E enjte, 25.04.2024, 10:28 PM (GMT+1)

Mendime

Joseph J. DioGuardi: Cila është zgjidhja?

E marte, 30.09.2008, 07:28 PM


Joseph J. DioGuardi

Cila është zgjidhja?

Nga Joseph J. DioGuardi*

Bashkimi politik i trojeve shqiptare, që do të kërkonte ndryshimin e kufijve ekzistues është çështje që duket se provokon ndjenjën e frikës tek ekspertët e politikës së jashtme për Ballkanin.

Unë dhe gruaja ime, Shirley Cloyes sapo jemi kthyer nga një udhëtim faktmbledhës në Kosovë, dhe Shirley do t’u dorëzojë një raport, të titulluar “Kosova në mëshirë të fatit” udhëheqësve të politikës së jashtme të Kongresit dhe Senatit këtë javë. Ideja e bashkimit apo “Shqipëria e Madhe” është një mjet që përdoret nga lobi serb dhe përkrahësit e paktë të tyre në qendra si Washingtoni dhe Brukseli për të hequr vëmendjen tonë nga nevoja për demokratizimin e Serbisë dhe integrimin e saj në Evropë.

Diktatori tani më i vdekur, Slobodan Millosheviq, përdori këtë koncept për të frikësuar Evropën me “shqiptarët myslimanë” dhe për të margjinalizuar tutje popullin shqiptar të Kosovës, gjersa po ndiqte planin e tij për “Serbinë e Madhe”, gjë të cilën edhe e realizoi deri-diku me krijimin e Republikës Serbe (Srbska). (Pasardhësit e Millosheviqit edhe tani po e vazhdojnë “ëndrrën” e perandorisë serbe duke zgjeruar Serbinë në Mitrovicë në pjesën veriore të Kosovës, përmes ndarjes de facto të Kosovës kundrejt vullnetit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian).

Cila është zgjidhja për popullin shqiptar? Në Kosovë, është kontrolli në duar të shumicës me të drejta për pakicat dhe integrimi në Bashkimin Evropian. Kosova ka 92 për qind shumicë shqiptare. Meriton të jetë e pavarur. Kufijtë e saj nuk kanë ndryshuar që nga dezintegrimi i Jugosllavisë - vetëm se statusi i tyre tani ka ndryshuar, nga kufij provincial/republikan - në kufij shtetëror.

Kufijtë e Kosovës nuk duhen ndryshuar tani për të kënaqur Serbinë dhe Rusinë. (Mandej, Rusia duhet kundërshtuar shpesh dhe zëshëm nga BE dhe Shtetet e Bashkuara për përzierje në politikën e brendshme dhe të jashtme evropiane.) Tutje, të drejtat e plota të pakicave për shqiptarët në Mal të Zi, Luginë e Preshevës, Greqi dhe Maqedoni duhet të respektohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për të parandaluar jostabilitet të ardhshëm në tokat shqiptare pranë Kosovës dhe Shqipërisë. (Është ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, përderisa ende kemi shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot.)

Greqia dhe Turqia duhet të njohin dhe pranojnë ekzistencën e pakicave të mëdha shqiptare në këto vende dhe të mbrojnë të drejtat gjuhësore, kulturore dhe ekonomike të shqiptarëve që jetojnë atje si qytetarë dhe si banorë të përkohshëm. Greqia, mandej, duhet të zgjidhë plagën e pashëruar të popullsisë Çame që ishte shpërngulur dhunshëm nga Greqia Veriore gjatë dhe pas-Luftës së Dytë Botërore. (Çamëria është bërë problemi palestinez i Evropës që kërkon zgjidhje përmes riatdhesimit apo kompensimit të pronave çame sipas një plani të pranuar për të dyja palët.) Në fund, Maqedonia e dominuar nga sllavët duhet t’i implementojë të gjitha obligimet e dala nga Marrëveshja e Ohrit dhe të ndalojë menjëherë manipulimin e partive politike shqiptare atje, duke ngritur tensionet në mes tyre. Tensione këto që në ditët e fundit u kthyen edhe në dhunë.

