Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Astrit Lulushi: Përsëri të fundit

| E merkure, 19.06.2019, 08:59 PM |


Përsëri të fundit

Nga Astrit Lulushi

Nga mesi i viteve 400, Roma u pushtua nga barbarë dhe perandoria u shpërbë. Nga ky pështjellim i madh lindën grupet etnike. Ilirët, ish-pjesë e perandorisë romake, ishin të parët që e pësuan; ata u shpërndanë, disa me Lindjen e të tjerë me Perëndimin. Prej tyre lindën albanë, arbanë e shqiptarë. Shqiponja me dy koka që zgjodhën për flamur, simbolikisht, tregon se si etni ata ishin jo të bashkuar.

Edhe anglezët, francezët e gjermanët dolën nga shpërbërja e perandorisë romake si grupe etnike dhe menjëherë do të hidheshin në sulm për të provuar se cili prej tyre ishte më i zoti se tjetri për kontrollin e Kontinentit.

Gjatë shekujve, etnitë u transformuan në kombe dhe deri në vitin 1900, shumica e Evropës Perëndimore përbëhej nga shtete-kombe. Shqiptarët, prej rënies së perandorisë romake deri në shpalljen e pavarësisë më 1912, cilësoheshin grup etnik në kuadër të perandorisë osmane.

Pas humbjes në Luftën e Parë Botërore, perandoria austro-hungareze dhe ajo osmane u shpërbënë, dhe shumë kufij europianë u ripërcaktuan sipas parimit një komb-një shtet. Nga kjo Shqipëria lindi, ndërsa shqiptarët në trojet e veta, jashtë kufijve, mbetën me statusin etni.

Gjatë viteve 1930, socialistët nacionalistë gjermanë (Nazistët) dolën me parimin se të gjithë gjermanfolësit përbënin një komb dhe duhej të unifikoheshin në një shtet. Fuqitë e tjera europiane në heshtje e pranuan këtë ide dhe nuk u përpoqën ta ndalnin Gjermaninë nga marrja e Austrisë dhe pjesës gjermanfolëse të Çekosllovakisë. Por kjo heshtje morri fund kur gjermanët pushtuan Poloninë që nuk është vend gjermanishtfolës. Si rrjedhim, më 1939, Anglia dhe Franca u përpoqën ta ndalnin Gjermaninë. Parimin një komb - një shtet, Italia e Gjermania naziste e zbatuan edhe me rajonet shqiptare në Ballkan, duke i bashkuar në një shtet i cili dështoi me kapitullimin nazist.

Një shtet, pasi themelohet, duhet të mbajë besnikërinë e qytetarëve të vet. Nacionalizmi zakonisht promovon ndjenjën e vetëdijes kombëtare, që lartëson një komb mbi gjithë të tjerët. Për shumë shtete, mediat masive janë mjetet më efektive të nxitjes së nacionalizmit. Sot vetëm disa shtete lejojnë masmediat të veprojnë të lira, pa ndërhyrje të qeverisë.

Nacionalizmi mund të ketë ndikim negativ. Ndjenja e unitetit brenda një shteti-komb nganjëherë rritet përmes krijimit të imazhe negative të shteteve të tjera. Nacionalizmi është si një forcë centripetale, që tenton unifikimin e njerëzve dhe rritjen e mbështetjes për një shtet. (Fjala centripetal do të thotë "drejtuar drejt qendrës". Është e kundërta e centrifugales, që do të thotë “përhapje nga qendra”.) Shqipëria komuniste, psh., zhvilloi një propagandë centripetale, duke u përpjekur me programet e Radios për të tërhequr rreth vetes besnikërinë e dëgjuesve shqiptarë dhe të gjithë botës në përgjithësi. Sipas raporteve të ndryshme, shqiptarët mjaftohen sot me një shtyp vetëm pjesërisht të lirë dhe me një garë të papërfunduar, shpesh të lëne përgjysmë për Bashkim Europian. Kroacia aplikoi për anëtarësim në 2007 dhe u bashkua në 2013, duke e çuar anëtarësimin në 28 anëtarë. Turqia sot mbetet një vend kandidat. Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi janë në prag, duke lënë pas Shqipërinë dhe Kosovën shumë etnike.