Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Gazeta Panorama boton manifestin e shtetit islamik shqiptar

| E hene, 17.06.2019, 07:55 PM |


Gazeta “Panorama” boton manifestin e shtetit islamik shqiptar

Nga Kastriot Myftaraj

Në 16 qershor 2019, në gazetën “Panorama” u botua një artikull i muslimanit praktikues Rudian Zekthi, me titull “Ezani”. Në këtë artikull, autori ka marrë përsipër të bëjë apologjinë, madje dhe më tepër se kaq të aktit të tifozëve të Klubit të futbollit “Tirana” të cilët pak kohë më parë kryen një ritual fetar islamik në stadiumin e Laçit.

Pse merresh me këtë njeri do të thonë disa. Epo edhe në 1914 kështu ndodhi, disa hoxhë ideologë pëshpërisnin me disa djem të Tekbirit dhe ndodhi ajo që ndodhi. Nëse në Shqipëri do të ketë një lëvizje islamike, emrin e Rudian Zekthit do ta dëgjojë jo vetëm çdo shqiptar, por edhe bota.

Le t’ i kthehemi artikullit të tij të gjatë.

Autori kërkon asgjë më pak se kjo çështja e Tekbirit në stadiumin e Laçit të trajtohet sikur Islami të ishte fe zyrtare në Shqipëri, kur Kushtetuta jonë sanksionon se në vend nuk ka fe zyrtare.

Cilët janë argumentet e autorit? Në vazhdim, me qëllim debate, do të citoj pjesë-pjesë të gjithë artikullin e autorit. Ai thotë:

“Së pari, tekbiri është një formulim bazik në fenë islame, qëndron në themel të doktrinës së saj dhe si i tillë është shprehje e shpirtit të kësaj feje: pa besimin se Zoti është më i madhi, në kuptimin më i rëndësishmi, kjo fe humbet arsyen e saj të të qenurit. Dhe këtë bindje, kjo fe e ka rrugën kryesore për të depërtuar në mendjet dhe zemrat e njerëzve, rrugën kryesore për t’i formuar dhe zhvilluar ata. Dhe një mysliman është i tillë nga përparësia dhe vërtetësia e përbrendësimit të kësaj bindjeje: kjo e dallon nga të tjerët, nga ateistët po e po, por edhe nga besimtarët e feve të tjera, madje edhe nga myslimanët sipërfaqësorë.”

Autori bën sikur harron se problemi u krijua jo për shkak të ritualit, por se ai u krye në stadium, në një ndeshje futbolli, që në një shtet laik përbëjnë hapësirë publike laike. Ata njerëz që bënë tekbir në stadiumin e Laçit mund ta kenë bërë çdo ditë në xhamitë ku shkojnë, dhe me ta nuk është marrë askush. Ata u bënë problem tani sepse ushtrimi i ritualeve fetare duhet të bëhet brenda kufijve ligjorë të një shteti laik. Marrëveshjet e shtetit me bashkësitë fetare të cilat janë shndërruar në ligje të miratuar nga Kuvendi, e kanë shprehimisht të përcaktuar detyrimin për respektimin e laicizmit. Këtë detyrim nuk e gjen kurrkund në artikullin e Zekthit. Nënkuptimi është: Ne muslimanët nuk i njohim ligjet e shtetit laik, sepse Islami nuk e njeh laicizmin. Të këtij mendimi janë dhe ata djemtë që bënë ritualin islamik në stadiumin e Laçit.

Zekthi shkruan, duke pasur parasysh muslimanët:

“Është e drejta e këtij grupi të mbrojë dhe kultivojë bindjet që e themelojnë atë si grup dhe kjo në mënyrë të vetëkuptueshme është një e drejtë kushtetuese dhe në mënyrë të natyrshme manifestohet (me vetëm njëzet e tre vjet ndërprerje, pra, nga 1967 deri më 1990-n) në hapësirën publike të shoqërisë shqiptare nëpërmjet këndimit të përditshëm të Ezanit, thirrjes së myslimanëve për namaz. Ezani nuk është gjë tjetër veç shpallje publike e këtij parimi bazë doktrinor të islamit, pra, që Zoti është më i rëndësishmi, duke qenë se Ezani fillon me shpalljen e tekbirit e praktikisht dhe mbaron me të.”

Shikoni sa lehtë dhe thjesht del autori nga kufijtë e tempujve fetarë ku në një shtet laik besimtari ka të drejtë të ushtrojë fenë e vet, në përdorimin e përhershëm për rituale fetare të hapësirës publike laike, të cilën mund ta përdorë me raste dhe me leje. (Bashkësitë fetare në Shqipëri e përdorin secila dy herë në vit me rastin e festave fetare) Në një shtet laik nuk mund ta përdorësh çdo ditë, madje pesë herë ditën, hapësirën publike për thirrjen e ezanit me megafonët e vendosur në minaret e xhamive. Kur thoni se ezani është shpallje publike parimit bazë islamik, atëherë kjo do të thotë që thelbi i ritualeve islamike nuk është marrëdhënia e besimtarit me Zotin, por që me anë të ritualeve t’ u shpallet Islami të tjerëve, jomuslimanëve, ose edhe atyre njerëzve që janë me prejardhje nga familje të konvertuara në fenë islame në kohën e pushtimit osman por që janë jopraktikues të Islamit. Pra për muslimanët praktikues rituali nuk është një marrëdhënie me Zotin, por një sfidë ndaj jomuslimanëve, jopraktikuesve, domethënë ndaj të krishterëve, hebrenjve, laikëve etj.

Me ato që ka thënë më lart, autori pohon atë që çdo studiues i Islamit e di, se ezani ndryshon nga këmbana e krishterë, e cila gjithashtu është thirrje për lutje. Ndërsa këmbana nuk përmban fjalë por veç tinguj, ezani është një thirrje me fjalë që u adresohet atyre që nuk marrin pjesë në ritual, madje në arabisht.

Pra, ezani është një ngacmim, një provokim. Aq më tepër tekbiri që nuk është lutje por shpallje e fesë ndaj të tjerëve. Dhe ky ishte qëllimi i tekbirit të tifozëve të “Tiranës” në stadiumin e Laçit. Ata po shpallnin madhështinë e Allahut dhe këtë po e bënin ndaj të tjerëve, jobesimtarëve (fjala në arabisht është sinonim me jomusliman), katolikëve të Laçit.

Autori shkruan më tutje:

“Duke qenë tekbiri shprehje e aspiratave të grupit të myslimanëve shqiptarë, çdo refuzim arbitrar i tij, pashmangshmërisht mund të interpretohet si refuzim i këtyre aspiratave dhe si bllokim i mundësive të këtij grupi për të synuar rritjen e vet dhe zhvillimin e kapaciteteve të veta. Prandaj, refuzimi dhe ndëshkimi pa asnjë referencë dhe pa asnjë sqarim i një akti, që në thelb është transmetues i së njëjtës të vërtetë sikurse dhe Ezani, duke nënkuptuar lirshëm që tekbiri – ky shprehës universal i themelit të fesë islame, është problematik, bëhet edhe ky (ndëshkim) një akt ambig, pra, i cili vetëm se e shton në vend se ta davaritë turbullinë e aktit që kërkon të korrigjojë. Prandaj, edhe ky ndëshkim nuk mund të kalojë pa u shoqëruar me koment dhe interpretim.”

Por reagimi ndaj ngjarjes nuk erdhi për ritualin, por për vendin ku u krye ai, në stadium. Autori e anashkalon këtë fakt dhe kërkon që qëndrimi ndaj tekbirit në stadium të jetë i njëjtë si në vendet ku Islami është fe zyrtare, ku nuk ka dallim dhe ndarje mes hapësirës fetare, të tempujve fetarë dhe hapësirës publike laike. Në një shtet laik tekbiri refuzohet kur kryhet jashtë tempujve fetarë përkatës në hapësirën publike, pa leje. Hapësira publike është laike. Një ndeshje futbolli është një veprimtari laike. KF “Tirana” nuk është një klub i përcaktuar fetarisht.

Por këta muslimanët shqiptarë (Vini re: Autori nuk thotë shqiptarë muslimanë) nuk u penguan në xhami ta bëjnë tekbirin e tyre. Sipas logjikës së autorit, jo veç tifozët por të gjithë muslimanët praktikues kudo që janë në shkolla publike, si nxënës dhe studentë, apo dhe kudo ku punojnë si mësues, mjekë, policë, prokurorë, gjykatës, ushtarakë mund të mblidhen me thirrjen tekbir e të bëjnë ritualin e thirrjes “Allahu Akhbar”.

Më tutje autori shkruan:

“Ky ndëshkim i organeve ligjzbatuese mund të kishte sens në një kuptim që mund të pranohej edhe nga vetë personat e ndaluar: pra, si ndëshkim për profani, thënë ndryshe për zhdenjim të tekbirit duke e zhvendosur atë nga sfera e doktrinores, rituales dhe konceptuales në sferën e zbavitjes dhe vulgaritetit. Apo nëse shoqërohej me interpretimin se po ndëshkohet mungesa e stilit në shpalljen e tekbirit dhe jo tekbiri vetë. Por i pashoqëruar nga këto didaskali, veprimi ndëshkues i Policisë mund të interpretohet ose si një rutinë fatkeqe justifikuar nga padija, pra, nga mosnjohja e mesazhit të tekbirit, ose si një çoroditje – veprim dosido i ndërmarrë nxitimthi si reagim imediat, ose përkundrazi një veprim represiv i përllogaritur pikërisht si goditje preventive e aspiratave më të larta të grupit të myslimanëve shqiptarë. Cilido qoftë nga këto versione shpjegimi i veprimit të Policisë, ky veprim duhet të korrigjohet, por nëse është versioni i fundit i represionit të aspiratave, thjesht korrigjimi nuk mjafton, por kërkohet një reflektim i thellë që të shmanget qoftë moszhvillimi i myslimanëve, qoftë arbitrariteti i institucioneve.”

Në një shtet laik organet ligjzbatuese nuk merren çështje si rregullshmëria e riteve fetare, sepse që shteti të merret me këtë duhet të ketë fe zyrtare. Kjo ndodh në vendet ku Islami është fe zyrtare dhe ka polici fetare që merret me ata që bëjnë shkelje të ritualeve. Shqipëria është shtet laik domethënë një shtet ku ka dallim mes xhamisë dhe stadiumit. Në vendet ku Islami është fe zyrtare, stadiumi mund të kthehet në çdo moment në xhami ku thirret tekbiri, dhe kjo është e mirëpritur për autoritetet. Por organet ligjzbatuese në Shqipëri kanë detyrim të mbrojnë laicizmin kur dhunohet, siç ka ndodhur në këtë rast. Autori përsëri bën sikur nuk e di se organetligjzbatuese të shtetit kanë të drejtë dhe detyrim të ndërhynë kur ushtrimi i së drejtës së fesë tejkalohet duke dhunuar laicizmin.

Më tutje autori shkruan:

“Sepse në të vërtetë nga sa thamë më lart, nuk mund të mos shtrohet pyetja: përveç myslimanëve, a e di pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare se cili është kuptimi dhe mesazhi i Ezanit? Pra, fakti që nga natyra e tij ritualistike, Ezani shpallet në gjuhën arabe, mos ka bërë që Ezani nga një akt i lartë i kumtimit të mesazhit islam, të ketë rënë në nivelin e një komunikimi pragmatik, që thjesht njofton kohët e faljeve? Thënë ndryshe: a është desemantizuar Ezani, dhe nga një tekst vizionar është shndërruar në një sinjal i zbrazur nga kuptimi? Për fat të keq, përgjigja për këto pyetje është e njëjtë: po, Ezani është një tekst i desemantizuar, kuptimin e të cilit e dinë vetëm besimtarët e xhamive.”

Këto që thotë autori nuk kanë kuptim në një vend laik ku feja i përket pjesës private të jetës së njeriut. Përse duhet që pjesa tjetër e popullsisë, që nuk janë muslimanë praktikues të dinë kuptimin dhe mesazhin e ezanit. Ky është një imponim i fesë. Në fakt këtu autori e bën të qartë se qëllimi i ezanit nuk kufizohet thjesht te muslimanët praktikues, por ai u adresohet të tjerëve, jomuslimanëve, jopraktikuesve, laikëve, pjestarëve të feve te tjera. Kuptohet që për këtë qëllim thirret ezani me megafonë nga minaret e xhamive, në mënyrë që të përhapet në krejt hapësirën publike.

Dhe madje në arabisht. Përse në arabisht? Asnjë fe tjetër në Shqipëri nuk bën thirrje për lutje në hapësirën publike, në gjuhë të huaj. Këtë e bën veç Islami, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Përveç të tjerash ezani i thirrur në arabisht në hapësirën publike është akt antikushtetues pasi gjuha zyrtare në Shqipëri është gjuha shqipe. Gjuha shqipe është element i rendit kushtetues në Shqipëri. Me thirrjen e ezanit në arabisht me megafonë nga minaret e xhamive kemi një dhunim të dyfishtë të rendit kushtetues. Si dhunim të hapësirës publike laike, ashtu edhe të gjuhës zyrtare të vendit. Lidhja e fesë me një gjuhë do të thotë asimilim. Kështu, musliman shqiptar do të thotë shqiptar i arabizuar.

Më tutje autori thotë:

“Posa që është kështu (domethënë që sipas atyre që ka thënë ai më lart:“Ezani është një tekst i desemantizuar, kuptimin e të cilit e dinë vetëm besimtarët e xhamive”), shfaqen menjëherë dy probleme të rënda: 1. Shoqëria shqiptare e pranon Ezanin si pjesë të fluksit të mesazheve që qarkullojnë në këtë shoqëri, vetëm përmes këtij desemantizimi, pra, përmes mënyrës faktike sesi Ezani çngjyroset nga kuptimi dhe i mbetet vetëm natyra sinjalistike e lajmërimit për një tubim të mbyllur dhe periferik të një pjese të shoqërisë. Sepse sado vulgar të jetë akti i tifozëve, ai në vetvete ka pasur këtë efekt semantizues: ka rikujtuar se tekbiri është një formulë me kuptim dhe jo një sinjal i rëndomtë bashkërendues. Nëse është kështu, shoqëria shqiptare ende nuk e ka kaluar testin e ekumenizmit të saj, pra, duket se sapo ajo, që është e rëndësishme te ritet kalon në jetën e përditshme dhe rivitalizohet në një mënyrë apo tjetrën në pjacë, shoqëria me institucionet e saj të censurës dhe kontrollit ndërhyn, duke pezulluar e ndëshkuar.”

Shoqëria shqiptare, shumica e saj që nuk përbëhet nga muslimanë praktikues, nuk e pranon aspak ezanin e thirrur në arabisht nga megafonët e minareve të xhamive, por e ndjek atë me bezdi, moskuptim dhe shqetësim. Por me këtë që ka thënë autori ka pohuar përsëri se qëllimi i ritualeve fetare islame nuk është marrëdhënia e besimtarëve me Allahun por shpallja e Islamit ndaj atyre që nuk e ushtrojnë ritualin, ndaj jomuslimanëve, jobesimtarëve, laikëve etj.

Ku qenka krijuar ky test ekumenizmi që na thotë autori? Mos ndoshta në Arabinë Saudite ku janë vendet e shenjta të Islamit, ku as mund të imagjinohet ekzistenca e asnjë lloj ekumenizmi. Autori këtu kërkon që ta ngrejë Islamin në statusin e fesë zyrtare në vend, pa e pasur kjo fe këtë status me ligj.

Më tutje autori na thotë qartë se qëllimi i ezanit dhe tekbirit është që të mësohet me ritualet islame shumica e shoqërisë shqiptare që nuk përbëhet nga muslimanë praktikues, pra që Islami të dominojë në vend, sikur të ishte fe zyrtare. Ja sesi shkruan autori:

“Myslimanët shqiptarë kanë rënë pre e inercisë së ritualeve, dhe nuk kanë vënë re se, në fakt, shoqëria shqiptare, nuk e di se cila është e vërteta themelore e myslimanëve, pra, nuk e di ende atë që ne myslimanët e konsiderojmë si themelin e të gjithë diturive dhe të vërtetave: që Zoti është më i madhi, dhe që më i madhi do të thotë më i rëndësishmi, madje, i vetmi i rëndësishëm në vetvete dhe që prej asaj që përcakton dhe vendos Ai buron rëndësia e gjithë gjërave të tjera (dhe që jashtë këtij përcaktimi çdo rëndësi është e rreme). Fakti që pjesa tjetër e shoqërisë nuk e di këtë të vërtetë është me siguri shenjë paditurie thelbësore. Por më i rëndë është fakti, që ne myslimanët nuk po e kuptojmë që mosdija prej shoqërisë e së vërtetës për rëndësinë e Zotit e bën këtë të vërtetë praktikisht të parëndësishme jo vetëm për shoqërinë (që në njëfarë mënyre e ka zgjedhur dhe pëlqyer këtë padituri), por edhe për ne, myslimanët shqiptarë: ajo e humbet rëndësinë e saj nëse vetëm sa thuhet brenda xhamive dhe vetëm sa thërritet e desemantizuar (shkuptimësuar) jashtë xhamive vetëm përmes Ezanit.”

Autori këtu pohon se ezani e tekbiri janë ritual që muslimanët i kryejnë duke iu drejtuar të tjerëve, jomuslimanëve, laikëve, jopraktikuesve të Islamit, të krishterëve, hebrenjve, jo marrëdhënie e muslimanit praktikues me Zotin. Gjithashtu, këtu autori na pohon se thirrja e ezanit me megafonë nga minaret e xhamive në arabisht është vetëm etapa e parë e imponimit të Islamit ndaj një shoqërie indiferente ndaj tij. Faza tjetër duhet të jetë ajo që pjesa e shoqërisë që nuk përbëhet nga muslimanë praktikues t’ i nënshtrohet thirrjes së ezanit. Kjo do të bëhet me dinakëri, gjoja në emër të njohjes së Islamit nga pjesa tjetër e shoqërisë. Por në një shtet laik është zgjedhje e secilit nëse dëshiron të ketë njohur për një fe të cilën nuk e praktikon dhe një gjë e tillë nuk mund t’ i imponohet. Autori praktikisht kërkon që në Shqipëri Islami të funksionojë si një fe zyrtare.

Autori gjatë gjithë artikullit të tij i shikon muslimanët praktikues si një pakicë në shoqëri. Ai madje pohon se shoqëria shqiptare, shumica e saj, shpreh një kundërshtim ndaj muslimanëve praktikues dhe mesazhit të tyre. Ai shkruan:

“Ky është kontributi më i madh që mund të japim ne për këtë shoqëri(semantizimi i ezanit), gjithmonë duke pasur parasysh që në fakt vetë shoqëria nuk është e përgatitur për këtë kontribut, pra, jo thjesht nuk po e kërkon prej nesh, por edhe nëse ne ia ofrojmë nuk duket ta mirëpresë, e bindur siç është që e vërteta e tekbirit është anakronike dhejoproduktive.”

Edhe këtu autori vazhdon të pohojë se ezani e tekbiri janë rituale që muslimanët i kryejnë duke iu drejtuar të tjerëve, jomuslimanëve, laikëve, jopraktikuesve të Islamit, të krishterëve, hebrenjve, pra janë ngacmime, provokime. Është domethënëse që për asnjë sekondë nuk i shkon në mendje autorit se semantizimi, kuptimësimi i ezanit mund të bëhej nëse ezani thirret në gjuhën shqipe, jo në arabisht. Kjo është një simptomë e arabizimit të thellë të autorit.

Pjesa më interesante e artikullit është kur autori e quan ezanin dhe tekbirin si paralajmërues të përpjekjes së muslimanëve praktikues për të ndërtuar shoqërinë dhe shtetin shqiptar sipas modelit islamik. Kjo del qartë veçanërisht në dy paragrafe ku ai thotë:

“Pra, që të zhvillojmë shoqërinë, ne myslimanet duhet të zhvillojmë veten dhe që të zhvillojmë veten duhet t’i demonstrojmë shoqërisë epërsinë dhe begatinë e tekbirit. Askush dhe asgjë nuk ka të drejtë të na privojë nga ky angazhim, përveç paaftësisë sonë që të zhvillohemi vetë të parët, duke u thelluar te tekbiri dhe duke nxjerrë prej tij një vizion për shoqërinë, botën dhe individin.”

Çfarë domethënë “epërsi dhe begati e tekbirit”? Epërsi ndaj kujt? Epërsi e modelit të shtetit islamik ndaj modelit të shtetit laik demokratik? Autori nuk e thotë krejt hapur por ky është kuptimi. Dhe shikoni sesi edhe në paragrafin e mësipërm autori vazhdon të pohojë se ezani e tekbiri janë ritual që muslimanët i kryejnë duke iu drejtuar të tjerëve, jomuslimanëve, laikëve, jopraktikuesve të Islamit, të krishterëve, hebrenjve, pra janë ngacmime, provokime, jo marrëdhënie e muslimanit praktikues me Zotin.

Paragrafi tjetër është akoma më interesant. Autori thotë:

“Sikurse, nga ana tjetër, cilido person grup apo institucion brenda shoqërisë shqiptare është po ashtu në të drejtën e vet të tregojë se cila është, sipas tyre, alternativa e zhvillimit të kësaj shoqërie dhe e grupit të myslimanëve si një pjesë e kësaj shoqërie. Sepse nuk është opsionale, por detyrim që shoqëria të na tregojë me vërtetësi sesi mendon t’i zhvillojë fëmijët e myslimanëve shqiptarë, në mënyrë që ata të bëhen myslimanë të rëndësishëm dhe shqiptarë të rëndësishëm.”

Autori gjithmonë harron të shtojë brenda kufijve kushtetues, domethënë të laicizmit. Që do të thotë se modeli islamik që ofron autori është antikushtetues. Nuk ka asnjë grup në Shqipëri që ofron modelin e shtetit fetar dhe ka synim ta instalojë shtetin fetar. I vetmi grup që ka një aspiratë të tillë është ai i muslimanëve praktikues. Kështu që muslimanët praktikues mund të zgjedhin të rrinë në Shqipërinë laike ose të largohen.

Autori e di se modeli i shtetit fetar islamik bie ndesh me rendin kushtetues të Shqipërisë, e di se cdo përpjkje për instalimin e këtij lloj shteti do të ndeshet me qëndresë, prandaj kërkon të fuqizohet Tekbiri. Sepse tekbiri është thirrje për mobilizim e muslimanëve praktikues. Mobilizim për aksione. Edhe terroristët islamikë përdorin Tekbirin.

Artikulli i Rudian Zekthit tregon se ai tekbiri që u bë në stadiumin e Laçit ka disa ideologë prapa, të cilët ashtu si krerët e Rebelimit Islamik në vitin 1914, lëshojnë para djem kokënxehtë si Haxhi Qamili (çunat e “Tironës” në Laç), ndërsa vetë nxjerrin përfundime dhe përpunojnë strategjinë. Dhe Artikulli i Rudian Zekthit është një platformë e strategjisë së Xhihadit në Shqipëri. Artikulli nuk ka lidhje me narrativën intelektuale në kuptimin e shoqërisë së fjalës së lirë, por është një keqpërdorim i kësaj lirie, është Xhihad medial. Fakti që artikulli botohet në gazetën më të madhe në vend tregon se deri ku Tekbiri i ka shtrirë kthetrat në shoqërinë shqiptare.