Në Shqipëri, qeveria ende është e dobët dhe joefektive. Kundërshtia e mëse dy dekadave mes partisë Demokratike dhe asaj Socialiste e ka lënë vendin të zhytet në korrupsion dhe të destabilizohet nga skandalet e ndryshme, më i fundit ndër ta që kishte të bënte me shitjen e armëve kineze tek ushtria amerikane në Afganistan, që ka rezultuar edhe në involvimin e ambasadës tonë atje.

Për shumë vite problemet e Shqipërisë janë injoruar për shkak se ajo rrinte e qetë kundrejt statusit të Kosovës. Koha ka ardhur që të insistohet për standarde shumë më të larta politike, juridike, dhe ekonomike atje dhe të involvohemi në transformimin e drejtë të asaj shoqërie, që sikur edhe ajo e Kosovës, janë kryekëput pro-amerikane. Gjersa kjo të mos ndodhë, Shqipëria nuk do të jetë më afër futjes në BE se sa që ishte para dhjetë viteve, gjë që do të çonte drejtë korrupsionit më të madh, stagnimit politik, dhe jostabilitetit politik.

Pranohen apo jo Shqipëria dhe Kosova në BE (dhe çdo përpjekje duhet bërë që pranimi i tyre në BE të ndodhë dhe të ndodhë shpejt), përgjigja nuk është vetëm sundimi i ligjit, gjë që do të linte shqiptarët brenda kufijve të vet, edhe pse atje atëherë do të kapeshin kontrabandistët dhe trafikantët që shfrytëzojnë këto vende. Zgjidhja e vetme dhe e vërtetë do të ishte sigurimi i zhvillimit ekonomik për këto vende nën përkrahjen e SHBA-ve dhe BE-së, integrimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe qytetarit. Shqiptarëve duhet t’u jepen lehtësime të mëdha për marrjen e vizave perëndimore (siç iu janë ofruar serbëve) për udhëtime dhe punësime sezonale nëpër Evropë.

Kapitali njerëzor i Kosovës, për shembull, paraqet ndoshta edhe potencialin e saj më të mirë për eksport, pasi ajo ka një popullatë shumë të re, shumë të zellshme dhe kreative, nga të cilët mëse 500.000 janë të papunë dhe shumë të tjerë të nënpunësuar. Shqiptarët flasin anglisht dhe gjuhë të tjera, merren suksesshëm me biznes në mes vetes dhe me bashkëafaristë evropianë, dhe kanë një vullnet dhe dëshirë të madhe për demokraci.

Zgjidhja që do të parandalonte një përgjigje të dhunshme kundrejt kushteve në territoret shqiptare nuk është bashkimi. Perëndimi, në krye me SHBA-të, duhet të sigurojnë kontrollin e Kosovës mbi të gjithë territorin e saj duke parandaluar kështu ndarjen e veriut dhe duhet të investojnë në arsim, infrastrukturë, zhvillim ekonomik, dhe në të drejtat njerëzore për të gjithë shqiptarët në Ballkan. SHBA-të harxhuan mëse një miliard dollarë gjatë luftës së NATO-s kundër Serbisë më 1999. SHBA-të po ashtu harxhuan edhe një pjesë të madhe të kapitalit politik gjatë udhëheqjes së procesit për të arritur deri tek pavarësia e Kosovës në Shkurt tee 2008-s.

Prandaj, do të ishte budallallëk që ky investim kaq i madh të lihej duke ia lënë kështu në dorë fatin e të ardhmes së Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan, vetëm Bashkimit Evropian, që gjithherë ka qenë i ndarë sa i përket “çështjes shqiptare”. Nëse SHBA-të nuk udhëheqin edhe tani duke e konfrontuar Rusinë, Serbinë, dhe Greqinë, në Ballkan, neve do të detyrohemi ta pastrojmë edhe një problem ballkanik në të ardhmen, siç na është dashur të bëjmë shumë herë në të kaluarën. Dhe, sidoqoftë, një tërheqje e SHBA-ve nuk do të ishte mënyra më e mirë për t’i trajtuar miqtë tanë të vetëm dhe të vërtetë atje - popullin shqiptar.

*Ish-Kongresisti Joe DioGuardi është kryetar themelues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora