazetare Dionesa Ebibi, në të cilin ishin të pranishëm shkrimtarë, politikanë  e ish ushtarakë e luftëtarë të UÇK-së, si dhe adhurues të fjalës së shkruar artistike nga Tirana, Prishtina e Lugina e Preshevës.

Fillimisht fjalën e mori drejtuesi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Bujanoci Sevdail Hyseni, i cili, mes tjerash, tha se ky libër me ese, skica dhe portrete, me titull simbolik  “Shokë...”, është një vepër që kalon përmasat e një libri biografik, që sjell një mal me kujtime për shokët e idealit, për aq vite sa shërbeu autori i librit, Agustin Gjinaj, në ushtrinë e aviacionit shqiptar.

“Pena e një shkrimtari ushtarak edhe atë i forcave ajrore shqiptare Agustin Gjinaj, sjell para lexuesve një libër plot me ngjarje e ndodhi, që vijnë nga shkolla ushtarake e fluturimit. Ai, është një pjesëtar i denjë i forcave ajrore shqiptare, i cili në këtë libër shkrirë e derdhur me pasion dhe mjeshtëri gjurmët e një veprimtarie jetësore përmes eseve, skicave dhe portreteve”, u shpreh z. Hyseni.

Më pas fjalën e mori recensenti i librit z. Musa Kame, i cili shpalosi para të pranishmëve vlerat letrare të këtij librit më të ri të botuar të autorit Agustin Gjinaj, nga dhjetëra libra të tjerë të botuar nëpër vite.

Recensenti z. Kame, i cili e ka shkruar edhe parathënien e librit “Shokë...” të autorit Agustin Gjinaj, tha se brenda kopertonave të librit janë të përmbledhur 8 kapituj, me gjithsej 68 skica, ese dhe portrete shokësh dhe veprimtarësh të devotshëm të shërbimit ushtarak të aviacionit shqiptar.

Kapitulli i parë, tha  më tej recensenti Musa Kame, fillon me elementet biografike të autorit Agustin Gjinaj me titull “Të kesh lindur në Shkodër”, për të vazhduar me kapitujt e radhës: “Të rrish në ushtri, në aviacion”, “Burra...”, “Shokë...”, “Në ministrinë hijerëndë”, “Zhgënjime”, “Dashuria, gratë, ushtria, jeta”, për të përfunduar me “Skica, Shënime, udhëtime”.

Recensenti z. Kame, duke folur, gjithnjë, rreth rolit dhe rëndësisë që ky libër për lexuesit, nuk la pa veçuar kapitullin e gjashtë “Zhgënjime”, në të cilin zë vend meritor shkrimi “Vuajti se hapi Universitetin shqip në Preshevë”, në të cilin flitet për Luginën e Preshevës, një krahinë shqiptare e cila administrohet nga Serbia, e që përballet me probleme të shumta në sferën e arsimit, kulturë, politikës, ekonomisë etj.

Ndërkaq, në fund, të këtij përurimi, autori i librit “Shokë...”, pasi falënderoi organizatorin e këtij manifestimi letrar Bashkësinë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”, nga Bujanoci, pastaj pjesëmarrësit e shumtë nga qendra të ndryshme shqiptare: Tirana, Prishtina, Presheva, e posaçërisht familjen e nderuar të Gazmend Arifit, që ia mundësuan paraqitjen e tij para publikut artdashës në Prishtinë.

Duke folur rreth librit të tij z. Gjinaj dha një përshkrim të orëve të para të historisë së aviacionit ushtarak në Shqipëri, në të cilën gjendeshin njerëz, që për t’i shërbyer Atdheut, nuk kursenin jetën. “E për tu quajtur e lavdishme kjo histori e aviacionit ushtarak shqiptar, përmenden  dyzet vetë që dhënë jetën në krye të detyrës, e ky libër shërben si homazh për shokët, që u treguan një model i mirë se si duhet shërbyer e dashur Atdheu”, tha, mes tjerash, autori Agustin Gjinaj.

Gjatë përurimit të librit u lexuan nga Moderatorja Dionesa Ebibi, disa skica e portrete si: “Burra” dhe “Shokë...”, të cilat u mirëpritën nga të pranishmit, duke marrë në fund, libra e fotografi të përbashkëta me autorin Agustin Gjinaj, i cili shprehte hapur miqësinë me dashamirët e librit gjithandej trojeve shqiptare.